Mësime nga Dhiata e Re
Apostujt Janë Dëshmitarë të Jezu Krishtit – edhe Ju Mund të Jeni Gjithashtu!
Përfytyroni sikur ju dhe një shoqe pa hani drekë në shkollë. Shoqja juaj sapo po hap një ëmbëlsirë kur një person afrohet dhe e akuzon se e ka vjedhur atë dhe i kërkon që “ta kthejë”. Ju ishit me shoqen tuaj kur ajo e bleu atë, kështu që ndonëse mund të jeni e nevrikosur, ju i thoni akuzuesit se shoqja juaj nuk është hajdute.
Dëshmitarë të Veçantë
Të mbrojturit e së vërtetës në këtë mënyrë, mund të quhet “të qenit një dëshmitar”. Te shembulli, ju do të ishit një dëshmitare e karakterit të mirë të shoqes suaj. Ashtu siç mund të jeni një dëshmitare për shoqen tuaj, Perëndia ka thirrur profetë dhe apostuj që të jenë dëshmitarë të veçantë të Birit të Tij, Jezu Krishtit. Apostujt “dërgohen me një autoritet dhe përgjegjësi të caktuar”1 për të dhënë mësim, dëshmuar dhe shërbyer si “dëshmitarë [të] veçantë të emrit të Krishtit” (Doktrina e Besëlidhje 107:23).
Jo shumë kohë pasi Krishti u ringjall, apostujt u thirrën për të qenë dëshmitarët e Tij (shih Veprat e Apostujve 1:8). Kur t’i studioni Veprat e Apostujve te Dhiata e Re, ju mund të lexoni shumë raste kur Apostujt dëshmuan se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 2:36; 5:27–32; 10:36–44). Apostujt sot vazhdojnë në këtë thirrje si dëshmitarë të veçantë – thjesht dëgjoni çfarëdo konference të përgjithshme dhe do ta shihni se si ata dëshmojnë për Krishtin.
Fryma e Shenjtë Dëshmon për Krishtin
Disa Apostuj në Dhiatën e Re ishin me Krishtin kur Ai ishte në tokë dhe e panë të ngjitej në qiell (shih Veprat e Apostujve 1:9–11), edhe Apostujt sot mund ta kenë parë Krishtin,2 por nuk është të parit fizikisht të Jezusit që e bën një person dëshmitar të Tij. Presidenti Jozef Filding Smith (1876–1972) tha: “[Fryma e Shenjtë] është e vetmja mënyrë që një person mundet me të vërtetë të dijë që Jezusi është Krishti dhe se ungjilli i Tij është i vërtetë”3. Kjo do të thotë se, ndonëse Apostujt mund ta kenë parë Krishtin, ata e dinë se Ai është Shpëtimtari pasi Fryma e Shenjtë ua ka treguar atyre!
Ju Mund të Jeni një Dëshmitar
Ajo çfarë është edhe më mahnitëse është se edhe juve ju është premtuar se mund ta dini që Jezu Krishti është Shpëtimtari juaj nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shih Doktrina e Besëlidhje 46:13). Nuk është diçka që vetëm Apostujt mund ta dinë! Ndonëse nuk jeni thirrur për të qenë një dëshmitar i veçantë i Krishtit, ju mund të kërkoni një dëshmi për Krishtin dhe të jeni dëshmitari i Tij për njerëzit në jetën tuaj. Ju mund ta ndiqni urdhrin e Shpëtimtarit drejtuar Pjetrit: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e [motrat e tua]” (Lluka 22:32).