Biblioteka
Mësimi 5: Rivendosja e Priftërisë


5

Rivendosja e Priftërisë

Hyrje

Më 15 maj 1829, Gjon Pagëzori iu shfaq Jozef Smithit e Oliver Kaudërit dhe rivendosi Priftërinë Aarone. Pak kohë pas kësaj, Apostujt e lashtë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni iu shfaqën Jozefit e Oliverit dhe rivendosën Priftërinë Melkizedeke. Priftëria Melkizedeke mban autoritetin mbi të gjitha detyrat në Kishë dhe i administron të gjitha gjërat shpirtërore. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë se si Kisha funksionon nën drejtimin e Priftërisë Melkizedeke.

Lexim Konteksti

  • Thomas S. Monson, “The Priesthood – a Sacred Gift”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 57–60.

  • Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49–52.

  • Larry C. Porter, “The Restoration of the Aaronic and Melchizedek Priesthoods”, Ensign, dhjetor 1996, f. 30–47.

Sugjerime për Mësimdhënien

Joseph Smith – Historia 1:68–71; Doktrina e Besëlidhje 13:1

Gjon Pagëzori rivendosi Priftërinë Aarone

pagëzimi
bekimi i sakramentit

Paraqitni një figurë të një pagëzimi (shih I Ri Duke u Pagëzuar [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 103; shih edhe LDS.org]) dhe një figurë që tregon administrimin e sakramentit (shih Bekimi i Sakramentit [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 107; shih edhe LDS.org]). Kërkojuni studentëve të përshkruajnë se si jeta e tyre do të ishte e ndryshme nëse nuk i kishin në dispozicion këto ordinanca të shenjta. Kujtojini studentët që këto ordinanca përfaqësojnë disa nga bekimet që i marrim për shkak të rivendosjes së Priftërisë Aarone.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:68. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë atë që Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri po bënin, që i bëri ata t’i kërkonin Zotit rreth pagëzimit. Kërkojuni atyre të raportojnë atë që zbuluan.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:69. Vini në dukje që fjalët e lajmëtarit, i cili ishte Gjon Pagëzori, gjithashtu shënohen te Doktrina e Besëlidhje 13. Pyeteni klasën:

  • Përse ishte e domosdoshme për Jozef Smithin dhe Oliver Kaudërin që ta merrnin priftërinë nga një lajmëtar qiellor? (Nuk kishte asnjë njeri në tokë në atë kohë që mbante çelësat e priftërisë [shih Nenet e Besimit 1:5].)

Ftojini studentët të lexojnë Joseph Smith – Historia 1:70–71. Shpjegoni se këto vargje qartësojnë që Profeti Jozef ishte i pari që e ushtroi priftërinë në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore. Disa njerëz pyesin veten përse Gjon Pagëzori nuk i pagëzoi Jozef Smithin e Oliver Kaudërin dhe përse dy burrat u urdhëruan që t’ia rijepnin priftërinë njëri-tjetrit. Ju mund të doni të shpjegoni se, ndërkohë që është e nevojshme për një lajmëtar qiellor që e mban autoritetin e duhur, për ta rivendosur autoritetin e priftërisë në tokë për një periudhë të re të kujdestarisë ungjillore, pasi ky autoritet të rivendosej, të gjitha ordinancat tokësore, të tilla si pagëzimi e shugurimi, duhej të kryheshin nga qenie të vdekshme. Përveç kësaj, udhëzimi i Gjon Pagëzorit që Jozefi dhe Oliveri t’ia rijepnin priftërinë njëri-tjetrit e vendosi “shugurimin dhe pagëzimin në marrëdhënien e duhur [ose rendin e duhur]” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 3:91).

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë:

Si na ndihmon Priftëria Aarone që t’i marrim bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Nxitini studentët ta marrin parasysh këtë pyetje teksa ju lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Dallin H. Ouks

“Çfarë do të thotë që Priftëria Aarone mban ‘çelësin e shërbesës së engjëjve’ dhe të ‘ungjillit të pendimit e të pagëzimit dhe të heqjes së mëkateve’? Kuptimi gjendet në ordinancën e pagëzimit dhe në sakramentin. Pagëzimi është për heqjen e mëkateve dhe sakramenti është një ripërtëritje e besëlidhjeve dhe bekimeve të pagëzimit. Që të dyja duhet të paraprihen nga pendimi. …

Askush prej [nesh] nuk ka jetuar pa mëkat që nga pagëzimi [ynë]. Pa disa masa për pastrimin e mëtejshëm pas pagëzimit tonë, secili prej nesh është i humbur prej gjërave shpirtërore. …

Ne urdhërohemi të pendohemi për mëkatet tona dhe të vijmë te Zoti me një zemër të thyer e një shpirt të penduar dhe të marrim sakramentin në përputhje me besëlidhjet e tij. Kur ne i ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit në këtë mënyrë, Zoti e ripërtërin ndikimin pastrues të pagëzimit tonë. …

Ne nuk mund ta mbivlerësojmë rëndësinë e Priftërisë Aarone në këtë gjë. Gjithë këto hapa jetësorë, që lidhen me heqjen e mëkateve, kryhen nëpërmjet ordinancës shpëtuese të pagëzimit dhe ordinancës ripërtëritëse të sakramentit” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Ensign, nëntor 1998, f. 37–38).

Ftojini studentët të japin përgjigjet e tyre ndaj pyetjes në tabelë. Dëshmoni që ordinancat e Priftërisë Aarone vënë në dispozicion shumë bekime të Shlyerjes së Jezu Krishtit, duke përfshirë pagëzimin për heqjen e mëkateve.

Joseph Smith – Historia 1:72; Doktrina e Besëlidhje 84:19–22; 107:8, 18–19

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni Rivendosën Priftërinë Melkizedeke

Ftojeni klasën që ta ndjekë, teksa një student lexon me zë të lartë Joseph Smith – Historia 1:72. Për t’i ndihmuar studentët ta zgjerojnë kuptueshmërinë e tyre për kontekstin e këtij fragmenti, shpjegoni që pak kohë pas vizitës së Gjon Pagëzorit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri e morën Priftërinë Melkizedeke nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Kjo ndodhi në maj të vitit 1829 diku pranë lumit Saskehana (shih Larry C. Porter, “The Restoration of the Aaronic and Melchizedek Priesthoods”, Ensign, dhjetor 1996, f. 30–47). Pas organizimit të Kishës, Profeti mori zbulesa të tjera mbi doktrinën dhe qëllimin e priftërisë. Priftëria është një temë e përbashkët gjatë gjithë Doktrinës e Besëlidhjeve.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 84:19 dhe 107:8, 18–19, duke kërkuar mënyrën se si këto vargje përshkruajnë autoritetin e Priftërisë Melkizedeke. Ju mund të doni t’u sugjeroni studentëve që ata t’i kryqëzojnë referencat e këtyre fragmenteve. (Shënim: Kryqëzimi i referencave është një mjet i studimit të shkrimit të shenjtë që mund të sigurojë informacion dhe ide shtesë për pjesën që po studiohet.) Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët që të tregojnë atë që mësuan rreth Priftërisë Melkizedeke. Ndërsa studentët përgjigjen, shkruani frazat vijuese në tabelë:

Administron ungjillin

Mban çelësat e mistereve të mbretërisë

Mban çelësin e diturisë së Perëndisë

Mban çelësat e bekimeve shpirtërore të Kishës

Mban çelësat e marrjes së zbulesës

Mban çelësat e kuvendimit me banorët qiellorë dhe të banimit me Atin dhe Birin

Ju mund t’i përmblidhni përgjigjet në tabelë duke theksuar të vërtetën vijuese: Priftëria Melkizedeke mban çelësat e të gjitha ordinancave dhe bekimeve shpirtërore të Kishës. Për t’i ndihmuar studentët që t’i kuptojnë më mirë frazat në tabelë, diskutoni disa ose të gjitha pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa mënyra në të cilat Priftëria Melkizedeke e “administron ungjillin”? (DeB 84:19). (Përgjigjet mund të përfshijnë administrimin e ordinancave të veçanta dhe kryesimin mbi Kishën dhe drejtimin e saj.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që Priftëria Melkizedeke “mban çelësin e mistereve të mbretërisë”? (DeB 84:19). (Ju mund të doni të shpjegoni që “misteret e Perëndisë janë të vërteta shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, f. 121; ose scriptures.lds.org]. Midis mistereve të tjera, ky varg iu drejtohet ordinancave të tempullit që shpejt do t’i zbuloheshin Jozef Smithit dhe faktit që ato duhej të administroheshin nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke. Në tempull, anëtarët e denjë të Kishës mund të mësojnë disa nga “misteret e Perëndisë” teksa marrin pjesë në ordinancat e administruara atje dhe i mbajnë besëlidhjet që lidhen me to.)

  • Si na ndihmon Priftëria Melkizedeke që të fitojmë “dituri[në e] Perëndisë”? (DeB 84:19). (Ne e fitojmë diturinë e Perëndisë kur marrim pjesë në ordinancat që kryhen nëpërmjet Priftërisë Melkizedeke.)

Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë frazën “dituri[a e] Perëndisë”, ju mund të doni të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë:

Presidenti Xhejms E. Faust

“Cili është çelësi i diturisë së Perëndisë dhe a mund ta fitojë kushdo atë? Pa priftërinë mund të mos ketë asnjë plotësi të diturisë për Perëndinë. Profeti Jozef Smith tha se ‘Priftëria Melkizedeke … është kanali nëpërmjet të cilit zbulohet nga qielli gjithë njohuria, doktrina, plani i shpëtimit dhe çdo çështje e rëndësishme’ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 112]” (“The Key of the Knowledge of God”, Ensign, nëntor 2004, f. 52).

Ftojeni një student të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 84:20–22. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar mënyra se si bekimet shpirtërore që janë në dispozicion me anë të Priftërisë Melkizedeke, mund të gëzohen nga çdo anëtar i Kishës. Më pas bëni pyetjet vijuese:

  • Cilat ordinanca mund të administrohen vetëm nëpërmjet autoritetit të Priftërisë Melkizedeke? (Konfirmimi, dhënia e Priftërisë Melkizedeke, ordinancat e tempullit, bekimi i foshnjave, administrimi i të sëmurëve, bekimet patriarkale, veçimi i një njeriu për një thirrje.)

  • Si mund ta ndihmojnë ordinancat e priftërisë një njeri që të përjetojë “fuqi[në] e perëndishmërisë”, domethënë fuqinë për t’u bërë si Perëndia?

  • Si mund të na përgatitin ordinancat e Priftërisë Melkizedeke që ta shohim fytyrën e Perëndisë?

  • Si ju kanë ndihmuar ordinancat e priftërisë që të bëheni më tepër si Perëndia?

  • Çfarë përvojash të tjera kanë dhënë ndihmesë në vlerësimin dhe dëshminë tuaj për priftërinë?

Merrni parasysh të jepni vetë dëshminë tuaj për bekimet e priftërisë. Nxitini studentët të marrin parasysh atë që ata mund të bënin që ta përputhin veten e tyre më mirë me drejtimin që vjen nga udhëheqësit e tyre të priftërisë.

Materiale Leximi për Studentin