Vezët, Siguresa dhe Besimi
Alvaro Alkaino
Antofagasta, Kili
Një prej synimeve tona si familje është të kursejmë mjaftueshëm para për t’i bërë [bankës] një pagesë për shtëpinë tonë. Pa atë synim, unë mund t’i kaloja fundjavat e mia duke parë televizor, duke pritur që të më vinin mundësi financiare.
Si shofer për një kompani miniere në veri të Kilit, unë punoj katër ditë larg shtëpisë në miniera dhe më pas bëj tri ditë pushim – nga e shtuna deri të hënën. Për t’i shtuar të ardhurat dhe për të kursyer për blerjen e një shtëpie, ne vendosëm të fillonim shitjen e vezëve. Plani ynë ishte që të merrnim porosi nga miqtë, fqinjët dhe anëtarët e Kishës; të blinim rreth 1000 vezë çdo javë nga një grosist; dhe më pas t’i merrnim dhe t’i shpërndanim vezët të shtunave dhe të hënave.
Bashkëshortja ime, Laura dhe unë, vendosëm t’i merrnim me vete dy fëmijët tanë gjatë shpërndarjes dhe ta shijonim kohën së bashku. Mirëpo, ndërsa ishim rrugës për të blerë kutitë e para me vezë, na ndodhi një ngatërresë. Një prej fëmijëve tanë, duke luajtur me një mprehëse të vogël metalike lapsash, e hodhi atë dhe ajo ra pikërisht te vendi i makinës për ndezjen e cigares. Pati shkëndijë elektrike dhe furgoni ynë humbi të gjithë energjinë, duke u fikur menjëherë pikërisht në mes të autostradës. Kishim djegur një siguresë.
Ndërsa qëndruam atje duke penguar trafikun dhe duke vrarë mendjen se ç’të bënim, u shqetësuam kaq shumë saqë ishim gati të qanim. Por në atë çast, u kujtova se Zoti kishte premtuar se do të na ngrinte moralisht dhe do të na ndihmonte po ta vendosnim mirëbesimin tonë tek Ai. Një ndjenjë qetësie më pushtoi të tërin. Kuptova se nuk mundesha thjesht të rrija ulur duke u ankuar. Ne kishim një problem, dhe me ndihmën e Perëndisë, do ta zgjidhnim atë.
Unë dhe Laura u kthyem nga njëri-tjetri dhe thamë: “Ne duhet të tregojmë besim”. Bëmë një lutje dhe i fshimë lotët. Më pas, me Laurën në timon, dola të shtyja makinën. Disa njerëz zbritën nga makinat e tyre dhe më ndihmuan.
E shtymë makinën rreth 200 metra përpara se të gjenim një vend të sigurt larg autostradës për të parkuar. Teksa makina u ndal në një vendqëndrim, unë vura re se kishim parkuar pikërisht përpara një dyqani kasetofonash.
E gjeta siguresën e djegur, hyra brenda në dyqan dhe e pyeta: “A keni një nga këto?”
Punonjësi u përgjigj: “Sigurisht”.
Bleva një siguresë dhe e vendosa në vendin e vet, makina u ndez menjëherë dhe u nisëm. Grosisti i vezëve ishte gati për ta mbyllur dyqanin kur hapëm krahun. I blemë vezët dhe i bëmë shpërndarjet tona.
Kur kemi sfida, ne duhet të kujtojmë t’i kërkojmë ndihmë Atit tonë Qiellor. Unë e di se Ai do të na përgjigjet ndërsa shkojmë përpara dhe e tregojmë besimin tonë tek Ai.