2017
Libra të Harruar, Dëshmi e Mbajtur Mend
Prill 2017


Libra të Harruar, Dëshmi e Mbajtur Mend

Autorja jeton në Kagajan të Filipineve.

Sytë e të gjithëve ishin drejtuar nga unë. A mund ta mbroja Kishën vetëm me dëshminë time të thjeshtë?

girl in classroom

Një vit unë kisha si qëllim që të përmirësoja të mësuarin tim shpirtëror. Kudo merrja me vete libra Kishe, broshura, manuale dhe shkrime të shenjta, përfshirë edhe në shkollë, pasi isha e uritur për fjalën e Perëndisë. Por përpjekjet e mia u vakën kur u ngarkova me studimin e një provimi të radhës me alternativa.

Një ditë mësuesja jonë hapi një diskutim në të cilin ajo u kërkoi të gjithë studentëve në dhomë që nuk ishin katolikë, të ngriheshin në këmbë. Isha e vetmja shenjtore e ditëve të mëvonshme në klasë. Gjashtë studentë të tjerë u ngritën gjithashtu.

Më pas, na pyeti: Cilës kishe i përkisni? Kush ishte themeluesi? Si u krijua kisha juaj?

Unë u përgjigja e fundit. U bëra nervoze kur kuptova se nuk i kisha sjellë librat e mi të Kishës, por u përpoqa të kujtoja gjërat që kisha studiuar. Në mendje më erdhi një varg nga Bibla:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5–6).

Unë qëndrova përpara klasës me guxim dhe e harrova frikën time. Thashë se jam një anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Tregova historinë e një djaloshi, Jozef Smith, i cili pa Perëndinë. Ndjeva një djegie në kraharor dhe lot më rrodhën nga sytë. Unë tregova se Kisha ishte organizuar më 6 prill 1830 dhe dëshmova se një profet i Perëndisë ishte thirrur dhe priftëria ishte rivendosur. Unë dëshmova se e dija që e gjitha kjo ishte e vërtetë.

Orët e shumta të studimit të ungjillit ia kishin vlejtur. Më kishin ndihmuar që të mbroja besimin tim dhe ta ndaja ungjillin. Isha krenare kur disa javë më vonë, katër nga shokët e mi të klasës u bashkuan me mua në kishë.

Ajo përvojë më mësoi rëndësinë e dëshmisë. Në fillim unë pyesja veten se përse Zoti nuk më kishte nxitur që t’i sillja me vete librat atë ditë. Ata do më kishin ndihmuar që t’u përgjigjesha shkëlqyeshëm pyetjeve që u parashtruan. Por më pas e kuptova se ne nuk duhet të mësojmë përmendsh çdo gjë rreth Kishës ose të mbështetemi në referenca – ne duhet ta studiojmë, ta jetojmë dhe ta ndajmë ungjillin, duke u mbështetur te Fryma e Shenjtë. Unë mund të mos i kem pasur librat me vete, por kisha dëshminë time.