3
Dalja në Dritë e Librit të Mormonit
Hyrje
Zoti dërgoi engjëllin Moroni që të përgatiste Jozef Smithin për të marrë e përkthyer Librin e Mormonit. Dihet pak rreth procesit të mirëfilltë të përkthimit. Jozef Smithi tha se Libri i Mormonit u përkthye “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (parathënia e Librit të Mormonit, botim i vitit 2005). Në përputhje me ligjin e dëshmitarëve (shih 2 Korintasve 13:1), Zoti lejoi disa njerëz të tjerë të ishin dëshmitarë të këtij anali të lashtë. Dëshmitë e tyre e forcuan besueshmërinë e Librit të Mormonit për të gjithë botën.
Lexim Konteksti
Neal A. Maxwell, “By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 36–41.
“Book of Mormon Translation”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“Coming Forth of the Book of Mormon and Restoration of the Priesthood”, kapitulli 5, te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 52–66.
Sugjerime për Mësimdhënien
Joseph Smith – Historia 1:30–35, 42–54
Përkthyer nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë
Ftoni një ose dy vullnetarë të përmbledhin për klasën atë që ata mbajnë mend rreth vizitës së engjëllit Moroni tek i riu Jozef Smith natën e 21 shtatorit 1823. Nëse nevojitet, jepni informacionin vijues:
“Natën e 21 shtatorit 1823, Jozefi shkoi në dhomën e tij të gjumit në papafingo, në shtëpinë prej trarësh të familjes së tij në Palmira të Nju-Jorkut, por qëndroi zgjuar pasi të tjerët në dhomë kishin shkuar për të fjetur dhe u lut me zell që të dinte më shumë mbi qëllimet e Perëndisë për të. …
Në përgjigje të lutjes së tij, Jozefi pa një dritë që u shfaq në dhomën e tij, që vazhdoi të rritej derisa dhoma ishte ‘më e shndritshme se në mesditë’. Një lajmëtar qiellor u shfaq pranë shtratit të tij, duke qëndruar në ajër, i veshur me një rrobë ‘të bardhësisë më të jashtëzakonshme’. (Joseph Smith – Historia 1:30–31.) Ky lajmëtar ishte Moroni, profeti i fundit nefit, që shekuj më parë kishte groposur fletët mbi të cilat ishte shkruar Libri i Mormonit dhe që tani mbante çelësat në lidhje me këtë anal të shenjtë (shih DeB 27:5). Atë e kishin dërguar t’i thoshte Jozefit se Perëndia i kishte falur mëkatet e tij dhe që kishte një punë të madhe për të për ta kryer. Si pjesë e kësaj pune, Jozefi duhej të shkonte te një kodër aty pranë, ku ishte vendosur një anal i shenjtë, i shkruar mbi fletë të arta. … Jozefi duhej ta përkthente analin dhe t’ia sillte në dritë botës.
Të nesërmen, Jozefi shkoi te kodra ku ishin groposur fletët e Librit të Mormonit. Atje takoi Moronin dhe i pa fletët, por iu tha se nuk mund t’i merrte ato për katër vjet. …
… Më 22 shtator 1827, [gruaja e Jozefit, Ema] shkoi bashkë me të te kodra dhe priti aty pranë ndërkohë që Moroni i dorëzoi fletët në duart e Profetit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 61–62).
Ftojini studentët të kthehen te faqja e titullit të Librit të Mormonit dhe t’i hedhin një vështrim të shpejtë paragrafit të parë, duke kërkuar informacion rreth mënyrës se si ky anal i lashtë do të dilte në dritë dhe do të përkthehej. Pasi studentët të kenë lexuar, kërkojuni të tregojnë atë që gjetën. (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Libri i Mormonit u përkthye nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Joseph Smith – Historinë 1:34–35. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë për një mënyrë se si Zoti e ndihmoi Jozef Smithin që ta përkthente Librin e Mormonit.
Sipas këtyre vargjeve, cila është një mënyrë se si Zoti e ndihmoi Jozef Smithin në përkthimin e analit të lashtë? (Zoti siguroi Urimin e Thumimin për përkthimin.)
Shpjegoni se një tjetër mjet që Jozef Smithi e përdori teksa përkthente Librin e Mormonit, ishte një gur i vogël vezak, nganjëherë i quajtur si një “gur shikues”, që ai e zbuloi disa vite përpara se të merrte fletët e arta (shih “Book of Mormon Translation”, Gospel Topics, lds.org/topics). Rrëfimi historik vë në dukje që Profeti për të përkthyer nganjëherë përdori Urimin e Thumimin dhe nganjëherë përdori gurin shikues.
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se Zoti ia zbuloi Profetit përkthimin në anglisht të Librit të Mormonit nëpërmjet Urimit e Thumimit dhe gurit shikues:
“Kur u nxit që të jepte hollësi rreth procesit të përkthimit, Jozefi e përsëriti në disa raste se përkthimi ishte bërë ‘nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë’ dhe njëherë shtoi: ‘Nuk ishte qëllimi që t’i tregoheshin botës të gjitha detajet e daljes në dritë të Librit të Mormonit’.
Sidoqoftë, shkruesit dhe njerëz të tjerë që e vëzhguan përkthimin, dhanë rrëfime të shumta që japin ide lidhur me procesin. Disa rrëfime vënë në dukje se Jozefi i studioi shkronjat mbi fletët. Shumica e rrëfimeve flasin rreth përdorimit të Urimit e Thumimit nga Jozefi (qoftë të interpretuesve ose të gurit shikues) dhe shumë rrëfime flasin për përdorimin nga ai të një guri të vetëm. Sipas këtyre rrëfimeve, Jozefi i vendosi qoftë interpretuesit ose gurin shikues në një kapelë, e ngjeshi fytyrën e tij brenda kapelës që ta bllokonte dritën e jashtme dhe lexoi me zë të lartë fjalët në anglisht që shfaqeshin mbi mjetin. Procesi siç u përshkrua, sjell ndërmend një fragment nga Libri i Mormonit që flet rreth Perëndisë duke përgatitur ‘një gur i cili do të bëjë që drita e tij të ndriçojë në errësirë’ [Alma 37: 23–24]” (“Book of Mormon Translation”, Gospel Topics, lds.org/topics).
Shpjegoni se ndihma e Zotit ishte gjithashtu e dukshme në sasinë e shkurtër të kohës në të cilën Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit. Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftoni një student ta lexojë me zë të lartë:
“Mendoni për kohën e shkurtër që iu desh Jozefit për të përkthyer Librin e Mormonit. Duke punuar nga prilli deri në qershor të vitit 1828, Jozefi përktheu 116 faqet që më vonë i humbi Martin Harrisi. Jozefi e filloi përkthimin sërish më 7 prill 1829, me Oliver Kaudërin si shkrues. Dorëshkrimi u përfundua tetëdhjetë e pesë ditë më vonë, më 30 qershor të atij viti. Sigurisht, jo e gjithë ajo kohë u kalua duke punuar me përkthimin. … E vlerësuar në mënyrë të kujdesshme, kjo la gjashtëdhjetë e pesë ditë pune ose më pak, në të cilat profeti dhe shkruesit e tij e përkthyen këtë libër, i cili përmban 531 faqe në botimin e tij të tanishëm. (Shih John W. Welch, Ensign, janar 1988, f. 46–47.) Kjo llogaritet si një mesatare prej tetë faqesh në ditë. Merreni këtë parasysh kur përktheni një libër ose ndërkohë që bëni planin e leximit tuaj të Librit të Mormonit” (“A Treasured Testament”, Ensign, korrik 1993, f. 61–62).
Cilat janë disa nga mënyrat se si dalja në dritë e Librit të Mormonit ndodhi “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”?
Nëse nuk i dimë të gjitha hollësitë që e rrethuan daljes në dritë të Librit të Mormonit, si mund ta dimë që ky libër është i vërtetë? (Ne mund të marrim një dëshmi shpirtërore të Librit të Mormonit pa i ditur të gjitha hollësitë lidhur me përkthimin e tij.)
Çfarë ju ka ndihmuar të fitoni një dëshmi për Librin e Mormonit?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:
“Fillimisht erdhi Moroni me fletët nga të cilat u përkthye Libri i Mormonit. Ç’gjë e pashoqe dhe e mrekullueshme ishte kjo. Historia e Jozefit për fletët e arta ishte fantastike. Ishte e vështirë të besohej dhe e lehtë të sfidohej. A mund ta kishte shkruar atë bazuar në vetë aftësinë e tij? Ai libër është këtu, vëllezërit dhe motrat e mia, për çdo njeri që ta shohë, ta mbajë në dorë, ta lexojë. Çdo përpjekje për ta shpjeguar origjinën e tij, ndryshe nga ajo që dha Jozefi, ka rënë si e pavlerë. Ai ishte kryesisht i pashkolluar; dhe prapëseprapë, brenda një kohe shumë të shkurtër, solli në dritë përkthimin që në formën e botuar arrin në më shumë se 500 faqe. …
Përgjatë gjithë këtyre viteve kritikët janë përpjekur ta shpjegojnë atë libër. Kanë folur kundër tij. Janë tallur me të. Por ai libër i ka mbijetuar të gjitha ato dhe ndikimi i tij sot është më i madh sesa në ndonjë kohë në historinë e tij” (“The Stone Cut Out of the Mountain”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 85).
Çfarë mund të thoni për ta ndihmuar dikë që e ka të vështirë ta besojë se Libri i Mormonit është i vërtetë?
Dëshmoni se Libri i Mormonit erdhi në dritë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.
Doktrina e Besëlidhje 17
Dëshmitë e Tre Dëshmitarëve dhe të Tetë Dëshmitarëve
Shpjegoni se ndërsa Jozef Smithi po përkthente Librin e Mormonit, ai mësoi se Zoti do të caktonte njerëz të tjerë që të ishin dëshmitarë të analit të lashtë (shih 2 Nefi 27:12–13; Ethëri 5:2–5). Në atë kohë, Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi secili shprehën një dëshirë që të ishin këta dëshmitarë të veçantë. Doktrina e Besëlidhje 17 përmban udhëzimet e Zotit drejtuar këtyre burrave.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 17:1–6. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Zoti i udhëzoi të bënin dëshmitarët pasi t’i shihnin fletët. Pasi studentët të tregojnë atë që gjetën, pyetni:
Si mendoni, përse këta burra kishin nevojë të tregonin besim si profetët e lashtë përpara se Zoti t’i lejonte të shihnin fletët?
Sipas vargjeve 3–5, çfarë përgjegjësie do të kishin këta dëshmitarë pasi t’i shihnin fletët?
Çfarë përgjegjësie kemi ne kur Zoti na e shfaq vërtetësinë e Librit të Mormonit? (Studentët duhet të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Pasi marrim një dëshmi të së vërtetës, ne kemi përgjegjësinë që të dëshmojmë për të. [Shih edhe DeB 88:81.]) Mund të vini në dukje që ky parim është edhe një shembull i një modeli që mund ta gjejmë në shkrimet e shenjta. “Një model është një plan, një maket ose standard që mund të përdoret si udhërrëfyes për bërjen ose përgatitjen e përsëritur të diçkaje” (mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007), f. 5, speeches.byu.edu].)
Si mund të jetë të dëshmuarit për të vërtetën një shprehje e besimit tonë?
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë rrëfimin e Jozef Smithit për përvojën e tij me Tre Dëshmitarët:
“Martin Harrisi, Dejvid Uitmeri, Oliver Kaudëri dhe unë, ramë dakord të tërhiqeshim në pyll dhe u përpoqëm të merrnim, me anë të lutjes së zjarrtë e të përulur, plotësimin e premtimeve. … [Pas] dështimit tonë të dytë, Martin Harrisi propozoi që ai duhej të tërhiqej nga ne, duke besuar, siç e shprehu ai vetë, se prania e tij ishte shkaku që nuk po merrnin atë që dëshironim. Prandaj ai u tërhoq prej nesh dhe ne u gjunjëzuam sërish, dhe nuk kishim shumë minuta që ishim përfshirë në lutje, kur … një engjëll [Moroni] qëndroi para nesh. Në duart e tij ai mbante fletët. … Ai i ktheu fletët një e nga një, që të mund t’i shihnim dhe të dallonim gdhendjet e dallueshme mbi to. … Ne dëgjuam një zë nga drita e shndritshme mbi ne, duke thënë: ‘Këto fletë janë zbuluar nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe ato janë përkthyer nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Përkthimi i tyre, të cilin e keni parë, është i saktë dhe unë ju urdhëroj të jepni dëshmi për atë që ju tani shihni e dëgjoni’.
Tani, unë i lashë Dejvidin e Oliverin dhe shkova në kërkim të Martin Harrisit, të cilin e gjeta në një largësi të konsiderueshme, të përfshirë me zjarr në lutje. Megjithatë, ai shpejt më tha se nuk e kishte bindur ende Zotin dhe më kërkoi me këmbëngulje që të bashkohesha me të në lutje, që edhe ai të merrte të njëjtat bekime që ne sapo i kishim marrë. Prandaj, ne u bashkuam në lutje dhe përfundimisht e arritëm dëshirën tonë, sepse para se të kishim mbaruar, i njëjti vegim u hap për sytë tanë, të paktën m’u hap sërish mua, dhe unë pashë e dëgjova edhe njëherë të njëjtat gjëra; ndërsa po në të njëjtin çast, Martin Harrisi thirri, me sa duket në një ngazëllim prej gëzimit: ‘Kjo mjafton; kjo mjafton; sytë e mi kanë parë, sytë e mi kanë parë’” (në History of the Church, 1:54–55).
Jozefi u kthye në shtëpinë e familjes Uitmer dhe u tha prindërve të tij: “Zoti ka bërë që fletët t’u tregohen edhe tre burrave përveç meje, të cilët gjithashtu e kanë parë një engjëll dhe do të duhet të dëshmojnë për të vërtetën e asaj që kam thënë unë, sepse tani ata e dinë vetë, se unë nuk shkoj andej-këtej për t’i mashtruar njerëzit, dhe vërtet e ndiej sikur u çlirova nga një barrë e tmerrshme, e cila ishte thuajse shumë e rëndë për mua për ta mbajtur, … dhe kjo vërtet e gëzon shpirtin tim, që nuk jam më tërësisht i vetëm në botë’” (në Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, faqe 11, josephsmithpapers.org/paperSummarylucy-mack-smith-history-1844-1845).
Si mendoni, përse Jozef Smithi u gëzua pas kësaj përvoje? (Ai nuk ishte më i vetëm si dëshmitar i fletëve dhe i lajmëtarit qiellor.)
Shpjegoni se edhe tetë dëshmitarë të tjerë e patën mundësinë për të parë fletët.
Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” dhe gjysmën tjetër të lexojë “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve”, që të dyja mund të gjenden në faqet e hyrjes së Librit të Mormonit. Vërini studentët të kërkojnë elementë të rëndësishëm të përvojave të dëshmitarëve. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që zbuluan.
Si ndryshonte përvoja e Tre Dëshmitarëve nga ajo e Tetë Dëshmitarëve? (Tre Dëshmitarët e dëgjuan zërin e Perëndisë dhe panë një engjëll, por nuk i mbajtën në duar fletët. Tetë Dëshmitarëve iu treguan fletët nga Jozef Smithi dhe ishin në gjendje t’i mbanin ato në duar. Tetë Dëshmitarët patën një dëshmi më fizike të realitetit të fletëve, ndërsa Tre Dëshmitarët patën një përvojë më shpirtërore.)
Si mendoni, përse të pasurit e dëshmitarëve të shumtë ishte kaq i rëndësishëm për daljen në dritë të Librit të Mormonit?
Disa studentë mund të mos e dinë se që të Tre Dëshmitarët dhe disa prej Tetë Dëshmitarëve në fund të fundit u larguan nga Kisha. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“E matur kundrejt gjithë … kundërshtimeve të mundshme, dëshmia e Tre Dëshmitarëve për Librin e Mormonit qëndron dukshëm me forcë të madhe. … Siç dihet mirë, për shkak të mosmarrëveshjeve ose xhelozive që përfshinë udhëheqës të tjerë të Kishës, secili prej këtyre tre dëshmitarëve u shkishërua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth tetë vjet pas botimit të dëshmisë së tyre. … Prapëseprapë, deri në fund të jetës së tyre … asnjëri prej këtyre dëshmitarëve nuk iu shmang dëshmisë së tij të botuar ose nuk tha asgjë që hedh ndonjë dyshim mbi vërtetësinë e saj.
Për më tepër, dëshmia e tyre qëndron e pakundërshtuar nga cilido dëshmitar tjetër. Dikush mund ta mohojë atë, por si i shpjegon ai tre burrat me karakter të mirë, të bashkuar e këmbëngulës në këtë dëshmi të botuar, deri në fund të jetës së tyre, përballë talljes së madhe dhe asnjë përfitimi tjetër vetjak? Ashtu si vetë Libri i Mormonit, nuk ka asnjë shpjegim më të mirë sesa ai që jepet në vetë dëshminë, në shpalljen solemne të burrave të mirë e të ndershëm të cilët treguan atë që panë” (“The Witness: Martin Harris”, Ensign, maj 1999, f. 36).
Si mendoni se dëshmia e Tre Dëshmitarëve forcohet nga fakti që ata kurrë nuk e mohuan dëshminë e tyre, edhe pasi u shkishëruan nga Kisha? (Shpjegoni se Oliver Kaudëri dhe Martin Harrisi u pagëzuan sërish më vonë.)
Drejtojini studentët përsëri te Doktrina e Besëlidhje 17:6 dhe theksoni se ky varg përmban dëshminë më të madhërishme të mundshme për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Ky varg përmban dëshminë e Perëndisë Vetë, të dhënë me një betim, se Libri i Mormonit është i vërtetë.
Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur dëshmia e tyre vetjake për Librin e Mormonit të mund t’i shtohej çdo kopjeje të Librit të Mormonit. Ftojini studentët të tregojnë se çfarë do të përfshinin në dëshminë ose dëshmimin e tyre.
Ftojini studentët t’ia japin dëshminë e tyre për Librin e Mormonit dikujt përpara orës së ardhshme mësimore.
Materiale Leximi për Studentin
Neal A. Maxwell, “By the Gift and Power of God”, Ensign, janar 1997, f. 36–41.
“Book of Mormon Translation”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“Coming Forth of the Book of Mormon and Restoration of the Priesthood”, kapitulli 5 në Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 52–66.