2022
Misionarët me Shërbim: Ndërtimi i Mbretërisë nëpërmjet Shërbimit dhe Dashurisë
Korrik/Gusht 2022


“Misionarët me Shërbim: Ndërtimi i Mbretërisë nëpërmjet Shërbimit dhe Dashurisë”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.

Të Rinjtë në Moshë Madhore

Misionarët me Shërbim: Ndërtimi i Mbretërisë nëpërmjet Shërbimit dhe Dashurisë

Pyesja veten nëse të shërbeja në një mision shërbimi do të thoshte që nuk isha “e mirë sa duhej”.

Pamja
të reja në moshë madhore duke lyer

Kur presidenti im i kunjit fillimisht më pyeti nëse do të isha e gatshme të shërbeja në një mision shërbimi, mendimi im i parë ishte: “Po!”

Mirëbesova se Zoti kishte një punë për mua që ta bëja dhe besova se çfarëdo që Ai donte që unë të bëja, do të më sillte rritje dhe lumturi, sepse Ai më donte dhe dëshironte atë që ishte më e mira për mua.

Mendimi im i dytë ishte: “Çfarë është një mision shërbimi?”

Presidenti im i kunjit më shpjegoi se çfarë ishte një mision shërbimi kur u takuam së bashku në zyrën e tij atë të diel, por nuk e kuptova vërtet atë ose rëndësinë e atij misioni deri shumë kohë më vonë. Në atë kohë madje vrisja mendjen nëse kjo thirrje do të thoshte që diçka nuk ishte në rregull me mua, sepse ende nuk e kuptoja qëllimin më të madh që kanë misionet e shërbimit.

A Kishin Nevojë për Mua?

E mora thirrjen time për të shërbyer rreth një muaj përpara se të fillonte vërtet misioni im. Kjo do të thoshte që u takova me udhëheqësit e misionit tim të shërbimit, frekuentova një konferencë të misionit të shërbimit në zonën time dhe madje m’u kërkua të drejtoja studimin me shoqet misionare për dy motrat e tjera në zonën time përpara se të veçohesha.

E përdora muajin midis marrjes së thirrjes sime dhe dhënies së bisedës sime të “lamtumirës” (edhe pse nuk shkova gjëkundi) për të mësuar rreth misioneve të shërbimit dhe misionarëve me shërbim përreth meje.

Në konferencën e misionit të shërbimit që frekuentova, mësova se shumë prej misionarëve me shërbim, kur thirren fillimisht, ndihen sikur nuk janë mjaft të mirë për të shërbyer në një mision predikues. Me druajtje kujtova vetë reagimin tim të parë ndaj thirrjes sime.

Më së fundi e kuptova se nuk u thirra në një mision shërbimi ngaqë isha e papërshtatshme, por ngaqë ky ishte drejtimi i Atit Qiellor për mua. Nuk isha “më pak sesa” misionarët predikues; përkundrazi, Ai kishte nevojë për mua që të ndihmoja për të ndërtuar mbretërinë e Tij nëpërmjet mjeteve të tjera të shërbimit. Mora një dëshmi të fortë që të gjithë misionarët janë të rëndësishëm për Atin Qiellor dhe të rëndësishëm në veprën e Tij, sepse të gjithë misionarët dëshirojnë t’i shërbejnë Atij dhe t’u shërbejnë fëmijëve të Tij.

Pasi mësova për misionarët e tjerë të shërbimit në zonën time, pasi u takova me ta dhe dëgjova historitë e tyre, e dija se ata ishin shërbëtorë të mrekullueshëm e të drejtë të Zotit. E kuptova që edhe pse disa prej nesh kishin ndier pak keqardhje për veten në fillim të misioneve të tyre, ne të gjithë arritëm në të njëjtin përfundim: Zoti i do misionarët me shërbim dhe se ne jemi pikërisht atje ku Ai dëshiron që ne të jemi, duke mësuar dhe duke u rritur ndërkohë që i shërbejmë Atij si duart e Tij në tokë.

Si e Ndërtojnë Sionin Misionarët me Shërbim

Misionarët janë kaq të rëndësishëm në çdo rol që ata shërbejnë. Kemi nevojë për misionarë që i lënë familjet e tyre dhe shtëpitë e tyre deri në dy vjet për ta dhënë mësim dhe për ta predikuar ungjillin në të gjithë botën. Por gjithashtu kemi nevojë të ndërtojmë komunitete Sioni të mbushura me dashuri për të tjerët dhe një dëshirë për të shërbyer e për të lartësuar më të vegjlit mes tyre. Kjo është ajo që bëjnë misionarët me shërbim. Ne e ndërtojmë Sionin duke krijuar një kulturë dashurie dhe shërbimi. Kjo krijon një komunitet mikpritës, të drejtë dhe lartësues për të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – për ata që kanë qenë anëtarë gjatë gjithë jetës së tyre, ata që janë të kthyer të rinj në besim, për çdo njeri.

Misioni im i shërbimit për revistat e Kishës më ka ndihmuar të shoh se sa e bekuar jam vërtet. Kam qenë në gjendje ta përdor atë që kam mësuar rreth sprovave të mia gjatë gjithë jetës sime, për t’i lartësuar njerëzit e tjerë që hasin vështirësi. Jam përpjekur t’ua tregoj përvojat e mia të tjerëve dhe duke e bërë këtë gjë t’i nxit të tjerët të tregojnë historitë e tyre. Të gjithë fëmijët e Perëndisë janë të rëndësishëm. Misioni im i shërbimit më ka ndihmuar që t’u drejtoj atyre më shumë mirësi dhe më ka aftësuar që t’i dua ata ashtu siç janë, ndërsa ne përpiqemi fort që të vijmë te Krishti së bashku.

Misionarët me shërbim e shpenzojnë kohën dhe energjinë e tyre duke krijuar Sionin në shumë mënyra të ndryshme, por të dobishme. Disa ndihmojnë me anë të shërbimit fizik në vende si Sheshi i Mirëqenies apo qendrat vendore të ushqimeve. Ka misionarë me shërbim që zbukurojnë mjediset rrethuese të tempujve dhe që shërbejnë si punonjës ordinancash në tempull. Disa ndihmojnë për t’u shpërndarë ushqime fëmijëve që nuk i kanë ato kur shkolla është e mbyllur, dhe u shërbejnë atyre duke i formuar ata gradualisht. Të tjerë ndihmojnë për të përhapur ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët që tashmë e kanë atë. Ka madje misionarë që ndihmojnë për të mirëmbajtur lloje të ndryshme automjetesh që përdoren nga punonjësit e Kishës.

Pamja
burrë duke punuar me makinën

Misionarët me shërbim gjithashtu shërbejnë në mënyra të tjera si bërja e tabelave për peshkopët në godinat e Kishës, punojnë me studion e prodhimit të filmave të Kishës, si dhe me pastrimin e shumë e shumë gjërave që çdo njeri të jetë i sigurt në mes të pandemisë së COVID-19. Cilatdo qofshin detyrat tona të ndryshme, ne ndihmojmë në ndërtimin e Sionit duke kultivuar një mjedis dashurie dhe shërbimi vetëmohues.

Të gjithë ne misionarët marrim pjesë në studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta, japim mësime, marrim pjesë në mësime dhe këshilla të distrikteve dhe forcojmë e lartësojmë njëri‑tjetrin dhe çdo njeri përreth nesh, pavarësisht nëse është apo jo pjesë e detyrave tona formale.

Një nga gjërat më të rëndësishme që bëj, lidhet më pak me detyrën time formale me skuadrën e revistave të Kishës për përmbajtjen për të rinjtë në moshë madhore dhe lidhet më shumë me shërbimin ndaj misionarëve të tjerë në grupin tim në kompleksin e Sheshit të Tempullit. Unë shërbej duke u siguruar që ata e ndiejnë se po i shohin e po i dëgjojnë dhe që e dinë se unë interesohem për ta dhe se ata kanë përkatësi.

A nuk është kjo çfarë bëjnë të gjithë misionarët? A nuk e sigurojnë të gjithë misionarët çdo njeri anembanë botës se këtu, në mbretërinë e Perëndisë, ka një vend të rëndësishëm dhe individual për të gjithë fëmijët e Tij? Misionarët predikues ndihmojnë për t’i mësuar botës se mbretëria e Perëndisë është në tokë dhe misionarët me shërbim i ndihmojnë të tjerët që të shohin se si duhet të duket ajo mbretëri teksa ne përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit – një vend ku zemrat tona kthehen drejt të tjerëve, ku ne shërbejmë pa ngurrime dhe ku ne i ndihmojmë të tjerët të dinë se ata kanë përkatësi.

Të Shërbyerit Ashtu si do të Shërbente Shpëtimtari – Duke Ndihmuar Individin

Sido që shërbejmë dhe kudo që shërbejmë, ka një gjë që e bëjnë të gjithë misionarët – shërbejnë ashtu si shërbeu Jezu Krishti, duke i dhënë shërbesë individit.

Më shumë sesa për të përmbushur detyrat tona individuale, “qëllimi ynë është t’i ndihmojmë të tjerët që të vijnë te Krishti duke u shërbyer sikurse do t’u shërbente Shpëtimtari. Ne shërbejmë vullnetarisht në organizata bamirëse, në funksione të Kishës dhe brenda komunitetit. Ne do t’i japim shërbesë individit në emër të Tij, sikurse e bëri Ai, duke shprehur mirësinë e Tij plot dashuri.”1

Ne, misionarët me shërbim, gëzohemi me fjalët që gjenden te qëllimi ynë ngaqë e dimë se Shpëtimtari na jep shërbesë neve si individë dhe ne e kemi ndier mirësinë e Tij plot dashuri. Unë e kam ndier mirësinë plot dashuri të Shpëtimtarit në misionin tim ndërkohë që kam arritur ta njoh Atë më mirë, ndërkohë që sprovat e mia janë bërë të lehta, ndërkohë që dëshmia ime është forcuar dhe ndërkohë që misionarët përreth meje më kanë treguar dashuri dhe më kanë lartësuar shpirtërisht.

Misionarët me shërbim përpiqen t’ia tregojnë mirësinë plot dashuri të Krishtit çdo njeriu përreth tyre dhe ne ia përkushtojmë jetën tonë bërjes pikërisht të kësaj gjëje gjatë tërë kohëzgjatjes së misioneve tona – dhe gjatë gjithë pjesës në vazhdim të jetës sonë.

Shtyp në Letër