Portrete Besimi
Mikael Isak
Bajgosh, Poloni
“Sëmundja mund të bëjë plot gjëra të mira”, thotë Mikaeli, që po vuan nga mosfunksionimi i veshkave. Ngaqë sëmundja e tij i ka shtuar mirënjohjen për ungjillin, ai thotë: “Është një sprovë e mirë”.
Leslie Nilsson, Fotograf
Unë u linda në Etiopi në vitin 1942 dhe shkova në Poloni për të studiuar në vitin 1965. Në vitin 1991 takova misionarët dhe iu bashkova Kishës. Kam shërbyer si president dege për tre vjet e gjysmë. Shërbeva si këshilltar në presidencën e misionit për 12 vjet. Isha përsëri president dege dhe mandej president distrikti. Pastaj u sëmura nga mosfunksionimi i veshkave.
Tani mund të bëj vetëm pak gjëra në Kishë. Përpiqem të marr pjesë të dielave.
Në fillim u zemërova.
“Përse mua?”, u luta. “Të kam shërbyer ty, Zot.” Pas njëfarë kohe, e kuptova. Shkrimet e shenjta thonë: “Ai që ka besim në mua për t’u shëruar dhe nuk caktohet për vdekjen, do të shërohet” (DeB 42:48).
Ky varg thotë se do të shërohemi nëse nuk jemi caktuar të vdesim.
Anëtarët e Kishës vijojnë të luten për mua, por shëndeti im po përkeqësohet. Ata mendojnë se lutjet e tyre nuk dëgjohen, por ato dëgjohen sepse ata bëhen njerëz më të mirë dhe ngaqë unë e ndiej se ata tregojnë dashuri për mua.
Edhe sikur të isha i shëndetshëm, sa kohë do t’i mbetej një njeriu në moshën time? Prapëseprapë, ka shumë gjëra që më presin.
Mua më pëlqen të shoh në shkrimet e shenjta dhe të gjej heronj që më ndihmojnë. Kur isha i shëndetshëm dhe në shërbim të të tjerëve, më pëlqente të ndiqja Nefin, por tani shpeshherë mendoj për Jobin. Ai ishte një burrë i mirë dhe ai gjithashtu vuajti. Ka gjithmonë shpresë në ungjill.
Në një qytet si Bidgoshi, nëse dua të vizitoj kryetarin e bashkisë, nuk do të më bjerë rasti pasi jam tepër i vogël për këtë. Por nëpërmjet ungjillit, dera është gjithmonë e hapur për t’i bërë thirrje Perëndisë. Kjo është arsyeja përse më pëlqen shumë kisha ime.
Unë e kam Kishën. E kam mënyrën për t’u vënë në kontakt me Perëndinë nëpërmjet lutjes, nëpërmjet agjërimit, nëpërmjet të gjitha gjërave që bëjmë. Çfarë tjetër më duhet?
Ndonjëherë i them vetes: “Ndoshta kjo është arsyeja përse jam sëmurë – që të mund të kuptoj se në çfarë gjëje të madhe gjendem, sa e madhe është kjo kauzë.”
Shoh bashkëshorten time, Renatën, të dëshpërohet që jam i sëmurë. Nuk do të doja të ndodhte kjo, por dëshpërimi është nënprodukt i dashurisë. Nëse nuk do të dashuronte, ajo nuk do të dëshpërohej. Dashuria ju ndihmon të ndieni se nuk jeni vetëm dhe se ka njerëz që shqetësohen për ju.
Të vdesësh nuk është asgjë. Gjithkush do të vdesë. Çështja është si i qasemi vdekjes. Unë e di se Perëndia jeton. Ai na do të gjithëve ne – mua gjithashtu. Kjo është ajo që mund të them.