Ata e Panë Atë
Këta individë e panë njëmend Shpëtimtarin e ringjallur, por edhe ju mund të jeni një dëshmitar i Krishtit në vetë mënyrën tuaj.
Si mendoni se do të ishte ta dëshmonit Shpëtimtarin e ringjallur? Për qindra njerëz në kohën e Jezusit, nuk u desh ta përfytyronin – ata e jetuan. Shkrimet e shenjta tregojnë për së paku një duzinë rastesh të shënuara në Dhiatën e Re dhe disa të tjera në Librin e Mormonit kur Zoti i ringjallur iu shfaq njerëzve. Këta individë dëshmuan një prej mrekullive më të mëdha në histori: Jezu Krishtin tek e mposhti vdekjen dhe e bëri të mundur për secilin prej nesh që të jetojmë sërish. Tejet e pabesueshme, apo jo?
Pra, çfarë do të thotë saktësisht të jesh një dëshmitar i Krishtit? Le t’u hedhim një sy disa prej këtyre çasteve në shkrimet e shenjta dhe të mendojmë se në ç’mënyrë mund të jemi edhe ne dëshmitarë të Krishtit edhe pa e parë Atë fizikisht.
Maria Magdalena
Maria Magdalena ishte dëshmitarja e parë. Mëngjesin e së dielës pas Kryqëzimit, ajo erdhi te varri me disa gra të tjera për të vajosur trupin e Zotit. Kur Maria zbuloi një varr të zbrazët, ajo qau. Dikush iu afrua nga prapa dhe e pyeti: “O grua, pse po qan?” Përfytyrojeni habinë e saj kur zbuloi se ishte Jezusi, i ngritur nga vdekja. (Shih Gjoni 20:1–18.)
Dy Dishepujt Rrugës për në Emaus
Kleopa dhe një dishepull tjetër po ecnin rrugës për në Emaus kur me ta u bashkua një i panjohur. Ata nuk e njohën shoqëruesin e tyre të ri por, gjatë vaktit të tyre të mbrëmjes së bashku, i panjohuri theu bukën. Pastaj atyre iu çelën sytë dhe e kuptuan se gjatë gjithë kohës kishin qenë duke udhëtuar me Shpëtimtarin. “Po a nuk na digjej zemra përbrenda… ?” e pyetën ata njëri-tjetrin, duke e përsiatur pohimin që kishin ndier se Ai vërtet kishte qenë me ta. (Shih Lluka 24:13–34.)
Dhjetë Apostujt
Dy dishepujt që kishin udhëtuar për në Emaus me Krishtin, u kthyen në Jerusalem dhe u treguan dhjetë prej Apostujve rreth përvojës së tyre. Ndërkohë që ata po flisnin, Vetë Shpëtimtari iu shfaq atyre, duke thënë: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” (Shih Lluka 24:36–41, 44–49.)
Apostulli Thoma
Apostulli Thoma nuk ishte i pranishëm kur Shpëtimtari iu shfaq fillimisht Apostujve të tjerë, prandaj nuk e besonte se Krishti ishte ringjallur. Një javë më vonë, Krishti iu shfaq përsëri Apostujve. Këtë herë Thomai ishte atje dhe për shkak se e pa Krishtin, e besoi që Ai ishte ngritur [nga vdekja]. Shpëtimtari e paralajmëroi Thomain që të mos besonte vetëm pasi kishte parë: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” (Shih Gjoni 20:24–29.)
Njëmbëdhjetë Apostujt në Detin e Tiberiadës
Një ditë, jo shumë kohë pas Ringjalljes, disa Apostuj shkuan për peshkim në Detin e Tiberiadës, por nuk patën shumë fat. Të nesërmen në mëngjes, Shpëtimtari iu shfaq atyre dhe i këshilloi që t’i hidhnin rrjetat në anën e djathtë të barkës. Kur e bënë këtë, rrjeta zuri aq shumë peshq saqë mezi mundën ta tërhiqnin! Pasi hëngrën së bashku, Shpëtimtari u dha mësim rreth rëndësisë së shërbesës ndaj të tjerëve, duke thënë: “Kulloti delet e mia”. Apostujt do ta shpenzonin të gjithë pjesën tjetër të jetës së tyre duke bërë pikërisht atë – duke u mësuar njerëzve rreth Krishtit – dhe në disa raste, ata madje dhanë jetën e tyre për këtë çështje. (Shih Gjoni 21:1-22.)
Nefitët në Kontinentin Amerikan
Gjatë Kryqëzimit, toka në kontinentin amerikan u rrënua nga tërmete, zjarre, fatkeqësi të tjera natyrore dhe tri ditë errësirë për të shenjuar vdekjen e Shpëtimtarit. Më vonë, Krishti zbriti nga qielli dhe vizitoi një turmë prej 2500 vetash të mbledhur pranë tempullit në [tokën] Begati. Ai i ftoi njerëzit që t’i preknin shenjat e plagëve në duart, këmbët dhe brinjën e Tij, bëri një predikim dhe i bekoi fëmijët e nefitëve një e nga një. Akoma më shumë njerëz u mblodhën të nesërmen dhe Shpëtimtari i takoi dhe u dha mësim atyre. Dishepujt përfundimisht formuan Kishën e Krishtit dhe nefitët morën një dëshmi kaq të madhe, saqë si ata edhe lamanitët u kthyen në besim te Zoti. (Shih 3 Nefi 11–18; shih edhe 3 Nefi 8–10; 4 Nefi 1.)
Dëshmitarët Atëherë dhe Tani
Krishti iu shfaq edhe shumë të tjerëve, përfshirë disa grave që kishin ardhur te varri për ta ndihmuar Maria Magdalenën ta vajoste trupin e Krishtit, një grupi me mbi 500 burra, Jakobit dhe Palit. (Shih Mateu 28:9; Veprat e Apostujve 9:4–19; 1 Korintasve 15:6–7; shih edhe 3 Nefi 19; 26:13.)
Ne mund të mos kemi mundësinë ta shohim Shpëtimtarin siç e panë këta dëshmitarë, por ju prapëseprapë mund të jeni një dëshmitar i Krishtit. Ju mund ta kërkoni vetë Shpëtimtarin, ashtu sikurse bëri Maria kur shkoi te varri, duke mësuar më shumë rreth Tij. Ose mund ta ushtroni besimin tuaj në Të, duke i zbatuar urdhërimet dhe duke i ndjekur këshillat e profetëve. Ose mund t’i dalloni bekimet e Shpëtimtarit në jetën tuaj, ashtu siç bënë dy dishepujt që po ecnin për në Emaus. Këtë periudhë pashke, mendoni se çfarë do të thotë të jesh një dëshmitar i Krishtit. Këta njerëz ishin me plot kuptimin e fjalës dëshmitarë që e panë njëmend Krishtin e ringjallur – por kjo nuk është e vetmja mënyrë se si mund ta dëshmoni Atë në jetën tuaj.