“Vend për t’u Rritur”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.
Moshimi me Besnikëri
Vend për t’u Rritur
Zoti e dinte se unë do të lulëzoja dhe rritesha përsëri.
Kishin kaluar disa vjet që kur ndërroi jetë bashkëshorti im, Xherëlldi. Kanceri kishte ardhur në mënyrë të shpejtë e agresive dhe brenda tre muajsh ai vdiq. Tani po mendoja për të teksa punoja në kopshtin tim.
Teksa po rimbillja një lule, pata një mendim. Përpara se të ndërhyja, lulja ishte në rregull. Ishte rehat në vazon ku ishte që më parë, por nuk po lulëzonte. E dija se po të mos e rimbillja në njëfarë kohe, ajo kishte shumë të ngjarë që nuk do të lulëzonte dhe ndoshta nuk do të rritej më. Sigurisht që nuk do të ishte në gjendje të arrinte më të mirën.
Prandaj vendosa t’i jepja lules vend për t’u rritur duke e vendosur në një vazo më të madhe. Jo në një vazo tepër të madhe – një që ishte vetëm pesë centimetra më e gjerë në diametër. Nëse do t’i jepja shumë hapësirë, ajo mund të përfundonte e ujitur më shumë nga ç’duhej dhe do të thahej nga prishja e rrënjëve.
Prisja që lulja do të haste vështirësi teksa përpiqej të përshtatej. Kishte qenë mjaft rehat, e gjitha e mbrojtur në vazon ku ishte përshtatur tashmë. Nuk ishte e vetëdijshme që ndryshimi do ta ndihmonte të vazhdonte të rritej. Më nevojitej ta ushqeja më tej, t’i jepja dritën e duhur, ujin dhe ushqyesit e tjerë të kërkuar gjatë kësaj kohe përshtatjeje. E dija se, më së fundi, do të lulëzonte dhe rritej përsëri.
Ndërsa mendoja për jetën time si e ve, e kuptova se isha si ajo bimë. Kisha qenë rehat. Kisha qenë mirë. Por kur bashkëshorti im ndërroi jetë, e dëgjova Shpirtin të më pëshpëriste se po hyja në një fazë të re rritjeje. Ende kisha gjëra që më nevojitej të mësoja dhe bëja në këtë jetë.
Përgjatë dy viteve në vijim, shtatë burra të tjerë në lagjen tonë gjithashtu ndërruan jetë. Fillova t’u kërkoj mikeshave të mia që sapo ishin bërë të veja që të punonim së bashku, të flitnim me të tjerët, të vizitonim të tjerët, t’u shërbenim të tjerëve – kështu që secila prej nesh të mund të ndihej disi më pak e vetmuar. Asnjë nga ne nuk do të kishte zgjedhur të “rimbillej”. Por teksa iu përshtata jetës në vdekshmëri pa bashkëshortin tim, unë zbulova se mund t’u jepja përkrahje të tjerëve që po hasnin një sfidë të ngjashme. Gjithashtu zbulova se kishte shumë mundësi për ta kaluar kohën me fëmijët dhe nipërit e mbesat dhe t’i siguroja ata sërish se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, në jetën pas kësaj, familja jonë mund të ishte përsëri së bashku.
Kurrë nuk do ta kisha parashikuar rritjen që do të më vinte për shkak të humbjes së bashkëshortit tim. Por Ati Qiellor ndërhyri dhe më “rimbolli”, duke më dhënë vend për t’u rritur nëpërmjet vendosjes brenda një vazoje pak më të madhe – një sfide të re që më siguroi mundësi për rritje.
Ende më mungon çdo ditë Xherëlldi. Vite më pas, ende po has vështirësi teksa përpiqem të përshtatem me ndryshimin e të qenit pa të. Por e di që Zoti do të më ushqejë shpirtërisht përgjatë rrugës. Me kalimin e kohës dhe me mirëbesim tek Ai, unë do të lulëzoj dhe rritem përsëri.
Autorja jeton në Ajdaho, SHBA.