2017
Një Urë drejt Shpresës dhe Shërimit
Prill 2017


Një Urë drejt Shpresës dhe Shërimit

Me ndihmën e duhur, viktimat e abuzimit seksual mund ta gjejnë shërimin që e dëshirojnë kaq fort.

creating a bridge

Ilustrimi nga Cristina Bernazzani

Përfytyroni që po qëndroni në buzën e një rrëpire dhe dëshironi të kaloni në anën tjetër të një kanioni të thellë, ku ju është thënë se ju pret lumturi e madhe. Teksa kërkoni një mënyrë për të kapërcyer, ju gjeni një grumbull materialesh që, nëse vendosen së bashku saktësisht, do të ndërtojnë një urë për të kaluar në anën tjetër të kanionit.

Nëse nuk dini se si ta ndërtoni urën, materialet do të jenë të padobishme dhe ju do të ndiheni të zemëruar dhe të pashpresë. Por, nëse merrni ndihmë nga dikush që ka përvojë në ndërtimin e urave, njohuria dhe kuptueshmëria juaj mund të rriten dhe së bashku mund të përmbushet detyra.

Përgjatë 18 viteve të kaluara, profesioni im ka qenë që të siguroj mjete dhe udhërrëfim për t’i ndihmuar njerëzit që ta kapërcejnë humnerën e vuajtjes emocionale ose mendore. Nga të gjithë njerëzit që i kam këshilluar, asnjë klient tjetër nuk duket të ketë ardhur aq i lënduar sa ata që kanë qenë viktima të abuzimit seksual. E kam parë ndikimin që kjo sfidë ka mbi aftësinë e individit për të duruar mirë deri në fund.

Megjithatë, unë gjithashtu kam arritur ta di se lehtësimi afatgjatë nga vështirësitë tona dhe nga vuajtja jonë është i mundshëm nëpërmjet Shpëtimtarit tonë. Dashuria e Tij i nxjerr njerëzit nga errësira në dritë.

Përse Abuzimi Seksual Shkakton kaq Shumë Dëmtim?

Viktimat e abuzimit më tregojnë për një jetë plot depresion, vetëdyshim dhe dhembje të tjera të thella emocionale. Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) na ndihmoi të kuptojmë përse abuzimi seksual shkakton lëndim kaq të thellë:

“Ekziston praktika e tmerrshme, e ashpër e abuzimit seksual. Ajo është përtej të kuptuarit. Është një fyerje ndaj mirësjelljes që duhet të ekzistojë brenda çdo burri e gruaje. Është një dhunim i asaj që është e shenjtë dhe hyjnore. Është shkatërruese në jetën e fëmijëve. Është e dënueshme dhe meriton ndëshkimin më të rëndë.

Turp qoftë mbi çdo burrë ose grua që do të abuzonte seksualisht me një fëmijë. Duke bërë kështu, abuzuesi nuk kryen vetëm llojin më të rëndë të plagosjes. Ai ose ajo gjithashtu mbetet i/e dënuar përpara Zotit.”1

Fuqia për të krijuar jetë është një fuqi e shenjtë dhe hyjnore që Ati ynë në Qiell ua ka dhënë fëmijëve të Tij. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Fuqia [për të krijuar jetë] është domethënëse nga ana shpirtërore. … Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur janë krijues dhe i kanë besuar secilit prej nesh një pjesë të fuqisë së Tyre krijuese.”2 Nuk është çudi, atëherë, që dhunimi i kësaj fuqie të shenjtë “meriton ndëshkimin më të rëndë” dhe shkakton “llojin më të rëndë të plagosjes”.

Të Kuptuarit e Lëndimit

looking out a window

Ilustrime © nuvolanevicata/iStock/Getty Images

Abuzim seksual është çfarëdo ndërveprimi pa pëlqim, i cili përfshin sjellje që kryhen ose jo nëpërmjet prekjes, në të cilat një njeri përdoret për vetëkënaqjen seksuale të një njeriu tjetër. Tepër shpesh, viktimat e abuzimit seksual lihen me mendime të pështjelluara, si edhe ndjenja të padenjësisë e të turpit, të cilat mund të jenë pothuajse shumë të rënda për t’u duruar. Dhembja dhe vuajtja që përjetojnë viktimat, shpesh shtohet nga komentet e të tjerëve që janë të rrënjosura në një keqkuptim të abuzimit seksual dhe të pasojave të tij. Disa viktima akuzohen se gënjejnë ose atyre u thuhet se abuzimi ishte në njëfarë mënyre faji i tyre. Të tjerë në mënyrë të gabuar bëhen të besojnë se duhet të pendohen, sikur ata të kishin mëkatuar në njëfarë mënyre ngaqë kishin qenë viktimat.

Shumë klientëve, me të cilët kam punuar, që përjetuan abuzim seksual në fëmijërinë ose rininë e tyre, iu thuhet “t’i japin fund asaj”, “ta lenë atë në të shkuarën” ose “thjesht të falin e të harrojnë”. Këto lloje thëniesh – veçanërisht kur vijnë nga miq të afërm, pjesëtarë të familjes ose udhëheqës të Kishës – mund ta çojnë viktimën drejt fshehtësisë dhe turpit në rritje në vend të shërimit dhe paqes. Në mënyrë të ngjashme me një plagë fizike ose infeksion të rëndë, këto plagë emocionale thjesht nuk largohen nëse lihen pas dore. Përkundrazi, rritet pështjellimi që fillon gjatë abuzimit, dhe, së bashku me emocionet e dhimbshme që pasojnë, të menduarit e një njeriu mund të ndryshohet, duke çuar më së fundi drejt zhvillimit të sjelljeve të pashëndetshme. Është e zakonshme që viktimat e abuzimit të mos ta kuptojnë se ajo që u ndodhi atyre, ishte abuzive, prapëseprapë ata mund të zhvillojnë ende sjellje të pashëndetshme dhe emocione të dhimbshme.

Hana (emri është ndryshuar) përjetoi abuzim seksual herët në fëmijërinë e saj. Si viktimat e tjera, ajo u rrit duke ndier se ishte një njeri i tmerrshëm, që nuk kishte asnjë vlerë. Ajo e kaloi shumicën e jetës së saj duke u përpjekur t’u shërbente të tjerëve aq sa të kompensonte për ndjenjat se ajo nuk ishte “mjaft e mirë” saqë Ati Qiellor ose dikush tjetër ta donte. Në marrëdhëniet e saj, pati frikë se, nëse njerëzit do ta njihnin atë me të vërtetë, ata do të mendonin se ishte po aq e keqe sa e besonte edhe vetë se ishte. Ajo përjetoi një frikë të fuqishme mospranimi, e cila çoi drejt të qenit e frikësuar për të provuar gjëra të reja në jetë apo për të bërë detyra të thjeshta si marrja e dikujt në telefon. Ajo u bekua me një talent për punë artistike, por hoqi dorë prej tij nga frika se nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë kritikës.

Për më shumë se 50 vjet ndjenjat e saj të padobishmërisë, pafuqishmërisë, frikës, zemërimit, pështjellimit, turpit, vetmisë dhe izolimit i udhërrëfyen vendimet e saj të përditshme.

Zëvendësimi i Dhembjes me Paqen

Shpëtimtari vuajti “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji”. Ai e bëri këtë që të “di[nte], sipas mishit, sesi t[a] ndihmo[nte] popullin e tij” (Alma 7:11–12). Vuajtja e Tij nuk ishte vetëm për mëkatet tona, por edhe për shërimin tonë kur mëkatet e dikujt tjetër na bëjnë të vuajmë.

Nëse Ai do të ishte sot këtu, unë përfytyroj që Shpëtimtari do të qante me ata që janë abuzuar seksualisht dhe do t’i bekonte ata, sikurse qau me nefitët dhe i bekoi ata (shih 3 Nefi 17). Ndërsa Ai nuk është këtu fizikisht, Shpirti i Tij mund të jetë me ne dhe Ai ka siguruar një mënyrë për ne që të shërohemi, të ndiejmë paqe dhe të falim.

reaching through a ladder

Për shumë veta që janë lënduar, ideja se dhembja që mbartin, mund të zëvendësohet me paqe është pothuajse e pamundur për ta besuar. Shpesh plagët e të abuzuarve kalojnë pa u vënë re dhe pa u dalluar nga të tjerët për vite. Lëndimi maskohet nga fytyra të qeshura, një gatishmëri për të ndihmuar të tjerët dhe për ta jetuar jetën sikur asgjë të mos shkonte keq, prapëseprapë dhembja është vazhdimisht atje.

Le ta krahasojmë procesin e shërimit emocional me atë të përkujdesjes për një plagosje fizike dhe të trajtimit të saj. Hamendësoni se kur ishit i ri, ju thyet këmbën. Në vend që të shkonit te mjeku që ta bënit kockën të vihej në vend, ju çaluat derisa dhembja e madhe u largua, por mbetet gjithmonë një dhembje e lehtë në secilin hap që ndërmerrni. Vite më vonë ju dëshironi që dhembja të largohet, prandaj shkoni te një mjek. Mjeku duhet ta rivendosë kockën, të pastrojë ndonjë formim që është rritur, ta vërë atë në allçi dhe t’ju dërgojë për terapi fizike që ta forconi këmbën tuaj.

Procesi i shërimit nga abuzimi është i ngjashëm me atë që viktima fillimisht duhet ta kuptojë se dhembja është e vërtetë dhe se mund të bëhet diçka rreth saj. Procesi përfshin pohimin e asaj që ndodhi, dhe lejimin e ndjenjave të të qenit të lënduar, të frikësuar dhe të trishtuar që të ndihen, pranohen e vlerësohen. Shpesh është e dobishme që të punohet me një profesionist me përvojë në këtë proces shërimi. (Kontrolloni me udhëheqësin tuaj të priftërisë që të mësoni nëse Shërbimet Familjare SHDM janë në dispozicion në zonën tuaj.)

Qoftë nëse viktima ka mundësi ose jo për ndihmë profesionale, gjëja më e mirë është që të lutet, ta studiojë jetën e Shpëtimtarit dhe Shlyerjen e Tij dhe të takohet rregullisht me një udhëheqës të priftërisë. Ai mund të ndihmojë që të lehtësohen barrët dhe të merret frymëzimi për t’i ndihmuar viktimat që të kuptojnë vlerën e tyre hyjnore dhe marrëdhënien e tyre me Atin në Qiell dhe Shpëtimtarin. Sikurse na mësoi kohët e fundit Motra Karol M. Stivens, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës: “Shërimi mund të jetë një proces i gjatë. Për të do të nevojitet që ju ta kërkoni plot lutje udhërrëfimin dhe ndihmën e duhur, përfshirë këshillimin me mbajtësit e priftërisë që janë shuguruar siç duhet. Ndërsa mësoni të komunikoni hapur, vendosni kufijtë e duhur dhe ndoshta kërkoni këshillë profesionale. Ruajtja e shëndetit shpirtëror gjatë gjithë procesit është jetike!”3

Për Hanën, jeta e saj ishte bërë kaq e parehatshme sa ajo kërkoi ndihmë. Ajo e dinte nga dëshmia e vet se mund të ndiente paqe dhe kënaqësi në jetë, por nuk i ndiente ato në mënyrë të vazhdueshme. Nëpërmjet lutjes dhe bisedës me peshkopin e saj, ajo u udhëzua që të shkonte në këshillim, ku ishte në gjendje të fitonte mjetet që i nevojiteshin për ta nxjerrë të vërtetën nga errësira dhe për të treguar për barrën e tmerrshme që e kishte mbartur e vetme. Duke e bërë këtë, ajo qe në gjendje ta largonte dhembjen dhe të gjente paqen e premtuar nga Shpëtimtari (shih Gjoni 14:27). Së bashku me këtë paqe e ngushëllim erdhi dëshira dhe aftësia për të falur.

Nevoja për të Falur

Ideja e faljes është shpesh e vështirë që të dëgjohet nga viktimat e abuzimit dhe shpesh keqkuptohet. Nëse mendojnë për faljen si lënien e abuzuesit pa e ndëshkuar apo thënien se ajo që bënë, nuk ka më rëndësi, viktima nuk do të ndiejë vlerësim. Ndërkohë që urdhërohemi të falim (shih DeB 64:10), në situatat ku dëmtimi është i rëndë, në mënyrë tipike shërimi duhet të fillojë përpara se viktima mund ta falë tërësisht abuzuesin.

Ata që po vuajnë dhembjet e shkaktuara nga abuzuesi, mund të gjejnë ngushëllim në këtë këshillë nga Libri i Mormonit: “Unë, Jakobi, dua t’ju flas juve që jeni të kulluar në zemër. Shikoni te Perëndia me fortësi të mendjes dhe lutjuni atij me besim të jashtëzakonshëm dhe ai do t’ju ngushëllojë në pikëllimet tuaja, dhe ai do të mbrojë çështjen tuaj, dhe do të dërgojë drejtësi mbi ata që kërkojnë shkatërrimin tuaj” (Jakobi 3:1 [LiM]). Nevoja për drejtësi dhe e drejta për dëmshpërblim mund t’i lihen në dorë Zotit, që Ai të mund ta zëvendësojë lëndimin tonë me paqe.

Hana më së fundi gjeti se ajo mund t’ia linte nevojën për drejtësi Shpëtimtarit dhe në këmbim të gjente një ndjenjë paqeje në jetën e saj që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë. Më parë ajo kishte pasur frikë të merrte pjesë në mbledhjet e familjes ku abuzuesi do të ishte i pranishëm. Tani, për shkak të gatishmërisë së saj që të përballet me plagët e vështira emocionale në udhën e saj drejt shërimit, ajo nuk ka më frikë të ndodhet në praninë e tij dhe madje të mund të ketë dhembshuri për të në moshën e tij të thyer.

Të Çliruar nga Barrë të Panevojshme

reaching up

Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha se “shërimi i plotë do të vijë nëpërmjet besimit tuaj në Jezu Krishtin, në fuqinë dhe aftësinë e Tij, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, që të shërojnë shenjat e asaj që është e padrejtë dhe e pamerituar. …

Ai ju do. Ai dha jetën e Tij që ju të mund të çliroheni nga barrët e panevojshme. Ai do t’ju ndihmojë ta bëni këtë. E di se Ai ka fuqinë për t’ju shëruar.”4

Kundërshtari dëshiron t’i mbajë njerëzit të lidhur me anë të dhembjes dhe vuajtjes, ngaqë ai është i mjeruar (shih 2 Nefi 2:27). Me ndihmën e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhembja me të vërtetë mund të zëvendësohet nga paqja, vetëm ashtu si Shpëtimtari është në gjendje ta japë, dhe ne mund të jetojmë me gëzim. “Adami ra që njerëzit të mund të jenë; dhe njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Të jetuarit me gëzim do t’i lejojë kohët e sprovës që të jenë më të durueshme dhe do të na aftësojë që të mësojmë e rritemi dhe të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell.

Unë jam përulur nga bekimi që kam pasur në jetën time, për t’u takuar me ata që janë dëmtuar nga abuzimi, dhe për të parë mrekullinë e shërimit që me të vërtetë vjen vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit. Nëse po vuani, ju lutemi të kërkoni ndihmë me anë të lutjes. Ju nuk duhet ta mbartni barrën e rëndë të vetëm. Unë e di se Ai shëron, sepse e kam dëshmuar atë shumë herë.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “Save the Children”, Ensign, nëntor 1994, f. 54; theksimi i shtuar.

  2. Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 42.

  3. Karol M. Stivens, “Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2016, f. 11.

  4. Richard G. Scott, “To Be Free of Heavy Burdens”, Liahona, nëntor 2002, f. 88.