Biblioteka
Mësimi 16: Shëlbimi i të Vdekurve


16

Shëlbimi i të Vdekurve

Si pjesë e Rivendosjes së të gjitha gjërave në periudhën ungjillore të plotësisë së kohëve, Zoti e rivendosi doktrinën e shëlbimit të të vdekurve nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kjo doktrinë u rivendos “rresht pas rreshti”. Puna për shëlbimin e të vdekurve është thelbësore për shpëtimin si të të gjallëve, ashtu edhe të të vdekurve dhe Profeti Jozef Smith na mësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë punë: “Përgjegjësia më e madhe në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi ne, është që të kërkojmë të vdekurit tanë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 508).

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 137

Vegimi i Profetit Jozef Smith për mbretërinë çelestiale

Tregojuni studentëve sfondin historik vijues:

“Në nëntor të vitit 1823, Alvin Smithi, biri më i madh i Lusi Mek Smithit dhe Jozef Smith Plakut, befas u sëmur rëndë dhe gjendej buzë vdekjes. Alvini ishte 25 vjeç, një i ri i fuqishëm dhe i zoti, puna e madhe e të cilit kontribuoi shumë për qëndrueshmërinë financiare të familjes. Nëna e tij e përshkroi atë si ‘një i ri me mirësi dhe gatishmëri të rrallë’, ‘fisnikëria dhe bujaria’ e të cilit bekuan njerëzit rreth tij ‘për çdo orë të jetës së tij’. …

Duke e ditur se po vdiste, Alvini thirri pranë vëllezërit e motrat dhe u foli secilit prej tyre. Jozefit, që ishte thuajse 18 vjeç dhe nuk i kishte marrë ende fletët e arta, Alvini i tha: ‘Unë dëshiroj që ti të jesh djalë i mirë dhe të bësh gjithçka mundesh për të marrë analet. Të jesh besnik për marrjen e udhëzimit dhe mbajtjen e çdo urdhërimi që të jepet. …’

Kur vdiq Alvini, familja i kërkoi një shërbestari presbiterian në Palmira të Nju-Jorkut, që të kryente shërbesën në funeralin e tij. Meqenëse Alvini nuk kishte qenë pjesëtar i [grumbullimit] të shërbestarit, kleriku shpalli në predikimin e tij se Alvini nuk mund të shpëtohej. Uilliam Smithi, vëllai më i vogël i Jozefit, kujtoi: ‘[Shërbestari] … aludoi shumë fuqishëm se [Alvini] kishte shkuar në ferr, sepse Alvini nuk ishte anëtar i kishës, por ai qe djalë i mirë dhe babait tim nuk i pëlqeu kjo’” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 429, 431).

  • Ngaqë doktrina e shëlbimit të të vdekurve nuk ishte rivendosur në kohën e vdekjes së Alvinit, çfarë shqetësimesh mund të kishte pasur familja Smith rreth shpëtimit të Alvinit?

U thoni studentëve se ky mësim do t’i ndihmojë ata të kuptojnë që Zoti e zbuloi doktrinën e shëlbimit të të vdekurve pjesë-pjesë, rresht pas rreshti. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje kreun e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 137. Shpjegoni se kjo zbulesë e parapriu përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit me vetëm pak muaj. (Ju mund të vini në dukje se në botimin e vitit 2013 të Doktrinës e Besëlidhjeve, disa ndryshime iu bënë kreut të seksionit 137.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:1–6, ndërkohë që klasa e ndjek. Diskutoni sa vijon:

  • Cilët pa Jozef Smithi në mbretërinë çelestiale? (Studentët mund të jenë të interesuar të dinë që babai dhe nëna e Jozef Smithit ishin gjallë në kohën kur u mor ky vegim; në fakt, babai i Jozefit ishte në dhomë me të kur ndodhi zbulesa.)

  • Sipas vargut 6, përse u mrekullua Jozef Smithi që vëllai i tij, Alvini, ishte në mbretërinë çelestiale? (Ju mund të doni t’u kujtoni studentëve se ky vegim u mor disa vite përpara se Jozef Smithi të mësonte rreth doktrinës së shëlbimit për të vdekurit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 137:7–9. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë një doktrinë që i ndihmoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta kuptojnë më mirë planin e Perëndisë për t’i shpëtuar fëmijët e Tij.

  • Cila është masa paraprake në planin e Perëndisë për ata njerëz si Alvin Smithi, të cilët vdiqën pa pasur mundësinë për ta pranuar ungjillin e Jezu Krishtit ose ordinancën e pagëzimit? (Teksa studentët i japin idetë e tyre, ndihmojini të përcaktojnë doktrinën vijuese: Gjithë njerëzit që vdesin pa një njohuri të ungjillit, të cilët do ta kishin pranuar këtë njohuri nëse do ta kishin dëgjuar atë, do të trashëgojnë mbretërinë çelestiale.)

  • Çfarë ju mëson kjo doktrinë rreth karakterit të Atit Qiellor dhe dashurisë së Tij për fëmijët e Tij?

  • Kur jeni ngushëlluar nga kjo doktrinë? Kur i keni parë të tjerët, ndoshta ata që i mësuat kur ishit misionar, të marrin ngushëllim nga kuptueshmëria e tyre për këtë doktrinë?

Doktrina e Besëlidhje 124:30–34; 127:5–8; 128:1–18; 138:28–37

Ordinancat mëkëmbëse për të vdekurit

Profeti Jozef Smith për herë të parë foli rreth ordinancës së pagëzimit për të vdekurit në një ceremoni varrimi të Sejmur Bransënit më 15 gusht 1840, pak kohë pasi shenjtorët ishin vendosur në Navu të Ilinoisit. Anëtarët e Kishës u habitën dhe u emocionuan kur mësuan për këtë doktrinë të dhënë në zbulesë. Për disa muaj pas shpalljes, shenjtorët kryen pagëzime në lumin Misisipi aty pranë, në emër të njerëzve të tyre të dashur që kishin vdekur (shih Mësimet: Jozef Smith, f. 501; Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të [Church Educational System manual, 2003], f. 251).

  • Si i shtoi ky predikim kuptueshmërisë në rritje për planin e Atit Qiellor për t’i shpëtuar fëmijët e Tij? (Teksa studentët përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ordinanca shpëtuese e pagëzimit mund të kryhet për ata që nuk e pranuan ungjillin ndërkohë që ishin në vdekshmëri.)

  • Si mendoni se do të ishit përgjigjur nëse do ta kishit dëgjuar Profetin Jozef Smith të fliste rreth doktrinës së pagëzimit për të vdekurit për herë të parë në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore?

Shpjegoni se gjatë konferencës së përgjithshme të Kishës të tetorit 1841, në Navu të Ilinoisit, Profeti Jozef Smith shpalli se Zoti dëshironte që shenjtorët ta ndalnin kryerjen e pagëzimeve për të vdekurit derisa pagëzimet të mund të kryheshin në shtëpinë e Tij (shih DeB 124:29–34). Më 8 nëntor 1841, Brigam Jangu, në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përkushtoi vaskën në katin përdhes të Tempullit të pambaruar të Navusë dhe anëtarët e Kishës filluan të kryenin pagëzimet mëkëmbëse në emër të të vdekurve.

Kërkojuni studentëve të lexojnë kreun e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 127, i cili shpjegon se seksioni 127 është një letër nga Profeti Jozef Smith drejtuar shenjtorëve, duke i udhëzuar ata që të mbanin anale të pagëzimeve që i kryenin për të vdekurit. Shpjegoni se, rreth një javë më vonë, Jozefi shkroi një letër tjetër mbi temën e pagëzimit për të vdekurit, e cila gjendet te Doktrina e Besëlidhje 128.

Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta. (Mos e përfshini materialin në kllapa; ai është dhënë për ju, mësuesin.)

Doktrina e Besëlidhje 127:5–7; 128:8 (Kur një ordinancë kryhet nga autoriteti i priftërisë dhe një anal i duhur mbahet, ordinanca lidhet në tokë dhe në qiell.)

Doktrina e Besëlidhje 128:6–7 (Anali i ordinancave mëkëmbëse do të përfshihet mes librave që hapen për t’i gjykuar të vdekurit.)

Doktrina e Besëlidhje 128:15, 17–18 (Shpëtimi i paraardhësve tanë të vdekur është thelbësor për shpëtimin tonë.)

Caktojini studentët të lexojnë secilin prej fragmenteve të shkruara në tabelë. Vërini ata të kërkojnë doktrinat që i kanë shtuar kuptueshmërisë sonë të planit të Perëndisë për shëlbimin e të vdekurve. Ftojini studentët të përmbledhin doktrinën rreth shëlbimit për të vdekurit, që jepet mësim në secilin fragment të shkrimit të shenjtë. Kërkojuni disa studentëve t’i shkruajnë doktrinat në tabelë pranë fragmenteve. Vini në dukje që zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 127 dhe 128, shprehin një model të zakonshëm që gjendet në Rivendosjen e ungjillit – Zoti i zbulon të vërtetat rresht pas rreshti, në vend që t’i zbulojë të gjitha njëherësh.

Shpjegojuni studentëve që, shumë vite pasi u morën këto zbulesa, Zoti siguroi kuptueshmëri të mëtejshme për planin e Tij për t’i shëlbuar të vdekurit. Në vitin 1918, Presidenti Jozef F. Smith mori një vegim rreth shëlbimit të të vdekurve. Vegimi erdhi kur ai po përjetonte humbjen e birit të tij, Hajrëm M. Smithit, i cili kishte vdekur më herët atë vit, ndërkohë që shërbente si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138:28–37, duke kërkuar të vërteta që iu zbuluan Presidentit Jozef F. Smith lidhur me shëlbimin e të vdekurve.

  • Cilat të vërteta rreth shëlbimit për të vdekurit jepen mësim në këto vargje? (Teksa studentët i thonë të vërtetat që i kanë gjetur, sigurohuni që ata e kuptojnë këtë të vërtetë: Nën drejtimin e Jezu Krishtit, lajmëtarë të drejtë ua mësojnë ungjillin atyre që janë në burgun e shpirtrave.)

  • Si na ndihmojnë këto të vërteta shtesë që të kuptojmë se si dikush, i cili ka vdekur pa i marrë ordinancat e ungjillit, i tillë si Alvin Smithi, mund të marrë një trashëgimi në mbretërinë çelestiale?

Lexojeni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Si anëtarë të Kishës së rivendosur të Krishtit, ne kemi përgjegjësi besëlidhjeje për të gjetur paraardhësit tanë e t’u sigurojmë ordinancat shpëtuese të ungjillit. ‘Ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur’ (Hebrenjve 11:40; shih edhe Mësimet: Jozef Smith, f. 508). Dhe ‘as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur’ (DeB 128:15)” (“Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 25).

  • Përse duhet të jetë një përparësi në jetën tonë puna e shëlbimit të të vdekurve?

  • Si ndihmon sigurimi i ordinancave shpëtuese për të afërmit tanë të vdekur, si për ata ashtu edhe për ne, që të bëhemi të përsosur?

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Rasëll M. Nelson

“Ndërkohë që puna në tempull dhe e historisë familjare ka fuqinë për t’i bekuar ata përtej velit, ajo ka një fuqi të barabartë për t’i bekuar të gjallët. Ajo ka një ndikim përmirësues mbi të gjithë ata që përfshihen në të. Ata po ndihmojnë në mënyrë të mirëfilltë për t’i ekzaltuar familjet e tyre” (“Breza të Lidhur me Dashuri”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 93,94).

  • Si dëshmon doktrina e shëlbimit të të vdekurve për arritjen e pafundme të Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Riçard G. Skot

“Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith doktrinën frymëzuese në lidhje me ordinancën e shenjtë të pagëzimit. Ajo dritë erdhi kur kishat e tjera të krishtera jepnin mësim se vdekja përcaktonte në mënyrë të pakthyeshme dhe të përjetshme fatin e shpirtit. Ato jepnin mësim se të pagëzuarit shpërbleheshin me gëzim të pafund ndërsa gjithë të tjerët përballeshin me mundim të përjetshëm, pa shpresë për shëlbim. …

Kjo doktrinë e lavdishme është një tjetër dëshmi e natyrës gjithëpërfshirëse të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai e bëri shpëtimin të disponueshëm për çdo shpirt të penduar. Shlyerja e Tij e mposhti vdekjen dhe Ai u lejon të vdekurve të denjë që t’i marrin me mëkëmbës të gjitha ordinancat e shpëtimit” (“Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 93).

  • Çfarë përvojash jua kanë mësuar rëndësinë e pjesëmarrjes në punën e shëlbimit të të vdekurve?

  • Si është rritur dëshmia juaj ngaqë keni marrë pjesë në punën e shëlbimit të të vdekurve? (Ftojini disa studentë të japin dëshmitë e tyre.)

Nxitini studentët të marrin parasysh se si mund të merrnin pjesë në punën e madhërishme të shëlbimit të të vdekurve, qoftë nëpërmjet kërkimit të historisë familjare ose nëpërmjet shërbimit si mëkëmbës në kryerjen e ordinancave të tempullit. Jepni dëshminë tuaj që, nëpërmjet punës së bërë në tempujt bashkëkohorë, të gjithë fëmijët e Atit Qiellor mund të marrin të gjitha ordinancat e nevojshme për shpëtimin.

Materiale Leximi për Studentin