Vetëm në Format Elektronik
5 Mënyra se si Mund ta Ndihmoni Peshkopin Tuaj që T’ju Ndihmojë Ju
Ai bën më të mirën, por ndonjëherë i duhet ndihmë.
Ai ju përshëndet me një shtrëngim dore të vendosur sa herë që takoheni, ulet në vendin e tij të caktuar në kryesi gjatë mbledhjes së sakramentit dhe sakrifikon shumë nga koha e tij për t’ju shërbyer juve dhe Zotit.
Ai është peshkopi juaj: një udhëheqës priftërie i cili është thirrur nga Perëndia për ta kryesuar lagjen tuaj. Lista e tij me gjëra për t’u bërë nuk mbaron kurrë, ai u jep këshilla anëtarëve në zyrën e tij edhe pasi ka kaluar një ditë të gjatë në punë dhe qëndron në shtëpinë e mbledhjeve disa orë pasi ka mbaruar kisha për t’i përmbushur të gjitha detyrat e veta.
Peshkopi juaj mund të duket sikur ka energji të pakufishme, por të udhëheqësh një lagje të tërë mund të jetë rraskapitëse! Ai mundohet të bëjë më të mirën, por ndonjëherë i duhet një dorë. Ja tek janë pesë mënyra se si mund ta ndihmoni peshkopin tuaj që t’ju ndihmojë:
-
Lutuni për të. Thirrja e peshkopit mund t’ia vërë në provë energjinë mendore, shpirtërore dhe fizike. Ai ka nevojë për fuqinë që vetëm Perëndia mund ta japë, por ajo mund të vijë vetëm për shkak të besimit dhe lutjeve tuaja (shih Jakob [Bibël] 5:16).
-
Kini besim te detyra e tij. Ju e mbështetët atë si peshkopin tuaj, por besimi juaj nuk është domosdoshmërisht te njeriu; është te detyra ose thirrja e peshkopit dhe te Perëndia që e thirri dhe e mbështeti atë. Si mund ta tregoni besimin tuaj? Jini të gatshëm t’i përmbushni thirrjet dhe detyrat që ju cakton. Kur të takoheni me peshkopin tuaj, shkoni të përgatitur – duke u lutur, duke agjëruar nëse është e nevojshme dhe të veshur në mënyrë të përshtatshme për të treguar respektin tuaj për Zotin. Merreni parasysh me kujdes këshillën e tij. Ai përfaqëson Zotin.
-
Njiheni atë. Bëni një përpjekje për ta njohur. Pyeteni rreth jetës së tij, formimit dhe përvojës së tij. Bëjani të ditur se e vlerësoni shërbimin e tij dhe se keni besim në aftësinë e tij për ta përmbushur thirrjen e vet. (Shih 1 Thesalonikasve 5:12–13.)
-
Mos e sfilitni. Peshkopi juaj dëshiron t’ju ndihmojë, por nëse keni një problem që mund të zgjidhet nga mësuesit tuaj të shtëpisë, një prej këshilltarëve të peshkopit ose nga presidentja e Shoqatës apo presidenti i kuorumit të pleqve, shkoni tek ata së pari. Thirrjet e tyre ekzistojnë për një arsye! Ata janë atje për t’ju ndihmuar dhe gjithashtu për t’i lejuar peshkopit të përqendrohet te gjërat që mund t’i bëjë vetëm ai.
-
Lëreni të jetë njerëzor. Ndërkohë që mund të duket sikur peshkopi juaj është i prerë për thirrjen e vet, ai nuk është i përsosur. Ai dyshon te vetja dhe bën gabime. Por ai ju do me të vërtetë dhe jep gjithçka që ka për thirrjen e tij. Jini të hapur me të. Sa më tepër të dijë rreth jush dhe situatës suaj, aq më tepër do të jetë në gjendje t’ju ndihmojë.