21
Misioni Profetik i Jozef Smithit
Pas martirizimit të Jozef Smithit, Plaku Xhon Tejlor, i cili ishte me Jozef Smithin kur u vra, i thuri lavde Profetit (ndoshta në bashkëpunim me një ose më shumë shenjtorë) duke shënuar: “Joseph Smith-i, Profeti dhe Shikuesi i Zotit, ka bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër që jetoi ndonjëherë në të” (DeB 135:3). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët që të kuptojnë se si shërbesa e Profetit i përmbushi profecitë e lashta. Ky mësim gjithashtu do të shqyrtojë ndihmesat që bëri Jozef Smithi për shpëtimin e gjithë fëmijëve të Perëndisë.
Lexim Konteksti
Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 28–31.
Ted R. Kelister, “Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 35–37.
“D&C 135:3. Joseph Smith Has Done More for the Salvation of Men Than Anyone Other Than Jesus”, Doctrine and Covenants Student Manual (Church Educational System manual, 2001), f. 349–350.
Sugjerime për Mësimdhënien
2 Nefi 3:1–21
Misioni i parashuguruar i Jozef Smithit
Kërkojuni studentëve të tregojnë gjënë e parë që ju vjen në mendje kur mendojnë për Jozef Smithin. Ftojini disa studentë që shkurtimisht të tregojnë për një rast kur ata ishin mirënjohës për Profetin Jozef Smith.
Tregojuni studentëve se profeti Nefi shënoi disa këshilla që Lehi ia dha birit të tij, Jozefit. Kjo këshillë shënohet te 2 Nefi 3 dhe përfshin një profeci që Jozefi i Egjiptit e dha lidhur me familjen e Lehit dhe ditët e mëvonshme. Ndoshta Lehi i mësoi këto profeci nga leximi i fletëve prej tunxhi. Te 2 Nefi 3, ne mësojmë se Jozefi i Egjiptit parashikoi misionin e ditëve të mëvonshme të Jozef Smithit. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 3:6–9. Nxiteni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë mënyrën se si Jozefi i Egjiptit e përshkroi Jozef Smithin.
Cilat janë disa fjalë ose fraza që Jozefi i Egjiptit i përdori për të përshkruar Jozef Smithin? (Përgjigjet mund të përfshijnë “shikues i zgjedhur”, “vlerësohet shumë”, “[i] madh në sytë e mi” dhe “i madh si Moisiu”. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto shprehje në shkrimet e tyre të shenjta; në anë të faqes pranë vargjeve 6–9, ata gjithashtu mund të shkruajnë Jozef Smithi.)
Në çfarë mënyrash ishte Jozef Smithi si Moisiu dhe Jozefi i Egjiptit? (Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 50:24–35 [në fund të Kombinimit Tresh].)
Sipas vargjeve 7–8, çfarë parashikoi Jozefi i Egjiptit lidhur me shërbesën e Jozef Smithit? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë këtë të vërtetë: Jozef Smithi do të ngrihej lart nga Zoti për t’i sjellë njerëzit te një dituri e besëlidhjeve të Tij dhe për ta bërë punën e Tij.)
Ftojini studentët të punojnë në dyshe dhe të studiojnë 2 Nefin 3:7, 11–15, 18–21. Kërkojini secilës dyshe të bëjë një listë të asaj që shkrimet e shenjta thonë se do të bënte Jozef Smithi për të ndihmuar në përmbushjen e veprës së Zotit. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta bëjnë këtë listë duke shenjuar fraza të rëndësishme që i gjejnë në këto vargje. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që të tregojnë atë që gjetën. (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: t’i sjellë njerëzit në njohurinë e besëlidhjeve [vargu 7]; të sjellë në dritë Librin e Mormonit [vargjet 13, 18–21]; t’i bindë njerëzit për vërtetësinë e Biblës [vargu 11]; të bëhet i fortë [vargu 13]; dhe të sjellë popullin në shpëtim [vargu 15].)
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Brigam Jang (1801–1877) dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Ishte dekretuar në këshillat e përjetësisë, shumë kohë më parë se të hidheshin themelet e tokës, se ai, Jozef Smithi, duhej të ishte njeriu, në periudhën e fundit ungjillore të kësaj bote, që do t’ia sillte fjalën e Perëndisë njerëzve. … Zoti e kishte ruajtur atë dhe atin e tij, dhe atin e atit të tij, dhe paraardhësit e tyre të gjithë deri tek … Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak ndërsa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri te lindja e atij njeriu. Ai u parashugurua në përjetësi që të kryesonte mbi këtë periudhë të fundit të kujdestarisë ungjillore” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 343).
Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e misionit të parashuguruar të Jozef Smithit, diskutoni sa vijon:
Përse është e rëndësishme për ju të dini se Jozef Smithi u parashugurua dhe u përgatit në jetën para lindjes që të ishte Profeti i Rivendosjes?
Doktrina e Besëlidhje 135:3
Jozef Smithi ka “bërë më shumë, përveç Jezusit vetëm, për shpëtimin e njerëzve”
Kërkojuni studentëve të tregojnë se çfarë do të bënin ose dëshmonin rreth Jozef Smithit nëse do t’iu jepeshin vetëm pak fjali për ta bërë këtë. Shpjegoni se pas vdekjes së Jozef Smithit, një nderim për Jozef Smithin u shkrua dhe më vonë u ruajt për ne në Doktrinën e Besëlidhjet. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë fjalinë e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve 135. Pyesni:
Çfarë e vërtete rreth Jozef Smithit shpallet në këtë fjali? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Jozef Smithi ka bërë më shumë për shpëtimin e njerëzve në këtë botë sesa çdo njeri tjetër përveçse Jezusit.)
Për t’i rishikuar punën dhe ndihmesat e Profetit Jozef Smith, organizojini studentët në grupe të vogla. Caktojini ata të hedhin një sy të shpejtë përmes Doktrinës e Besëlidhjeve dhe të mendojnë sërish për mësimet e diskutuara në këtë kurs deri në këtë pikë. Kërkojuni atyre të bëjnë një listë të bekimeve dhe doktrinave të rivendosura nëpërmjet Profetit Jozef Smith, të cilat luajnë rol në shpëtimin tonë. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të përzgjedhin një gjë në listën e tyre dhe t’i tregojnë grupit të tyre se si ajo e ndikon jetën e tyre dhe i çon ata drejt shpëtimit.
Për t’i përmbledhur përgjigjet e studentëve, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Ted R. Kelister, i cili shërbeu në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë ndërsa studentët e tjerë e ndjekin:
“Nëpërmjet Jozef Smithit janë rivendosur gjithë fuqitë, çelësat, mësimet dhe ordinancat e domosdoshme për shpëtim dhe ekzaltim. Nuk mund të shkoni askund tjetër në botë dhe t’i merrni ato. Nuk gjenden në asnjë kishë tjetër. Nuk gjenden në asnjë filozofi të njeriut apo përmbledhje shkencore, apo pelegrinazh vetjak, sado intelektuale të duken. Shpëtimi gjendet vetëm në një vend, ashtu siç u krijua nga Vetë Zoti, kur tha se kjo është ‘[e vetmja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tokës’ (DeB 1:30)” (“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 37).
Jepuni studentëve një çast që të përsiatin se si shërbesa e Jozef Smithit ka luajtur rol në vetë shpëtimin e tyre dhe më pas pyesni:
Në çfarë mënyrash të veçanta mund të ishte jeta juaj e ndryshme pa shërbesën e Profetit Jozef Smith?
Doktrina e Besëlidhje 122:1–2; Joseph Smith – Historia 1:33
Emri i Jozefit do të “mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve”
U thoni studentëve se, pavarësisht nga gjithë e mira që përmbushi Jozef Smithi, ai pati shumë kritikues, veçanërisht pranë fundit të jetës së tij. Ky aspekt i jetës së tij gjithashtu u parashikua nga profetët e lashtë (shih, për shembull, 3 Nefi 21:10). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë atë që Moroni i tha Jozef Smithit rreth atyre njerëzve që do ta kundërshtonin atë, sikurse shënohet te Joseph Smith – Historia 1:33. Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 122:1–2. Ndihmojini studentët të shprehin një të vërtetë që gjendet në këto fragmente duke pyetur:
Si do ta përmblidhnit atë që mësojmë nga këto dy fragmente të shkrimit të shenjtë rreth mënyrës se si njerëzit do t’i përgjigjeshin Jozef Smithit? (Teksa studentët i japin përmbledhjet e tyre të sugjeruara, ndihmojini të kuptojnë këtë të vërtetë: Ndërkohë që shumë njerëz në botë do ta përmendin Jozef Smithin me përçmim, të drejtët do të kërkojnë bekimet e bëra të mundshme nëpërmjet shërbesës së tij.)
Si mendoni, përse Profeti Jozef Smith ka kaq shumë kritikë dhe armiq, edhe pse shumë vite kanë kaluar që nga vdekja e tij? (Një dëshmi për Rivendosjen mbështetet në atë që Jozef Smithi ishte ose jo një profet, i cili kreu punën e Perëndisë. Si rrjedhim, Satani vazhdon të përpiqet për ta diskredituar Jozef Smithin.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Shumë nga ata që nuk e pranojnë punën e Rivendosjes, thjesht nuk besojnë se qenie qiellore u flasin njerëzve në tokë. E pamundur, thonë ata, që fletët e arta të jenë dorëzuar nga një engjëll dhe të jenë përkthyer nga fuqia e Perëndisë. Prej atij mosbesimi, ata e hedhin poshtë me ngut dëshminë e Jozefit dhe disa fatkeqësisht zhyten më tej deri në zhvlerësim të jetës së Profetit dhe përgojim të karakterit të tij.
Ne jemi veçanërisht të trishtuar kur dikush që dikur e nderonte Jozefin, tërhiqet nga bindja e tij apo e saj dhe më pas e merr nëpër gojë Profetin.
‘Ta studiosh Kishën … përmes syve të braktisësve të saj’, tha një herë Plaku Nil A. Maksuell, është ‘njësoj si të intervistosh Judën për të kuptuar Jezusin. Braktisësit përherë na tregojnë më shumë për veten sesa për atë nga e cila janë larguar’ [“All Hell Is Moved” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 8 nëntor 1977), f. 3; speeches.byu.edu]. …
Komentet negative rreth Profetit Jozef Smith do të shtohen teksa lëvizim drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Gjysmë-të-vërtetat dhe mashtrimet e holla nuk do të pakësohen. Do të ketë anëtarë të familjes dhe miq të cilët do të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Tani është koha që [të përgatiteni] për t’i ndihmuar të tjerët që po e kërkojnë të vërtetën” (“Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 28–30).
Diskutoni pyetjet vijuese:
Përse është e dobishme të jeni të vetëdijshëm se, edhe pse shumë vite kanë kaluar që nga vdekja e Jozef Smithit, armiqtë e Kishës vazhdojnë ta sulmojnë famën e tij?
Çfarë mund të bëjmë që t’i ndihmojmë ata, të cilët po kërkojnë të vërtetën, për ta ditur se Jozef Smithi është një profet i Perëndisë?
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Nil L. Andersen dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Një kërkues i sinqertë duhet ta shikojë përhapjen e ungjillit të rivendosur si frytin e punës së Zotit nëpërmjet Profetit. …
Jezusi tha:
‘Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira. …
Do t’i njihni … nga frytet e tyre’ [Mateu 7:18, 20].
Këto shpjegime janë bindëse, por kërkuesi i sinqertë nuk duhet të mbështetet vetëm tek ato për të vendosur lidhur me kërkimin e tij apo të saj për të vërtetën.
Çdo besimtar ka nevojë për një pohim shpirtëror për misionin dhe karakterin hyjnor të Profetit Jozef Smith. Kjo është e vërtetë për çdo brez. Pyetjet shpirtërore meritojnë përgjigje shpirtërore nga Perëndia” (“Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 29–30).
Jepuni studentëve mundësi që të dëshmojnë për Profetin Jozef Smith duke iu bërë pyetjet vijuese:
Cilat aspekte të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i shihni si provë e misionit profetik të Jozef Smithit?
Çfarë përvojash keni pasur që kanë luajtur rol në dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith?
Mbylleni duke paraqitur thëniet vijuese nga Bathshiba W. Smithi (1822–1910), që shërbeu si presidentja e katërt e përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe nga Presidenti Brigam Jang (1801–1877). Si Motra Smith ashtu edhe Presidenti Jang e njohën Jozef Smithin kur ishte gjallë. Ftojeni një student t’i lexojë këto thënie me zë të lartë:
“Kur e dëgjova Ungjillin, unë e dija se ishte i vërtetë; kur e lexova për herë të parë Librin e Mormonit, unë e dija se ishte i frymëzuar nga Perëndia; kur e pashë për herë të parë Jozef Smithin, unë e dija se qëndroja ballë për ballë me një profet të Perëndisë së gjallë dhe nuk kisha asnjë dyshim në mendjen time rreth autoritetit të tij” (Bathshiba W. Smith, cituar në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 34).
“Më vjen të thërras, aleluja, gjithë kohës, kur mendoj se dikur e njoha Jozef Smithin, Profetin që Zoti e ngriti dhe e shuguroi, dhe të cilit i dha çelësat dhe fuqi për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë mbi tokë e për ta mbështetur atë” (cituar në Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 529).
Ftojini studentët të marrin parasysh dëshminë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe çfarë mund të bëjnë ata për t’ua treguar të tjerëve atë, qoftë vetë ose duke përdorur mediat shoqërore. Nxitini ata të përcaktojnë dikë të cilit do të donin t’ia thonin këtë dëshmi dhe më pas ndiqeni ecurinë e dëshirës së tyre.
Materiale Leximi për Studentin
2 Nefi 3:1–21; Doktrina e Besëlidhje 122:1–2; 135:3; Joseph Smith – Historia 1:33.
Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 28–31.
Ted R. Kelister, “Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 35–37.