Plaku Ulises Soares: Një Burrë pa Mashtrim
Në ditët e hershme të shërbesës së Tij, teksa Jezusi po përzgjidhte Apostujt e Tij, Ai pa Natanaelin që po vinte drejt Tij. Ai menjëherë e dalloi mirësinë e Natanaelit duke shpallur: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim”1.
Jezusi e dinte se Natanaeli ishte një njeri me zemër të dëlirë, me qëllime të ndershme dhe pa hipokrizi apo dredhi. Zoti e do këtë cilësi të integritetit të drejtë moral dhe Ai e thirri Natanaelin që të ishte Apostull.2
Ulises Soaresi është si Natanaeli i lashtësisë dhe Shpëtimtari e ka thirrur edhe atë.
“Drita e Prindërve të Mi”
Ulisesi, më i vogli nga katër vëllezër, u lind në San‑Paolo të Brazilit më 2 tetor 1958. Ai erdhi nga fillime të përulura, por prindërit e tij, Aparesido dhe Mersedes Kareço Soares, ishin njerëz të ndershëm e që punonin shumë, të cilët i dëgjuan me çiltërsi misionarët. Ata u bashkuan me Kishën në vitin 1965 kur Ulisesi ishte gjashtë vjeç.
“Nuk e pashë kurrë Vëllanë Aparesido të mungonte në një mbledhje”, thotë Osiris Kabrali, i cili shërbeu si president kunji kur Ulisesi ishte i ri. “Mersedesi gjithashtu ishte shumë besnike. Ulisesi e trashëgoi përkushtimin e prindërve të tij.”
Zemra e Ulisesit, e mirë nga natyra, lulëzoi teksa ai mësoi rrugët e Zotit. “Unë u rrita në Kishë duke ndjekur dritën e prindërve të mi”, thotë Plaku Soares. Teksa e ndoqi atë dritë, dëshmia e tij u bë më e fortë, pavarësisht kundërshtisë.
“Unë isha i vetmi anëtar i Kishës në shkollën time dhe djemtë e tjerë gjithmonë përpiqeshin të më tërhiqnin në veprime jo të mira dhe të më nxitnin të bëja gjëra që ishin të gabuara”, thotë ai. “Më duhej të mësoja ta mbroja veten në këto sfida, por gjithmonë mirëbesova me gjithë zemër te Zoti që do të më ndihmonte të kisha sukses. Kur isha i ri mësova që, nëse ti e bën pjesën tënde, Zoti do ta bëjë pjesën e Tij. Por ti duhet të mbahesh fort te dora e Tij dhe te ungjilli i Tij.”
Kur Ulisesi ishte 15 vjeç, peshkopi i tij i kërkoi t’i jepte mësim një klase të rinjsh në Shkollën e së Dielës. Një mësim që zhvilloi ai, përqendrohej te marrja e një dëshmie për ungjillin. Ulisesi e kishte studiuar Librin e Mormonit, e kishte ndier gjithmonë se Kisha ishte e vërtetë dhe kishte besuar te Shpëtimtari Jezu Krisht.
Teksa përgatiti mësimin, dëshironte t’i dëshmonte fuqimisht klasës së tij për vërtetësinë e ungjillit. “Studiova dhe u luta me zjarr”, kujton Plaku Soares. “Pasi u gjunjëzova, më erdhi në zemër një ndjenjë shumë e ëmbël, një zë i ulët që më konfirmoi mua se isha në shtegun e drejtë. Ishte kaq e fortë sa nuk mundesha kurrë të thosha se nuk e dija.”
Teksa Ulisesi u bë më i pjekur, ai mësoi që, nëse do të bënte më shumë nga sa pritej apo i kërkohej, Zoti do ta bekonte atë me bollëk. Një mësim i tillë erdhi teksa u përgatit për një mision. Gjatë intervistave me Ulisesin, peshkopi i tij e theksoi rëndësinë e bindjes ndaj urdhërimeve dhe të jetuarit denjësisht. Ai theksoi gjithashtu përgatitjen financiare.
Sot të gjithë misionarët nga Brazili kontribuojnë për kostot e misionit të tyre dhe shumë familje e mbulojnë të gjithë koston. Teksa Ulisesi iu afrua moshës së misionit, ai vendosi se do t’i fitonte të gjitha paratë që i nevojiteshin për misionin e tij. Duke përdorur etikën e fuqishme të punës që kishte mësuar duke punuar në biznesin e vogël të të atit dhe i pajisur me aftësinë për të shtypur shpejt, Ulisesi gjeti një punë ku ndihmonte një kompani që të përgatiste listëpagesat e saj.
Pasi kaloi një provim të vështirë pranimi, ai filloi të studionte kontabilitet mbrëmjeve në një shkollë të mesme teknike. Çdo muaj, pasi e paguante të dhjetën, ai do të kursente para për misionin e tij. Pas një viti, e transferuan në sektorin e kontabilitetit të kompanisë së tij.
“Ajo është mënyra se si kurseva para për të paguar për misionin tim”, thotë Plaku Soares. “Dhe çdo muaj gjatë tri viteve përpara se të nisesha, do të blija diçka që më duhej – një këmishë, një palë pantallona, një palë çorape, një kravatë, një valixhe.” Atij gjithashtu i nevojiteshin, dhe i mori, dashuri dhe përkrahje e fortë nga prindërit e tij dhe udhëheqësit vendorë.
Ulisesi u thirr në Misionin e Brazilit në Rio‑de‑Zhanejro. Ai shërbeu në pjesën e parë të misionit të tij nën Presidentin Helio da Roça Kamargo, që do të bëhej më vonë Autoriteti i parë i Përgjithshëm i thirrur nga Brazili. Ulisesi e filloi misionin nga fillimi i vitit 1978. Tempulli i parë në Amerikën Latine u përkushtua më vonë gjatë atij viti në San‑Paolo nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985).
Në janar të vitit 1980, Ulisesi dhe shoku i tij [i misionit], që gjithashtu nuk e kishte marrë dhurimin [indaumentin] e tij, hipën në një autobus në Rio‑de‑Zhanejro për një udhëtim prej tetë orësh për në Tempullin e San‑Paolos në Brazil. Prindërit dhe motrat e vëllezërit e Ulisesit u takuan me të atje dhe familja Soares u vulos për kohën dhe përjetësinë. Ulisesi nuk i ka harruar kurrë ato pesë orë së bashku në Tempullin e San‑Paolos. Më vonë atë ditë, ai dhe shoku i tij [i misionit] u kthyen në terrenin e misionit.
Vendosja e Perëndisë të Parin
Ulisesi gëzoi një mision të suksesshëm, që e forcoi më tej dëshminë e tij. Kur u kthye në shtëpi, ai gjeti një punë dhe filloi të studionte kontabilitet dhe ekonomi në një universitet vendor.
Kishte rreth shtatë muaj që ishte në shtëpi, kur hasi “Motrën Morgado” në një vallëzim shumëkunjësh. Ulisesi kishte shërbyer si udhëheqësi i zonës së saj për njëfarë kohe dhe ata të dy e kaluan mbrëmjen duke biseduar për lajmet e reja dhe duke treguar histori nga misioni. Tri javë më vonë, ata filluan të dalin në takime.
Rozana Fernandes Morgado ishte tetë vjeçe kur motra e saj më e madhe, Margareta, filloi ta merrte në kishë. Përfundimisht, dy kërkueset e vogla dhe besnike morën leje nga babai i tyre që të pagëzoheshin, por secila do të duhej të priste derisa të mbushte 17 vjeçe. Rozana e frekuentoi kishën për nëntë vjet përpara se të merrte leje që të pagëzohej.
Ulisesi jetonte në pjesën veriore të San‑Paolos dhe Rozana jetonte me prindërit e saj në sektorin jugor të qytetit. Udhëtimi përmes qytetit të stërmadh kërkonte dy deri në tre orë me autobus dhe metro. Për fat të mirë, Margareta dhe bashkëshorti i saj, Klaudioja, jetonin pranë shtëpisë së prindërve të saj.
“Kur Ulisesi vinte fundjavave që të dilte në takime me Rozanën, ishte e vështirë për të që të kthehej në shtëpi aq vonë natën”, kujton Plaku Klaudio R. M. Kosta, Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, për baxhanakun e tij të ardhshëm. Kështu, ai dhe Margareta e ftonin Ulisesin ta kalonte natën në shtëpinë e tyre pas takimeve. “E birësuam atë për njëfarë kohe”, shton Plaku Kosta.
“Ai do të flinte në divanin e dhomës sonë të ndenjjes”, thotë Motra Kosta. “Sapo ishim martuar, kështu që nuk kishim kuverta të tepërta. Por ai do të mbulohej me një perde të vjetër që kishim. Ai ishte i lumtur sepse do të mund ta shihte sërish Rozanën ditën tjetër. Ai ishte i mirë me motrën time dhe prindërit e mi e pëlqenin shumë.”
Ulisesi dhe Rozana u martuan në Tempullin e San‑Paolos në Brazil, më 30 tetor 1982.
Nëse kaloni disa minuta me Plakun dhe Motrën Soares, dashuria, admirimi dhe respekti i tyre për njëri‑tjetrin bëhet shpejt i dukshëm. Për Plakun Soares, Rozana “ka qenë për mua dhe familjen time shembull i mirësisë, dashurisë dhe përkushtimit tërësor ndaj Zotit”3. Për Motrën Soares, Ulisesi është “një dhuratë nga qielli”.
Motra Soares shton: “Ai ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe i drejtë, është kujdesur gjithmonë mirë për familjen tonë dhe gjithmonë më ka trajtuar shumë mirë. Në të gjitha thirrjet e tij në Kishë, ai ka bërë më të mirën. Ai shkon dhe bën. Ai gjithmonë i vendos të parat gjërat e Perëndisë në jetën e tij. Unë bie pa pushim në dashuri me të sepse e di që, nëse ai i vë gjërat e Perëndisë të parat, ai gjithashtu do të më vendosë mua të parën.”
Për bashkëshorten e tij, Plaku Soares thotë: “Ajo është heroina dhe frymëzimi i vërtetë në familjen tonë. Ajo është e dashur, e sjellshme dhe e duruar me gjithkënd. Ajo e bashkon familjen tonë dhe sheh të mirën te cilido. Ajo ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme për atë që ka ndodhur në jetën time. Për thirrjen time në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, me shaka i thashë asaj: ‘Ta vë fajin ty për këtë sepse ti e ke zmadhuar kaq shumë fuqinë e ungjillit në jetën time’.”
Një Zemër e Madhe
Gustavoja, djali më i madh i familjes Soares, e kujton natën kur ishte djalosh e kur ai nuk iu bind prindërve të tij dhe doli pa leje për të parë një kremtim vjetor në lagjen e tyre në San‑Paolo, të njohur si Festa Junina [Festa e Qershorit].
“Isha në mes të një turme të madhe duke u zbavitur kur dëgjova një njoftues që më thirri të dilja përpara”, thotë ai. “Pikërisht atëherë pashë babin.”
Prindërit e tij ishin shqetësuar së tepërmi, por në vend që ta qortonte Gustavon, Ulisesi e përqafoi fort.
“Patëm një bashkëbisedim me seriozitet mbi faktin që humba, por prindërit e mi më trajtuan me respekt”, kujton Gustavoja. “U ndjeva i mbrojtur dhe e dija se ata më donin me të vërtetë.”
Ulisesi është i përkushtuar ndaj familjes së tij. Me gjithë programin e tij të ngarkuar të punës dhe udhëtimeve gjatë viteve, ai ka lënë kohë për të ndërtuar marrëdhënie me fëmijët e tij.
Kur Plaku Soares u mbështet në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 31 mars 2018, ndoshta askush nuk ishte më i çuditur sesa Gustavoja dhe dy motrat e tij, Leticia Karavelo dhe Natalia Soares Avila. Por nëse dashuria, puna e palodhur, dhembshuria për të tjerët dhe përulësia e kualifikojnë një njeri për apostullimin, thonë ata, mund ta kuptojnë se përse Zoti e thirri babanë e tyre.
“Kur Jezusi i thirri Apostujt e Tij, Ai nuk zgjodhi farisenjtë më të ditur, Ai zgjodhi peshkatarë”, thotë Leticia. “Babai dhe nëna ime janë të tillë. Ata i mirëbesojnë plotësisht Zotit dhe Ai i përdor ata për t’i përmbushur punët e Tij sepse Ai e di që ata janë bujarë, të gatshëm të punojnë pa u lodhur dhe mjaftueshëm të përulur sa ta pranojnë korrigjimin.”
“Zemra e madhe” e babait të tyre do ta ndihmojë atë teksa shkon përpara si një nga dëshmitarët e veçantë të Shpëtimtarit, shton Natalia. “Ai është mjaft i dhembshur sa ta bëjë atë”, thotë ajo. “Ai ndien ndikimin e qiellit dhe ai e do gjithkënd e dëshiron të bëjë atë që është e drejtë.”
“Gjithçka do të Shkojë Mirë”
Kur Plaku Soares shërbeu si president i Misionit të Portugalisë në Porto nga viti 2000 deri në 2003, ai u bë i mirënjohur për përdorimin e frazës në portugalisht “Tudo vai dar certo” – gjithçka do të shkojë mirë.
“Ai na e mësoi neve atë”, kujton Taj Benet, një nga misionarët e tij. “Ai e jeton jetën me besim dhe optimizëm që, nëse bëjmë atë që Zoti dëshiron që ne të bëjmë, gjithçka do të shkojë mirë.”
Ai gjithashtu u dha mësim misionarëve të tij që të mos t’i përdorin fjalët e vështirë ose e pamundur, thotë Riçard Shilds, një tjetër prej misionarëve të tij. “Ne u referohemi gjërave si ‘sfida’. Ajo këshillë më ka ndihmuar t’i jap formë jetës sime teksa i kam parë gjërat si ‘sfida’ për t’u kapërcyer dhe jo si ‘të vështira’ ose ‘të pamundura’.”
Një besim dhe optimizëm i tillë nuk ka ardhur nga një jetë e lehtë. Plaku dhe Motra Soares e njohin mirë zhgënjimin që vjen nga të jetuarit me mungesa, lodhja e ditëve të gjata me punë dhe studim, sfidat e shëndetit të lig dhe pikëllimin nga dështimi i shtatzënisë, lindja e fëmijës së vdekur dhe humbja e motrave e vëllezërve si dhe e prindërve.
Por përgjatë udhëtimit të jetës, ata e kanë vendosur besimin e tyre te fjalët e shkrimit të shenjtë të parapëlqyer të Plakut Soares: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”4.
“Sfidat janë pjesë e përparimit tonë”, thotë Plaku Soares. “Por kur kemi durim në vuajtje, kur mësojmë t’u mbijetojmë sfidave të jetës, kur qëndrojmë besnikë, Zoti na vlerëson shumë dhe na bekon me bekimet që Ai ka premtuar.”
Dhe kur mbahemi fort te shufra e hekurt, shton ai, Zoti nuk do të na lërë vetëm.
“Vazhdueshmëria e mbajtjes fort tek urdhërimet, tek ungjilli, te shkrimet e shenjta dhe te Zoti Jezu Krisht na ndihmon t’i kapërcejmë sfidat e jetës”, dëshmon Plaku Soares. “Kur gjunjëzohemi në lutje, Ai do të jetë me ne dhe do të na udhërrëfejë. Ai do të na frymëzojë se ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë. Kur jemi të bindur dhe e përulim veten, Zoti u përgjigjet lutjeve tona.”
Dishepull i Përkushtuar
Ulises Soaresi është një burrë me aftësi dhe përgatitje. Arsimimi i tij, përfshirë një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi, e përgatiti atë që të punonte si financier dhe kontrollor financiar për korporata ndërkombëtare në Brazil. Ajo përvojë e përgatiti që të punonte në sektorin financiar të Kishës, punë që e përgatiti atë që në moshën 31‑vjeçare të bëhej një nga drejtorët më të rinj në moshë të Kishës për çështjet materiale. Ajo përgatitje i shërbeu mirë atij si president misioni dhe në thirrjen e tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 2 prill 2005.
Përpara se të thirrej në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve më 6 janar 2013, Plaku Soares shërbeu si këshilltar dhe më pas si President i Presidencës së Zonës të Brazilit dhe si këshilltar në Zonën e Afrikës Juglindore. Atje, ai shërbeu si këshilltar për Plakun Dejll G. Renland, atëherë Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë. Plaku Renland, tani anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e kujton me kënaqësi kohën e tyre së bashku.
“Plaku Soares është një dishepull plot gaz, i zotuar dhe i përkushtuar i Jezu Krishtit”, thotë Plaku Renland. “Nuk njoh ndonjë që ta ndiejë më me mprehtësi që ai është në punën e Zotit. Nëse i kërkohet të bëjë diçka, ai e bën atë me të gjithë fuqinë e tij.”
Ai tha se Plaku Soares shpejt “ra në dashuri” me shenjtorët në Afrikë. Një nga detyrat e tij të para në zonë ishte që të kryesonte një konferencë kunji në Kananga në Republikën Demokratike të Kongos. “Kur u kthye, ai nuk mund të pushonte së foluri mbi mirësinë dhe përkushtimin e njerëzve që takoi”, thotë Plaku Renland.
Plaku L. Uitni Klejton, që shërbeu me Plakun Soares për pesë vjet e gjysmë në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, e quan Plakun Soares një ndërtues marrëveshjesh. “Ai dëgjon dhe i mat mendimet e tij. Ai është i kujdesshëm në mënyrën se si sillet në mbledhje që zërat tanë të formojnë një kor dhe jo një konkurrim solistësh.”
Plaku Soares tregon thjeshtësi për aftësinë e tij që të komunikojë në portugalisht, anglisht, spanjisht dhe frëngjisht. Por ajo dhunti, që kërkon vëmendje të vazhdueshme, është një bekim për Kishën, thotë Plaku Klejton. Plaku Soares mund t’u flasë pjesës më të madhe të anëtarëve të Kishës në vetë gjuhën e tyre.
“Ulisesi ka qenë udhëheqës që kur ishte djalosh”, vëren Plaku Klaudio Kosta për baxhanakun e tij. “Ai është shumë inteligjent e shumë i aftë dhe e ndien përgjegjësinë që të japë gjithmonë më të mirën e tij. Ai i do me lehtësi njerëzit rreth tij. Ai ka zemrën e një dishepulli të vërtetë të Shpëtimtarit dhe ka dëshminë e sigurt se Jezusi është Krishti. Unë e dua atë dhe jam mirënjohës që e mbështet si një Apostull të Zotit.”
Dhe Plaku Dejvid A. Bednar, duke folur për Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, shton: “Plaku Soares është një dishepull i dëlirë, pa mashtrim dhe i pafajshëm i Shpëtimtarit. Nëpërmjet dritës në pamjen e tij, buzëqeshjes së tij të ngrohtë dhe mënyrës së tij të hirshme, individë dhe familje të panumërta kanë qenë frymëzuar, frymëzohen dhe do të frymëzohen me një dëshirë më të madhe për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për të jetuar normat e ungjillit të Tij.”
Në periudhën tonë ungjillore, Zoti tha për Eduard Partrixhin: “Zemra e tij është e pastër para meje, sepse ai është si Natanaeli i lashtësisë, në të cilin s’ka mashtrim”5. Për Hajrëm Smithin, Zoti tha: “Unë, Zoti, e dua atë për shkak të integritetit të zemrës së tij dhe ngaqë ai e do atë që është e drejtë përpara meje”6.
Për Ulises Soaresin, Zoti do të thoshte të njëjtën gjë.