2022
Zoti e Mbajti Premtimin e Tij
Korrik/Gusht 2022


“Zoti e Mbajti Premtimin e Tij”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Zoti e Mbajti Premtimin e Tij

Për mua dhe familjen time bekimet e Zotit erdhën pas bindjes sime.

pika vaji duke rënë në një tas

Dy muaj pasi isha thirrur si këshilltar në presidencën e kunjit tonë, e humba punën. U shqetësova për atë se si do të siguroja për bashkëshorten time dhe dy fëmijët tanë.

Ndërkohë që kërkoja një punë të re, iu përkushtova thirrjes sime, gjë që më dha shumë mundësi për t’u shërbyer vëllezërve dhe motrave të mia. Në fakt, u angazhova aq shumë me thirrjen sa bashkëshortja ime pyeste veten a kishte ndonjë njeri tjetër në kunj që mund të bënte disa nga detyrat e mia.

Një ditë me shi, pikërisht përpara mbrëmjes familjare të shtëpisë, ra telefoni. Një vëlla tepër i sëmurë në kunj kishte nevojë për një bekim dhe m’u kërkua të shkoja për ta parë atë. Përnjëherësh e rregullova që të kisha një mik për të më shoqëruar.

Kur mbërritëm, menjëherë e njoha vëllanë e sëmurë dhe isha mirënjohës për telefonatën. Pak ditë më parë ai ishte intervistuar për një thirrje në kunj. Pasi e kishim vajosur dhe bekuar, ne i thamë se do të ktheheshim më vonë për ta parë se si ishte.

Shkova në shtëpi vonë dhe i lagur, por ende kishim kohë për një mësim të shkurtër të mbrëmjes së shtëpisë. Vendosëm të shihnim një material filmik rreth Elias dhe së vesë nga Sarepta.

Teksa e veja po përgatitej që të gatuante një vakt të fundit, të vobektë për veten dhe birin e saj, Elia i tha: “Më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd”. Për shkak të bindjes së saj, “ena e miellit nuk do të mbaro[nte] dhe qypi i vajit nuk do të pakësohe[j] deri ditën, që Zoti të dërgo[nte] shiun mbi tokë” (1 Mbretërve 17:13–14).

Fjalët e Elias “më parë bëj … për mua” më depërtuan në zemër. Me lot në sy i thashë bashkëshortes sime: “Kjo është! Më parë duhet të bëjmë gjithçka që urdhëron Zoti, dhe më pas do të vijnë bekimet.”

Ashtu si përmbushja e premtimit që Elia ia bëri së vesë, ushqimi dhe vaji ynë “nuk … mbar[uan]” ndërkohë që isha i papunë. Zoti e dinte gjendjen tonë të vështirë financiare dhe Ai na bekoi. Pikërisht të nesërmen, në mëngjesin pas mbrëmjes sonë familjare të shtëpisë, m’u ofrua një punë.

Unë e di se Zoti i mban premtimet e Tij. Për shkak të kësaj përvoje, besimi im është i madh, ashtu siç është mirënjohja ime për Të.