Biblioteka
Mësimi 7: Shpallni Ungjillin e Përjetshëm


7

Shpallni Ungjillin e Përjetshëm

Hyrje

Doktrina e Besëlidhje përmban zbulesa nga Zoti për anëtarë të caktuar të Kishës, nëpërmjet Profetit Jozef Smith, duke i urdhëruar anëtarët të shpallnin pendim dhe të mblidhnin të zgjedhurit e Tij. Kisha u rrit me të shpejtë teksa misionarë u thirrën nga Profeti Jozef Smith dhe u bënë mjete në duart e Zotit. Anëtarët e Kishës sot marrin bekime nga puna misionare kur ata e dallojnë dhe e përmbushin përgjegjësinë e tyre për të ndihmuar në shpërndarjen e ungjillit.

Lexim Konteksti

  • Nil L. Andersen, “Është një Mrekulli”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 77–80.

  • L. Tom Perry, “Sillni Shpirtra tek Unë”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 109–112.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 29:4–7; 33:2–7

Zoti thërret shërbëtorë që të ndihmojnë për t’i mbledhur fëmijët e Tij

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910-2008) dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Presidenti Gordon B. Hinkli

“Puna misionare është gjaku jetëdhënës i Kishës. Është mjeti kryesor me anë të të cilit ajo rritet. Është për shkak të këtij shërbimi që Kisha ka arritur përmasën e saj të tanishme” (“Missionary Service”, Mbledhja e Parë Mbarëbotërore për Trajnimin e Udhëheqjes, 11 janar 2003, f. 17).

  • Sipas mendimit tuaj, në çfarë mënyrash mund të konsiderohet puna misionare “gjaku jetëdhënës i Kishës”?

Shpjegoni se në fillim të Rivendosjes, individët shpesh e pyetën Profetin që të kërkonte zbulesa në emër të tyre, për t’i ndihmuar ata të dinin se si të mund të luanin rol në punën e Zotit. Nganjëherë këto zbulesa u morën për një individ të vetëm dhe nganjëherë për shumë individë. Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje 33 është një shembull i një zbulese të marrë në emër të dy individëve: Ezra Thajrit (ose Thajërit) dhe Northrop Suitit.

Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 33:2–7. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalë, fraza ose simbole që Zoti i përdori, të cilat gjejnë zbatim ndaj rolit tonë në punën misionare dhe të cilat theksojnë rëndësinë e shpalljes së ungjillit në ditët e mëvonshme.

  • Çfarë simbolesh përdori Zoti? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të doni t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë.)

  • Si e ilustrojnë këto simbole rolin tuaj në punën misionare dhe si e theksojnë rëndësinë e shpalljes së ungjillit?

Ftojini studentët të studiojnë me kujdes vargun 6 dhe të përcaktojnë atë që arrihet, ndërkohë që ne ua shpallim ungjillin të tjerëve. Më pas u kërkoni të thonë me fjalët e veta atë që gjetën. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur ua shpallim ungjillin e Jezu Krishtit të tjerëve, ne ndihmojmë për t’i mbledhur të zgjedhurit e Zotit. Ju mund të doni të tregoni se pas kësaj zbulese, Ezra Thajri “e mbushi hambarin e tij” me njerëz që të dëgjonin Jozef Smithin dhe njerëz të tjerë duke predikuar ungjillin [Documents, Vëllimi 1: korrik 1828–qershor 1831, vëll. 1 i serisë Documents të The Joseph Smith Papers (2013), f. 206].)

Ndani me studentët përkufizimin vijues për mbledhjen e Izraelit nga Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Mbledhja e Izraelit përbëhet nga të besuarit, të pranuarit dhe të jetuarit në përputhje me të gjitha ato që Zoti i ofroi dikur popullit të tij të lashtë, të zgjedhur. … Ajo përbëhet nga besimi në ungjillin, bashkimi me Kishën dhe hyrja në mbretërinë” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 515).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë tregimin vijues rreth disa prej misionarëve të parë, të thirrur pas organizimit të Kishës. Vëreni klasën të dëgjojë për mënyrën se si këta misionarë të hershëm ia dolën me sukses të mblidhnin disa prej të zgjedhurve të Zotit.

“[Në vjeshtën e vitit 1830], Zoti i zbuloi Jozef Smithit se Oliver Kaudëri, Piter Uitmer i Riu, Parli P. Prati dhe Ziba Pitersoni duhej të ‘shko[nin] te Lamanitët dhe t’u prediko[nin] atyre ungjillin tim’ (DeB 28:8; 30:5–6; 32:1–3). Këta misionarë udhëtuan rreth 2.400 kilometra, duke predikuar për një kohë të shkurtër mes fiseve të ndryshme të indianëve. … Megjithatë, suksesi më i madh i misionarëve erdhi kur ata u ndalën në zonën e Kirtlandit të Ohajos. Atje ata pagëzuan rreth 130 të kthyer në besim, kryesisht ndërmjet [grumbullimeve] të baptistëve të reformuar të Sidni Rigdonit, duke hapur atë që do të bëhej një vend mbledhjeje për qindra anëtarë të Kishës në vitin pasues. Misionarët gjetën gjithashtu disa të kthyer në besim midis kolonëve në kontenë Xhekson të Misurit, ku do të themelohej më vonë qyteti i Sionit” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 159; shih edhe Richard Dilworth Rust, “A Mission to the Lamanites: D&C 28, 30, 32”, seritë Revelations in Context, 22 shkurt 2013, history.lds.org).

Shpjegoni se këto biseda në Ohajon veriore e shtuan më shumë se dyfish anëtarësinë e Kishës në atë kohë.

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 29:4–7, duke kërkuar një përshkrim të shprehjes “të zgjedhurit e Zotit”.

  • Si i përshkroi Shpëtimtari të zgjedhurit e Tij?

Shpjegojuni studentëve se puna e misionarëve të parë duke shërbyer jashtë Amerikës Veriore përfshin një shembull mbresëlënës të mënyrës se si Zoti i përdor shërbëtorët e Tij për t’i mbledhur të zgjedhurit e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të dëgjojë për këshillën e Profetit Jozef Smith drejtuar Plakut Hibër C. Kimball (1801–1868).

“Hibër C. Kimballi, një anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, kujtoi: ‘Rreth ditës së parë të qershorit 1837, Profeti Jozef erdhi tek unë, ndërsa isha i ulur në … Tempull, në Kirtland dhe, duke më pëshpëritur, më tha: “Vëllai Hibër, Shpirti i Zotit më ka pëshpëritur: ‘Shërbëtori im Hibër le të shkojë në Angli, dhe të predikojë ungjillin tim, dhe të hapë derën e shpëtimit për atë komb’”.’ Plaku Kimball u hutua nga mendimi i një ndërmarrjeje të tillë: ‘E ndieja veten si një prej më të dobëtëve fare prej shërbëtorëve të Perëndisë. E pyeta Jozefin se çfarë duhej të thosha kur të shkoja atje; ai më tha të shkoja tek Zoti dhe Ai do të më udhëhiqte e do të fliste përmes meje me anë të të njëjtit shpirt që [e drejtonte] atë.’

Profeti u drejtoi thirrje gjithashtu Orson Hajdit, Uillard Riçardsit dhe Jozef Fildingut në Kirtland, si dhe Isak Rasëllit, Xhon Snajdërit dhe Xhon Gudsanit në Toronto të Kanadasë. Këta vëllezër duhet të bashkoheshin me Plakun Kimball në misionin e tij në Angli. Të mbledhur në Nju-Jork-Siti, ata lundruan me anijen Gerik drejt Britanisë së Madhe më 1 korrik 1837. [Ky] mision i parë jashtë Amerikës së Veriut solli në Kishë rreth 2.000 të kthyer në besim gjatë vitit të parë të misionarëve në Angli. Plaku Kimball i shkroi me gëzim Profetit: ‘Lavdi Perëndisë, Jozef, Zoti është me ne mes kombeve!’

Një mision i dytë i apostujve në Britani, duke përfshirë shumicën e anëtarëve të Të Dymbëdhjetëve nën udhëheqjen e Brigam Jangut, u drejtua nga Profeti prej Navusë. Të nisur në vjeshtën e 1839-ës, Të Dymbëdhjetët arritën në Angli në vitin 1840. Atje ata filluan një punë që deri në vitin 1841 do të sillte mbi 6.000 të kthyer në besim në Kishë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 349, 351).

  • Çfarë këshille mori Hibër C. Kimballi nga Profeti Jozef Smith?

  • Përshkruani një kohë kur e përjetuat ndihmën e Zotit në përpjekjet tuaja për ta shpërndarë ungjillin.

Doktrina e Besëlidhje 4:1–7; 18:10–16; 31:1–12; 34:5–6; 39:20–23; 88:81

Ata që janë paralajmëruar duhet të paralajmërojnë të afërmit e tyre

Shpjegoni se Doktrina e Besëlidhje në mënyrë të përsëritur i kujton anëtarët e Kishës për përgjegjësinë dhe bekimet e pjesëmarrjes në punën misionare. Përgjegjësia jonë për ta ndarë ungjillin me të tjerët është një model dhe temë e përsëritur në zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje. Të mësuarit për t’i dalluar modelet dhe temat i aftëson lexuesit që të ushqehen akoma më me bollëk me fjalët e Krishtit (shih David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” [mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007], speeches.byu.edu).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 88:81 dhe më pas të përmbledhin me vetë fjalët e tyre mënyrën se si ajo zbatohet tek anëtarët e tanishëm të Kishës. (Një përgjigje që mund ta japin studentët është që të gjithë ata që e kanë pranuar ungjillin e Jezu Krishtit, kanë një detyrë për ta ndarë atë me të tjerët.)

Paraqitni figurën vijuese ose kopjojeni atë në tabelë. Ndajeni klasën në tri grupe dhe caktojini secilit grup një nga fragmentet e shkrimit të shenjtë. Vërini studentët të lexojnë fragmentet e caktuara atyre dhe të kërkojnë përgjegjësitë dhe bekimet e premtuara për ndarjen e ungjillit.

Përgjegjësitë

Bekimet

Doktrina e Besëlidhje 4:1–7

Doktrina e Besëlidhje 18:10–16

Doktrina e Besëlidhje 31:1–12

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të ndajnë gjetjet e tyre me klasën.

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Vëreni klasën të dëgjojë përshkrimin e Plakut Bednar për përgjegjësinë tonë individuale për ta shpërndarë ungjillin.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Dishepujt e përkushtuar të Jezu Krishtit gjithmonë kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë misionarë të guximshëm. Një misionar është një pasues i Krishtit, i cili dëshmon për Të se Ai është Shëlbuesi dhe shpall të vërtetat e ungjillit të Tij.

Kisha e Jezu Krishtit gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë një kishë misionare. Anëtarët individualë të Kishës së Shpëtimtarit kanë pranuar detyrimin solemn që të ndihmojnë në përmbushjen e misionit hyjnor, të dhënë nga Zoti Apostujve të Tij, siç shënohet në Dhiatën e Re:

‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.

Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen’ (Mateu 28:19–20).

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme e marrin me seriozitet këtë përgjegjësi për t’u mësuar gjithë njerëzve në mbarë kombet rreth Zotit Jezu Krisht dhe ungjillit të Tij të rivendosur. …

Me të vërtetë, ne ndiejmë një përgjegjësi solemne për t’ia çuar këtë mesazh çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli” (“Ejani dhe Shikoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 107).

  • Përse anëtarët e Kishës së Shpëtimtarit e shohin punën misionare si një detyrim solemn?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të përsiatë përse ata mund të dëshirojnë ta marrin parasysh për t’u bërë më të zellshëm në shpërndarjen e ungjillit.

Plaku L. Tom Peri

“Ungjilli përqendrohet te Shlyerja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Shlyerja siguron fuqinë për t’i pastruar mëkatet, për të shëruar dhe për të dhënë jetë të përjetshme. Të gjitha bekimet e paparashikueshme të Shlyerjes mund t’u jepen vetëm atyre që i jetojnë parimet dhe i marrin ordinancat e ungjillit – besim te Jezu Krishti, pendim, pagëzim, marrje të Frymës së Shenjtë dhe durim deri në fund. Mesazhi ynë i madhërishëm misionar drejtuar botës është që i gjithë njerëzimi [është i ftuar] që të shpëtohet dhe që të hyjë në tufën e Bariut të Mirë, madje Jezu Krishtit.

Mesazhi ynë misionar forcohet nga dituria për Rivendosjen. Ne e dimë që Perëndia u flet profetëve të Tij sot, ashtu sikurse Ai u foli në lashtësi. Ne gjithashtu e dimë që ungjilli i Tij administrohet me fuqinë dhe autoritetin e priftërisë së rivendosur. Asnjë mesazh tjetër nuk ka domethënie kaq të madhe, të përjetshme për çdo njeri që jeton në tokë sot” (“Sillni Shpirtra tek Unë”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 110–111).

  • Si mendoni, përse secili prej nesh duhet të bëhet më i zellshëm në shpërndarjen e ungjillit? (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: Kur e ndajmë ungjillin me të tjerët, ne u ofrojmë atyre afrimin te bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit.)

Ftojini studentët të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 34:5–6; 39:20–23, duke kërkuar një arsye tjetër të rëndësishme përse Zoti na ka urdhëruar që ta ndajmë mesazhin e ungjillit me të tjerët. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Kur e ndajmë mesazhin e ungjillit me të tjerët, ne i ndihmojmë ata të përgatiten për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.)

  • Si ju ndihmon të kuptuarit e domethënies së përjetshme të ungjillit që të nxiteni për ta ndarë atë me njerëzit që nuk janë të besimit tonë?

  • Përshkruani një përvojë që e keni pasur me ndarjen e mesazhit të ungjillit me të tjerët.

Jepuni studentëve disa minuta që të përsiatin dhe të shkruajnë atë që mund të bëjnë për të marrë pjesë në shpërndarjen e ungjillit. Për shembull, ata mund të shkruajnë emrin e dikujt që e njohin, i cili nuk është tashmë anëtar i Kishës, dhe të zotohen për ta ndarë ungjillin me atë njeri. Ftojini disa studentë të ndajnë atë që planifikojnë të bëjnë. Nxitini studentët të veprojnë sipas ndonjë përshtypjeje që e kanë marrë dhe të luten çdo ditë për një mundësi për ta ndarë ungjillin me të tjerët.

Materiale Leximi për Studentin