2017
Yllka Ndriçon
Prill 2017


Yllka Ndriçon

Autorja jeton në Kolorado, SHBA.

“It’s nice to be here with you in Primary” [“Është mirë të jem me ju në Fillore”] (Children’s Songbook, f. 254).

Star Shines

Yllka rregulloi rrobat. Ende i dukej e çuditshme të vishte një fustan për në kishë. Në kishën e saj të vjetër, vajzat vishnin pantallona të gjata ose të shkurtra të dielën. Por në kishën e saj të re, jo. Ajo dhe nëna e vet sapo ishin pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Yllka psherëtiu kur u pa në pasqyrë. Ishte e emocionuar që do të shkonte në kishë për herë të parë zyrtarisht si një anëtare, por ishte edhe në ankth. Më përpara, ajo rrinte me mamin gjatë gjithë kohës në kishë. Por këtë herë ajo do të shkonte në Fillore.

Yllka i shkeli syrin pasqyrimit të vet. Po sikur të mos përshtatej? Po sikur fëmijët e tjerë të mos ta kishin qejf?

“Yllka? A je gati?” thirri mami.

Yllka zbriti shkallët. “A dukem mirë?” pyeti ajo.

Mami buzëqeshi. “Dukesh bukur.”

Yllka u ngërdhesh. “Ti ashtu do të thuash. Se je mami im.”

“Ke të drejtë. Unë njëmend ashtu do të them. Sepse është e vërtetë.”

Yllka i dha një buzëqeshje të vogël. Mami gjithnjë kishte një mënyrë për ta bërë të ndihej më mirë. Por ende kishte një lëmsh në stomak. Po sikur asnjëri nga fëmijët e tjerë të mos dëshironte t’i fliste? Ajo kishte shokë në shkollë, por nuk ishin anëtarë të kishës së saj të re. Ajo uronte të kishte qoftë edhe një shoqe që të shkonte në kishë me të.

“Sapo m’u kujtua se kam diçka për të bërë”, i tha mamit.

U kthye duke i ngjitur shkallët me vrap dhe u gjunjëzua anës shtratit. “Atë i dashur Qiellor, të lutem më ndihmo të zë shokë të rinj. Unë besoj se ajo që më mësuan misionarët, është e vërtetë, por kam frikë.”

Yllka qëndroi në gjunjë dhe mbajti vesh. Pas një çasti ajo ndjeu një ndjenjë të ëmbël, të paqtë dhe nuk ishte më aq në ankth.

Në kishë, Yllka dhe mami u ulën pranë një familjeje me tri vajza të vogla. Prindërit u prezantuan dhe filluan të bisedonin me mamin përpara se të fillonte mbledhja. Yllka i ndihmoi vajzat të ngjyrosnin një vizatim të Jezusit.

Peshkopi Endrjus u afrua drejt tyre. “Motra Kaningam! Yllka! Sa mirë që ju shikoj sot!” Ai i dha secilës një buzëqeshje të ngrohtë dhe u shtrëngoi dorën. Yllka e kishte harruar sa i sjellshëm ishte gjithsecili në kishë. Ndoshta do të zinte një shoqe në fund të fundit.

Pas mbledhjes së sakramentit, Yllka shkoi në Fillore. U hodhi një sy fëmijëve të tjerë teksa u ul me ankth. Ata po flisnin me njëri-tjetrin dhe nuk dukej se e vunë re. Yllkës iu ndrydh zemra. Do të rrinte vetëm sidoqoftë.

Më pas, një vajzë e vogël në moshën e Yllkës hyri në dhomë. “Edhe ajo duket në ankth”, mendoi Yllka. “Mund të shkoj t’i flas.”

Yllka mori frymë thellë, pastaj eci drejt vajzës. “Ç’kemi, unë quhem Yllka. Jam e re. Do të ulesh pranë meje?” Yllka mbajti frymën. A do të donte vajza të bëhej shoqja e saj?

Goja e vajzës u hap në një gjysmë buzëqeshje. “Unë jam Sara. Edhe unë jam e re. Familja ime sapo u shpërngul këtu nga Ontario.”

“Unë dhe mami im u pagëzuam dy javë më parë”, tha Yllka. “Nuk jam e sigurt se çfarë duhet të bëj.”

Buzëqeshja e Sarës u bë akoma më e madhe. “Epo do ta zbulojmë bashkë.”

Yllka dhe Sara u ulën me klasën e tyre. Ndonjëherë Yllka shkëmbente shikime me Sarën dhe buzëqeshte. Sara ia kthente buzëqeshjen. Yllka ndihej e qetë dhe e lumtur. Ajo e dinte se Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes së saj dhe e kishte ndihmuar të gjente një shoqe.

Në klasë, mësuesja i kërkoi Yllkës dhe Sarës të prezantoheshin.

Yllka doli përpara. “Quhem Yllka Kaningam. Unë dhe mami im u pagëzuam dy javë më parë.” Ajo ndali dhe një buzëqeshje iu avit në fytyrë teksa shihte nga shoqja e saj e re. “Dhe kjo është shoqja ime Sara.”