11
Zëri i Zotit te Doktrina e Besëlidhje
Hyrje
Doktrina e Besëlidhje është provë që Perëndia u flet profetëve në ditët e mëvonshme dhe që Ai po e përgatit botën për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Kur i lexojmë zbulesat që gjenden te Doktrina e Besëlidhje, ne mund të dëgjojmë zërin e Jezu Krishtit. Kur arrijmë ta kuptojmë rëndësinë e Doktrinës e Besëlidhjeve, ne vërtet do t’i vlerësojmë mësimet e saj mbi të gjithë pasurinë e tokës.
Lexim Konteksti
Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, janar 2005, f. 24–28.
Sugjerime për Mësimdhënien
Parathënia për Doktrinën e Besëlidhjet
Zëri i Zotit te Doktrina e Besëlidhje
Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994). Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë ndërsa klasa e ndjek.
“Libri i Mormonit i sjell njerëzit te Krishti. Doktrina e Besëlidhje i sjell njerëzit te mbretëria e Krishtit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e ‘vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut’ [DeB 1:30]. Unë e di këtë.
Libri i Mormonit është ‘gurthemeli’ i fesë sonë dhe Doktrina e Besëlidhje është guri kulmor, me zbulesën e vazhdueshme të ditëve të mëvonshme. Zoti e ka vendosur vulën e Tij të miratimit si mbi gurin e themelit, ashtu edhe mbi gurin kulmor” (“The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, janar 2005, f. 26).
Çfarë keni gjetur te Doktrina e Besëlidhje që tregon rëndësinë e librit për Kishën dhe për anëtarët individualë?
Kërkojini klasës t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te parathënia për Doktrinën e Besëlidhjet, që gjendet në fillimin e Doktrinës e Besëlidhjeve. Ftojini dy studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë paragrafët një dhe tre, teksa pjesa tjetër e klasës i ndjek. Vëreni klasën të kërkojë mënyra sipas të cilave Doktrina e Besëlidhje ndryshon nga librat e tjerë të shkrimit të shenjtë dhe të vërë në dukje theksimet e parathënies lidhur me dëgjimin e zërit të Zotit. Më pas pyetni:
Si është Doktrina e Besëlidhje e ndryshme nga veprat e tjera standarde?
Çfarë thotë parathënia rreth “zëri[t] … të Zotit Jezu Krisht”? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se kur e studiojmë Doktrinën e Besëlidhjet, ne mund të mësojmë që ta dallojmë zërin e Zotit Jezu Krisht. Shpjegoni se fraza “zëri i Zotit” ose një variant i saj, gjendet më shumë se 40 herë te Doktrina e Besëlidhje [për shembull, shih DeB 1:2; 18:35–36; 76:30]; fraza “kështu thotë Zoti” gjendet më shumë se 60 herë te Doktrina e Besëlidhje [për shembull, shih DeB 36:1; 56:14].) Të dëgjuarit e zërit të Zotit është një temë e rëndësishme te Doktrina e Besëlidhje.
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë ndërsa klasa e ndjek.
“Nëse pyeten se cili libër i shkrimit të shenjtë jep mundësinë më të shpeshtë për ta ‘dëgjuar’ Zotin të flasë, shumica e individëve fillimisht do të mendonin për Dhiatën e Re. Dhiata e Re është një përmbledhje e mrekullueshme e veprimeve dhe e shumë prej doktrinave të Mesias. Por te Doktrina e Besëlidhje ne marrim zërin, si edhe fjalën e Zotit. Ne pothuajse mund ta ‘dëgjojmë’ atë duke folur” (“The Doctrine and Covenants: The Voice of the Lord”, Ensign, dhjetor 1978, f. 4).
Si mund të sjellë një ndryshim në jetën tuaj të mësuarit për ta dëgjuar e dalluar zërin e Zotit nëpërmjet studimit të Doktrinës e Besëlidhjeve?
Jepuni studentëve disa minuta që të studiojnë paragrafin e tetë të parathënies së Doktrinës e Besëlidhjeve. Kërkojuni atyre të përcaktojnë doktrinat që shënohen te Doktrina e Besëlidhje. Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:
Çfarë e bën Doktrinën e Besëlidhjet “me më shumë vlerë [për Kishën] se sa pasuritë e gjithë tokës”?
Merrni parasysh atë që Plaku Stiven E. Snou, i Të Shtatëdhjetëve, tha rreth zbulesave që gjenden te Doktrina e Besëlidhje:
“Nëpërmjet këtyre zbulesave frymëzuese dhe lartësuese, Doktrina e Besëlidhje na mëson dhe na përsërit një doktrinë të rëndësishme. … Plaku Xhon A. Uitso (1872–1952) shkroi: ‘Çdo doktrinë e dhënë mësim në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjendet, qoftë e nënvizuar ose e nxjerrë në pah, në Librin e Doktrinës e Besëlidhjeve. Për aq sa di unë, nuk ka asnjë doktrinë të dhënë mësim nga Kisha, e cila nuk gjendet në një farë mënyre ose forme në këtë libër.’ Ai shtoi se Doktrina e Besëlidhje është thelbësore ngaqë ‘asnjë libër tjetër i librave tona të shenjta nuk mund të bëjë të njëjtën shpallje për një vëzhgim të plotë të të gjitha doktrinave të Kishës’ [The Message of the Doctrine and Covenants (1969), f. 117]” (“Treasuring the Doctrine and Covenants”, Ensign, janar 2009, f. 52).
Ftojini studentët të tregojnë se si studimi i Doktrinës e Besëlidhjeve e ka bekuar jetën e tyre.
Doktrina e Besëlidhje 1:1–17; 5:10
Sfondi Historik i Doktrinës e Besëlidhjeve
Shpjegojuni studentëve se zbulesa e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 1 fillimisht u dha nga Zoti si një parathënie për Librin e Urdhërimeve, i cili ishte përmbledhja e parë e zbulesave të Jozef Smithit. Kjo përmbledhje e zbulesave, së bashku me më shumë prej zbulesave të Profetit dhe Lectures on Faith [Leksione mbi Besimin], u botuan më vonë si Doktrina e Besëlidhje. Seksioni 1 i drejtohet nevojës për këtë libër të shkrimit të shenjtë në kohën tonë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 1. Ndihmojini studentët ta analizojnë hyrjen e seksionit duke bërë pyetjen vijuese:
Për çfarë vendimi u ra dakord te konferenca e veçantë e pleqve? (Zbulesat që Jozef Smithi i mori deri në këtë kohë, do të botoheshin në një libër. Kujtojini studentët se, edhe pse ky libër u quajt fillimisht Libri i Urdhërimeve, ai më vonë do të quhej Doktrina e Besëlidhje.)
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 1:1–5. Më pas pyeteni klasën:
Kujt po i fliste Jezu Krishti në këto vargje?
Si do ta përmblidhnit mesazhin qendror të shënuar në këto vargje?
Si tha Zoti se do t’ua dorëzonte paralajmërimet e Tij të gjithë njerëzve? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Zoti ua thotë paralajmërimet e Tij të gjithë njerëzve nëpërmjet dishepujve të Tij të zgjedhur.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 1:12. Më pas pyetni:
Sipas shënimit 12b në fund të faqes, për cilën ngjarje dëshiron Zoti të përgatitet bota? (Pasi studentët të përgjigjen, ju mund t’i nxitni që t’u drejtohen rregullisht shënimeve në fund të faqeve për ta qartësuar e thelluar kuptueshmërinë e tyre për tekstin e shkrimit të shenjtë.)
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 1:14–16, duke kërkuar përshkrimin e Zotit për botën në të cilën jetojmë. Pasi studentët të tregojnë atë që kanë gjetur, kërkojuni atyre të lexojnë vargun 17 dhe të shpjegojnë atë që Zoti e bëri për t’iu drejtuar problemit të përshkruar te vargjet 14–16.
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 5:10 ndërsa klasa e ndjek. Më pas diskutoni pyetjet vijuese:
Çfarë mësoni nga ky fragment rreth thirrjes së pashoqe të Jozef Smithit? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Zoti e thirri Jozef Smithin që t’ia jepte fjalën e Tij botës.)
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në gjithçka tjetër që ai përmbushi … Jozef [Smithi] na la neve, mbi gjithçka tjetër, trashëgiminë e patundur të zbulesës hyjnore – jo të një zbulese të vetme, të izoluar, pa provë ose pasojë, dhe jo ‘një lloj të zbutur të frymëzimit duke depërtuar në mendjet e të gjithë njerëzve të mirë’ kudo, por të udhëzimeve të veçanta, të dokumentuara, të vazhdueshme nga Perëndia. Si një mik i mirë dhe një studiues besnik SHDM e ka thënë atë në mënyrë të përmbledhur: ‘Në një kohë kur fillesat e krishtërimit ishin nën sulmin e forcave të arsyetimit të Ndriçimit të Mendjes, Jozef Smithi [pa asnjë mëdyshje dhe i vetëm] e ktheu krishtërimin modern drejt fillesës së tij me anë të zbulesës’ [Richard L. Bushman, “A Joseph Smith for the Twenty-First Century”, te Believing History (2004), f. 274]” (“Prophets, Seers, and Revelators”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 8).
Si e ka thelluar ky mësim kuptueshmërinë tuaj për qëllimin dhe rëndësinë e Doktrinës e Besëlidhjeve?
Si e ka forcuar Doktrina e Besëlidhje dëshminë tuaj për thirrjen hyjnore të Jozef Smithit si një profet i Perëndisë?
Mbylleni duke pyetur nëse ndonjë nga studentët do të donte të ndante dëshminë e vet për doktrinat, parimet dhe të vërtetat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje.
Materiale Leximi për Studentin
Parathënie për Doktrinën e Besëlidhjet; Doktrina e Besëlidhje 1:1–39; 5:10.
Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon and the Doctrine and Covenants”, Ensign, janar 2005, f. 24–28.