2022
Një Mjet në Duart e Zotit
Korrik/Gusht 2022


“Një Mjet në Duart e Zotit”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.

Eja, Më Ndiq

Esteri

Një Mjet në Duart e Zotit

Në qoftë se e ndjekim Shpirtin dhe kemi një zemër të gatshme, Zoti do të na udhërrëfejë për të bërë atë që Ai ka nevojë që ne të bëjmë.

Pamja
Esteri

Ilustrimi nga Dilleen Marsh

Të jesh një mjet në duart e Zotit është vërtet mjaft e lehtë. Ne thjesht na nevojitet të jemi të gatshëm që ta lejojmë Shpirtin të na udhërrëfejë dhe të kemi kurajën për t’i ndjekur nxitjet e Tij. I tillë ishte rasti kur prindërit e bashkëshortes sime u bashkuan me Kishën në vitin 1968. Një misionar i ri, i cili dëshironte të ishte një mjet në duart e Zotit, ndihmoi për ta sjellë familjen e tyre në Kishë.

Vjehrri dhe vjehrra ime u takuan me misionarët një herë, por pas kësaj, vjehrri im nuk donte të vazhdonte të takohej. Më pas një misionar i ri, Plaku Feçër, u transferua në atë zonë dhe ky misionar i ri dhe shoku i tij ndien nxitjen që ta vizitonin familjen dhe t’i jepnin shërbesë. Plaku Feçër ishte në gjendje të prekte zemrat e pjesëtarëve të familjes në një mënyrë që misionarët e tjerë nuk i kishin prekur.

Për gjashtë muajt vijues misionarët dhanë shërbesë për nevojat e familjes. Me kalimin e kohës, prindërit e bashkëshortes sime u prekën nga Shpirti dhe u bashkuan me Kishën. Ata morën bekimet që vijnë kur ne bëjmë dhe mbajmë besëlidhje. Nëpërmjet tyre, më shumë familje janë bashkuar me Kishën dhe kanë marrë bekimet e ungjillit.

Kjo ndodhi pjesërisht ngaqë një i ri nga Juta ishte i gatshëm ta “lejo[nte] Perëndinë të triumfonte” në jetën e tij. Ai pati guximin të linte rehatinë e shtëpisë, të mësonte një gjuhë të re dhe t’i shërbente Zotit në Brazil.

Një Kthim i Thjeshtë në Besim

Rreth një vit më parë, bashkëshortja ime, Aleksandra, mori një mesazh sms në telefonin e vet nga një motër në lagjen ku banonte familja jonë në Brazil. Kishin kaluar më shumë se dy vjet që nga koha që ato ishin takuar herën e fundit. Kjo motër shkroi: “Në një nga ditët më të këqija të jetës sime, nuk e di se si mbërrita në kishë. Kur arrita, ti më pe. Më mbajte për dore dhe më the të ulesha pranë teje. Fola me ty. Më dëgjove dhe më këshillove.”

Ky dukej si të ishte një bashkëbisedim i thjeshtë në atë kohë. Por doli se ishte një mundësi për bashkëshorten time që të ishte një mjet në duart e Zotit. Ajo i dha shërbesë asaj motre të dashur që po kalonte përmes një kohe sfiduese. Aleksandra nuk mendoi vërtet për këtë gjë. Ajo thjesht ndjeu nxitjen që të dëgjonte e të ofronte ngushëllim dhe ajo veproi sipas nxitjes. Tani, më shumë se dy vjet më vonë, ajo mori këtë mesazh sms nga kjo motër, që shprehte mirënjohjen e saj.

Nëpërmjet këtyre ngjarjeve kam mësuar se ne nuk na nevojitet një thirrje që të jemi një mjet në duart e Zotit. Thjesht na nevojitet të kemi dëshirën. “Prandaj, nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën” (Doktrina e Besëlidhje 4:3).

“Për një Kohë të Tillë”

Në Dhiatën e Vjetër ne lexojmë për një person tjetër që shërbeu si një mjet në duart e Perëndisë. Esteri ishte një e re që i humbi prindërit që në fëmijëri. Atë e rriti kushëriri i saj, Mardokeu.

Mbasi mbreti Asuero e shkurorëzoi mbretëreshën Vashti, ai zgjodhi Esterin që të ishte mbretëresha e tij e re. “Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij” (Esterit 2:17). Esteri ishte judease, por mbreti nuk e dinte këtë gjë.

Hamani, njëri nga këshilltarët e mbretit, u ngrit në detyrë që të qëndronte mbi të gjithë princat që ishin me të (shih Esterit 3:1). Dhe ai bëri një komplot që “të shkatërroheshin, të vriteshin dhe të shfaroseshin tërë Judejtë, të rinj dhe pleq” (Esterit 3:13).

Kur Esteri mësoi për komplotin e Hamanit, Mardokeu e nxiti Esterin që të fliste me mbretin. Bërja e kësaj gjëje paraqiste rrezik të madh për të, por ajo mori kurajë nga fjalët e Mardokeut. Ai shpalli: “Kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?” (Esterit 4:14.)

“Në qoftë se duhet të vdes, do të vdes”, – tha ajo (Esterit 4:16) dhe shkoi te mbreti pa u thirrur prej tij. Kjo ishte një shkelje që dënohej me vdekje. Për shkak të trimërisë së saj, Esteri ishte në gjendje të ndikonte te mbreti. Si rrjedhojë, ai lëshoi një dekret për t’i shpëtuar judenjtë. Në dekret, ai “u jep[te] Judejve, në çfarëdo qyteti që të ndodheshin, [të] drejt[ën që] të bashkoheshin dhe të mbronin jetën e tyre” (Esterit 8:11).

Çdo Rol Është i Rëndësishëm

Esteri ishte e gatshme për të qenë një mjet në duart e Zotit. Jeta e saj e bindjes dhe përkushtimit e kishte përgatitur atë. Kur mendoj për të duke hyrë në oborrin e brendshëm të mbretit pa një ftesë, unë mahnitem nga guximi i saj. Kjo gjë më kujton ftesën e Presidentit Rasëll M. Nelson për ne të gjithë që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.1 Esteri ishte e gatshme ta lejonte Perëndinë të triumfonte.

Kushëriri i Esterit, Mardokeu, ishte gjithashtu një mjet në duart e Zotit. Ai e rriti siç duhej Esterin. I dha asaj përkrahje, kurajë dhe frymëzim. Ne të gjithë kemi një rol për ta luajtur dhe secili rol është po aq i rëndësishëm dhe vendimtar.

Zoti e vendosi Esterin në shtëpinë e mbretit për një qëllim – të shpëtonte judenjtë. Ashtu si Zoti bëri me Esterin, Ai na vendos atje ku mund të ndihmojmë për të përmbushur qëllimet e Tij. Për këtë arsye, ne duhet të jemi të gatshëm dhe të denjë kur përballemi me mundësitë që paraqet Ai.

Mundësitë Janë Kudo përreth Nesh

Mundësitë për të qenë mjete në duart e Zotit, janë kudo përreth nesh. Përgjegjësia jonë është të jemi të përgatitur për të vepruar. Shpesh ne nuk e dimë se kur apo si do të paraqiten ato mundësi. Nevojitet që ne të jetojmë të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe të kemi një zemër të gatshme. Atëherë Zoti do të na udhërrëfejë për të bërë atë që Ai ka nevojë që ne të bëjmë.

Te Doktrina e Besëlidhje 35:3, Zoti i thotë Sidni Rigdonit: “Unë të kam vëzhguar ty dhe veprat e tua. I kam dëgjuar lutjet e tua dhe të kam përgatitur për një vepër më të madhe.”

Zoti na njeh dhe ka një punë për secilin prej nesh që ta bëjmë. Nganjëherë është një punë që vetëm ne mund ta bëjmë. Kjo punë mund të jetë në shtëpi si prindër duke ndihmuar një bir ose bijë që po has vështirësi. Ose mund të jetë brenda përgjegjësive tona të Kishës. Në fakt, mund të jetë në çdo kohë, kudo dhe me këdo.

Në atë kohë Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha: “Zoti jua dha përgjegjësinë tuaj për një arsye. Mund të ketë njerëz dhe zemra që vetëm ju mund t’u afroheni dhe t’i prekni. Ndoshta askush tjetër nuk do të mund ta bëjë atë pikërisht në të njëjtën mënyrë.”2

Presidenti Uhtdorf gjithashtu tha: “Kur ndjekim shembullin e përsosur [të Shpëtimtarit], duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij”3.

Si Esteri, Mardokeu, Plaku Feçër, bashkëshortja ime dhe shumë të tjerë, ne të gjithë mund të jemi mjete në duart e Zotit.

Shtyp në Letër