2017
I Drejti do të Jetojë me anë të Besimit
Prill 2017


Mesazhi i Presidencës së Parë

I Drejti do të Jetojë me anë të Besimit

President Uchtdorf and his daughter visiting refugees

Presidenti Uhtdorf dhe e bija, Antja, vizituan refugjatët në një kamp pranë Athinës në Greqi.

Rabini dhe Sapunbërësi

Ekziston një rrëfenjë e vjetër judease rreth një sapunbërësi që nuk besonte në Perëndi. Një ditë, teksa po ecte me një rabi [mësues], ai tha: “Ka diçka që s’e kuptoj. Feja ka ekzistuar për mijëra vite. Por kudo që hedh vështrimin, ka ligësi, korrupsion, pandershmëri, padrejtësi, dhembje, uri dhe dhunë. Duket sikur feja nuk e ka përmirësuar fare botën. Ndaj po të pyes: “Çfarë të mire ka feja?”

Rabini [mësuesi] nuk u përgjigj menjëherë, por vazhdoi të ecte me sapunbërësin. Më në fund ata iu qasën një këndi lojërash ku fëmijët, të mbuluar me dhe, po luanin në pisllëk.

“Ka diçka që s’e kuptoj”, tha rabini. “Shikoji ata fëmijë. Kemi pasur sapun për mijëra vite dhe prapëseprapë ata fëmijë janë të pistë. Çfarë të mire ka sapuni?”

Sapunbërësi u përgjigj: “Por mësues, nuk është e drejtë të fajësosh sapunin për këta fëmijë të pistë. Sapuni duhet të përdoret përpara se të mund ta përmbushë qëllimin e tij.”

Rabini buzëqeshi dhe tha: “Saktë”.

Si do të Jetojmë?

Apostulli Pal, duke cituar një profet nga Dhiata e Vjetër, përmblodhi se çfarë do të thotë të jesh një besimtar kur shkroi: “I drejti do të jetojë me anë të besimit” (Romakëve 1:17).

Ndoshta me këtë deklaratë të thjeshtë ne kuptojmë ndryshimin midis një feje që është e brishtë dhe e pafrytshme, dhe një feje që ka fuqinë për ta shndërruar jetën.

Por, për të kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh me anë të besimit, ne duhet të kuptojmë se çfarë është besimi.

Besimi është më shumë sesa bindje. Është mirëbesim i plotë në Perëndi i shoqëruar me vepra.

Është më shumë sesa dëshirë.

Është më shumë sesa thjesht të rrimë duarkryq, të tundim kokat dhe të themi se jemi dakord. Kur themi: “I drejti do të jetojë me anë të besimit”, ne duam të themi se udhëhiqemi dhe drejtohemi me anë të besimit tonë. Ne veprojmë në një mënyrë që është në përputhje me besimin tonë – jo për shkak të bindjes së pamenduar, por për shkak të mirëbesimit dhe dashurisë së sinqertë për Perëndinë tonë dhe për urtësinë e paçmueshme që Ai u ka zbuluar fëmijëve të Tij.

Besimi duhet të shoqërohet nga veprat; përndryshe nuk ka jetë (shih Jakob [Bibla] 2:17). [Përndryshe] nuk është fare besim. Ai nuk e ka fuqinë për të ndryshuar një individ të vetëm e jo më botën.

Burrat dhe gratë besimtare mirëbesojnë në Atin e tyre të mëshirshëm Qiellor – madje gjatë kohëve të pasigurisë, madje gjatë kohëve të dyshimit dhe fatkeqësisë, kur ata mund të mos shohin përsosurisht ose të kuptojnë qartësisht.

Burrat dhe gratë besimtare ecin me zell në shtegun e dishepullimit dhe orvaten ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit të tyre të dashur, Jezu Krishtit. Besimi na shtyn dhe, me të vërtetë, na frymëzon që t’i kthejmë zemrat tona drejt qiellit dhe në mënyrë aktive t’i ndihmojmë, t’i ngremë moralisht dhe t’i bekojmë bashkëqeniet tona.

Feja pa vepra është si sapuni që mbetet në kuti. Ai mund të ketë potencial të mahnitshëm, por në të vërtetë ka pak fuqi për të sjellë një ndryshim derisa ta përmbushë qëllimin e tij të synuar. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit është një ungjill veprash. Kisha e Jezu Krishtit e jep mësim fenë e vërtetë si një mesazh shprese, besimi dhe dashurie hyjnore, duke përfshirë ndihmën ndaj bashkëqenieve tona në mënyra shpirtërore dhe materiale.

Disa muaj më parë, bashkëshortja ime, Harieta, dhe unë ishim në një udhëtim familjar me disa nga fëmijët tanë në zonën e Mesdheut. Ne vizituam disa kampe refugjatësh dhe u takuam me familje nga vende të shkatërruara nga lufta. Këta njerëz nuk i përkisnin besimit tonë, por ata ishin vëllezërit e motrat tona dhe kishin nevojë urgjentisht për ndihmë. Zemrat tona u prekën shumë kur përjetuam personalisht se si besimi aktiv i anëtarëve tanë të Kishës sjell ndihmë, lehtësim dhe shpresë te bashkëqeniet tona në nevojë, pavarësisht nga feja, kombësia ose arsimimi i tyre.

Besimi i shoqëruar nga vepra të vazhdueshme e mbush zemrën me mirësi, mendjen me urtësi e mirëkuptim dhe shpirtin me paqe e dashuri.

Besimi ynë mund t’i bekojë dhe të ndikojë në mënyrë të drejtë si te njerëzit përreth nesh edhe tek ne.

Besimi ynë mund ta mbushë botën me shpirtmirësi dhe paqe.

Besimi ynë mund ta shndërrojë urrejtjen në dashuri dhe armiqtë në miq.

Të drejtët, atëherë, jetojnë duke vepruar me besim; ata jetojnë duke mirëbesuar në Perëndi dhe duke ecur në udhën e Tij.

Dhe ky është lloji i besimit që mund t’i shndërrojë individët, familjet, kombet dhe botën.