“Shkrimet e Shenjta: Fjala e Perëndisë”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.
Bazat e Ungjillit
Shkrimet e Shenjta: Fjala e Perëndisë
Shkrimet e shenjta janë libra të shenjtë që u shkruan kryesisht nga profetët. Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe japin mësim rreth ungjillit të Tij. Shkrimet e shenjta zyrtare të Kishës janë Bibla (që përfshin Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re), Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe.
Dhiata e Vjetër
Dhiata e Vjetër është një anal i marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e Tij të besëlidhjes në kohët e lashta. Ajo përfshin mësime të profetëve të tillë si Moisiu, Jozueu, Isaia, Jeremia dhe Danieli. Edhe pse u shkrua qindra vjet përpara lindjes së Jezu Krishtit, shumë profetë të Dhiatës së Vjetër shkruan për Të.
Dhiata e Re
Dhiata e Re shënon lindjen, jetën në vdekshmëri, mësimet dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Gjithashtu përfshin mësimet e Apostujve të Krishtit dhe dishepujve të tjerë. Dhiata e Re na ndihmon të kuptojmë se si ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit sot.
Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit
Libri i Mormonit është një anal i disa popujve që jetuan në kontinentin e lashtë amerikan. Ai përfshin mësimet nga profetë dhe qëllimi i tij kryesor është t’i bindë të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti. Profeti Jozef Smith e përktheu atë nga fletë të arta me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.
Doktrina e Besëlidhje
Doktrina e Besëlidhje përmban zbulesa të dhëna Jozef Smithit dhe profetëve të tjerë të ditëve të mëvonshme. Zbulesat përshkruajnë se si është organizuar Kisha e Krishtit. Ato gjithashtu përmbajnë mësime të rëndësishme të ungjillit rreth priftërisë, ordinancave të ungjillit dhe asaj që ndodh pas kësaj jete.
Perla me Vlerë të Madhe
Perla me Vlerë të Madhe përfshin librat e Moisiut dhe të Abrahamit, dëshminë e Jozef Smithit dhe Nenet e Besimit të Kishës. Gjithashtu përfshin Joseph Smith – Mateun, pjesë e Përkthimit prej Joseph Smith-it për Dhiatën e Re.
Studimi i Shkrimeve të Shenjta
Profetët na kanë dhënë mësim që t’i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë. Bërja e kësaj na ndihmon ta rritim besimin tonë dhe të vijmë më afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Teksa i studiojmë shkrimet e shenjta me lutje, Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të gjejmë përgjigje për pyetjet tona.
Profetët e Kohëve të Sotme
Kur profetë dhe apostuj sot flasin me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, fjalët e tyre janë si një shkrim i shenjtë. Një shembull i kësaj është konferenca e përgjithshme. Ne mund të studiojmë mësimet nga konferenca në botimet e majit dhe nëntorit të revistës Liahona.