2017
Andrei dhe Fjala e Keqe
Prill 2017


Andrei dhe Fjala e Keqe

Autorja jeton në Juta, SHBA.

“Do të përpiqem të pendohem, të përmirësohem, të lutem” (Children’s Songbook, f. 98).

Andrei and the Bad Word

“Ti mendon se je më i mirë se gjithë të tjerët ngaqë nuk shan”, tha Nikolai në pushim të madh.

“Kjo nuk është e vërtetë”, tha Andrei.

“Atëherë përse nuk thua një fjalë të pistë? Vetëm një? Nuk bëhet nami. Të gjithë shajnë.”

Andrei ngriti supet. “Thjesht nuk dua.”

Andrei e dinte se të shaje ishte e gabuar dhe e bën Frymën e Shenjtë të largohet. Andrei donte që ta kishte me vete Frymën e Shenjtë. Prandaj nuk shau.

Andrei ishte i ri në shkollë dhe, deri tani, Nikolai ishte i vetmi në klasën e tij të gjashtë që donte të ishte shoku i tij. Por Nikolai e bezdiste çdo ditë që të shante. Dhe çdo ditë Andrei lodhej pak më shumë për të thënë “jo”. Përveç kësaj, Andrei kishte frikë se Nikolai nuk do të ishte më shoku i tij dhe atëherë ai do të ishte me të vërtetë i vetmuar.

“Thjesht thuaj vetëm një fjalë të pistë”, tha Nikolai pas shkolle. “Pastaj do të të lë të qetë.”

Më në fund Andrei ishte kaq i lodhur nga të qenit i bezdisur sa tha një fjalë të pistë – një që nuk ishte shumë e keqe.

Nikolai pohoi me kokë. “Në rregull, tani je njëri prej nesh.”

Pas kësaj, Andreit i folën edhe miqtë e tjerë të Nikolait. Ata hanin drekë me të dhe luanin futboll me të në pushim të madh. Por të qenit në grupin e miqve të Nikolait ishte si të ecje mbi rërë thithëse. Sa më shumë kohë që Andrei kalonte me ta, aq më shumë ai fliste dhe vepronte si ata. Dhe të gjithë ata shanin. Shumë. Ata qeshnin dhe e fyenin njëri-tjetrin. Ata thoshin gjëra të pahijshme për mësuesit e tyre. Ata zemëroheshin dhe silleshin shumë keq. Dalëngadalë Andrei filloi të zemërohej më shpesh dhe gjente gjithnjë e më tepër arsye për të sharë.

Një natë, kur mami dhe babi kishin dalë, Andrei dhe motra e tij e madhe, Katja, u futën në sherr se cilin program të shikonin. Madje përpara se Andrei të mendohej, një fjalë e pistë doli nga goja e tij.

Katja u duk e shokuar. “Do t’i them mamit.”

Andrei vrapoi për te dhoma e tij dhe përplasi derën. Çfarë problemi kishin të gjithë? Përse e zemëronin gjatë gjithë kohës? Kur prindërit u kthyen në shtëpi, Andrei e hapi paksa derën e tij dhe e dëgjoi Katjan të thoshte: “Mami, Andrei më shau”.

“Çfarë?” Mami u duk e habitur. “Andrei nuk do të shante kurrë.”

Andrei e mbylli derën dhe u lëshua mbi shtrat. Ai mendoi se sa shumë kishte ndryshuar që kur filloi të shante. Kishte kaluar shumë kohë që kur e kishte ndier Frymën e Shenjtë.

Andrei u gjunjëzua pranë shtratit të tij dhe u lut. “Atë i dashur Qiellor, më vjen shumë keq që kam qenë i pasjellshëm dhe i zemëruar. Më vjen keq që fillova të shaj. Do të përmirësohem.”

Teksa Andrei po lutej, një ndjenjë e ngrohtë ia mbushi zemrën atij. Për herë të parë që kur kishte filluar të shante, ai u ndie me të vërtetë i lumtur. Ai e dinte se Perëndia e donte atë dhe mund ta ndiente Frymën e Shenjtë. U ndie i falur dhe e dinte se mund të ndryshonte dhe të bëhej më i mirë.

Pas lutjes së tij, ai i tha të ëmës të vërtetën dhe i kërkoi ndjesë Katjas. Pas kësaj, Andrei u ndie më mirë. Pendimi e bëri të ndihej mirë.

Të nesërmen në shkollë, Andrei nuk hëngri drekë me grupin e Nikolait. Në vend të kësaj, ai u ul pranë disa fëmijëve që nuk i njihte. Do të kërkonte kohë, por Andrei e dinte se do të gjente shokë që ishin të mirë e të lumtur dhe nuk shanin. Ashtu si ai.