Ajo që Çdo Peshkop Dëshiron që t’i Dinë Anëtarët e Lagjes së Tij
Autori jeton në Jutë të SHBA-së.
Ja tek janë tetë të vërteta që mësova gjatë shërbimit tim si peshkop.
Pata mundësinë e mrekullueshme që të shërbeja si peshkop. Gjatë atyre viteve, mora më shumë mësime nga sa mund të numërohen. Por mësova tetë të vërteta që besoj se janë të përbotshme. Ndërkohë që kjo listë nuk është gjithëpërfshirëse, ajo është orvatja ime për të treguar atë që çdo peshkop shpreson që lagjja e tij t’i dijë.
1. Peshkopi e do çdo anëtar të lagjes së tij me të vërtetë.
Dashuria që peshkopi ka për lagjen e tij është e lidhur me dashurinë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për secilin prej nesh. Kur një peshkop e hedh vështrimin tek anëtarët e tij në një mbledhje sakramenti, mbi të vjen dhembshuria dhe mirëkuptimi në një mënyrë të pangjashme me ndonjë gjë që ai ka përjetuar. Kur një peshkop ngrihet dhe shpreh sa shumë i do anëtarët e lagjes së tij, ndjenjat e tij janë nga zemra dhe të vërteta. Dijeni se peshkopi ju do, shqetësohet për ju dhe interesohet për ju më shumë nga sa e dini.
2. Peshkopi mbështetet fizikisht, emocionalisht dhe shpirtërisht nga besimi dhe lutjet e anëtarëve.
Një peshkop shpenzon orë të panumërta duke shërbyer. Ai shpesh do të shpenzojë shumë orë në kishë të dielën dhe net të tjera pas pune duke biseduar, duke i intervistuar dhe duke u kujdesur për anëtarët e lagjes së tij.
Peshkopi është në gjendje ta bëjë këtë javë pas jave për shkak të besimit dhe lutjeve të anëtarëve të lagjes. Si peshkop i sapothirrur, më rridhnin lot padashur sa herë që e dëgjoja një anëtar/e të lutej që “të bekohej peshkopi”. Lutjet tuaja me besim marrin vërtet përgjigje dhe peshkopi e merr dhe e ndien ndikimin mbështetës të atyre lutjeve. Zoti u përgjigjet atyre lutjeve të mbushura me besim mbi kokat e peshkopëve të Kishës.
3. Peshkopi shpesh ndihet jashtëzakonisht i papërshtatshëm për thirrjen (edhe pas tre apo katër vjetëve).
Kam njohur shumë pak peshkopë që ndienin se ishin vërtet “të përgatitur” për thirrjen. Sidoqoftë, unë njëmend e di se “atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon”1. Ndërkohë që një peshkop e di se po kualifikohet, ai gjithashtu lufton me ndjenjën se nuk do ta bëjë kurrë thirrjen mirë. Ai do të bëjë më të mirën për të dhënë këshilla të urta kur nevojitet, për të mos i fyer njerëzit dhe për të qenë në harmoni me Shpirtin, por nganjëherë ai ende do ta vrasë mendjen a po e përmbush thirrjen e tij në një mënyrë të pranueshme.
4. Shpirti i Perëndisë mund të veprojë nëpërmjet peshkopit kur ai po këshillohet me anëtarët e lagjes.
Kur më pyetën se për çfarë më merr më shumë malli nga shërbimi si peshkop, u them njerëzve se më merr malli për ndikimin e fortë të Shpirtit që e shoqëron mantelin e një peshkopi. Qoftë nëse po ngushëllon ata që kanë humbur njerëz të dashur, po flet me ata/ato që mundohen nga bashkëshortë/e jobesnikë/e ose u bën thirrje njerëzve për pendim, Shpirti që është në dispozicion të një peshkopi besnik është Shpirti i Perëndisë dhe shpirti i zbulesës.
Kohët e fundit pata një ish-anëtare të lagjes që më kërkoi ndihmë për trajtimin e disa problemeve vetjake. Ajo kishte lëvizur në një lagje të re dhe nuk ishte e sigurt a donte të shkonte te peshkopi i saj i ri për udhërrëfim. I tregova asaj atë që kam treguar shumë herë që prej lirimit nga thirrja, që ishte se ndërkohë që unë isha i lumtur t’i vija në ndihmë, nuk i kisha më çelësat që mban një peshkop dhe se ata çelësa mund të ishin vendimtarë për dhënien e përkrahjes që i nevojitej asaj. I sugjerova që të fliste me peshkopin e vet. Bisedova me të dy javë më vonë dhe më tha se ishte takuar me peshkopin dhe kishte qenë sikur ai ta dinte që përpara cilat ishin problemet e saj dhe mënyrën se si ta ndihmonte më së miri. Ndërkohë që peshkopi është me siguri i gabueshëm, Zoti e frymëzon, e udhërrëfen dhe ua bekon jetën të tjerëve nëpërmjet fjalëve të tij.
5. Peshkopi është njeri; ndonjëherë bën gabime dhe ndonjëherë i bën gjërat në mënyrë të gabuar.
Në fund të fundit, peshkopët janë burra të vdekshëm. Ata kanë papërsosuri, dobësi, paragjykime dhe problemet e tyre vetjake. Shpirti e kualifikon njeriun që mban detyrën e peshkopit, por peshkopi është prapëseprapë njeri që u nënshtrohet të njëjtave probleme e dobësi me të cilat përballemi të gjithë.
Ky përfundim nuk duhet të na e ulë nderimin që shfaqim ndaj thirrjes së tij ose të na bëjë që të mos ua vëmë veshin këshillave të tij. Një peshkop është në dijeni të plotë për dobësitë e tij dhe mundohet t’i mposhtë ose së paku t’i mbajë jashtë shërbimit të tij si peshkop. Sado fort të përpiqet, ai gjithnjë do të jetë i papërsosur.
6. Peshkopi ndien se nuk mund t’i takojë kurrë anëtarët e lagjes aq sa duhet ose të bëjë mirë sa duhet.
Çdo ditë një peshkop pyet veten se kë tjetër mund ose duhej të kishte ndihmuar atë ditë. Do të më kishte pëlqyer të bisedoja rregullisht me çdo anëtar, por kisha një punë me kohë të plotë, familjen time, programin e rinisë dhe disa anëtarë të caktuar të lagjes me nevoja të mëdha. Thjesht nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u takuar rregullisht me çdo anëtar.
Megjithatë, kur isha peshkop, Shpirti ndonjëherë më nxiste t’i shkoja për vizitë një anëtari të caktuar që kishte vështirësi. Shumë herë, ato vizita fillonin me ata që thoshin: “E dija se do të vije”. Shpirti që ndienim qe shpesh tronditës kur të dy e kuptonim se vizita ishte prova që Perëndia u përgjigjet lutjeve.
Më gëzonte gjithnjë edhe pritja që merrja në dyert e atyre anëtarëve që ishin aktivë “pa vështirësi”. Këta njerëz të mirë shkojnë në kishë çdo javë, shërbejnë me besnikëri në thirrje, nuk kanë asnjë sfidë të jashtëzakonshme nga të tjerët dhe përgjithësisht nuk vizitohen rregullisht nga udhëheqësit e priftërisë. Ata qenë mirënjohës që mund të kalonin pak kohë vetëm për vetëm me peshkopin e tyre. Më lejoni që t’ju them të gjithëve ju: “Faleminderit! Vazhdoni kështu! Dijeni se peshkopi ju do dhe do t’ju vinte më shpesh për vizitë po të mundej.”
7. Peshkopi juaj vërtet, njëmend, e sinqerisht ka nevojë që ju t’i jepni shërbesë njëri-tjetrit.
Si peshkop, sa herë që më thoshin se një anëtar i lagjes kishte vështirësi, unë e kisha zakon të pyesja: “Kush janë mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore?” Kjo ishte një mënyrë për ta vlerësuar që nevojat e anëtarit/es do të plotësoheshin edhe në periudhë afatshkurtër, edhe në atë afatgjatë. Peshkopi që vepron pa ndihmë nga anëtarët e tjerë të lagjes dhe kunjit, i ka të kufizuara burimet. Ai me siguri që mundet – dhe do t’u – shkojë për vizitë njerëzve në krizë. Por nëse ka në dispozicion burimet e priftërisë dhe të Shoqatës së Ndihmës, shtrirja e tij mund të zgjerohet.
Ky është qëllimi i dhënies së shërbesës. Ka raste kur disa prej nesh harrojmë pse i japim shërbesë njëri-tjetrit: Zoti na ka urdhëruar që ta “d[uam] njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34). Dijeni se peshkopi juaj e përdor dhënien e shërbesës si një mënyrë e frymëzuar për të qenë “më i pranishëm” në jetën e anëtarëve të lagjes.
8. Peshkopi uron të mund të bënte gjithçka për vathën e tij.
Në çdo kohë, ditë apo natë, qoftë një bekim priftërie, këshillim me një fëmijë të pabindur ose ngut për në një vendngjarje ku ka ndodhur një aksident, atij do t’i pëlqente të bënte çfarëdo gjëje që i nevojitet një anëtari/eje. Ai nuk mund të bëjë përherë gjithçka dhe mund të mos jetë personi i duhur në çdo situatë, por mos kini frikë që të kërkoni ndihmë kur ju nevojitet. Dijeni se peshkopi ju gjendet pranë për të shërbyer në ato raste dhe se të dy bekoheni së tepërmi ngaqë punoni së bashku.
Përulem nga mundësia e shenjtë që pata për të shërbyer në këtë thirrje të shenjtë. Në shërbimin tim, kalova nga besimi te njohuria. Unë nuk e besoj më që ungjilli është i vërtetë; unë e di se ai është i vërtetë. Nuk e besoj më që Perëndia më njeh; e di se Perëndia është pafundësisht i vetëdijshëm për secilin prej nesh, për jetën tonë të përditshme dhe luftërat tona vetjake. Për më tepër, unë e di se Ai punon nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, veçanërisht nëpërmjet atyre që mbajnë çelësat e priftërisë. E di se nuk do të mund të kisha shërbyer si peshkop pa ndërgjegjshmërinë e Perëndisë për këtë punë. Është vërtetësia e ungjillit dhe dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij që ia krijon mundësinë çdo peshkopi që të shërbejë.