23
Vijueshmëria në Presidencë
Pranë fundit të jetës së tij, Jozef Smithi ua dha çelësat e priftërisë së kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Pas martirizimit të Profetit, në një mbledhje të mbajtur më 8 gusht 1844, shumë shenjtorë morën një manifestim shpirtëror që u pohoi atyre se Brigam Jangu, i cili ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duhej të udhëhiqte Kishën. Teksa studentët arrijnë të kuptojnë parimet e shoqëruara me vijueshmërinë në Presidencën e Kishës, ata do të kenë vetëbesim se Zoti e ka zgjedhur dhe përgatitur secilin individ që bëhet President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Lexim Konteksti
“Succession in the Presidency”, kapitulli 3 te Teachings of the Living Prophets Student Manual (Church Educational System manual, 2010), f. 28–41.
“The Twelve to Bear Off the Kingdom”, kapitulli 23 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 286–296.
Brent L. Top dhe Lawrence R. Flake, “‘The Kingdom of God Will Roll On’: Succession in the Presidency”, Ensign, gusht 1996, f. 22–35.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 107:33; 112:30–32
Apostujt mbajnë çelësat e kësaj periudhe ungjillore
Bëni pyetjen vijuese:
Si ndryshon procesi i përzgjedhjes së një Presidenti të ri të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nga mënyra se si mund të zgjidhen udhëheqësit në organizata të tjera?
Informojini studentët se ky mësim do të shqyrtojë transferimin e udhëheqjes së Kishës pas vdekjes së Profetit Jozef Smith. Shpjegoni se, disa vite përpara vdekjes së tij, Profeti kishte marrë zbulesa lidhur me Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të studiojnë Doktrinën e Besëlidhjet 107:33 dhe 112:30–32 duke kërkuar përshkrimin e Zotit për autoritetin e priftërisë të mbajtur nga anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve.
Si e përshkroi Zoti autoritetin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë parimin vijues: Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mbajnë çelësat e priftërisë të kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore dhe Të Dymbëdhjetët funksionojnë nën drejtimin e Presidencës së Parë.)
Shpërndajini secilit student një kopje të fletushkës që gjendet në fund të mësimit. Shpjegoni se Jozef Smithi i harxhoi muajt e fundit të jetës së tij duke u mbledhur shpesh me anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve për t’i përgatitur ata që ta udhëhiqnin Kishën. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Mbledhja me Dymbëdhjetë Apostujt, mars 1844”. Thuajuni studentëve se ky është një rrëfim i shkurtër i një mbledhjeje të mbajtur nga Profeti Jozef Smith me Apostujt dhe udhëheqës të tjerë të Kishës, siç u tregua nga Presidenti Uillford Udraf, i cili ishte një Apostull në atë kohë. Pas leximit, pyetni:
Si ndihmoi kjo dhënie e çelësave mbi anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve që t’i përgatiste ata për kohën kur Profeti Jozef Smith nuk do të ishte më me ta? (Ata morën të njëjtët çelësa të priftërisë që u mbajtën nga Profeti Jozef.)
Përse ishte e rëndësishme për Jozef Smithin që t’ua jepte këto çelësa të priftërisë Apostujve përpara vdekjes së tij? (Në atë kohë, Jozef Smithi ishte i vetmi që i mbante të gjithë çelësat e priftërisë së kësaj periudhe të kujdestarisë ungjillore. Nëse ai nuk do t’ua kishte dhënë këto çelësa të tjerëve, atëherë engjëjve do t’iu ishte dashur të vinin sërish në tokë për t’i rivendosur ato.)
Doktrina e Besëlidhje 124:127–128
Brigam Jangu e pasoi Jozef Smithin si President i Kishës
Shpjegoni se, kur Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u organizua fillimisht në vitin 1835, rendi i vjetërsisë u përcaktua me anë të moshës. Tomas B. Marshi, i cili besohej në atë kohë të ishte Apostulli më i moshuar, u konsiderua si Apostulli më me vjetërsi në detyrë (që atëherë është mësuar se Dejvid W. Pateni ishte në të vërtetë Apostulli më i moshuar).
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 124:127–128. Shpjegoni se, në tetor të vitit 1838, Presidenti Marsh e braktisi Kishën dhe u largua prej saj dhe Dejvid W. Pateni vdiq. Brigam Jangu atëherë u bë Apostulli më i vjetër në detyrë, sikurse u shpjegua në këto vargje. Pas përzgjedhjes fillestare të Apostujve dhe duke vazhduar deri në të tashmen, vjetërsia në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve është përcaktuar nga data e shugurimit.
Shpjegoni se, kur Jozef e Hajrëm Smithi u martirizuan më 27 qershor 1844, Të Dymbëdhjetët, përveç Xhon Tejlorit dhe Uillard Riçardsit, ishin në Shtetet e Bashkuara lindore duke shërbyer misione. Brenda tri javësh, megjithatë, të gjithë Apostujt e kishin mësuar lajmin tragjik dhe me nxitim u kthyen për në Navu. Kur Apostujt mbërritën, ata gjetën pështjellim mes anëtarëve të Kishës se kush do ta udhëhiqte Kishën. Disa anëtarë të Kishës besonin se udhëheqja i ra me të drejtë Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjatë muajve të ardhshëm, disa burra shpallën pretendime se ata kishin të drejtën ta udhëhiqnin Kishën. Kërkojuni dy studentëve të lexojnë me zë të lartë pjesët në fletushkë të titulluara “Pretendimi i Sidni Rigdonit” dhe “Pretendimi i Xhejms Strengut”. Teksa klasa dëgjon, ftojini ata të mendojnë për shqetësimet që mund të kishin pasur rreth këtyre pretendimeve nëse ata do të kishin qenë në Navu në atë kohë.
Ndiqeni ecurinë duke i pyetur studentët:
Përse nuk ishin pretendimet e bëra nga këta njerëz të ligjshme? (Mund t’ju nevojitet të vini në dukje se, edhe pse Sidni Rigdoni ishte një anëtar i Presidencës së Parë, Jozefi nuk ia kishte dhënë atij çelësat e priftërisë.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “7 gusht 1844”. Diskutoni me klasën pyetjen vijuese:
Përse ishte e rëndësishme dëshmia e Brigam Jangut për çelësat e apostullimit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë doktrinën vijuese: Apostujt i mbajnë të gjitha çelësat e priftërisë të nevojshme për të kryesuar mbi Kishën.)
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “8 gusht 1844, ora 10:00 e mëngjesit”.
Si i bekoi Zoti shenjtorët që të dinin se cilin kishte caktuar Ai për ta udhëhequr Kishën?
Si mund ta dimë se udhëheqësit e Kishës sot thirren nga Perëndia? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani në tabelë parimin vijues: Nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne mund të marrim një dëshmi se ata që e udhëheqin Kishën, janë thirrur nga Perëndia.)
Kur e keni ndier Shpirtin t’ju dëshmojë juve se Presidenti i Kishës sot thirret nga Perëndia?
Shpjegoni se gjatë mbledhjes së mbajtur në orën 14:00 më 8 gusht, folën Brigam Jangu dhe Apostuj të tjerë. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “8 gusht 1844, ora 14:00”.
Shpjegoni se, kur Jozef Smithi vdiq, Brigam Jangu, si Apostulli më i vjetër, menjëherë ishte në gjendje t’i ushtronte të gjithë çelësat e priftërisë. Për më shumë se tre vjet pas martirizimit të Profetit, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve kryesoi mbi Kishën, nën drejtimin e Brigam Jangut. Më pas, më 5 dhjetor 1847, Brigam Jangu u mbështet si Presidenti i Kishës dhe Presidenca e Parë u riorganizua.
Sidni Rigdoni u vendos në Pitsburg të Pensilvanisë dhe organizoi një Kishë të Krishtit me apostuj, profetë, priftërinj e mbretër. Kjo kishë u shkatërrua në vitin 1847. Dhe, edhe pse pretendimet e Xhejms Strengut për presidencën ishin të rreme, tre nga Dymbëdhjetë Apostujt e mëparshëm – Uilliam E. Mek-Lelini, Xhon E. Pejxhi dhe Uilliam Smithi – e mbështetën atë. Strengu u vra në vitin 1856 nga pasuesit e pakënaqur.
Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë procesin e vijueshmërisë në Presidencën e Kishës sot, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth asaj që ndodhi pas vdekjes së Presidentit Gordon B. Hinkli. Kërkojini një studenti ta lexojë thënien me zë të lartë:
“Nuk kishte pyetje për atë që do të duhej të bëhej, as mëdyshje. E dinim se Apostulli më i vjetër në detyrë ishte Presidenti i Kishës. Dhe në atë mbledhje të shenjtë, Tomas Spenser Monsoni u mbështet nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve si Presidenti i Kishës. … Tani, siç e jep shkrimi i shenjtë, ai është i vetmi burrë në tokë që ka të drejtën të ushtrojë të gjithë ata çelësa. Por ne i mbajmë të gjithë ata si Apostuj. Ka një burrë midis nesh të thirrur e të shuguruar dhe ai bëhet President i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Të Dymbëdhjetët”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 83).
Pas vdekjes së Presidentit të Kishës, kush do të bëhet gjithmonë Presidenti pasues i Kishës? (Apostulli më i vjetër në detyrë, i cili është Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.)
Disa studentë mund të pyesin veten se kur i merr Presidenti i Kishës çelësat e nevojshëm për ta kryesuar Kishën. Shpjegoni se çdo Apostulli i jepen të gjitha çelësat kur ai fillimisht shugurohet si Apostull. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):
“Por autoriteti për t’i ushtruar ato çelësa kufizohet te Presidenti i Kishës. Me vdekjen e tij, ai autoritet bëhet veprues në Apostullin më të vjetër në detyrë, i cili më pas emërohet, veçohet dhe shugurohet një profet dhe President nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij të Këshillit të Të Dymbëdhjetëve” (“Come and Partake”, Ensign, maj 1986, f. 47).
Çfarë ndjenjash keni kur e kuptoni se mbretëria e Zotit mbi tokë do të lëvizë përpara me pak ndërprerje pas vdekjes së një Presidenti të Kishës?
Ju mund të doni ta mbyllni këtë mësim duke dëshmuar se të njëjtat çelësa dhe fuqi të priftërisë, që Jozef Smithi ua dha Brigam Jangut dhe anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mbahen sot nga Presidenti i Kishës, Këshilltarët e tij në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ju gjithashtu mund të tregoni se si ju e fituat dëshminë tuaj që udhëheqësit e Kishës thirren nga Perëndia. Ftojini studentët të kërkojnë me lutje që të fitojnë ose të forcojnë dëshmitë e tyre për të vërtetat që i kanë diskutuar sot.
Materiale Leximi për Studentin
Bojd K. Paker, “Të Dymbëdhjetët”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 83–87.
“The Twelve to Bear Off the Kingdom”, kapitulli 23 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 286–296.