“Ordinancat e Tempullit: Përgatitja për t’u Kthyer në Praninë e Perëndisë”, Liahona, Korrik/Gusht 2022.
Ordinancat e Tempullit: Përgatitja për t’u Kthyer në Praninë e Perëndisë
Ju ftoj të mësoni me zell rreth rëndësisë së përjetshme të besëlidhjeve të tempullit, ordinancave të tempullit dhe adhurimit në tempull dhe t’i vlerësoni ato teksa përpiqeni fort të vini te Shpëtimtari.
Vepra e Perëndisë dhe lavdia e Tij është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39) – të na përgatitë për të jetuar “në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë”1 që të mund të kthehemi në praninë e Tij.
Në mëshirën e Tij të pafundme dhe të përjetshme, Zoti, nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij, i ka ftuar vazhdimisht bijtë e Tij dhe bijat e Tij për t’u përgatitur për ardhjen e Tij dhe për t’u bërë një popull Sioni – gati për t’u ngritur lart që të takohen me Të (shih Alma 12:24; 34:32; Doktrina e Besëlidhje 45:45; 65:5; 88:96–97). Dhe gjithmonë qendrore për atë përgatitje ka qenë të mësuarit e doktrinës së Jezu Krishtit, të ushtruarit e besimit tek Ai, pendimi dhe marrja e besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta.
Janë udhëzues për ne sot shembujt në Dhiatën e Vjetër të ftesës së Perëndisë drejtuar fëmijëve të Tij për t’u përgatitur që të jetojnë një ligj më të lartë dhe që të marrin besëlidhjet dhe ordinancat e shpëtimit.
Tek Eksodi, Perëndia e nxiti Izraelin që të bëhej një “thesar … i veçantë” dhe të shenjtërohej në përgatitje për ta takuar Atë (shih Eksodi 19:4–6, 10–11, 17). Jehova i dha Izraelit “pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet” (Eksodi 24:12) dhe ata bënë besëlidhje me Perëndinë, duke thënë: “Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti” (Eksodi 19:8; shih edhe 24:3). Zoti premtoi se po të ishin besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, Ai do të banonte mes tyre (shih Eksodi 29:45–46). Gjithsesi, kur izraelitët dëshmuan “lavdi[në] e Zotit” (Eksodi 24:16) mbi malin Sinai, ata patën frikë, qëndruan mjaft larg dhe më së fundi ngritën krye kundër Perëndisë (shih Eksodi 20:18–21; 32:1–6).
Një shembull i dytë në Dhiatën e Vjetër është ai i mbretit Salomon që i ndërtoi një shtëpi Zotit (shih 1 Mbretërve 6:11–13). Arka e besëlidhjes dhe enët e tjera të shenjta u vendosën në “vendin shumë të shenjtë” (1 Mbretërve 8:6) dhe “lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e tij” (1 Mbretërve 8:11). Salomoni ofroi një lutje përkushtuese dhe kërkoi që bekime materiale dhe shpirtërore të jepeshin mbi Izraelin e penduar dhe plot lutje. Zoti i dëgjoi lutjet e tyre të përgjërimit dhe i premtoi Izraelit bekime të mëdha nëse ishte i bindur. Prapëseprapë, Izraeli e braktisi Zotin dhe adhuroi perëndi të rreme. (Shih 1 Mbretërve 9–11.)
Profetë të tjerë në Dhiatën e Vjetër u përpoqën me zell që t’i mësonin e shenjtëronin izraelitët, kështu “që ata të mund të shihnin fytyrën e Perëndisë; por ata i ngurtësuan zemrat dhe nuk mund ta duronin praninë e tij” (Doktrina e Besëlidhje 84:23–24).
Në mënyrë të përsëritur, fëmijët e Izraelit ishin mosbesues, të frikësuar ose jo të gatshëm që të ndryshonin; dëshironin një shteg më të lehtë; i kishin zemrat të dhëna pas gjërave të botës; ose me gatishmëri ngritën krye kundër Zotit dhe profetëve të Tij. Çdo herë që izraelitët u larguan nga Perëndia dhe i braktisën besëlidhjet dhe ordinancat e tyre, “zemërimi i [Zotit] u ndez kundër tyre” (Doktrina e Besëlidhje 84:24) dhe ata nuk mund të merrnin plotësinë e lavdisë së Tij.
Qëllimi Hyjnor i Mbledhjes
Përpjekjet e Zotit për ta mbledhur popullin e Tij dhe për ta bekuar nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit, gjithashtu tregohen në Dhiatën e Re dhe në Librin e Mormonit. Shpëtimtari vajtoi: “Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu sikurse i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!” (Mateu 23:37; shih edhe 3 Nefi 10:4–6.)
Profeti Jozef Smith shpjegoi: “Cili ishte qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës? … Qëllimi kryesor ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mësonte njerëzve udhën e shpëtimit … që ata të mund të … merrnin zbulesa nga qielli, dhe të përsoseshin në gjërat e mbretërisë së Perëndisë – por ata nuk deshën.”2
Zoti dëshiron t’i mbledhë fëmijët e Tij në këtë periudhë ungjillore dhe ka zbuluar “gjërat që janë mbajtur të fshehura përpara themelimit të botës, … të gjitha gjërat lidhur me këtë shtëpi dhe priftërinë e saj” (Doktrina e Besëlidhje 124:41–42). Ai na nxit ne të gjithëve që të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Tij – gjë që bëhet e mundur nëpërmjet flijimit të Tij shlyes: “Vini re, është vullneti im që të gjithë ata që thërrasin në emrin tim dhe më adhurojnë sipas ungjillit tim të përjetshëm, do të mblidhen së bashku dhe do të qëndrojnë në vende të shenjta” (Doktrina e Besëlidhje 101:22).
Përse Janë Kaq të Rëndësishme Ordinancat e Tempullit?
Tempujt janë vendi më i shenjtë nga të gjitha vendet e adhurimit. Çdo gjë që mësohet dhe gjithçka që bëhet në tempujt e ditëve të mëvonshme, thekson planin e madhërishëm të Atit Qiellor për lumturinë, hyjninë e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij si Shpëtimtari ynë. Besëlidhjet e marra dhe ordinancat e kryera në tempuj janë thelbësore për shenjtërimin e zemrave tona dhe për ekzaltimin përfundimtar të bijve dhe bijave të Perëndisë.
“Dhe kjo priftëri më e madhe administron ungjillin dhe mban çelësin e mistereve të mbretërisë, madje çelësin e diturisë së Perëndisë.
Si rrjedhim, në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet.
Dhe pa ordinancat e saj dhe pa autoritetin e priftërisë, fuqia e perëndishmërisë nuk u manifestohet njerëzve në mish” (Doktrina e Besëlidhje 84:19–21).
Ordinancat e shenjta që merren denjësisht dhe kujtohen vazhdimisht, hapin kanalet e qiellit nëpërmjet të cilave fuqia e perëndishmërisë mund të vërshojë në jetën tonë. Nëpërmjet marrjes së ordinancave të priftërisë, bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve të shenjta, ne lidhemi te Shpëtimtari dhe me Të (shih Mateu 11:28–30)3 dhe mund të bekohemi me forcë përtej forcës sonë për të kapërcyer tundimet dhe sfidat e vdekshmërisë teksa përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.
Bekimet e Besëlidhjeve dhe Ordinancave të Tempullit
Dy nga bekimet e rëndësishme që merren nga besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit, janë gëzim dhe fuqi gjithnjë e në rritje.
Shëlbuesi është burimi përfundimtar dhe i vetëm i gëzimit të përhershëm. Gëzimi i vërtetë vjen nga ushtrimi i besimit te Zoti Jezu Krisht, marrja me denjësi dhe nderimi me besnikëri i besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta, si dhe përpjekja fort për t’u bërë thellësisht të kthyer në besim te Shpëtimtari dhe qëllimet e Tij.
Alma i mësoi birit të vet se shenjtëria dhe gëzimi më i madh në jetën tonë bëhen të mundur kur pastrohemi dhe shenjtërohemi nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Vetëm nëpërmjet pasjes së besimit te Shëlbuesi ynë, pendimit dhe mbajtjes së besëlidhjeve, jemi në gjendje të marrim lumturinë afatgjatë që ne të gjithë e dëshirojmë për ta përjetuar dhe për ta ruajtur.4
Ju lutemi, vini re premtimin e gëzimit nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme”5.
Në kohën tonë, ndërkohë që fuqitë e errësirës tërbohen dhe “paqen na kërc’nojn’ me shkat’rrim”6, fuqia mbrojtëse është në dispozicion të secilit prej nesh në besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit dhe nëpërmjet tyre (shih Doktrina e Besëlidhje 38:32; 43:16; 76:39–42; 105:11–12, 33; 138:12–15). Nefi pa në vegim dhe “vur[i] re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti … mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit, … dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe” (1 Nefi 14:14).
Në lutjen përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, Profeti Jozef Smith iu lut Atit “që shërbëtorët e [Tij] të mund të largohen nga kjo shtëpi të armatosur me fuqinë [e Tij]” dhe “që asnjë kombinim i ligësisë nuk do të … ngrihet dhe të triumfojë mbi njerëzit e [Tij], mbi të cilët emri [i Tij] do të vihet në këtë shtëpi” (Doktrina e Besëlidhje 109:22, 26).
Secili prej nesh duhet të përpiqet fort që të mësojë rreth fuqisë mbrojtëse të besëlidhjeve dhe ordinancave në dispozicion në shtëpinë e Zotit dhe që ta kuptojë më mirë atë fuqi – kështu që ne si dishepuj të mund të “qëndroj[m]ë në vende të shenjta dhe … të [mos] lëvize[mi]” (Doktrina e Besëlidhje 45:32) dhe të “rezisto[jmë] në ditën e mbrapshtë” (Efesianëve 6:13).
Ftesa dhe Dëshmia
Ju ftoj të mësoni me zell rreth rëndësisë së përjetshme të besëlidhjeve të tempullit, ordinancave të tempullit dhe adhurimit në tempull dhe t’i vlerësoni ato teksa përpiqeni fort të vini te Shpëtimtari dhe të merrni bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Dhe unë dëshmoj plot gëzim se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe dëshira e Tyre më e madhe është që ne të kthehemi në praninë e Tyre dhe të marrim pjesë në lavdinë e Tyre (shih Doktrina e Besëlidhje 97:16; 101:38).