2022
Unë po të Mbartja Ty
Korrik/Gusht 2022


“Unë po të Mbartja Ty”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Unë po të Mbartja Ty

Ndjenja e fuqishme që më erdhi, ishte kaq e fortë sa më rrëzoi në gjunjë përtokë.

vajzë e vogël me sy të mbyllur

Isha vetëm tre vjeçe dhe nuk doja të largohesha nga spitali ku prindërit e mi po shëroheshin pas aksidentit me makinë.

Fotografi me mirësinë e autores; cepat e fotografisë nga Getty Images

U ndesha për shumë vite me traumën dhe ankthin që lidhej me një aksident me makinë ku unë dhe prindërit e mi u përfshimë kur isha tre vjeçe. Vëllai im i palindur nuk mbijetoi.

Në përvjetorin e 25-të të aksidentit, pata një kujtim shqetësues. Disa muaj më vonë, ende po hasja vështirësi kur një shoqe sugjeroi që t’i drejtohesha Atit tim Qiellor. Qesha dhe më pas pyeta: “Çfarë do të bëjë Ai për mua?”

Vështirësitë e mia vazhduan. Pas një viti a dy, isha e lodhur nga lëndimi dhe dhembja ime po kthehej në zemërim. Ia vura veshin këshillës së shoqes sime dhe fillova t’i drejtohesha Perëndisë.

“Nëse Ti je vërtet atje, dërgo dikë – këdo”, – u luta. “Kam nevojë për dikë!”

Dita erdhi e shkoi teksa qëndrova në prag të derës duke pritur më kot.

“E sheh, Perëndi, askush s’do t’ia dijë!” – thashë unë. “Askush nuk erdhi!”

Ndërsa lotët më rridhnin në faqe, me ngadalë hyra në shtëpi dhe e mbylla derën. Ngjita shkallët duke u ndier e mundur. Por kur mbërrita në krye të shkallëve, një ndjenjë e fuqishme më pushtoi. Ishte kaq e fortë sa më bëri të bija në gjunjë.

Më pas ky mendim më erdhi në mendje: “Rëne, unë po të mbartja ty”.

Ati Qiellor më dërgoi atë mendim të fuqishëm në një mënyrë të dhembshur kur më nevojitej më shumë. E kuptova se Ai vërtet më do dhe se Ai vërtet më njeh. Ai më do aq shumë sa më ka dhënë lirinë morale të zgjedhjes. Ai nuk do të më detyrojë mua ose dikë tjetër për ta ndjekur Atë, por Ai dhe Biri i Tij na ftojnë të vijmë tek Ata (shih Mateu 11:28–30).

Që nga ajo ditë, unë e di se mund të mbështetem tek Ai. Jeta ime është më e mirë tani, sepse përpiqem fort që ta ndjek Atë dhe ta dëgjoj Atë çdo ditë. Ndërkohë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti më lejojnë të ndiej dhembje, Ata gjithashtu më sjellin paqe, ngushëllim, forcë dhe guxim që të mund të mësoj nga bërja e gjërave të vështira. Të ndierit e dhembjes më ndihmon t’i kuptoj dhe përkrah njerëzit e tjerë që po hasin vështirësi.

Ne mund të mos e dimë kurrë tërësisht se çfarë po kalojnë të tjerët, por mund të tregojmë dashuri për njerëzit përreth nesh. Jam mirënjohëse të di se Ati im Qiellor më do dhe më dëgjon kur i lutem Atij.