Premtimi ndaj një Fëmije
Luvia Paredes Kabrera
Jukatan, Meksikë
Disa vjet më parë, isha tej mase e mërzitur. E vetmja gjë për të cilën mund të gjeja një shtysë të vogël, ishte shoqja ime më e mirë dhe fëmijët e saj. Gjatë fundjavës shkonim për shëtitje, në të cilat kënaqesha. Megjithatë, me kalimin e kohës, filluam të shkonim në shëtitje gjithnjë e më pak. Filloi të më merrte malli për shoqen time dhe familjen e saj. Më vonë mësova se shëtitjet tona u bënë më pak të shpeshta, sepse shoqja ime dhe familja e saj kishin rifilluar një praktikë që e kishin ndërprerë shumë vite më parë – vajtjen në kishë.
Një ditë, ata më ftuan për drekë. Kur i pashë përsëri u ndjeva shumë e lumtur. U tregova se sa më kishte marrë malli. Vajza gjashtëvjeçare e shoqes sime sugjeroi që ne ta zgjidhnim atë problem duke shkuar së bashku në kishë. Kështu që, pa e menduar dy herë, më ftoi të shkoja.
Oh, jo! Si mund ta bëja këtë familje të kuptonte se vajtja në kishë ishte e drejtë për ta, por shumë e mërzitshme për mua? Nuk kisha shkuar në kishë për vite, por si mund t’i thoja jo një fëmije? I thashë se do të shkoja, por e vërteta ishte se nuk kisha synimin më të vogël për ta mbajtur atë premtim.
Atë të diel, dola të haja mëngjes me tim atë. Telefoni më binte vazhdimisht, duke më kujtuar se i kisha premtuar një vajze të vogël që do të shkoja në kishë me të. E shpërfilla celularin tim derisa babai më pyeti përse nuk po përgjigjesha. Pohova se isha ftuar të shkoja në një mbledhje kishe, por nuk doja të shkoja. Ai buzëqeshi dhe tha: “Luvia, kurrë mos i premto një fëmije nëse nuk je e gatshme ta përmbushësh atë”. Vendosa që do ta mbaja premtimin tim.
Kur mbërrita në kishë të dielën, ndjeva diçka ndryshe, diçka që nuk mund ta përshkruaj. Akoma nuk mund ta shpjegoj se si ndodhi, por të dielën vijuese, e gjeta veten përsëri atje dhe të dielën më pas e kështu me radhë, derisa kuptova atë që po ndieja: Frymën e Shenjtë.
Anëtarët e Kishës filluan të më bënin të ndihesha si në shtëpi. Pa asnjë dyshim, isha kureshtare për Kishën. Fillova të takohesha me misionarët dhe fillova gjithashtu të fitoja një dëshmi. Vizitat e misionarëve u bënë më të vazhdueshme dhe kuptueshmëria ime për ungjillin u rrit derisa ndjeva një dëshirë shumë të madhe për t’u pagëzuar. U pagëzova pak kohë më vonë dhe tani gëzoj bekimet e ungjillit. Për shkak të kësaj, unë jam kaq mirënjohëse që e mbajta premtimin tim ndaj një vajze gjashtëvjeçare.