“Me Udhërrëfimin e Zotit”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Me Udhërrëfimin e Zotit
Mes fatkeqësisë mësova se mund të bëja gjëra të vështira.
Si infermier anestezie në Rezervistët e Marinës së Shteteve të Bashkuara gjatë pandemisë së COVID-19, u mobilizova dhe u caktova në spitalin e përkohshëm të urgjencës në qendrën e konferencave “Xhejkob K. Xhavits” në Nju‑Jork-Siti, duke ofruar përkujdesje të ndihmës së shpejtë gjatë kulmit të shpërthimit të COVID-19 në atë qytet.
Ndërsa fillova detyrat e mia, shumë shqetësime më erdhën në mendje. Isha veçanërisht i shqetësuar rreth përkujdesjes për pacientët dhe luftimit të këtij virusi ligështues.
U ndjeva si Nefi, se isha “i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja” (1 Nefi 4:6). Ky mendim më ndihmoi të mirëbesoja tek Ati Qiellor dhe të lutesha shpesh se do ta dëgjoja zërin e Tij, do t’i ndiqja udhëzimet e Tij dhe do t’u jepja pacientëve të mi përkujdesjen më të mirë që mundesha.
Gjatë natës së parë që po jepja përkujdesje, u pranua një pacient në gjendje kritike. Teksa unë dhe kolegët e mi filluam të vlerësonim gjendjen e tij, shpejt zbulova se ai mund të komunikonte vetëm në spanjisht. Isha i vetmi atje që fliste spanjisht, ngaqë e kisha mësuar në misionin tim në Venezuelë.
Teksa fillova të flisja me pacientin, ai pyeti nëse gjithçka do të ishte në rregull. I dhashë siguri, duke i thënë se po merrte përkujdesjen më të mirë të mundshme. Vura re një shkallë mirëbesimi dhe ngushëllimi në sytë e tij. Gjatë gjithë pjesës tjetër të natës, shkova shpesh te shtrati i tij, duke e vlerësuar dhe duke i dhënë përditësime. Brenda pak ditësh, gjendja e tij u përmirësua dukshëm dhe atë e nxorën nga spitali.
Gjatë detyrës sime u takova me shumë pacientë të cilët kryesisht komunikonin në spanjisht. Aftësia ime për t’u folur atyre u ofroi lehtësim dhe siguri gjatë shërimit të tyre.
Ndërsa reflektoj për këtë përvojë të kërkimit të udhërrëfimit qiellor për t’u dhënë pacientëve përkujdesjen më të mirë, më kujtohet këshilla e Plakut Bruk P. Hejls, i Të Shtatëdhjetëve. Ai tha se Ati Qiellor përfshihet në “hollësitë e jetës sonë” dhe se “neve na jepet e drejta ndaj një rrjedhjeje të vazhdueshme të udhërrëfimit hyjnor nëpërmjet ndikimit dhe frymëzimit nga Fryma e Shenjtë”1.
U bëra mjaft i vetëdijshëm se aftësia ime për të folur spanjisht ishte thjesht po aq e vlefshme sa njohuria ime mjekësore. Teksa kujdesesha për të tjerët, gjithashtu fitova një këndvështrim të qartë se mes fatkeqësisë dhe me udhërrëfimin e Zotit, unë mund të bëj gjëra të vështira.