2018
Një Buzëqeshje Miratimi
Tetor 2018


Një Buzëqeshje Miratimi

Frenklin Romero

Manabi, Ekuator

Një natë lagjja jonë zhvilloi një veprimtari për të cilën kishim shpenzuar orë të tëra për t’u përgatitur. Pas veprimtarisë, një kërkues i ri më tha mirupafshim, por pas disa minutash u kthye dhe më tha: “Peshkop, kur duhet të kthehem sërish?” Unë i thashë të dielën dhe djaloshi tha me të shpejtë: “Jo, a nuk ka ndonjë veprimtari tjetër?” Ai ia kishte kaluar kaq mirë me të rinjtë e lagjes sonë saqë donte të kthehej prapë.

Unë bisedova gjithashtu me një çift vizitorësh që kishin marrë pjesë në veprimtari dhe i pyeta se ç’mendim kishin. Bashkëshorti tha: “Qëkurse kemi ardhur këtu, ne kemi ndier paqe dhe qetësi”, diçka të cilën bashkëshortja e tij e pohoi me një tundje koke. U befasova nga kjo gjë sepse kur ata mbërritën në fillim, kishte shumë njerëz që po bisedonin dhe po bënin shumë zhurmë. Por ai vazhdoi, më pa dhe pyeti: “Kjo është Fryma e Shenjtë, apo jo?” I shtangur, munda të thosha vetëm “po”.

Ka pasur shumë gjëra që duheshin bërë për t’u përgatitur për këtë veprimtari, prandaj atë mbrëmje kur përfundoi gjithçka, gjëja e vetme që doja, ishte të shkoja në shtëpi dhe të bija në shtrat. Për shkak se isha aq i lodhur, nuk isha në gjendje të mendoja për bisedat e mia me kërkuesit. Kur mbërrita në shtëpi, bëra lutjen dhe rashë në shtrat, por nuk munda të flija; në mendjen time përfytyrova Zotin që buzëqeshte. Ishte një buzëqeshje miratimi. Në atë çast fillova të kujtoj gjërat e mrekullueshme që kishin ndodhur në veprimtari.

Unë kuptova që zelli dhe dashuria e anëtarëve të lagjes, kishin bërë të mundur që zemrat e atyre kërkuesve të prekeshin. Unë kuptova se buzëqeshja miratuese ishte për atë që po bënim. Nuk munda ta shmangia dot të qarën dhe u ndjeva kaq mirënjohës për dhuratën që na dha Zoti. Ai na kishte dhënë një buzëqeshje miratimi. Unë dëshmoj se fjalët e Zotit janë të vërteta; se kur sjellim tek Ai qoftë edhe një shpirt të vetëm, i madh do të jetë gëzimi ynë në mbretërinë e Atit (shih DeB 18:15).