Të Rinjtë në Moshë Madhore
Shtysa Jonë për ta Jetuar Ungjillin
Gjithnjë do të ketë të “folur … [të] rëndë”. Por gjithnjë do të jetë mundësia për të zgjedhur besimin përpara çdo dyshimi apo pasigurie.
Shtegu i dishepullimit është i mbushur me bekime – si me ato “që i vëmë re dhe [ato] që nuk i vëmë re”1. Por ka raste kur shtegu, pavarësisht bekimeve, nuk është i lehtë apo i volitshëm. Bërja dishepull i Jezu Krishtit kërkon punë dhe sakrificë dhe ndonjëherë është e vështirë për ta gjetur shtysën për t’i jetuar urdhërimet dhe për t’i bërë ato sakrifica.
Si një e re apo i ri në moshë madhore, ndoshta jeni shumë i/e zënë duke u përpjekur për t’iu bërë ballë përgjegjësive të reja, për të marrë vendime serioze për jetën dhe për të kuptuar se si do të jetë shtegu juaj i dishepullimit gjatë pjesës tjetër të mbetur të jetës suaj. Mbi të gjitha, mund të ketë gjëra në rregulloren ose historinë e Kishës apo në doktrinën e ungjillit që nuk i kuptoni plotësisht dhe tundime me të cilat po luftoni, si dhe bekime që ende po i prisni dhe pyetje rreth planit të Perëndisë për ju.
Disa nga ne me raste mund ta pyetin veten a ia vlen ta jetosh ungjillin për bekimet që na janë premtuar. Ne mund të grindemi ngaqë nuk përshtatemi, se duhet shumë punë ose na duket sikur kemi më shumë pyetje se përgjigje. Por gjëja kryesore nga e cila kjo varet është shtysa. Përse e bëni atë që bëni dhe jetoni në atë mënyrë? Përse vazhdoni t’i zbatoni urdhërimet, edhe kur askush nuk është përreth për ta vënë re nëse i zbatoni?
Pavarësisht se kush jeni dhe në cilën fazë të jetës ndodheni, zgjedhja për të gjetur shtysën tuaj duke e kultivuar besimin tuaj te Shpëtimtari dhe tek ungjilli i Tij, varet prej jush.
Te Kush të Shkojmë?
Gjetja dhe pasja e vazhdueshme e shtysës për ta jetuar ungjillin është thuajse një sfidë e pashoqe në kohën tonë. Edhe kur Shpëtimtari ishte në tokë, njerëzit prapëseprapë hasnin vështirësi për ta kuptuar dhe si rrjedhojë për t’iu bindur parimeve që Ai dha mësim. Disa nga dishepujt e Tij po dëgjonin teksa Ai shpjegonte një koncept që dukej sikur i fyente ata – roli i Tij si “buka e jetës” (shih Gjoni 6:35–58). Ata iu përgjigjën me dyshim, duke thënë: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?” (Gjoni 6:60.)
Krishti, duke e kuptuar që ata e kishin të vështirë ta besonin ose ta pranonin këtë doktrinë, pyeti: “Kjo ju skandalizon?” (Gjoni 6:61.) Në vend që ta vendosnin besimin e tyre përpara dyshimeve, shumë nga dishepujt e Tij “u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të” (Gjoni 6:66).
Por, kur Krishti e pyeti pjesën tjetër të dishepujve të Tij nëse edhe ata do të “largohe[shin]”, Pjetri dha të vetmen përgjigje që vërtet duhet të jepet: “Te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:67–68).
Burimi i Shtysës Sonë
Pjetri e dinte burimin e shtysës së vet. Atij i erdhi në zemër arsyeja se përse ne e bëjmë atë që bëjmë në ungjill – prej dëshmisë sonë për Jezu Krishtin dhe prej besimit në Të. “Ne kemi besuar dhe kemi njohur”, shpalli Pjetri, “se ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë” (Gjoni 6:69; theksimi i shtuar). Duke e fituar atë bindje po aq të fortë për Jezu Krishtin, hyjninë e Tij dhe punën e Tij, edhe ne mund ta gjejmë shtysën që të vazhdojmë ta jetojmë ungjillin – edhe kur duket i vështirë, edhe kur askush tjetër nuk do ta vërejë, madje edhe kur nuk jemi të sigurt nëse duam.
Gjithnjë do të ketë të “folur … [të] rëndë”. Por gjithnjë do të jetë mundësia për të zgjedhur besimin përpara çdo dyshimi apo pasigurie. Ashtu sikurse tha Plaku L. Uitni Klejton, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve: “Vendimi për të besuar është zgjedhja më e rëndësishme që bëjmë ndonjëherë”2.
Pra, çfarë do të bëjmë nëse e gjejmë veten në anën tjetër të një prej atyre me të “folur … [të] rëndë”?
1. Ndiqeni shembullin e Pjetrit dhe të dishepujve të tjerë, të cilët qëndruan besnikë edhe kur mund të “largohe[shin]” lehtësisht. Dëgjojeni këshillën e profetëve, apostujve dhe udhëheqësve të tjerë:
“Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë. … Mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme.”3
Hidh[ni] një hap të thjeshtë përpara me besim – dhe më pas një tjetër. … Përqendroh[uni] tek të vërtetat që vërtet i beson[i] dhe … lejo[jini] ato të vërteta t’[ua] mbush[in] mendjen dhe zemrën. …
… Fillo[ni] me të vërtetat bazë të ungjillit.”4
2. Mos iu ndani shkrimeve të shenjta dhe zbatojini mësimet e tyre:
“Me lutje ta studio[ni] dhe ta përsiat[ni] Librin e Mormonit çdo ditë”5.
“Në qoftë se dikush don të dijë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).
“Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” (Jakob [Bibla] 1:22).
3. Vazhdoni t’i zbatoni urdhërimet.
“Përgjigjet ndaj pyetjeve tona të sinqerta vijnë kur ne i kërkojmë me zell dhe kur ne i jetojmë urdhërimet. … Besimi ynë mund të shkojë përtej kufijve të arsyes së tanishme.”6
“Kur vazhdoni të jeni të bindur, … juve do t’ju jepet dituria dhe kuptueshmëria që kërkoni.”7
Në fund, shtysa jonë thjesht varet nga ajo që tha Pjetri. A e besojmë ne se Jezusi është Krishti, se Ai e drejton Kishën e Tij dhe ka fjalë jete të përjetshme? A mbizotëron besimi ynë tek Ai kundrejt të “folur[it] … [të] rëndë” që nuk mund ta kuptojmë për momentin?
Shpërblimet e të Jetuarit të Ungjillit
Kur ne vërtet vendosim që ta duam dhe ta ndjekim Perëndinë e Jezu Krishtin dhe t’i zbatojmë urdhërimet edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht ato, shpërblimet janë të pamatshme. Njeriu i natyrshëm pyet: “Ç’përfitoj unë nga kjo?” Mësimet e ungjillit japin përgjigjet: “Paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”; një vend të përgatitur për ju në pallatet e Perëndisë; gjithçka që Ati Qiellor ka; “lumturi… të pafund” (shih DeB 59:23; Ethëri 12:34; DeB 84:38; Mosia 2:41); dhe sikurse shpalli Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Këtu [në Kishë] do të gjeni atë që është e çmuar sa s’ka të paguar. … Këtu ju do të gjeni fjalët e jetës së përjetshme, premtimin e shëlbimit të bekuar dhe shtegun drejt paqes e lumturisë.”8 Për të mos i përmendur të gjitha.
Kur ne ia përkushtojmë veten ndjekjes së Krishtit dhe zbatimit të urdhërimeve të Tij, neve na premtohen të gjitha këto gjëra dhe shumë të tjera. Kjo nuk do të thotë që shtegu do të jetë gjithnjë i lehtë ose i kuptueshëm, por bekimet që na janë premtuar ngaqë qëndruam të fortë do të vazhdojnë të na zbulohen gjatë gjithë jetës sonë, e madje dhe pas kësaj.
Megjithatë, sado të mrekullueshme të jenë këto bekime, ato nuk duhet të jenë shtysa jonë kryesore për ta jetuar ungjillin. Pavarësisht se çfarë pyetjesh keni, pavarësisht se cilën doktrinë nuk kuptoni, besimi juaj në Jezu Krisht dhe te Shlyerja e Tij do të jetë çelësi i shtysës për ta jetuar ungjillin e Tij, ashtu siç ishte për Pjetrin dhe për të tjerët.
“Motivet dhe mendimet tona në fund të fundit ndikojnë te veprimet tona” tha Plaku Uhtdorf. “Dëshmia e vërtetësisë së ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është forca motivuese më e madhe në jetën tonë. Jezusi theksonte herë pas here fuqinë e mendimeve të mira dhe të motiveve të drejta: ‘Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë’ (DeB 6:36).
Dëshmia e Jezu Krishtit dhe ungjilli i rivendosur do të na ndihmojnë në jetën tonë të mësojmë nga plani i veçantë i Perëndisë për ne dhe pastaj të veprojmë në përputhje me të. Ajo na jep siguri mbi realitetin, të vërtetën dhe mirësinë e Perëndisë, mbi mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për thirrjen e shenjtë të profetëve të ditëve të mëvonshme.”9
Sa për mua, unë do të vazhdoj të përpiqem, edhe kur duket e vështirë. Do të vazhdoj t’i bëj lutjet e mia dhe t’i studioj shkrimet e mia të shenjta. Do të vazhdoj të bëj një përpjekje për ta forcuar dëshminë time për Shpëtimtarin çdo ditë. Dhe do të vazhdoj të përpiqem të jetoj ashtu siç do të donte Ai që unë të jetoja dhe do të varem te fjalët e Tij dhe të profetëve e apostujve të Tij të gjallë për të mësuar mënyrën, duke u mbështetur te shtysa që rrjedh jo vetëm nga besimi im tek Ai dhe dashuria ime për Të, por edhe nga sakrifica e Tij e përjetshme dhe dashuria e Tij për mua.