Përse Perëndia Nuk më Paralajmëroi?
Lark Montgomeri
Teksas, SHBA
Unë dhe bashkëshorti im po jetonim në një shtëpi brenda kompleksit universitar në Institutin Teknik të Shtetit të Teksasit, kur dy fëmijët tanë më të mëdhenj ishin katër dhe dy vjeç. Ishte përvoja jonë e parë në vendin plot kodra të Teksasit dhe më pëlqeu shumë! Çdo pranverë, Teksasi qendror mbushet me lule. Në kopshte, pyje, fusha të gjera, buzë rrugës, kudo që i hidhja sytë, kishte më shumë lule për të parë.
U bëja fëmijëve xhiro me karrocë pothuajse çdo ditë. Gjenim vende të reja për të zbuluar, dhe i lija fëmijët që të këputnin aq lule të egra sa donin. E përfundonim xhiron tonë në një lagje ku shumica e shtëpive kishin kopshte të bukura të mirëmbajtura me lule.
Një ditë, morëm kthesën në një qoshe kur zbuluam një masë të madhe fletësh që ishin shpërndarë në një nga kopshtet me lule. Era i shpërndau shpejt fletët nëpër të gjithë oborrin. Vendosa t’i mbledh fletët e shpërndara përpara se të përhapeshin më tej. Kapa grushte letrash dhe i futa në çantën time të pelenave.
Kur i hodha sytë poshtë, kuptova se po mbaja materiale pornografike. E tmerruar, u kërkova fëmijëve të qëndronin në karrocë ndërsa mbërtheja pjesën tjetër të fletëve. U mërzita kur syri më kapte shkarazi gjëra që kurrë nuk doja t’i shihja. Në zemrën time fillova të ankohesha: “Pse nuk më paralajmëroi Perëndia që të shkoja në shtëpi nga një rrugë tjetër?”
Më pas dëgjova tingullin e pagabueshëm të frenave të autobusit të shkollës. Rreth një duzinë fëmijësh zbritën nga autobusi. Të gjithë ata kaluan nga oborri që kishte qenë i mbushur me materiale pornografike vetëm pak çaste më parë.
Në atë çast, i gjithë këndvështrimi im ndryshoi. Tani e dija se përse nuk isha paralajmëruar që të kaloja nga një rrugë tjetër. Isha mirënjohëse që isha atje për t’i marrë ato fletë në mënyrë që ata fëmijë të mos i shikonin ato imazhe të dëmshme. Ndërsa kthehesha në shtëpi, mendova: “Po sikur autobusi të kishte ardhur më vonë? Po sikur të mos e kisha zbuluar kurrë pse e pata atë përvojë? Për sa kohë do të kisha qenë e mërzitur me Perëndinë?”
Që nga ajo ditë, mundësia që më dha Zoti për të parë “arsyen” e asaj përvoje, më ka ndihmuar të mirëbesoj se urtësia dhe qëllimet e Tij janë më të mëdha se të miat.
Hera‑herës do ta di përse ndodhi diçka; herë të tjera, jo. Por sido që të jetë, e di se duhet të kem besim që Zoti ka një qëllim më të madh, të cilin nuk mund ta shoh gjithmonë.