Biblioteka
Mësimi 1: Një Punë e Mrekullueshme dhe një Çudi


1

Një Punë e Mrekullueshme dhe një Çudi

Hyrje

Gjatë gjithë historisë, Ati Qiellor i ka përfunduar periudhat e braktisjes nëpërmjet thirrjes së profetëve, të cilët marrin autoritet hyjnor për ta rivendosur plotësinë e ungjillit dhe për ta ngritur Kishën e Jezu Krishtit. Jozef Smithi ishte ky profet në periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore. Të kuptuarit se si Perëndia e udhëheq popullin e Tij dhe se si e themelon Kishën e Tij nëpërmjet profetëve, do t’i ndihmojë studentët të zhvillojnë një vlerësim më të thellë të nevojës për një Rivendosje dhe një aftësi më të madhe për t’u mësuar të tjerëve rreth Rivendosjes.

Lexim Konteksti

  • M. Russell Ballard, “The Miracle of the Holy Bible”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 80–82.

  • Gordon B. Hinckley, “At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 72–74.

  • Neal A. Maxwell, “From the Beginning”, Ensign, nëntor 1993, f. 18–20.

  • Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 31–36.

Sugjerime për Mësimdhënien

Amos 8:11–12; Joseph Smith – Historia 1:5–10

Braktisja e Madhe dhe nevoja për Rivendosjen

Fillojeni mësimin duke shkruar sa vijon në tabelë:

Uri =

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Amos 8:11–12. Kërkojuni studentëve ta ndjekin dhe të përcaktojnë se si fjala uri përdoret si një simbol.

  • Çfarë lloj urie profetizoi Amosi se do të ndodhte? (Shkruani përgjigjet e studentëve në tabelë pranë fjalës “Uri =”.)

  • Çfarë profetizoi Amosi se njerëzit do të bënin për shkak të kësaj urie?

  • Çfarë prove keni parë në botë që ka pasur një uri “për të dëgjuar fjalët e Zotit”? (Amos 8:11).

Shpjegoni se, edhe pse profecia që gjendet tek Amos 8:11–12 ka mundësi të jetë përmbushur shumë herë përgjatë historisë, një përmbushje e rëndësishme njihet si Braktisja e Madhe. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shkruajnë Braktisje, duke përfshirë Braktisjen e Madhe në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta pranë Amosit 8:11–12.

Paraqitni thënien vijuese dhe ftojeni një student që ta lexojë atë me zë të lartë. Vërini studentët të kërkojnë për disa prej faktorëve që luajtën rol në Braktisjen e Madhe.

“Pas vdekjes së Jezu Krishtit, njerëz dashakeqë i përndoqën Apostujt dhe anëtarët e Kishës dhe vranë shumë prej tyre. Me vdekjen e apostujve, çelësat e priftërisë dhe autoriteti kryesues i priftërisë u morën nga toka. Apostujt i kishin mbajtur doktrinat e ungjillit të pastra dhe kishin ruajtur kërkesat dhe standardin e denjësisë për anëtarët e Kishës. Pa Apostujt, me kalimin e kohës doktrinat u korruptuan dhe u bënë ndryshime të paautorizuara në organizimin e Kishës dhe të ordinancave të priftërisë, të tilla si pagëzimi dhe dhënia e dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Pa zbulesën dhe autoritetin e priftërisë, njerëzit u mbështetën tek urtësia njerëzore për t’i interpretuar shkrimet e shenjta dhe parimet e ordinancat e ungjillit të Jezu Krishtit. Ide të rreme u mësuan si të vërteta. Shumë nga njohuria e karakterit dhe natyrës së vërtetë të Perëndisë Atit, Birit të Tij Jezu Krisht dhe Frymës së Shenjtë humbi. Doktrinat e besimit në Jezu Krishtin, pendimit, pagëzimit dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë, u shtrembëruan ose u harruan. Autoriteti i priftërisë dhënë Apostujve të Krishtit nuk gjendej më në tokë” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 35).

  • Sipas kësaj thënieje, cilët ishin disa prej faktorëve që luajtën rol në Braktisjen e Madhe?

  • Përse është thelbësore të kuptojmë që Braktisja e Madhe ndodhi me të vërtetë? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin vijues: Dituria që pati një Braktisje të Madhe, mund të na ndihmojë të dallojmë nevojën për Rivendosjen e ungjillit.)

Shpjegoni se gjatë kësaj periudhe të braktisjes, Ati Qiellor vazhdoi ta ushtronte ndikimin e Tij në botë nëpërmjet Dritës së Krishtit, që “i jepet çdo njeriu” (Moroni 7:16) dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, e cila dëshmon që ungjilli është i vërtetë (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frymë e Shenjtë”, f. 52; ose scriptures.lds.org). Ai frymëzoi burra e gra në shumë kultura, të cilat e kërkuan ndihmën e Tij gjatë asaj kohe. Reformuesit e krishterë, të tillë si Martin Luteri dhe Uilliam Tindejlli, punuan për t’i ndihmuar të krishterët që të jetonin më pranë idealeve që gjendeshin në Bibël. Përpjekjet e reformuesve, filozofëve dhe madje drejtuesve të shteteve në Evropë dhe Amerikën Veriore çuan drejt një theksimi të shtuar mbi dinjitetin njerëzor dhe lirinë fetare në shumë pjesë të botës. Pavarësisht nga këto zhvillime të rëndësishme, Perëndia ende nuk e kishte rivendosur tërësisht Kishën e Tij. (Shih Predikoni Ungjillin Tim, f. 45–46.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910-2008) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Për shekuj qiejt mbetën të vulosur. Burra e gra të mira, jo pak veta – me të vërtetë njerëz të mëdhenj dhe të mrekullueshëm – u përpoqën t’i korrigjonin, forconin dhe përmirësonin sistemet e tyre të adhurimit dhe strukturën e tyre të doktrinës. Atyre unë iu jap nderim dhe respekt. Sa më e mirë është bota për shkak të veprimit të tyre të guximshëm. Ndërkohë që besoj se puna e tyre ishte e frymëzuar, ajo nuk u favorizua me hapjen e qiejve, me shfaqjen e Hyjnisë” (“The Marvelous Foundation of Our Faith”, Ensign, nëntor 2002, f. 80).

Kujtojini studentët se në vitin 1820 i riu Jozef Smith po kërkonte Kishën e vërtetë, por nuk mund ta gjente atë. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Joseph Smith – Historia 1:5–10, duke kërkuar fraza që përshkruajnë sfidat e shkaktuara nga Braktisja e Madhe.

  • Cilat janë disa nga frazat që Jozef Smithi i përdori për t’iu drejtuar sfidave shpirtërore të kohës së tij?

  • Si i përshkroi Jozefi ndjenjat e tij që erdhën si rrjedhim i një pështjellimi fetar që e rrethonte atë?

Kujtojini studentët se kërkimi i Jozef Smithit për të vërtetën çoi te Vegimi i Parë dhe thirrja e tij si një profet. (Këto do të diskutohen në mësimin e ardhshëm.) Vini në dukje që thirrja e Profetit Jozef Smith dhe Rivendosja e ungjillit ndoqën një model të themeluar nga Perëndia, i cili është përsëritur gjatë gjithë historisë. Për shembull, thirrja e Enokut (shih Moisiu 6:26–32) dhe e Noeut (shih Moisiu 8:17–20) e ndoqën këtë model. Paraqitni shpjegimin vijues të këtij modeli dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

“Historia biblike ka shënuar shumë raste kur Perëndia u ka folur profetëve dhe gjithashtu tregon shumë raste të braktisjes. Në fund të çdo periudhe të një braktisjeje të përgjithshme, Perëndia ka treguar dashurinë Tij për fëmijët e Tij duke thirrur një profet tjetër dhe duke i dhënë atij autoritet priftërie për të rivendosur dhe për t’u mësuar njerëzve sërish ungjillin e Jezu Krishtit. Në thelb, profeti vepron si një kujdestar për të mbikëqyrur familjen e Perëndisë këtu në tokë. Periudha të tilla kohore të kryesuara nga përgjegjësi profetike janë quajtur periudha [të kujdestarisë] ungjillore” (Predikoni Ungjillin Tim, f. 33; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Periudhë”, f. 146).

  • Si ndjek Rivendosja e ungjillit nëpërmjet Jozef Smithit një model të shikuar në periudhat e mëparshme ungjillore? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë doktrinën vijuese: Pas periudhave të braktisjes së përgjithshme, Perëndia i thërret profetët dhe iu jep atyre autoritet që të rivendosin dhe t’ua mësojnë njerëzve sërish ungjillin. Studentët duhet të kuptojnë edhe këtë doktrinë: Jozef Smithi u thirr nga Perëndia që të rivendoste ungjillin për periudhën tonë të kujdestarisë ungjillore.)

  • Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e këtij modeli që t’ia shpjegoni Rivendosjen e ungjillit një njeriu të një besimi tjetër?

Theksoni se në Vegimin e Parë, Jozef Smithi mësoi se asnjë Kishë e vërtetë nuk ekzistonte në tokë dhe se plotësia e ungjillit të Krishtit nevojitej të rivendosej. Edhe pse Bibla përmban profeci për Braktisjen e Madhe, prova më e rëndësishme që kjo braktisje ndodhi, është fakti që Jozef Smithi u thirr të ishte një profet dhe që u rivendos plotësia e ungjillit.

2 Nefi 27:25–26; Doktrina e Besëlidhje 1:12–30

Rivendosja e ungjillit është “një punë e mrekullueshme dhe një çudi”

Shpjegoni se shkrimet e shenjta tregojnë disa arsye të Zotit për rivendosjen e ungjillit të Tij në tokë në ditët e fundit.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje profecinë e Isaias për Rivendosjen që gjendet te 2 Nefi 27:25–26, duke kërkuar përshkrimin e Zotit për gjendjen shpirtërore të botës në kohën e Rivendosjes. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë fjalë dhe fraza që i përshkruajnë këto kushte shpirtërore. (Shënim: Një nga mënyrat më të dobishme për studentët që të zotërojnë dhe të ruajnë atë që e mësojnë nga shkrimet e shenjta, është të shenjojnë fjalë dhe fraza të rëndësishme.) Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni studentëve të tregojnë atë që gjetën.

  • Si mendoni, përse i drejtohemi Rivendosjes së ungjillit si “një punë e mrekullueshme dhe një çudi”?

  • Çfarë gjeni “[të] mrekullueshme” dhe një “çudi” rreth Rivendosjes? (Teksa studentët përgjigjen, vini në dukje se Rivendosja e ungjillit si një “punë e mrekullueshme dhe një çudi”, është shembull i një teme të përsëritur në Doktrinën e Besëlidhjet. “Temat janë cilësi ose ide të ndërthurura, të përsëritura dhe bashkuese” [David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” (mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007), f. 6, speeches.byu.edu].)

Ftojeni gjysmën e klasës të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 1:12–17, duke kërkuar arsyet që Zoti i dha për sjelljen në dritë të Rivendosjes së ungjillit. Ftojeni gjysmën tjetër të klasës të studiojë Doktrinën e Besëlidhjet 1:18–30, duke kërkuar mënyrat se si Rivendosja e ungjillit do t’i bekojë fëmijët e Perëndisë. (Shënim: Doktrina e Besëlidhje 1:30 do të studiohet me më shumë hollësi në mësimin 6.)

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që gjetën. Sigurohuni që studentët e kuptojnë të vërtetën vijuese: Rivendosja e ungjillit i ndihmon ata që besojnë në Krishtin për ta shtuar besimin dhe për t’i kapërcyer fatkeqësitë e ditëve të fundit.

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844):

Profeti Jozef Smith

“[Profetët] e kanë shpresuar me pritje të gëzuar ditën në të cilën jetojmë ne; dhe të frymëzuar me pritje qiellore dhe të gëzueshme ata kanë kënduar dhe shkruar dhe profetizuar për këtë ditën tonë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 194).

  • Përse profetët e së shkuarës mezi e kanë pritur ditën tonë? (Një ide që studentët ka mundësi ta përcaktojnë është që Rivendosja do të përhapet përmes globit dhe do ta përgatitë botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

Shfaqeni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli dhe kërkojuni disa studentëve ta lexojnë atë me radhë me zë të lartë:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Vëllezërit dhe motrat e mi, a e kuptoni se çfarë kemi? A e dalloni vendin tonë në dramën e madhe të historisë njerëzore? Kjo është pika qendrore e të gjithë asaj që ka ndodhur më parë. …

… Vepra e të Plotfuqishmit në ditët e mëvonshme, ajo për të cilën folën të lashtët, ajo për të cilën profetizuan profetët dhe apostujt, ka ardhur. Është këtu. Për një arsye të panjohur për ne, por në urtësinë e Perëndisë, ne jemi privilegjuar të vijmë në tokë në këtë epokë të lavdishme. …

Bazuar në atë që kemi dhe atë që dimë, ne duhet të jemi një popull më i mirë se sa jemi. Ne duhet të jemi më të ngjashëm me Krishtin, më falës, më ndihmues dhe më të vëmendshëm ndaj gjithë njerëzve përreth nesh.

Ne qëndrojmë në pikën kulmore të epokave, të mahnitur nga ndjenja e madhërishme dhe solemne e historisë. Kjo është periudha e fundit dhe përfundimtare e kujdestarisë ungjillore, drejt së cilës ka treguar gjithçka nga e kaluara. Unë jap dëshmi dhe dëshmoj për realitetin dhe vërtetësinë e këtyre gjërave” (“At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 74).

  • Çfarë mendimesh e ndjenjash nxit brenda jush thënia “ne qëndrojmë në pikën kulmore të epokave”?

  • Nëse nuk është shumë vetjake, tregoni një përvojë nga jeta juaj që e forcoi dëshminë tuaj për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

  • Çfarë mund të bëjmë për ta treguar mirënjohjen tonë për Rivendosjen e ungjillit?

Materiale Leximi për Studentin