“Kini Kurajën që t’u Afroheni të Tjerëve”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.
Parimet e Dhënies së Shërbesës
Kini Kurajën që t’u Afroheni të Tjerëve
Perëndia do të na përdorë që të sjellim ndryshim nëse do ta mposhtim frikën.
Si besimtarë, ne kemi nevojë të madhe për kurajë në këto kohë, madje në përvojat tona me dhënien shërbesës. Xhoni (emrat janë ndryshuar) u caktua t’i jepte shërbesë Piterit, një anëtari që nuk i kishte ndjekur kurrë mbledhjet e lagjes. Xhoni ishte i druajtur që t’i drejtohej Piterit, ngaqë nuk e kishte takuar atë dhe nuk e dinte historinë e tij. Por duke sjellë ndërmend këshillën që të “japim dashuri, të tregojmë dhe ftojmë”, Xhoni u lut për udhërrëfim dhe më pas vendosi që fillimisht të bëheshin miq të sinqertë me Piterin. Harxhoi kohë që ta njihte Piterin, me vizita të shpeshta, telefonata dhe një vajtje së bashku në restorant për të ngrënë mëngjes. Xhoni arriti ta njihte mirë Piterin dhe Piteri fitoi mirëbesim në miqësinë e tyre. Kur atij i nevojitej ndihmë, ishte e natyrshme për të që t’i drejtohej Xhonit, i cili përgjigjej plot gëzim.
Një ditë Xhoni ndjeu mbresën se ndoshta Piteri ishte gati për një ftesë që të vinte përsëri në kishë. Gjatë njërës prej vizitave të tyre, ai e solli idenë në një mënyrë të natyrshme. Piteri u ndal. “Nuk kam qenë në kishë për 17 vjet”, – tha ai. “Por a e di, mendoj se do të vij.” Kur Piteri arriti në lagje, Xhoni ishte atje që ta mirëpriste dhe u ul me të. Xhoni u ndje mirënjohës që ishte në gjendje ta kapërcente frikën e vet fillestare. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve, të dy burrat fituan një miqësi të vërtetë që e bekoi jetën e tyre.
Guxim t’Merrni
Historia e Esterit nga Dhiata e Vjetër (shih Esterit 1–10) na mëson shumë parime, por ndoshta njihet më mirë si një histori e kurajës. Esteri ishte një vajzë e re judease kur u zgjodh si mbretëreshë dhe tregoi kurajë të madhe kur e vuri në rrezik jetën e vet për të shpëtuar popullin e saj.
Me dinakëri, mbreti ishte mashtruar që të nxirrte një dekret që duhej të vriteshin të gjithë judenjtë e mbretërisë. Esteri mendoi një plan që kërkoi besim të madh dhe mund të ishte mundësia e vetme për ta ndryshuar mendjen e mbretit.
Në traditën e kulturës së saj, t’i afroheshe mbretit pa u ftuar mund të çonte në dënim me vdekje. Por me trimëri ajo vijoi me planin e vet dhe i kërkoi popullit të saj që të agjëronte me të (shih Esterit 4:16). Përmes veprimeve të saj të guximshme dhe veprimeve të të tjerëve, ajo ishte në gjendje të bindte mbretin për ta ndryshuar dekretin e tij. Lutjet e Esterit dhe të popullit të saj morën përgjigje.
Ne mund ta shohim Esterin si një shembull të kurajës, madje gjatë dhënies së shërbesës, teksa e vëmë mënjanë frikën tonë që të arrijmë ta njohim dikë dhe ta ndihmojmë në sfidat e veta.
Parime për t’u Marrë Parasysh
Çfarë mund të bëjmë nëse gjendemi jashtë zonës sonë të rehatisë kur japim shërbesë?
-
Xhoni u lut për udhërrëfimin e Perëndisë. Me ndihmën e Perëndisë, ne mund ta mposhtim frikën (shih Psalmeve 34:4).
-
Gjithashtu mund të lutemi që të ndiejmë dashurinë e Zotit për të tjerët. “Dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1 Gjon 4:18).
-
Ashtu si Esteri, ne mund të përdorim agjërimin dhe lutjen për ta forcuar besimin tonë për të vepruar (shih Esterit 4:3).
-
Ne mund të besojmë se ka fuqi në mbajtjen e besëlidhjeve tona (shih Doktrina e Besëlidhje 110:9). Të jetuarit e besëlidhjeve tona na bën të aftë që të marrim ndihmën e Tij.
-
Ne mund ta forcojmë besimin tonë nëpërmjet agjërimit dhe duke rrënjosur në zemër premtimet që Zoti na ka dhënë. Merrini parasysh premtimet në këto vargje: Ligji i Përtërirë 31:6; Isaia 41:10; 2 Timoteut 1:7; Doktrina e Besëlidhje 6:33.
Çfarë Mund të Bëjmë Ne?
Kini kurajën që t’u afroheni të tjerëve. Qoftë nëse po përpiqeni ta njihni dikë apo ta ftoni të bëjë diçka që mund ta bekojë jetën e tij/saj, Perëndia do t’ju ndihmojë.