Kur Prapë të Takohemi
Fuqia e Perëndisë
Nga një fjalim në sesionin e përgjithshëm të priftërisë të titulluar “The Doctrine of the Priesthood” [“Doktrina e Priftërisë”], Ensign, maj 1982, f. 32–34; germëzimi i standardizuar.
Besimi është fuqi dhe fuqia është priftëri.
Perëndia është Perëndi ngaqë Ai është mishërimi i gjithë besimit dhe gjithë fuqisë, dhe gjithë priftërisë. Jeta që Ai jeton, quhet jetë e përjetshme.
Dhe shkalla në të cilën ne bëhemi si Ai është shkalla në të cilën ne e fitojmë besimin e Tij, marrim fuqinë e Tij dhe e ushtrojmë priftërinë e Tij. Dhe kur ne të jemi bërë si Ai në kuptimin e plotë dhe të vërtetë [të fjalës], atëherë edhe ne do të kemi jetë të përjetshme.
Besimi dhe priftëria shkojnë krah për krah. Besimi është fuqi dhe fuqia është priftëri. Pasi fitojmë besim, ne marrim priftërinë. Më pas, nëpërmjet priftërisë, ne rritemi në besim derisa, duke pasur gjithë fuqinë, ne bëhemi si Zoti ynë.
Koha jonë këtu në vdekshmëri është veçuar si një kohë prove dhe testimi. Është privilegji ynë ndërsa jemi këtu [në tokë] që ta përsosim besimin tonë dhe të rritemi në fuqinë e priftërisë. …
Priftëria e shenjtë bëri më shumë për t’i përsosur njerëzit në kohën e Enokut sesa në ndonjë kohë tjetër. E njohur atëherë si urdhri i Enokut (shih DeB 76:57), ishte fuqia me anë të së cilës ai dhe populli i tij u ngritën në qiell. Dhe ata u ngritën në qiell ngaqë patën besim dhe e ushtruan fuqinë e priftërisë.
Ishte me Enokun që Zoti bëri një besëlidhje të përjetshme se të gjithë ata që e merrnin priftërinë, do të kishin fuqi, nëpërmjet besimit, për t’i qeverisur dhe kontrolluar të gjitha gjërat në tokë, për të sfiduar ushtritë e kombeve dhe për të qëndruar në lavdi dhe ekzaltim përpara Zotit.
Melkizedeku ishte një njeri i një besimi të tillë “dhe populli i tij solli drejtësi dhe fitoi qiellin, dhe kërkoi qytetin e Enokut” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:34). …
Çfarë, pra, është doktrina e priftërisë? Dhe si duhet të jetojmë ne si shërbëtorë të Zotit?
Kjo doktrinë është që Perëndia, Ati ynë, është një qenie e përlëvduar, e përsosur dhe e ekzaltuar, i cili ka gjithë pushtetin, gjithë fuqinë dhe gjithë sundimin, i cili i di të gjitha gjërat dhe është i pafundëm në të gjitha cilësitë e Tij, dhe që jeton në një njësi familjare.
Është që Ati ynë i Amshuar e gëzon këtë status të lartë lavdie dhe përsosurie, dhe fuqie ngaqë besimi i Tij është i përsosur dhe priftëria e Tij është e pafundme.
Është që priftëria është vetë emri i fuqisë së Perëndisë dhe, nëse duam të bëhemi si Ai, ne duhet ta marrim dhe ushtrojmë priftërinë ose fuqinë e Tij ashtu si Ai e ushtron atë. …
Është që ne kemi fuqi, me anë të besimit, për t’i qeverisur dhe kontrolluar të gjitha gjërat, si tokësore edhe shpirtërore; për të kryer mrekulli dhe për ta përsosur jetën; për të qëndruar në praninë e Perëndisë dhe për të qenë si Ai ngaqë e kemi fituar besimin e Tij, përsosuritë e Tij dhe fuqinë e Tij, apo me fjalë të tjera, plotësinë e priftërisë së Tij.
Kjo, pra, është doktrina e priftërisë, mbi të cilën nuk ka dhe nuk mund të ketë ndonjë gjë më të madhe. Kjo është fuqia që ne mund të fitojmë nëpërmjet besimit dhe drejtësisë …
Me të vërtetë ka fuqi në priftëri – një fuqi të cilën ne kërkojmë ta marrim për ta përdorur, një fuqi për të cilën ne lutemi me devotshmëri që të qëndrojë mbi ne dhe mbi pasardhësit tanë përgjithmonë.