i Vjetër i Familjes: Albumi Fuqia e Historive Familjare
Autorja jeton në Nju-Jork, SHBA.
Trashëgimitë e paraardhësve të mi vazhdojnë të jetojnë nëpërmjet meje, duke ndikuar vazhdimisht për mirë në jetën time.
Një mëngjes vere para Luftës II Botërore, stërgjyshi im u zgjua para agimit – siç bënte përherë. Ai shkoi jashtë shtëpisë së tij në një kodër me pamje nga një luginë e gjelbër dhe nga fshati i tij në Rumani dhe u ul mbi barin e mbuluar nga vesa e mëngjesit, i zhytur thellë në mendime – të njëjtat mendime që kishin qenë në mendjen e tij për njëfarë kohe. Si një burrë i shkolluar me një zemër të madhe dhe me një mendje kureshtare, atë e donin dhe e respektonin të gjithë në fshat.
Fshati i tij, që ndodhej në tokën e lumit të lashtë Olt, ishte prototipi i pamjes së përjetshme të një fshati rumun, ku lashtësia bashkohet me peizazhet përrallore, një thesar të zakoneve piktoreske dhe përgjegjësinë e natyrshme për t’u kujdesur për objektet dhe traditat që njeriu trashëgon nga etërit e tij dhe ia kalon brezit tjetër.
Pasi lindi dielli, ai shkoi brenda shtëpisë dhe i rrëfeu gruas së tij se ai kishte qenë kureshtar të shihte se si do të ishte funerali i tij dhe se donte të bënin një funeral provë. Ai caktoi datën, bleu arkivolin, punësoi priftin dhe vajtues profesionistë dhe siguroi të gjithë artikujt e tjerë kërkuar nga tradita ortodokse greke. Dita e funeralit provë erdhi. Tavolinat ishin vënë në mes të fshatit për banketin përkujtimor, familja ishte e veshur e gjitha me të zeza, erdhi prifti, stërgjyshi im rrinte shtrirë në arkivol, duke rregulluar jastëkun që të kishte një pamje të rehatshme dhe kortezhi i funeralit filloi. Kur ceremonia mbaroi, i gjithë fshati u ftua në gostinë ku stërgjyshi im realizoi ëndrrën e tij, që të kërcente në vetë funeralin e tij. Ai jetoi edhe 20 vite të tjera, duke kontrolluar shpesh për të parë nëse arkivoli e nxinte akoma.
Jo Thjesht Emra dhe Data
Nuk e kam takuar kurrë stërgjyshin tim por historia e tij ka qenë gjithmonë më e parapëlqyera për mua. Ajo më kaloi mua nëpërmjet gjyshërve të mi. Çdo ditë ata do të më tregonin mua dhe vëllezërve e motrave të mia rreth paraardhësve tanë: nga erdhën ata, si ishin ata, vlerat, ëndrrat dhe shpresat e tyre. Pas çdo vakti të diele, gjyshërit e mi nxirrnin albumin e vjetër të familjes. Me çdo kthim faqeje historitë vinin në jetë, e shkuara dhe e tashmja, ndërsa zemrat thureshin së bashku në një tapiceri dashurie që i reziston provës së kohës.
Ato nuk ishin thjesht fotografi të vjetra me emra dhe data të shkruara me ngut nga mbrapa. Pas çdo fytyre ishte një atë apo një nënë, një bir apo një bijë, një vëlla apo një motër. Për ne ata qenë njerëz të vërtetë me shpresa dhe ëndrra, mundime dhe zhgënjime, suksese dhe dështime. Megjithëse nuk janë më të pranishëm me trup, historitë e tyre vazhdojnë të jetojnë, trashëgimitë e tyre vazhdojnë të shkëlqejnë dhe fytyrat e tyre vazhdojnë të qeshin nga një album i vjetër familjar që sot lidh në dashuri zemrat e gjashtë brezave.
Forcë në Kohë Sprove
Në kohën kur isha 19 vjeçe, prindërit e mi dhe pjesa më e madhe e familjes më të afërt kishin vdekur dhe shumë prej pasurive që kisha trashëguar, kishin humbur ose ishin vjedhur. Por përsëri ka një gjë që as koha, fatkeqësitë natyrore apo madje edhe vdekja nuk mund ta shkatërrojnë ndonjëherë: ura që shtrihet në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen që e ndërtoi secili prej pjesëtarëve të familjes sime. Për shkak të zellit të tyre, fija që i lidh së bashku zemrat tona, ka dhënë provën që është më e fortë se çdo sprovë tokësore dhe më ka dhënë forcën për të kapërcyer rrethana të vështira.
Kur prindërit dhe gjyshërit e mi vdiqën, unë ndjeva një dhimbje aq të thellë saqë pyeta veten nëse do të kisha forcë të mjaftueshme për të vazhduar përpara. Por unë e ndjeva ndikimin e tyre nga përtej velit dhe ai [ndikim] më ndihmoi të fitoja një dëshmi të patundur për jetën pas vdekjes dhe më vonë për ordinancat e tempullit.
Nuk mbaj mend se si ishte mamaja ime dhe as nuk i kam takuar stërgjyshërit e mi, por çdo herë që e marr albumin e vjetër të familjes unë shoh veten time në sytë e tyre. Unë jam kjo që jam për shkak të të gjithë atyre që erdhën para meje, dhe përvojat dhe urtësia e tyre kanë formuar karakterin tim dhe më kanë udhëhequr gjatë shtegut tim.
Shpesh mendoj për familjen time në anën tjetër të velit dhe për sakrificat që ata bënë që unë të kisha një jetë më të mirë. Mendoj për ordinancat e tempullit të cilat na mundësojnë që një ditë të jemi sërish së bashku si një familje. Dhe mendoj për Shlyerjen e Jezu Krishtit, i cili e bëri të mundur të gjithë këtë. Ai pagoi çmimin që ne të mund të jetojmë. Për këtë ne e duam Atë dhe e adhurojmë Atë me mirënjohje sot dhe përgjithmonë.