Ne Jemi Dëshmitarë: Dymbëdhjetë Apostujt Sot
Apostujt bashkëkohorë shprehin mendimet e tyre mbi thirrjen e tyre të shenjtë.
Në 189 vite që prej organizimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 102 burra janë thirrur të shërbejnë si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Edhe pse Zoti ka urdhëruar shumë ndryshime në Kishë që prej asaj kohe, detyrat themelore të një Apostulli mbeten të njëjta.
Nga zyra e tij pranë Sheshit të Tempullit, Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për mandatin shpirtëror që iu dha Apostujve për të dëshmuar për Shpëtimtarin në mbarë globin, për lidhjen e veçantë që ata kanë me misionarët, dhe për disa ide të gabuara që ka zakonisht rreth të qenit “apostull, shikues dhe zbulues”. Kur e pyetën a kishte anëtarë të tjerë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të cilët ai do t’i rekomandonte që të flisnin për thirrjen e tyre të shenjtë si pjesë e këtij artikulli, Presidenti Ballard u përgjigj me të shpejtë: “Po. Të gjithë ata.”
Të Qenit në Harmoni
Apostujt e sotëm përballen me sfida shumë të mëdha. Ata u shërbejnë bashkësive në mbarë botën, të cilat po vihen në provë nga trazirat politike, shkatërrimi i familjes, trysnitë e pareshtura të mediave shoqërore dhe nga pasiguritë ekonomike. Është e rëndësishme që Apostujt t’i kuptojnë sfidat dhe rrethanat me të cilat përballen anëtarët.
Si udhëheqës të Kishës, Apostujt duhet t’i njohin njerëzit dhe rrethanat e tyre që të jenë në gjendje t’u shërbejnë më mirë atyre.
“Kemi nevojë të mësojmë për gjërat që ndikojnë në jetën e njerëzve”, tha Plaku Ulises Soares. “Apostujt kanë nevojë të jenë në një proces vazhdueshëm të të mësuarit, të bërjes së pyetjeve dhe të marrjes së frymëzimit e zbulesës.”
Sado e rëndësishme që është të qenit në harmoni me atë që përballen anëtarët, është akoma edhe më e rëndësishme që Apostujt ta dëgjojnë me kujdes zërin udhërrëfyes të Perëndisë dhe të jenë në harmoni me vullnetin e Zotit, tha Presidenti Ballard. “Kjo është Kisha e Zotit dhe sfida jonë kryesore është të sigurohemi se jemi në harmoni me mënyrën se si Ai do të donte që ne të punojmë në mbretërinë e Tij këtu në tokë”, tha Presidenti Ballard.
Dëshmitarë të Veçantë
Teksa secili Apostull flet për thirrjen e tij, shpejt bëhet e qartë se çështjet administrative nuk janë shqetësimi i tyre kryesor. Përgjegjësia e tyre kryesore është saktësisht e njëjta me atë që ka qenë gjithmonë – ata duhet të jenë “dëshmitarë [të] veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën” (Doktrina e Besëlidhje 107:23).
Udhëzimi i fundit i Shpëtimtarit drejtuar Apostujve të Tij (shih Mateu 28:19–20) ishte të shkonin përpara “për të dhënë mësim, për të dëshmuar, për të pagëzuar dhe për ta ndërtuar e forcuar Kishën e Tij”, tha Presidenti Ballard.
Sot mandati i Apostujve nuk ka ndryshuar. “Para së gjithash, gjatë gjithë kohës, ne jemi dëshmitarë të realitetit të gjallë të Zotit Jezu Krisht”, tha Plaku Dejvid A. Bednar. “Ne nuk jemi administratorë; ne jemi shërbestarë të ungjillit të Jezu Krishtit.”
Apostujt janë porositur “të jenë dëshmitarë udhëtues”, të cilët shkojnë në “të gjithë botën”, tha Plaku Xhefri R. Holland. “Ne duam që edhe njësia më e largët e kësaj Kishe, duke folur nga pikëpamja gjeografike, të ndiejë se ka një lidhje shumë të ngushtë midis tyre dhe profetit të Zotit”, tha ai. “Shpesh thuhet: ‘Kisha e bën botën të duket shumë e vogël’. Në rastin e kontaktit apostolik, ne shpresojmë që kjo të jetë gjithmonë kështu.”
Shtrirja te Çdo Kunj
Plaku Kuentin L. Kuk shpjegoi se gjatë një periudhe katërvjeçare, çdo kunj dhe lagje, distrikt dhe degë, në Kishë ka një anëtar të Të Dymbëdhjetëve që vjen dhe takohet me udhëheqësit e saj – dhe i trajnon ata lidhur me përparësitë profetike.
“Konferencat e udhëheqjes na kanë lejuar që të përmbushim mandatin tonë doktrinor për të ‘ngrit[ur] … kishë[n] dhe rregullimin e gjithë punëve të saj në të gjitha kombet’ [Doktrina e Besëlidhje 107:34] nën udhëheqjen e Presidencës së Parë”, tha ai.
Bashkërisht, përvojat e pasura dhe të thella mësimore nga anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ndihmojnë për t’i udhëhequr këta udhëheqës vendorë, ndërsa marrin vendime të rëndësishme për t’i nxitur dhe mbështetur anëtarët gjatë sfidave të tyre, tha Plaku Bednar.
“Ndërsa shkojmë në vende të ndryshme, ne e ndiejmë mirësinë e anëtarëve”, tha Plaku Gerit W. Gong. “Ne dëgjojmë përvojat dhe mësojmë gjëra që na ndihmojnë të kuptojmë ndërsa këshillohemi së bashku si kuorum për atë që po ndodh në pjesë të ndryshme të botës dhe në grupe të ndryshme brenda Kishës.”
Udhëtimi për në konferencat e udhëheqësve “na jep mundësinë të ndërveprojmë me njerëz të mrekullueshëm e të dashur”, tha Plaku Kuk. “Ne shkojmë në shtëpitë e tyre dhe kemi një mundësi për t’u shërbyer atyre. … Është dhënia e shërbesës ndaj shenjtorëve që i prek më thellë zemrat tona. Ne e bëjmë atë me udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë e Shpëtimtari dhe me njohurinë e mësuar nga përvoja, disa shumë të shenjta për t’u treguar”, tha ai.
Për Individin
Pas 43 vjetësh si Autoritet i Përgjithshëm dhe tani në dekadën e tij të katërt të shërbimit në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, detyrat e Presidentit Ballard e kanë çuar në shumicën e vendeve të botës, duke e lejuar atë t’u japë shërbesë ballë për ballë anëtarëve dhe misionarëve të panumërt. Miliona njerëz i kanë dëgjuar bisedat e tij në konferencën e përgjithshme dhe nëpër takime shpirtërore. Por, ndërsa ai ka një përgjegjësi botërore, Fryma e Shenjtë bën që ai të lidhet me individët dhe t’i bekojë ata. Ky paradoks në dukje është mënyra e Shpëtimtarit, tha ai. “Ndonjëherë marr letër nga dikush që thotë: ‘Isha në një mbledhje dhe ju thatë diçka që ma ndryshoi jetën’. Kjo është fuqia e Frymës së Shenjtë. Zoti e administron deri në imtësi Kishën e Tij.”
Një “numër i panumërt përvojash të këndshme dhe të thjeshta me anëtarët e Kishës anembanë botës” e karakterizojnë shërbimin apostolik, tha Plaku Bednar. “Zoti dërgon një anëtar të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve në vende të posaçme në kohë të veçanta, ku ne hasim shenjtorë besnikë të ditëve të mëvonshme dhe të tjerë që shpesh kanë vështirësi ose nevojë për ngushëllim e siguri. Perëndia i drejton ato ndërveprime”, tha Plaku Bednar.
Plaku Ronald A. Rasband tha se pas thirrjes së tij në apostullim, mësoi se duhej t’i jepte më shumë kohë çdo veprimtarie në jetën e tij, në mënyrë që të përshëndetej me anëtarët e Kishës dhe të tjerët. “Por nuk e bëjnë për mua”, tha ai. “Bëhet fjalë për respektin dhe nderimin që anëtarët e kësaj Kishe ruajnë për detyrën e apostullimit”.
Plaku Rasband tha se gjatë shugurimit të tij në apostullim, ai u udhëzua: “‘Ne ju vendosim në një pozicion që të jeni një dëshmitar i veçantë i emrit të Krishtit në të gjithë botën … në çdo kohë dhe në çdo rrethanë’. Ato fjalë u përfshinë në shugurimin tim: ‘në çdo kohë dhe në çdo rrethanë’.”
Një Marrëdhënie e Rëndësishme
Apostujt dhe 70 000 e ca misionarë me kohë të plotë të Kishës kanë një marrëdhënie të shenjtë, madje të ndërvarur.
Fjala apostull vjen nga një fjalë greke që do të thotë “të dërgohesh”, shpjegoi Plaku Dejll G. Renland. Merreni parasysh porosinë përcaktuese të Shpëtimtarit drejtuar Apostujve të Tij të lashtë: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar” (Marku 16:15–16).
Në vijim të atij urdhri, Të Dymbëdhjetët janë “të angazhuar me drejtësi” në punën misionare dhe duke dhënë mesazhin e ungjillit, tha Presidenti Ballard.
Ashtu si Pali i lashtë, Apostujt e sotshëm plot lutje ua delegojnë detyrat e tyre për ta përhapur ungjillin të tjerëve. Dhe, në mënyrë apostolike, misionarët dërgohen në mbarë globin për të dhënë mësim ungjillin e Krishtit. “Janë Të Dymbëdhjetët, që ushtrojnë çelësat që kanë, të cilët i caktojnë ata në misione”, tha Plaku Bednar. “Dhe kështu ne i dërgojmë ata.”
Zoti mbetet drejtuesi udhërrëfyes i punës misionare. Ai i autorizon Apostujt e Tij të gjallë, të cilët janë caktuar në kohë të ndryshme për të shërbyer në Këshillin Ekzekutiv të Misionarëve, për të komunikuar dëshirat e Tij për misionarët kohëplotë që punojnë në terren. Detyra të tilla administrative shkojnë përtej thjesht “drejtimit të organizatës”, tha Plaku Bednar. Apostujt mbajnë çelësat e priftërisë për mbledhjen e Izraelit. “Ne po sigurojmë mbikëqyrje dhe drejtim shpirtëror në mënyrë që puna të kryhet në mënyrën që dëshiron Zoti”, tha ai.
Plaku Diter F. Uhtdorf kryeson Këshillin Ekzekutiv të Misionarëve në Kishë. E vendosur mbi tryezën e tij në zyrë është një skulpturë e vogël prej bronzi e një dysheje misionare të paraqitur teksa i japin me furi biçikletave, ndoshta duke nxituar drejt një takimi për të dhënë mësim. Kurdoherë që ai e studion atë vepër bronzi, ai kujtohet për lidhjen e pathyeshme mes Apostujve dhe misionarëve. “Secili prej 70 000 misionarëve po kryen një shërbim të shenjtë dhe thirret nga Zoti me një letër nga profeti i Perëndisë për të qenë përfaqësues i Shpëtimtarit. Ata janë krahu i shtrirë i Të Dymbëdhjetëve.”
“Sa herë që kemi kohë, ne takohemi me ta”, tha Presidenti Ballard. “I lëmë të bëjnë pyetje. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë ata të gjejnë, mësojnë, pagëzojnë e forcojnë fëmijët e Atit tonë Qiellor.”
Duke punuar së bashku, të dyja grupet janë dërguar për të përhapur lajmin e mirë të ungjillit kudo në botë. “Ne i shohim misionarët kohëplotë si shokët tanë”, tha Plaku D. Tod Kristoferson.
Ide të Gabuara
Ndërkohë që disa vëzhgues të jashtëm mund të mendojnë se Kisha udhëhiqet si një korporatë, apostullimi “nuk është si të jesh drejtues i një biznesi; është krejt ndryshe”, tha Plaku Geri E. Stivenson. “Roli i një Apostulli të Zotit Jezu Krisht është vërtet një rol shërbestar dhe baritor.” Roli i të qenit dëshmitar i Jezu Krishtit në botë “na edukon dhe na karakterizon”.
Plaku Nil L. Andersen tha se në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, nuk ka fraksione, prapaskena, apo vatra pushteti. Ka “opinione të ndryshme”, por “nuk ka egoizëm”.
Zoti i bashkon shumë njerëz bashkë nga profesione dhe formime të ndryshme, tha Plaku Andersen. Por “ata janë të njëllojtë në dëshminë e tyre për Shpëtimtarin dhe në përulësinë e tyre. Ata nuk kërkojnë pozitë; ata nuk po përpiqen të jenë personat më të mençur në dhomë. Zoti mund të punojë me këtë. Unë kurrë nuk kam parë askënd [tek Të Dymbëdhjetët] të tregojë zemërim dhe unë kurrë nuk kam parë askënd ta fyejë dikë tjetër.”
Apostullimi karakterizohet nga përulësia, tha Plaku Uhtdorf. Thirrjet e tyre i bëjnë ata të njohur gati kudo që udhëtojnë, “por ne e dimë se nuk ka të bëjë me ne – ka të bëjë me Të. Ne po e përfaqësojmë Atë. … Ka të bëjë me madhështinë e Tij.”
Ne të Gjithë Jemi Thirrur të Shërbejmë
Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, Ai i udhëzoi dishepujt e Tij për 40 ditë dhe pastaj u ngjit në qiell. Të mbetur me një vend të lirë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve – të krijuar nga tradhtia dhe vdekja e Judë Iskariotit – anëtarët e kuorumit u mblodhën dhe i bënë lutje Zotit.
Dy burra, Matia dhe Barsaba, u përcaktuan dhe Apostujt u lutën që Zoti t’iu tregonte “cilin nga këta të dy k[ishte] zgjedhur … dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve” (shih Veprat e Apostujve 1:23–26).
Atëherë dhe tani, “të thirresh si një Apostull nuk është një arritje apo sukses”, shpjegoi Plaku Renland. “Nuk është një thirrje që fitohet. Matia, te Veprat e Apostujve, kapitulli 1, u përzgjodh nga Perëndia në vend të Barsabës. Perëndia nuk na e tregoi arsyen. Por gjëja që duhet të dimë, është se dëshmia e Barsabës që e nderonte Shpëtimtarin dhe Ringjalljen e Tij, ishte e barabartë me atë të Matias.”
Perëndia zgjodhi, shpjegoi ai. “Nëse Barsaba përmbushte çfarëdo thirrje që kishte, shpërblimi i tij nuk ishte i ndryshëm nga ajo që Matia do të kishte marrë, po ta lartësonte thirrjen e tij.”
Ashtu siç qe e barabartë dëshmia e Barsabës me dëshminë e Matiasit, çdo anëtar i Kishës ka të drejtë dhe mund të “krijojë një marrëdhënie si ajo apostolike me Zotin”, tha Presidenti Ballard.
Shërbimi ndaj Zotit dhe Kishës është “një privilegj dhe një bekim. Është një nder”, tha Plaku Uhtdorf. “Zoti e tregon dashurinë e Tij për ne dhe ne mund t’ia tregojmë dashurinë tonë Zotit duke bërë çfarëdo gjëje që Ai na kërkon të bëjmë.”
Një Përvojë e Shenjtë
Të qenit pjesë e një këshilli të lartë udhëtues është një përvojë e shenjtë, tha Plaku Andersen. “Kur japim dëshmi, kjo dëshmi hyn në zemrën e njerëzve, pjesërisht, për shkak të shugurimit tonë.”
Plaku Kristoferson tha se në fillim të shërbesës së tij apostolike, ai u ndje i tronditur nga pritshmëritë e perceptuara. Por më pas ai mori një mesazh të thjeshtë nga Zoti: “Harroje veten tënde dhe atë që njerëzit mund të mendojnë për ty, qoftë nëse u ke lënë mbresa ose zhgënjim apo çfarëdo gjëje tjetër. Thjesht përqendrohu tek ajo çfarë unë dëshiroj që t’ua jap atyre përmes teje. Përqendrohu tek ajo që unë dëshiroj që ata të dëgjojnë përmes teje.”
Disa vite më parë, Plaku Kristoferson po vizitonte Meridën në Venezuela, ku një djalë i vogël, ndoshta 7 vjeç, e pikasi përmes një dritareje dhe filloi të bërtiste, “El Apostol, el Apostol!” (“Apostulli, Apostulli!”).
“Kjo është një ndodhi shumë e thjeshtë, por që më ilustron thellësinë e vlerësimit që edhe fëmijët e kanë për thirrjen”, tha ai. “Nuk ka të bëjë me individin që mban thirrjen. Ai fëmijë kishte mësuar atë nivel vlerësimi për thirrjen dhe atë që ajo përfaqëson.”