Pyetje & Përgjigje
“Si mund ta di se Perëndia po i dëgjon lutjet e mia?”
Lutja është një bekim i madh dhe neve na premtohet se Ati Qiellor është përherë duke na dëgjuar, por shpesh duhet pak punë për t’i dalluar përgjigjet e Tij.1
Mendoni për këtë: Perëndia ose ju dëgjon ose nuk ju dëgjon. Nëse nuk ju dëgjon, atëherë sigurisht që nuk ka kuptim të luteni. Por nëse ju dëgjon (dhe Ai ju dëgjon!), ne duhet të zbulojmë se si të bisedojmë vërtet me Të në lutje, si t’i dallojmë përgjigjet dhe si të ecim përpara me besim.
Kur mendojmë se Ai nuk është duke na dëgjuar, ndoshta duhet të përjetojmë pak rritje vetjake. Ju mund t’i bëni vetes disa pyetje: A jam i/e pastër? A janë motivet e mia të lavdërueshme? A jam i/e gatshëm/me të bëj atë që Ai kërkon?2 Nëse përgjigjja për secilën nga këto është “po”, ju mund të mirëbesoni se “Zoti, Perëndia yt, do … t’u japë përgjigje lutjeve të tua” (DeB 112:10). Mbani mend, ndonjëherë përgjigjet vijnë në mënyra të pakapshme ose të papritura.
Nëse disa prej atyre pyetjeve u jepni përgjigjen “jo”, nuk është kurrë tepër vonë! Bëni ndryshimet e nevojshme në jetën tuaj në mënyrë që të mund të keni Shpirtin. Jini të gatshëm të veproni sipas nxitjeve që merrni.
Dhe mos harroni që çdokush i merr përgjigjet në mënyra të ndryshme. Lutuni që Fryma e Shenjtë t’ju mësojë se si ju të mund t’i dalloni përgjigjet. Mund të mos jetë e lehtë t’i dalloni me të parën, por është si çdo aftësi tjetër: ushtrimi e bën të përsosur. Kini besim dhe mirëbesim se Ati Qiellor është përherë duke na dëgjuar.
Dëgjojeni Shpirtin
Përpiquni ta dëgjoni Frymën e Shenjtë. Njerëzit e dëgjojnë Frymën e Shenjtë në mënyra të ndryshme, ndaj ndoshta ju jeni duke dëgjuar për zërin e qetë e të ulët kur nxitja mund të vijë si një ndjenjë. Unë e di se Fryma e Shenjtë do t’ju tregojë gjithçka që ju duhet të dini – ju thjesht duhet të dëgjoni.
Alisa G., mosha 13 vjeçe, Alberta, Kanada
Përgjigjet në Kishë
Një herë isha në mëdyshje të madhe nëse duhet të dilja në takim me një joanëtar. Një të diel në mbledhjen e sakramentit, një motër dha një bisedë që dukej sikur më drejtohej mua personalisht. Në atë çast, mora një garanci se Zoti i qe përgjigjur lutjes sime. Më përpara isha e pështjelluar lidhur me atë që duhej të bëja, por pastaj u ngushëllova nga Fryma e Shenjtë, i cili ma mbushi zemrën me gëzim e kurajë. Perëndia na përgjigjet nëpërmjet ndjenjave, mendimeve, shkrimeve të shenja dhe madje folësve në Kishë.
Karen V., mosha 19 vjeçe, Minjas Gerais, Brazil
Kërkoje
Një herë pyeta veten nëse Perëndia mund t’i dëgjonte lutjet e mia dhe më pas e ndjeva përgjigjen në zemrën time. Dëgjova dikë të jepte dëshmi për lutjen dhe unë mund ta ndieja Frymën e Shenjtë. Këshilla ime e radhës do të ishte të pyesnit prindërit tuaj, peshkopin ose anëtarët e tjerë të lagjes suaj. Ju gjithashtu mund të luteni për ndihmë lidhur me këtë temë!
Xhoshua S., mosha 13 vjeç, Oregon, SHBA
Kujtohuni se Cili Jeni
Unë e di se Perëndia na dëgjon, sepse lutja sjell ndjenja paqeje, lehtësimi dhe dashurie në zemrën time. Unë e kuptoj që Ai më çliron nga shumë rreziqe ditë për ditë dhe që Ai e mbron familjen time dhe ndiej që Ai më do. Përpara se të shkoj në shkollë, gjithmonë e them temën e Të Rejave; ajo më ndihmon të kujtoj se unë jam një bijë e Atit Qiellor, i cili më do.
Nikol M., mosha 19 vjeçe, Limë, Peru
Lutja e një Fëmije
Unë e di se Ati Qiellor i dëgjon lutjet e mia për shkak të këtyre fjalëve në këngën e Fillores “A Child’s Prayer” [“Lutja e një Fëmije”] (Children’s Songbook, f. 12): “O Ati Qiellor, a je Ti atje? A i përgjigjesh lutjes së çdo fëmije? Disa thon’ qielli ësht’ shumë larg, Por sa her’ lutem, e ndiej atë pran’.” Kur e kujtoj atë këngë, unë e di se Ai po më dëgjon, sepse e ndiej Shpirtin dhe dashurinë e Tij të pafundme për mua. Kur kujtoj se Ai më do, unë ndiej ngushëllim dhe e di se Ai i dëgjon lutjet e mia.
Elain B., mosha 16 vjeçe, Karolina e Veriut, SHBA
Mirëbesoni në Të
Ati Qiellor i dëgjon gjithmonë lutjet tona, por ndonjëherë duket sikur Ai nuk po u përgjigjet atyre sepse Ai mund të mos na përgjigjet me mënyrën ose në kohën që ne duam që Ai të përgjigjet. Ne duhet të jemi të gatshëm t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë vullnetit të Tij dhe të kemi besim se Ai e di se çfarë është më e mira për ne. Ati Qiellor na do dhe do të përpiqet gjithnjë të na ndihmojë të mësojmë dhe të rritemi ndërsa Ai u përgjigjet lutjeve tona.
Mosia M., mosha 17 vjeç, Juta, SHBA
Lutuni me Sinqeritet
Pas lutjes suaj, ju mund t’ua vini veshin ndjenjave dhe qëllimeve që vijnë në zemrën tuaj. Njëra prej tyre mund të jetë përgjigjja për lutjen tuaj. Kur ne lutemi me qëllim të vërtetë dhe një zemër të sinqertë, Ati ynë Qiellor përgjigjet sipas besimit që kemi në Të. Ai nuk përgjigjet thjesht për të kënaqur kureshtjen tonë.
Zhan Klod N., mosha 16 vjeç, Kasai-Central, Republika Demokratike e Kongos
Kërkoni dhe do të Merrni
Nëpërmjet shkrimeve të shenjta, neve na është mësuar se Perëndia do t’i dëgjojë gjithnjë lutjet tona dhe do t’u përgjigjet atyre nëse ne i drejtohemi Atij me besim dhe qëllim të vërtetë. Në zemrën tonë ne do të ndiejmë pohimin se Ai vërtet na dëgjon, një ndjenjë paqeje dhe qetësie. Ne gjithashtu mund të ndiejmë se gjithçka do të shkojë mirë kur e ndjekim vullnetin e Atit. Nëse kemi dyshime se Ai na dëgjon, ne duhet të kërkojmë udhërrëfim në shkrimet e shenjta dhe më pas të pyesim nëse ato gjëra që lexojmë, janë të vërteta.
Konstanca L., mosha 20 vjeçe, Bío Bío, Kili
Mos u Dorëzoni
“Jini të bindur, mbajini mend kohët kur ju e keni ndier Shpirtin në të kaluarën, dhe kërkoni me besim. Përgjigjja juaj do të vijë dhe ju do ta ndieni dashurinë dhe paqen e Shpëtimtarit. Mund të mos vijë aq shpejt ose në formën që ju e dëshironi, por përgjigjja do të vijë. Mos u dorëzoni!”
Plaku Xhejms B. Martino, i Të Shtatëdhjetëve, “Kthehuni tek Ai dhe Përgjigjet Do Të Vijnë”, Liahona, nëntor 2015, f. 59.
Pyetja Pasuese
“Si mund t’u kërkoj miqve të mi që të mos flasin ashpër ose në mënyrë të pahijshme për të tjerët?”
Dërgojeni përgjigjen tuaj dhe, nëse dëshironi, një fotografi me rezolucion të lartë deri më 15 maj 2017 në liahona.lds.org (klikoni te “Dorëzo një Artikull”) ose nëpërmjet postës elektronike në adresën liahona@ldschurch.org.
Ju lutemi, përfshini informacionin vijues: 1) emrin e plotë, 2) datën e lindjes, 3) lagjen ose degën, 4) kunjin ose distriktin, 5) lejen tuaj me shkrim dhe, nëse jeni nën moshën 18 vjeç, lejen me shkrim të prindit tuaj (mesazhi elektronik pranohet) për botimin e përgjigjes dhe të fotografisë suaj.
Përgjigjet mund të redaktohen lidhur me gjatësinë apo qartësinë.