2019
Lutja me Filipin
Korrik 2019


Lutja me Filipin

Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.

Çfarë kuptimi kishte të “thuash falënderimin”?

“Lutu gjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 19:38).

Praying with Filip

Ishte hera e parë e Jozefit në shtëpinë e Filipit. Ata u argëtuan shumë duke bërë një anije kozmike prej kartoni. Ata madje ngjyrosën flakë të papara në të. Kur e ëma e Filipit i thirri për darkën, Jozefi e ndoqi Filipin drejt kuzhinës.

“Unë do të th[em] falënderimin”, tha babi i Filipit.

Çfarë do të thotë kjo? pyeti veten Jozefi. Ai e pa Filipin dhe familjen e tij ndërsa secili preku ballin e vet, pastaj mesin e kraharorit, më pas anën e majtë, pastaj të djathtën. Jozefi nuk e kishte parë asnjëherë ndonjë ta bënte atë më parë.

Filipi nxori dorën jashtë. Jozefi pa rreth e qark dhe pa se pjesa tjetër e familjes së Filipit po i mbanin duart të bashkuara dhe kishin ulur kokën. Mos po fillojnë të luten ata? Mos është ky kuptimi i frazës të “thuash falënderimin”? e pyeti veten Jozefi.

Jozefi nuk dëshironte ta lëndonte Filipin, kështu që e kapi dorën e Filipit. I ati i Filipit kapi dorën tjetër të Jozefit dhe pastaj filloi të lutej.

“Na beko, o Zot …”

Përpara se të uleshin, Filipi dhe familja e tij prekën ballin dhe kraharorin siç kishin bërë më parë.

Kur Jozefi mbërriti në shtëpi, mami e pyeti rreth ditës së tij.

“A ia kalove mirë?” pyeti mami.

“Po”, tha qetësisht Jozefi. Ai vërtet ia kishte kaluar mirë. Anija kozmike ishte e jashtëzakonshme dhe hamburgerët ishin të shijshëm. Por diçka po e shqetësonte atë.

Mamaja e pa më nga afër. “Nuk më dukesh mirë. Ka ndonjë gjë që nuk shkon?”

“Epo …”

Jozefi kishte kaq shumë pyetje! Ai vazhdonte të mendonte për atë lutje. Pse ishte ajo e ndryshme nga mënyra se si lutej ai dhe familja e tij?

“Mami”, pyeti ai, “si luteshe para se të bashkoheshe me Kishën?” Jozefi i tregoi për lutjen e familjes së Filipit.

“Duket sikur janë katolikë, siç isha unë”, tha mami. “Po bënin shenjën e kryqit me dorën e tyre. E shikon që duket si një kryq? Është një kujtues që Jezusi vdiq për ne.”

Jozefi buzëqeshi. “Pra edhe Filipi beson te Jezusi?”

“Ashtu është”, tha mami. “A e mban mend se çfarë tha babi i Filipit në lutje?”

Jozefit iu desh të mendohej. “Ai e falënderoi Perëndinë për dhuratat që Ai na jep … dhe foli për Krishtin!”

“E shikon?” tha mami me buzëqeshje. “Ne nuk jemi kaq të ndryshëm. Jam e lumtur që mund të luteshe me familjen e Filipit.”

Disa ditë më vonë, Filipi erdhi te shtëpia për të luajtur. Ata po luanin jashtë kur babai i thirri të futeshin për darkën. Jozefin po e gërryenin zorrët nga uria ndërsa vrapuan për në kuzhinë.

“Kam shumë uri!” tha Jozefi.

“Edhe unë”, tha Filipi.

Gjithsecili zuri vendin e vet rreth e qark tavolinës. Filipi u ul pranë Jozefit. Filipi bëri shenjën e kryqit dhe u zgjat të kapte dorën e Jozefit.

“Kjo është mënyra se si ne lutemi në shtëpinë tonë”, tha Jozefi. “Ne bashkojmë krahët, mbyllim sytë, ulim kokat dhe lutemi.”

“Kjo është e gjitha?”

“Kjo është e gjitha!”

“E lehtë”, tha Filipi.

Jozefi mbylli sytë dhe buzëqeshi. Ai ishte i gëzuar që mund të lutej me shokun e vet.

Unë kam shokë dhe shoqe në shkollë që janë katolikë e myslimanë, dhe ne që të gjithë jemi shok dhe shoqe të ngushta pasi kjo është mënyra se si Jezusi do që ne të sillemi me njëri‑tjetrin.

Elizibeth A., 8 vjeçe, Uest‑Midlands, Angli