Le të Lutemi Pranë Tempullit
Huan Beltrame
Buenos‑Ajres, Argjentinë
Kur biri ynë Markoja ishte tre vjeç, unë dhe ai pësuam një goditje të rëndë helmimi nga ushqimi. Markoja u sëmur aq shumë sa ra pa ndjenja. Unë dhe bashkëshortja ime, Marianela, e çuam me nxitim për në spital. Në kohën kur mbërritëm, dukej sikur ai kishte vdekur. Më në fund, pas rreth katër orësh, ai e rifitoi vetëdijen.
Që atëherë, Markoja pësonte kriza epilepsie herë pas here gjatë pesë vjetëve që pasuan. Kur e çonim në shtrat çdo mbrëmje, pyetnim veten nëse në mes të natës, do të na duhej ta çonim me nxitim përsëri për në spital. E kishim të vështirë të flinim gjatë atyre viteve stresuese dhe ne u mbështetëm te lutja, besimi, agjërimi dhe bekimet e priftërisë.
Kur Markoja ishte rreth gjashtë vjeç, Marianela më telefonoi në punë dhe më tha të nxitoja për në spital. Markoja kishte kaluar një krizë të rëndë epilepsie dhe ishte në gjendje kome. Kur mori në telefon, isha duke punuar për riparimin e Qendrës së Trajnimit të Misionarëve në Argjentinë, që ndodhet ngjitur me Tempullin e Buenos‑Ajresit në Argjentinë.
Para se të nisesha për në spital, një shok dhe bashkëpunëtor i imi tha: “Meqë jemi kaq afër shtëpisë së Zotit, pse nuk lutemi bashkë së pari?” Tempulli ishte mbyllur për riparime dhe zgjerim, por ne iu afruam shtëpisë së Zotit, ku unë u luta për Markon.
Pavarësisht nga gjithçka që kishim kaluar me Markon, ndjeva mirënjohje ndaj Perëndisë për kohën që unë dhe Marianela kishim mundur të kalonim me të. Ndërsa u luta, i thashë Atit Qiellor se ne ishim përpjekur të ishim prindër të mirë dhe ishim kujdesur për Markon aq mirë sa mundeshim. I thashë gjithashtu se do ta pranonim vullnetin e Tij nëse Ai e thërriste Markon në shtëpi.
Kur mbërrita në spital, nuk e dija nëse Markoja do t’i mbijetonte komës ose, nëse do të dilte nga ajo, nëse do të ishte në gjendje të ecte apo të fliste sërish. Pas dy orësh torturuese, ai u zgjua. Ishte i sfilitur, por ishte mirë. Mrekullisht, që nga ajo kohë, ai u përmirësua. Me kohë, Markos i dhanë më pak ilaçe dhe doli përfundimisht nga spitali.
Unë dhe Marianela e shohim atë kohë të vështirë me mirënjohje që Markoja është ende me ne dhe mirënjohës për gjërat që mësuam. Sprova jonë na bashkoi dhe na bëri më të fortë shpirtërisht. Pa të, mund të mos kishim mësuar t’i dallonim mënyrat e shumta se si Zoti e shfaq dorën e Tij në jetën tonë.
Siç thotë Marianela: “Ne pamë një mal provash dhe përvojash që na kanë dhënë dëshmi për praninë e Perëndisë, se Ai është me ne dhe se Ai na dëgjon. Nëse durojmë deri në fund dhe kemi durim, bekimet mund të vijnë atëherë kur nuk i presim.”