20
Martesa me Shumë Gra
Martesa midis një burri dhe një gruaje është ligji i Zotit, në qoftë se Ai nuk urdhëron ndryshe (shih Jakobi [LiM] 2:27–30). Profeti Jozef Smith u urdhërua ta rivendoste praktikën e martesës me shumë gra, e cila u ushtrua në Kishë për më shumë se gjysmë shekulli deri sa Presidenti Uillford Udraf u frymëzua nga Zotit që të mos e vazhdonte praktikën. Martesa me shumë gra ishte një provë e rëndësishme e besimit për Jozef Smithin dhe për shumicën që e ushtruan atë. Teksa studentët ushtrojnë besim, ata mund të arrijnë të dinë se praktika e martesës me shumë gra në ditët e mëvonshme ishte pjesë e Rivendosjes së të gjitha gjërave.
Lexim Konteksti
“Plural Marriage in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“Plural Marriage and Families in Early Utah”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“The Manifesto and the End of Plural Marriage”, Gospel Topics, lds.org/topics.
Shënim: Këto shkrime te Gospel Topics [Temat e Ungjillit] do t’ju sigurojnë më shumë material nga ai që mund ta jepni mësim në kohën e lejuar. Ju lutemi, jini të vëmendshëm për këtë gjë në përgatitjen dhe dhënien e mësimit tuaj.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jakobi [LiM] 2:27–30; Doktrina e Besëlidhje 132:1–2, 34–48, 54, 63
Zoti zbuloi praktikën e martesës me shumë gra
Shpjegoni se në vitin 1831, ndërsa Jozef Smithi po punonte me përkthimin e frymëzuar të Dhiatës së Vjetër, të njohur si Përkthimi prej Joseph Smith-it, ai lexoi se disa nga profetët e lashtë praktikuan martesën me shumë gra (gjithashtu e quajtur poligami). Këta profetë përfshinin Abrahamin, Jakobin, Moisiun dhe Davidin. Jozef Smithi studioi dhe përsiati shkrimet e shenjta për të ditur se si këta profetë u shfajësuan për këtë praktikë (shih DeB 132:1–2). Zoti i zbuloi përgjigjet e pyetjeve të tij në një zbulesë tani të njohur si Doktrina e Besëlidhje 132. Edhe pse data e kësaj zbulese është 12 korrik 1843, ka të ngjarë që Jozef Smithi po e merrte zbulesën mbi parimet e shënuara në këtë seksion përgjatë kohës, duke filluar që nga viti 1831.
Ftojini disa studentë që të lexojnë me radhë, me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:34–36. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Abrahami dhe Sara filluan të praktikonin martesën me shumë gra.
Sipas vargut 34, përse i dha Sara një grua tjetër Abrahamit? Çfarë na mëson kjo rreth praktikës së martesës me shumë gra? (Ndërsa përgjigjen studentët, shkruani parimin që vijon në tabelë: Martesa me shumë gra është një praktikë e pranueshme vetëm kur Zoti e urdhëron atë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin [LiM] 2:27, 30. Theksoni parimin vijues: Martesa midis një burri dhe një gruaje është standardi i Perëndisë, në qoftë se Ai nuk urdhëron ndryshe. Vini në dukje se këto vargje gjithashtu përfshijnë një arsye të dhënë nga Zoti për praktikën e martesës me shumë gra – për ta “rri[tur] farën për [Zotin]”, duke shtuar numrin e fëmijëve të lindur nga prindër besnikë (shih edhe DeB 132:63).
Shpjegoni se Zoti i zbuloi Jozef Smithit, siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 132:37–43, që kur populli i Tij e ushtron martesën me shumë gra, sepse Ai i ka urdhëruar të bëjnë kështu, ata nuk janë fajtorë për mëkatin e shkeljes së kurorës. Megjithatë, kushdo që e ushtron martesën me shumë gra pa marrë një urdhërim nga Zoti nëpërmjet profetit të Tij, është fajtor për shkeljen e kurorës. U vini në dukje studentëve se fjalët shkatërrohet, shkatërroj në vargjet 41 dhe 54 do të thonë që ata që i shkelin besëlidhjet e tyre të shenjta, duke përfshirë besëlidhjen e martesës, do të veçohen nga Perëndia dhe nga populli i besëlidhjes së Tij (shih edhe Veprat e Apostujve 3:22–23; 1 Nefi 22:20).
Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 132:40 dhe të përcaktojnë një arsye tjetër të dhënë nga Zoti për praktikën e martesës me shumë gra.
Sipas vargut 40, çfarë do të bënte Zoti në periudhën e fundit të kujdestarisë ungjillore? (Do t’i “rivendos[te] të gjitha gjërat”.)
Shpjegoni se fjalët “të gjitha gjërat” iu referohen ligjeve dhe ordinancave të ungjillit që ishin zbuluar në periudhat e mëparshme të kujdestarisë ungjillore. Shkruani në tabelë të vërtetën vijuese: Urdhërimi për ta jetuar ligjin e martesës me shumë gra në ditët e mëvonshme ishte pjesë e Rivendosjes së të gjitha gjërave (shih edhe Veprat e Apostujve 3:20–21).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 132:45, 48. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që e bëri të mundur për Jozef Smithin që të merrte pjesë në sjelljen e Rivendosjes së të gjitha gjërave. Ndihmojini studentët të kuptojnë parimin vijues: Martesa me shumë gra mund të autorizohet vetëm nëpërmjet çelësave të priftërisë, të dhëna Presidentit të Kishës.
Shpërndajini secilit student një kopje të fletushkës që gjendet në fund të mësimit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën e parë në fletushkë të titulluar “Martesa me Shumë Gra”.
Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit se praktika e martesës me shumë gra iu dha me anë të zbulesës Profetit Jozef Smith, që ta kuptoni më mirë ushtrimin e saj në ditët e hershme të Kishës?
Praktika e martesës me shumë gra ishte një provë besimi
Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje pjesën në fletushkë të titulluar “Një Urdhërim i Vështirë”. Vëreni gjysmën tjetër të klasës të lexojë pjesën e titulluar “Një Provë Besimi”. Më pas diskutoni pyetjet vijuese:
Cilat janë disa arsye përse Profeti Jozef Smith dhe të tjerët mund të kishin qenë ngurrues që ta zbatonin praktikën e martesës me shumë gra?
Çfarë përjetuan Jozef Smithi, Lusi Uokeri dhe të tjerët që më së fundi i ndihmuan ata t’i kapërcenin vështirësitë e mëdha, me qëllim që të mund ta pranonin e jetonin ligjin e martesës me shumë gra?
Ftojini disa studentë ta lexojnë me radhë, me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Jozef Smithi dhe Martesa me Shumë Gra”.
Shpjegojuni studentëve se ka shumë gjëra që nuk i dimë rreth praktikës së martesës me shumë gra në Kishën e hershme. Për shembull, kuptueshmëria jonë e tanishme e termit vulosje nuk është pikërisht e njëjtë me kuptueshmërinë e këtij termi në vitet 1840, kur praktika e vulosjes ishte ende e re dhe disa aspekte të praktikës nuk ishin kuptuar tërësisht. Ne e dëgjojmë termin vulosje dhe automatikisht mendojmë për martesën, por për Jozef Smithin dhe shenjtorët e hershëm, vulosja nuk do të thoshte gjithmonë martesë në kuptimin e plotë, duke nënkuptuar të jetonin së bashku si bashkëshort e bashkëshorte. Shumë hollësi të praktikës së martesës me shumë gra u mbajtën të fshehta dhe analet historike thjesht nuk japin përgjigje për të gjitha pyetjet tona. Nxitini studentët të studiojnë Materiale Leximi për Studentin, të renditura në fund të mësimit për informacion shtesë rreth praktikës së martesës me shumë gra.
Ju mund të doni t’i kujtoni studentët se teksa studiojnë rreth martesës me shumë gra, ata duhet të mbajnë mend modelin që Profeti Jozef Smith ndoqi në mësimin e vet të ungjillit. Ai studioi, përsiati dhe u lut që të fitonte dituri. Ata gjithashtu duhet të mbajnë mend se shumë informacion i pasigurt rreth martesës me shumë gra ekziston në internet dhe në shumë burime të shtypit. Disa autorë, të cilët shkruajnë rreth Kishës dhe historisë së saj, e paraqesin informacionin jashtë përmbajtjes apo ata përfshijnë të vërteta të pjesshme që mund të jenë çorientuese. Qëllimi i disa prej këtyre shkrimeve është që ta shkatërrojnë besimin.
Deklarata Zyrtare 1
Zoti zbuloi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme duhej ta ndërprisnin praktikën e martesës me shumë gra
Shpjegoni se praktika e martesës me shumë gra u zgjerua pasi shenjtorët mbërritën në zonën e Jutas dhe pastaj u ndalua më vonë në përputhje me zbulesën. Kërkojuni studentëve të lexojnë me radhë, me zë të lartë pjesët në fletushkë të titulluara “Kundërshtimi ndaj Martesës me Shumë Gra” dhe “Manifesti i Dytë”.
Çfarë pasojash ndeshën shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme ngaqë iu bindën urdhërimit të Zotit për ta ushtruar martesën me shumë gra?
Ftojini disa studentë ta bëjnë me radhë duke lexuar me zë të lartë dy paragrafët e fundit të Deklaratës Zyrtare 1 në Doktrinën e Besëlidhjet dhe paragrafët e parë dhe të shtatë nga materiali “Pjesë të Shkëputura nga Tre Fjalime të Presidentit Wilford Woodruff Lidhur me Manifestin”, që pason Deklaratën Zyrtare 1. Më pas pyetni:
Çfarë u dha mësim Presidenti Udraf shenjtorëve? (Disa nga parimet që i dha mësim, përfshijnë sa vijojnë: Zoti kurrë nuk do ta lejojë Presidentin e Kishës që ta drejtojë Kishën në udhë të gabuar. Zoti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës drejtuar Presidentit të Kishës.)
Sa vijon mund të jetë e dobishme për ta shpjeguar më tej vendimin për t’i dhënë fund praktikës së martesës me shumë gra:
“Presidenti Xhorxh Q. Kanon mendoi mbi procesin zbulues që e solli në dritë Manifestin: ‘Presidenca e Kishës duhet të ecë sikurse ecni ju’, tha ai. ‘Ata duhet t’i bëjnë hapat sikurse ju i bëni hapat. Ata duhet të mbështeten te zbulesat e Perëndisë kur i marrin ato. Ata nuk mund ta shohin fundin që nga fillimi, sikurse e sheh Zoti.’ ‘Gjithçka që mund të bëjmë’, tha Presidenti Kanon, duke i folur Presidencës së Parë, ‘është të kërkojmë mendjen dhe vullnetin e Perëndisë dhe, kur ajo të na vijë, edhe pse mund të vijë në kundërshtim me çdo ndjenjë që e kemi pasur më përpara, ne nuk kemi asnjë mundësi veçse të hedhim hapat që Perëndia na tregon dhe të mirëbesojmë tek Ai’” (“The Manifesto and the End of Plural Marriage”, Gospel Topics, lds.org/topics).
Mbylleni mësimin duke i pyetur studentët:
Bazuar në atë që kemi mësuar, si do të përgjigjeshit në qoftë se dikush ju pyeste nëse shenjtorët e ditëve të mëvonshme e ushtrojnë martesën me shumë gra?
Merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):
“Nëse ndonjë nga anëtarët tanë kapet duke praktikuar martesë me shumë gra, ai shkishërohet, ndëshkimi më i rëndë që Kisha mund të japë. … Më shumë se një shekull përpara, Perëndia i zbuloi qartësisht profetit të Tij, Uillford Udrafit, se praktika e martesës me shumë gra duhet të ndërpritet, që do të thotë se ajo tani është kundër ligjit të Perëndisë. Edhe në vendet ku ligji civil apo fetar e lejon poligaminë, Kisha na mëson se martesa duhet të jetë monogamike dhe nuk i pranon në anëtarësinë e saj ata që praktikojnë martesën me shumë gra” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71–72).
Paragrafi vijues gjithashtu mund të jetë i dobishëm teksa i diskutoni praktikat e tanishme të Kishës:
“Në përputhje me mësimet e Jozef Smithit, Kisha e lejon një burrë, gruaja e të cilit ka vdekur, që të vuloset me një grua tjetër kur ai martohet sërish. Për më tepër, anëtarët lejohen të kryejnë ordinanca në emër të burrave dhe grave të vdekura, që u martuan më shumë se një herë kur ishin në tokë, duke i vulosur ata me të gjitha bashkëshortet me të cilat ishin martuar ligjërisht. Natyra e mirëfilltë e këtyre marrëdhënieve në jetën që vjen, nuk dihet dhe shumë marrëdhënie familjare do të përzgjidhen në jetën që vjen. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme nxiten të mirëbesojnë tek Ati ynë i urtë Qiellor, i cili i do fëmijët e Tij dhe i bën të gjitha gjërat për rritjen dhe shpëtimin e tyre” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, Gospel Topics, lds.org/topics).
Përpara se ta mbyllni mësimin, mund të jetë e nevojshme t’u thoni studentëve se disa njerëz që e kanë braktisur Kishën, po e ushtrojnë sot martesën me shumë gra. Ata i nxitin njerëzit të luten dhe të përsiatin nëse është e drejtë që të ushtrohet sot martesa me shumë gra. Ne nuk duhet të përpiqemi të marrim zbulesë që është në kundërshtim me atë që Zoti ka zbuluar nëpërmjet profetëve të Tij. Zoti ka zbuluar nëpërmjet profetit të Tij se praktika e martesës me shumë gra ka mbaruar në Kishë. Kushdo që e mbron praktikën e martesës me shumë gra sot, nuk është një shërbëtor i Zotit.
Jepni dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith. Ju mund të doni të dëshmoni se ai e mori dhe iu bind zbulesës nga Perëndia, ashtu siç bënë profetët e lashtë, Abrahami, Isaku dhe Jakobi (shih DeB 132:37).
Materiale Leximi për Studentin
Jakobi [LiM] 2:27–30; Doktrina e Besëlidhje 132:1–3, 34–48, 54, 63; Deklarata Zyrtare 1.
“Plural Marriage in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints”, Gospel Topics, lds.org/topics.
Merrni parasysh të lexoni sa vijon:
“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“Plural Marriage and Families in Early Utah”, Gospel Topics, lds.org/topics.
“The Manifesto and the End of Plural Marriage”, Gospel Topics, lds.org/topics.