2022
Tempujt: Një Perlë me Vlerë të Madhe
Korrik/Gusht 2022


“Tempujt: Një Perlë me Vlerë të Madhe”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.

Mirë se Vini në Këtë Numër Botimi

Tempujt: Një Perlë me Vlerë të Madhe

Tempulli i Brigam-Sitit, Jutë

Fotografi e Tempullit të Brigam-Sitit, Jutë

Çfarë bekimi i mrekullueshëm është të shohim tempuj që po ndërtohen në një shkallë gjithnjë në rritje anembanë botës! Ne gëzohemi me anëtarët e Kishës teksa përkushtohen tempuj të rinj në zonat e tyre.

Shpresojmë që të gjithë njerëzit do ta shohin tempullin si thesar dhe nuk do të bien pre e një gabimi që përshkruhet nga Presidenti Bojd K. Paker (1924–2015), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në shëmbëlltyrën e tij të perlës dhe të kutisë, ai tregoi se një mjeshtër bëri një kuti të bukur për të ekspozuar një perlë me vlerë të madhe. Kur njerëzit erdhën të shihnin perlën, gjithsesi, në vend të saj ata admiruan kutinë. (Shih “The Cloven Tongues of Fire”, Liahona, korrik 2000, f. 7.)

Sigurisht, perla me vlerë të madhe brenda tempullit përfshin ordinancat, besëlidhjet dhe bekimet e premtuara që mund t’i marrim vetëm në tempull. Siç jep mësim edhe Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në këtë numër botimi: “Çdo gjë që mësohet dhe gjithçka që bëhet në tempujt e ditëve të mëvonshme, thekson planin e madhërishëm të Atit Qiellor për lumturinë, hyjninë e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij si Shpëtimtari ynë. Besëlidhjet e marra dhe ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shenjtërimin e zemrave tona dhe për ekzaltimin përfundimtar të bijve dhe bijave të Perëndisë” (faqe 6).

Teksa lexoni artikullin e Plakut Bednar, ne ju ftojmë të kujtoni besëlidhjet që keni bërë në tempull. Po të ketë kaluar ca kohë që kur e frekuentuat tempullin, ne ju ftojmë të ktheheni dhe përsëri të ndieni gëzimin dhe paqen që gjenden në shtëpinë e Zotit. Nëse nuk keni qenë ende në tempull, ne ju ftojmë të përgatiteni që t’ju “dhurohet fuqi nga lart” (Doktrina e Besëlidhje 38:32).

Plaku Kevin R. Dankan,

i Të Shtatëdhjetëve

Drejtor Ekzekutiv i Sektorit të Tempujve