Plaku Gerit W. Gong: Duajeni Zotin dhe Mirëbesojini Atij
Kur ishte student për diplomim dhe i sapomartuar në Universitetin e Oksfordit në Angli, Gerit W. Gongu e mësoi nga përvoja vetjake se, kur e duam Zotin dhe i mirëbesojmë Atij, Ai do të na ndihmojë, do të na udhërrëfejë dhe do të na forcojë.
Geriti ishte student me bursën Rouds që po punonte për të përfunduar dy gradë shkencore, njëra prej të cilave doktoratë. Në të njëjtën kohë, ai po shërbente në peshkopatën e Lagjes së Oksfordit. Atij dhe bashkëshortes së tij, Suzanës, iu kujtua këshilla që iu dha Plaku Dejvid B. Heit (1906‑2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kur kreu ceremoninë e tyre martesore në Tempullin e Solt‑Lejkut. “Ai na tha që të kemi gjithmonë një thirrje”, thotë Plaku Gong. “E dinim që, nëse do t’i mirëbesonim Perëndisë dhe do të bënim më të mirën tonë, Ai do të na ndihmonte.”
Geriti dhe Suzana me të vërtetë morën “ndihmë hyjnore dhe mëshira të dhembshura”, thotë ai. Teksa vazhdonte në peshkopatë, Geriti i përmbushi të gjitha kërkesat akademike për një gradë doktorate, përveç disertacionit të tij. Ai i kërkoi një bekim priftërie peshkopit të Lagjes së Oksfordit, Alen Uebsterit. Në bekim, Geriti mori këtë premtim: “Vazhdo të bësh gjithçka mundesh dhe Zoti do të të bekojë”.
Dy anëtarë të lagjes, që ishin sekretarë me përvojë në fushën ligjore, dolën vullnetarë që të ndihmonin për ta shtypur dorëshkrimin e tij dhe Geriti qe në gjendje ta përfundonte disertacionin brenda disa muajsh. Në fakt, ai përfundoi si një diplomë pasuniversitare, ashtu edhe një gradë doktorate në vetëm tre vjet. Pas diplomimit, ai gjithashtu pranoi një pozicion si kërkues [shkencor] i fakultetit në universitet. Përvoja e tij në Oksford e përforcoi mirëbesimin e tij te Zoti, mirëbesim që vazhdon deri në këtë ditë dhe do të vazhdojë ta bekojë Gerit W. Gongun teksa shërben tani në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.
Bukët dhe Peshqit
“Zoti është i dashur e dashamirës dhe kërkon të na bekojë”, thotë Plaku Gong. “Nëse bëjmë më të mirën tonë, Ai do të na aftësojë për të bërë më shumë nga sa do të mund të bënim përndryshe. Është njësoj si shumëfishimi i bukëve dhe peshqve. Zoti e merr atë që është në dispozicion, dhe e zmadhon shumë përtej asaj që do të mund të bënim ne vetë.”
Parimi i bukëve dhe peshqve është i vërtetë edhe për të mësuarin, thotë ai. “Edhe kur nuk ka në dispozicion arsimim zyrtar, shpirti i të nxënit është ai që ka rëndësi, sepse të nxënit zgjat në përjetësi. Ne të gjithë mund ta kërkojmë dritën dhe të vërtetën pavarësisht nga rrethanat tona. Kur ta bëjmë atë, Zoti do të na ndihmojë ta gjejmë.”
Përkatësia në Besëlidhje
Ndërkohë që ishte në Oksford, Plaku Gong mësoi një tjetër parim të ungjillit, një parim që ai e quan “përkatësia në besëlidhje”.
“Teksa i afrohemi më shumë Zotit, ne gjithashtu afrohemi më shumë me njëri‑tjetrin”, thotë ai. “Në Oksford, Suzana dhe unë e çmuam përvojën tonë në lagjen e Kishës po aq sa dhe përvojën tonë akademike. Shumë prej miqve tanë më të dashur deri në këtë ditë janë njerëz nga Lagjja e Oksfordit.”
Mes këtyre miqve janë Timi dhe Katerina Viti, që kujtojnë kohën kur shkonin në tempull me çiftin Gong. “Më kujtohet qartë se Vëllai Gong e hiqte orën e tij nga dora që të mos mund të shpërqendrohej ose të shtrëngohej nga koha kur mendonte për çështjet e përjetësisë”, thotë Motra Vit. “Ai veprim i vogël më ka ndihmuar të jem më e zellshme në vetë adhurimin tim në tempull.”
Çifti Gong takon shpesh miq që i njohin për shkak të ungjillit. “Njerëzit do të thonë: ‘Kemi punuar me ju kur ishit në këshillin e lartë’, gjëra të tilla”, thotë Plaku Gong, “dhe është e njëjta gjë dhe për mua. Jam mirënjohës për një president kunji dhe një këshill lagjeje që më ndihmuan kur isha peshkop i ri. Ne të gjithë u jemi borxhlinj prindërve, vjehërrve e kunetërve e kunatave, fqinjëve, presidentëve të misioneve, motrave dhe udhëheqësve të priftërisë që janë të dashur me ne, që na udhërrëfejnë dhe na nxitin që të vijmë te Krishti.”
Trashëgimia Familjare
Historia e familjes së Plakut Gong shkon pas 34 breza deri te Dragoi i Parë Gong, lindur në vitin 837 ps.K. Gjyshërit e Plakut Gong emigruan nga Kina për në Shtetet e Bashkuara. Nëna e tij, Xhina, u bashkua me Kishën kur ishte adoleshente në Havai të SHBA‑së dhe më vonë ndoqi Universitetin “Brigam Jang” në Provo të Jutës në SHBA, ku qëndroi te familja e Gerit de Jongut, dekanit të parë të Kolegjit të Arteve të Bukura. “Familja de Jong më ndihmoi ta kuptoja se si është një familje në ungjill”, thotë ajo.
Pas UBJ‑së, Xhini ndoqi Universitetin e Stenfordit në Palo‑Alto në Kaliforni të SHBA‑së, ku takoi Uolter A. Gongun. “Ai ishte tashmë i krishterë dhe shpejt e kuptoi se çfarë ofron ungjilli i rivendosur”, thotë Xhini. Ai u bashkua me Kishën dhe një vit më vonë ata u martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut. Që të dy u bënë arsimtarë profesionistë dhe së bashku shpenzuan më shumë se 70 vite në mësimdhënie.
“Babi u bë edhe patriark”, thotë Plaku Gong, “dhe për shkak se bekimet patriarkale jepeshin në shtëpinë tonë, shtëpia jonë u mbush me nderim të thellë për dashurinë e Perëndisë për secilin prej fëmijëve të Tij.”
Më 23 dhjetor 1953, në Redud‑Siti në Kaliforni, lindi i pari nga tre fëmijët e Xhinit dhe Uolterit. “Emri i tij i parë, Gerit, është holandez, në nderim të Gerit de Jongut”, shpjegon Xhini. “Emri i tij i mesit është Uolter, për të nderuar babanë e tij. Dhe mbiemri ynë është kinez, gjë që nderon trashëgiminë e tij.”
Xhini thotë se Geriti ishte i vëmendshëm ndaj vëllait dhe motrës më të vogël, Brajënit dhe Margaritës. “Atij i pëlqente t’i ndihmonte ata”, thotë ajo, “qoftë dhe me gjëra të vogla të tilla si t’u mësonte atyre se si të lidhnin këpucët.” Asaj i kujtohet kur u kthyen nga kisha në shtëpi një ditë dhe i dëgjoi pa dashur Geritin dhe Brajënin që po thoshin se ata mendonin që një bisedë në mbledhjen e sakramentit ishte e mërzitshme. “Kështu që unë i sfidova ata: ‘Atëherë bëni ju një bisedë më të mirë’. Ata e pranuan sfidën dhe filluan t’u kushtonin më shumë vëmendje të gjitha bisedave”, thotë ajo.
Kur ishte adoleshent, Geritit i pëlqente shumë të shkonte në marshime me çanta shpine me të rinj të tjerë të lagjes së tij. Uolli Salbaka, një mik gjatë tërë jetës, kujton në veçanti një udhëtim me kamping. “Isha atje me Geritin dhe vëllanë e tij, Brajënin, dhe një mik që nuk ishte anëtar i Kishës sonë. Nuk e di pse, ne filluam të këndonim himne. Geriti këndoi melodinë, Brajëni këndoi si tenor dhe unë këndova si bas. Mendoj se kënduam 10 a 20 himne, thjesht nga gëzimi për të kënduar. Ishte një përvojë e mirë. Mikut tonë joanëtar i bëri përshtypje.”
Vëllai Salbaka kujton gjithashtu që në shkollë të mesme, Geriti iu kërkoi nxitësve të tifozëve që të brohoritnin në heshtje për ekipin e shahut. “Ai i bindi se përkrahja morale është e mirë për cilindo”, thotë ai, “dhe ata vërtet erdhën në një ndeshje.”
Pas shkollës së mesme, Plaku Gong ndoqi Universitetin “Brigam Jang”. Nga viti 1973 deri në 1975‑ën, ai shërbeu në Misionin e Tajpeit në Tajvan, pastaj u kthye në UBJ ku në vitin 1977 mori një diplomë universitare të nivelit të parë në degën e studimeve aziatike dhe studimeve universitare.
Njohja dhe Martesa
Pas misionit, Plaku Gong doli vullnetar për të bërë mbrëmje rreth vatrës të dielave te Qendra e Trajnimit të Misionarëve në Provo. Mbrëmjet rreth vatrës ndihmonin për njohjen e misionarëve që po shkonin drejt Tajvanit, me njerëzit, zakonet dhe kulturën e atjeshme. Një nga misionaret ishte Motra Suzan Lindsi nga Tejlorsvili në Jutë, e bija e Riçard P. dhe Merian B. Lindsit. Vëllai Lindsi ishte anëtar i Kuorumit të Dytë të Të Shtatëdhjetëve. “E ndjeva se Suzana ishte dikush që e kisha njohur ngaherë”, thotë Plaku Gong.
Dy vjet më vonë, disa muaj pasi Suzana ishte kthyer në UBJ pas misionit të saj, Geriti ishte në Provo me familjen e tij. Babai i tij po jepte mësim në universitet dhe Geriti kishte planifikuar një vizitë dyjavore. Vizita u zgjat në katër javë, teksa ai dhe Suzana dilnin në takime çdo ditë. Pastaj Geriti u largua për një stazh në Havai përpara se të kthehej në Oksford.
“Ne u shoqëruam nga dy hemisfera të ndryshme”, kujton Plaku Gong. “Po përpiqesha të studioja në Angli teksa mësoja gjithçka mundesha për të që përtej oqeanit Atlantik.”
“U fejuam me telefon”, thotë Motra Gong. “Ai erdhi sërish në shtëpi për Festën e Falënderimeve dhe ne u martuam ditën e parë të hapjes së tempullit në vitin pasardhës.” Dy javë më vonë, ata fluturuan për në Angli që të fillonin një jetë të re së bashku.
“Kur njerëzit martohen, ata flasin për dy familje që bëhen një”, thotë Plaku Gong. “Dhe kjo është vërtet ajo që më ndodhi mua. Ndihem pjesë e familjes Lindsi po aq sa jam pjesë e familjes Gong.”
Një Karrierë e Jashtëzakonshme
Pasi kaloi një kohë të shkurtër në fakultet në Oksford, karriera e Geritit u zhvendos në shërbimin qeveritar në Uashington D.K., në SHBA. Në vitin 1984, ai shërbeu në personelin e fushatës prej së cilës u rizgjodhën Regani dhe Bushi, ku punoi në të njëjtën zyrë me Majk Levitin, që më vonë u bë guvernator i Jutës. “Geriti ishte vëzhgues dhe i vëmendshëm”, thotë Vëllai Leviti, “por ai u shqua për mirësinë e tij e pareshtur.”
Në vitin 1985, Geriti shërbeu si ndihmës i posaçëm i nënsekretarit të shtetit në Departamentin e Shtetit. Në vitin 1987 u bë ndihmës i posaçëm i ambasadorit të SHBA‑së në Pekin të Kinës. Dhe që nga viti 1989 deri në 2001‑shin, shërbeu në pozicione të ndryshme në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington D.K. Ai pastaj u kthye në botën akademike kur pranoi një post si ndihmës i presidentit për planifikimin strategjik në UBJ. Kaloi nëntë vjet në atë rol.
Kerri Xhenkinsi, ndihmësja e presidentit për komunikimet në universitet në UBJ, punonte në zyrën ngjitur. Ajo kujton aftësinë e Gerit Gongut për t’i nxitur njerëzit rreth tij. “Nëse nuk do ta kishe besimin në vetvete se mund ta merrje përsipër një detyrë të vështirë, ai do ta kishte atë besim në vetvete për ty”, thotë ajo. “Ai bënte gjithçka kishte fuqi për të të dhënë këshillë, për të të dhënë shpresë dhe për të të lejuar të shkoje përpara e ta vërtetoje se kush ishe.”
Gjykatësi federal, Tomas B. Grifiti, që u njoh me Plakun Gong si në Uashington ashtu edhe në UBJ, e përshkruan në këtë mënyrë ndërveprimin me të: “Në fund të një bashkëbisedimi, do ta kuptoje se përqendrimi kishte qenë tek ti. Ai është një dëgjues i shkëlqyer. Dhe ai bën pyetje që të bëjnë të mendosh.”
Sesil O. Samuelsoni, Autoritet nderi i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë dhe ish‑president i UBJ‑së, thotë se Plaku Gong është “në përgjithësi i heshtur, por mendjen e ka gjithmonë duke punuar”.
Jeta Familjare
Geriti dhe Suzana Gongu u bënë prindërit e katër bijve – Abrahamit, Samuelit, Kristoferit dhe Methjus – të cilët u rritën në rrethana të larmishme.
“Kur ishim në Pekin, fëmijët tanë patën bekimin që të bëheshin miqtë më të mirë të njëri‑tjetrit”, thotë Plaku Gong.
“Nga njëra anë, ata patën mundësinë që të shihnin një pamje të gjerë të botës”, shton Motra Gong. “Nga ana tjetër, na ndihmoi të lidhemi fort si familje. Djemtë tanë ende thonë se gjëja më e mirë që kemi bërë si prindër, është që u dhamë vëllezër.”
“Një herë, ne përdorëm pikët e mbledhura nga kilometrat e fluturimeve”, thotë Plaku Gong. “E lejuam çdonjërin të zgjidhte një vendmbërritje. E filluam nga Uashington D.K.‑ja ku po jetonim, pastaj shkuam në Angli, Republikën Çeke, Greqi, Turqi, Indi, Kinë dhe Japoni.
Kishim një rregull të palëkundur gjatë atij udhëtimi”, thotë Suzana. “Kudo ku shkonim, hanim atë që hanin vendasit.” Së fundi, në Japoni, në fund të udhëtimit, Plaku Gong u tha të bijve se do t’i çonte në një restorant të famshëm në të gjithë botën për [gatime me] mish lope. Në një restorant Mek‑Donaldi, katër bij të uritur dhe dy prindër konsumuan 17 hamburgera!
“Si Mami ashtu edhe Babi e vlerësojnë shumë të nxënin nga përvoja”, thotë Abrahami. “Babi mendon thellësisht mbi mënyrën se si përvoja ndikon te njerëzit, përfshirë kultura të tëra.” Abrahami vë re gjithashtu se babai i tij “flet me kujdes sepse do t’i japë kuptim tërësisht dhe ta besojë plotësisht atë që po thotë”.
Samueli kujton që “megjithëse shumë i zënë me punë në Departamentin e Shtetit, Babi kalonte kohë çdo natë për të më mësuar dhe trajnuar për një konkurs matematike në klasën e tretë ku dëshiroja të merrja pjesë, që quhej ‘Sfida 24’. Më tha që po të fitoja, do të bënim një festë me akullore me 24 lloje gjërash shoqëruese përsipër.” Samueli arriti deri në finalet kombëtare por nuk fitoi. Familja Gong hëngri akullore gjithsesi. Por nuk ishte e lehtë të gjeje 24 lloje gjërash shoqëruese – njëra ishte pastërma lope.
Kristoferi dhe Methju komentojnë për faktin se sa shumë ata “e vlerësojnë mirëbesimin, dashurinë dhe përkushtimin që kanë babai dhe mamaja [e tyre]”. Është një dashuri që Plaku dhe Motra Gong e kanë për njëri‑tjetrin, për secilin bir, si dhe për familjen më të gjerë.
“Përveçse një atë i përkushtuar, Geriti është një bir dhe vëlla i përkushtuar”, thotë Suzana. “Ato role janë të rëndësishme për të. Ai na ndihmon ta kuptojmë se marrëdhëniet familjare janë më të rëndësishmet nga gjithçka.”
Përvoja në Kishë
Edhe pse i ngarkuar me karrierën dhe familjen, Plaku Gong vazhdoi të shërbente me gatishmëri në Kishë, duke përmbushur thirrje si këshilltar i lartë, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, president i Shkollës të së Dielës për kunjin, mësues seminari, peshkop, president i misionit të kunjit, president i kunjit dhe si I Shtatëdhjetë Zonal.
Çfarëdo që është thirrur të bëjë, dhe po ashtu në jetën familjare, ai vazhdimisht shfaq disa karakteristika. “Ai e sheh cilindo si një bir apo bijë të Atit Qiellor”, thotë Motra Gong. “Por mbi të gjitha, ai e do Zotin. Ai vërtet dëshiron me gjithë zemër që ta ndërtojë mbretërinë dhe t’i bekojë fëmijët e Atit Qiellor.”
Dhe ai e admiron bashkëshorten e tij. “Çfarëdo që më kërkohet të bëj”, thotë ai, “Suzana është krah meje. Ajo ndihet rehat me cilindo dhe është e prirur të ndërveprojë me njerëzit e tjerë. Ajo ka qenë gjithmonë e gatshme të shkonte në vende të reja dhe të provonte gjëra të reja, gjë për të cilën jam mirënjohës.”
Shërbimi me Të Shtatëdhjetët
Më 3 prill 2010, Plaku Gerit W. Gong u mbështet si një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë. Ai u caktua në Presidencën e Zonës së Azisë, me zyra qendrore në Hong‑Kong. Më vonë u bë President i Zonës së Azisë. Më 6 tetor 2015, Plaku Gong u mbështet në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, ku vazhdoi përvoja e tij ndërkombëtare, përfshirë shqyrtime zonale në pjesë të ndryshme të botës të tilla si Afrika dhe Amerika Qendrore.
“Ti i takon dhe arrin t’i duash shenjtorët në të gjitha këto vende”, thotë ai. “Ti ndihesh i bekuar që njerëzit të tregojnë ty për besimin e tyre, sepse përvoja e tyre për Perëndinë që vepron në jetën e tyre, bëhet pjesë e kuptueshmërisë se kush është Perëndia dhe se sa e do Ai secilin prej nesh.”
“Kur e dërgojmë Plakun Gong në çfarëdo situate, njerëzit e përfshirë aty e ndiejnë se kanë gjetur një mik”, thotë Presidenti Rasëll M. Nelson. “Ai ka nivel të lartë njohurie, por është i përulur. Ai përshtatet me njerëzit e të gjitha niveleve dhe është gjithmonë i përgatitur mirë dhe bindës.”
Thirrja si një Apostull
Kur Presidenti Nelson i dha Plakut Gong thirrjen që të shërbente si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, profeti “me dashuri i mori duart e mia në duart e tij, me Suzanën time të dashur në krahun tim, dhe më drejtoi këtë thirrje të shenjtë nga Zoti, e cila më la pa frymë” (“Zoti Krisht Ësht’ Ngritur Sot”, Liahona, maj 2018, f. 97). I përulur, por i sigurt për dashurinë e tij për Zotin dhe mirëbesimin e tij në Të, Plaku Gong e pranoi thirrjen. Ai u mbështet më 31 mars 2018. I përgatitur me kujdes nga Zoti, ai tani do të japë shërbesë si një “dëshmitar [i] veçantë [i] emrit të Krishtit në gjithë botën” (DeB 107:23).