2019
Nëse Misioni Juaj Përfundoi Herët, Mos u Dorëzoni
Korrik 2019


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Nëse Misioni Juaj Përfundoi Herët, Mos u Dorëzoni

Autori jeton në Jutë, SHBA.

Vlera juaj nuk zvogëlohet ngaqë u kthyet herët në shtëpi nga misioni juaj.

missionary returning home

Ilustrimi nga David Green

Nëse po e lexoni këtë, ndoshta ju tashmë e dini se sa tmerrësisht e vështirë mund të jetë të ktheheni në shtëpi herët nga një mision. Të rinjtë në moshë madhore që shërbejnë mund të përjetojnë lëndime fizike, probleme të shëndetit mendor, urgjenca civile, shqetësime për denjësinë, konflikte të rënda me të tjerët apo mosbindje ndaj rregullave të misionit, duke bërë që ata të largohen nga misioni i tyre përpara datës së tyre të pritur të lirimit.

Pavarësisht nga arsyeja, Perëndia nuk do të donte që kjo pengesë ta linte ndonjërin nga fëmijët e Tij të gjymtuar shpirtërisht. Pra, si mund të bëjnë përpara misionarët e kthyer herët nga një ndryshim kaq tronditës? Dhe si mund të ndihmojnë prindërit, udhëheqësit e Kishës dhe njerëzit e dashur?

Një Misionar nga Libri i Mormonit

Një histori nga libri i Almës na jep një shembull të dobishëm. Profeti nefit, Alma, udhëhoqi një mision për te zoramitët e ligj, i shoqëruar nga një numër individësh të besuar. Njëri prej këtyre individëve, biri i tij, Koriantoni, e “braktis[i] shërbesën dhe shko[i] në vendin e Sironit midis kufijve të Lamanitëve, pas gruas së përdalë Isabel” (Alma 39:3). Si pasojë, Alma e qortoi me ashpërsi Koriantonin dhe i bëri thirrje për pendim, duke vënë në dukje: “Unë nuk do të vazhdoj të flas mbi krimet e tua, që të trazoj shpirtin tënd, po të mos ishte për të mirën tënde” (Alma 39:7).

Koriantoni e pranoi qortimin e të atit me përulësi, u pendua për mëkatet e tij dhe u kthye për të shërbyer si një misionar mes zoramitëve për ta “njoft[uar] fjalën me vërtetësi dhe maturi” (Alma 42:31). Rrëfimi vijon të tregojë se pasi Alma kishte folur me bijtë e tij, “bijtë e Almës [si Shibloni dhe Koriantoni] shkuan mes popullit për t’u njoftuar fjalën” (Alma 43:1).

Rikthimi me Potencial

Çfarë mësojmë nga kjo histori? Së pari, një misionar që largohet herët – madje edhe për arsye të parandalueshme – është ende në gjendje të kryejë gjëra të mëdha. Koriantoni mund të ketë bërë gabime të rënda, por ai prapë vazhdoi të kryente një punë të madhe. Po kështu, edhe misionarët që kthehen si rrjedhojë e vetë veprimeve të tyre, nuk duhet të ndihen sikur e kanë shkatërruar potencialin e tyre shpirtëror. Koriantoni mësoi nga gabimet e tij dhe arriti ta ndërtonte mbretërinë e Perëndisë në mënyra të jashtëzakonshme, dhe po ajo aftësi gjendet brenda gjithsecilit pavarësisht nga sa të dështuar ndihen ata.

Së dyti, ne mësojmë rolin vendimtar që luajnë të tjerët në rimëkëmbjen shpirtërore të misionarit të kthyer herët. Alma – babai dhe udhëheqësi priftëror i Koriantonit – e këshilloi Koriantonin me mprehtësi, por gjithashtu me besim në aftësinë e tij për të arritur ende potencialin e tij shpirtëror. Ashtu si me Koriantonin, pasojat për mosbindje në një mision duhet të vijnë, por çdo masë disiplinore duhet të shoqërohet nga dashuria, falja dhe mëshira (shih Doktrina e Besëlidhje 121:41–44).

Rikthimi drejt Shërimit

Po ky mesazh shprese për misionarët që kthehen herët jehon edhe sot. Marshalli, i cili u kthye herët për shkak të sfidave të shëndetit fizik dhe mendor, herë pas here ndiente keqardhje si për pengesat shëndetësore dhe për mangësitë vetjake që nuk e lejuan të ishte një misionar plotësisht funksional. Megjithatë, ai mendon se shërbimi i tij ishte absolutisht i vlefshëm.

“Si misionarë, ne nuk jemi të përsosur”, thotë Marshalli. “Ne jemi ende të ekspozuar ndaj tundimit; ne ende mund të mëkatojmë. Por papërsosuritë tuaja janë ndoshta atje ku Satani dëshiron që ju të përqendroheni – të ndieni sikur oferta juaj nuk pranohet nga Zoti për shkak të atyre kohëve kur nuk ishit misionari më i mirë.”

Marshalli beson se Zoti dëshiron që misionarët ta dinë se Ai është i kënaqur me shërbimin që ata ofrojnë, madje edhe kur ai shërbim u dha në mënyrë të papërsosur për shkak të zgjedhjes ose rrethanës.

Marshalli ka mësuar të përballet dhe të shërohet duke bërë gjithçka që mundet për të qëndruar pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Rikthimi për t’u Penduar

Një tjetër misionar, i cili shërbeu në Kolorado të SHBA‑së, u dërgua në shtëpi nga misioni i tij për arsye disiplinore dhe u shkishërua nga Kisha, por më vonë ai u ripagëzua. “Kthimi në shtëpi ishte i vështirë”, thotë ai. “U ndjeva i humbur dhe bosh. Nganjëherë, pjesa më e vështirë e kthimit në shtëpi ishte [të gjeja] shtysën që të vazhdoja të shkoja në kishë, të lexoja shkrimet e shenjta dhe të lutesha. Gjërat e thjeshta ishin më të vështirat.”

Por ai gjeti forcë te mbështetja e miqve dhe familjes dhe te puna për t’u penduar.

“Vendosja e synimeve, takimi me peshkopin tim dhe vajtja në tempull kur isha i denjë, ishin [faktorë] të rëndësishëm që të mund të afrohesha më pranë Atit tim Qiellor”, shton ai. “I mbaj mend rastet kur nuk mund të takohesha me peshkopin tim ose të arrija disa qëllime; kundërshtari ishte gjithmonë aty, duke më tunduar.”

Shërimi i tij u bë i mundur duke “kujtuar gjithmonë se unë kam një Atë Qiellor që më do dhe dëshiron që unë të jem i lumtur. Duke pasur një dëshmi për Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe pendimin, ne mund t’i afrohemi gjithnjë Perëndisë pavarësisht se sa të largët mund të ndihemi.”

“Duke hedhur vështrimin pas në misionin tim”, vazhdon ai, duke iu referuar muajve që shërbeu përpara ngjarjeve që çuan në dërgimin e tij në shtëpi, “unë ende ndiej sikur ishte një nga përvojat më të mira që kam pasur ndonjëherë. Mësova shumë, dhe megjithëse nuk doli ashtu siç e kisha planifikuar, unë prapë isha në gjendje të shihja jetë të ndryshonin për shkak të ungjillit. Bëra disa gabime, por dëshmia ime është rritur shumë më tepër kur jam përpjekur fort të pendohem dhe të vazhdoj përpara”.

Ai dëshiron që të tjerët, të cilën u kthyen herët për shkak të zgjedhjeve së tyre, të dinë se “nuk është fundi i botës. Kthimi në shtëpi është një hap i parë drejt pendimit. Sapo ta kaloni këtë proces pendimi, do të keni përfituar kaq shumë. Ajo barrë e rëndë do të hiqet. Nuk ka ndjesi më të mirë se sa të dish se je në rregull në sytë e Perëndisë”.

Dashuria për Ata që Kthehen Herët

Të dy këta misionarë që u kthyen herët në shtëpi, theksojnë se sa e rëndësishme është që miqtë dhe familjet e misionarëve që kthehen herët t’i duan dhe përkrahin ata.

“Jepuni hapësirë”, thotë Marshalli. “Por sigurohuni që t’u rrini pranë, sepse mund të jetë paksa dëshpëruese. Jini miku i tyre.” Duke e dëgjuar Shpirtin, ne mund t’i vlerësojmë nevojat e tyre dhe të dimë se kur duhet të ndihmojmë dhe kur duhet ta respektojmë privatësinë e tyre.

“Thjesht duajini ata”, shton misionari që shërbeu në Kolorado. “Nxitini ata që gjithmonë ta kujtojnë sakrificën shlyese të Jezu Krishtit.”

Mënyra se si të tjerët i trajtojnë misionarët e kthyer herët, mund të ndihmojë për të bërë dallimin midis largimit me turp ose shkuarjes përpara me besim. Prandaj, është thelbësore që t’i mirëpresim pa u gjykuar.

Ashtu si Koriantoni, misionarët e kthyer herët kanë potencialin për t’u ngritur nga gjendja e tyre e tanishme e cenueshme në mjete të fuqishme të Zotit.

Gjetja e Shpresës në Planin e Perëndisë

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, jep disa fjalë ngushëlluese për misionarët që kthehen herët. “Kur dikush ju pyet a keni shërbyer një mision, ju thoni po”, tha ai. “… Gëzojuni shërbimit që keni dhënë. Jini mirënjohës për mundësinë që keni dëshmuar, që keni shërbyer në emër të Zotit, që e keni vënë atë pllakëz me emrin e misionarit. … Ju lutemi, mos e përfytyroni pareshtur; mos e mbani mendjen aty; mos mendoni se jeni i papërshtatshëm ose një dështim.”1

Për ata që kthehen herët si pasojë e mëkatit, mbajini mend këto fjalë nga Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores: “Nëse mëkatojmë, ne jemi më pak të denjë, por nuk jemi kurrë [me më pak] vlerë!”2 Ajo pohon se Perëndia do të na ndihmojë të zhvillojmë besim te vetvetja në çastet tona më të errëta nëse do t’i drejtohemi Atij.

Mesazhi nga Libri i Mormonit, nga misionarët e tanishëm që janë kthyer herët dhe nga udhëheqësit e Kishës është i njëjtë: Asnjëherë mos hiqni dorë nga shpresa, sepse Perëndia ka ende plane për ju, më të mëdha nga sa mund ta përfytyroni. Për njerëzit e dashur të këtyre misionarëve, reagimi juaj ndaj kthimit të tyre në shtëpi do të sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm për t’i ndihmuar ata që të shërohen dhe ta arrijnë potencialin e tyre. Kujtoni se Shlyerja e Jezu Krishtit mund t’i shërojë të gjitha plagët – duke përfshirë ato të kthimit herët nga një mision.

Shënime

  1. Jeffrey R. Holland, “Elder Holland’s Counsel for Early Returned Missionaries” (material filmik), lds.org/media‑library.

  2. Xhoi D. Xhons, “Vlerë e Pamasë”, Liahona, nëntor 2017, f. 14.