Biblioteka
Mësimi 28: Përshpejtimi i Punës për Shpëtim


28

Përshpejtimi i Punës për Shpëtim

Në vitet e fundit, udhëheqësit e Kishës e kanë theksuar profecinë e Zotit se Ai do ta “përshpejtoj[ë] veprën [e Tij]” (DeB 88:73). Puna për shpëtim përfshin punën misionare të anëtarëve, mbajtjen aktivë të të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë përgjegjësinë e tyre si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme për të marrë pjesë në këtë vepër.

Lexim Konteksti

  • Diter F. Uhtdorf, “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 58–62.

  • “Përshpejtimi i Punës për Shpëtim”, Ensign, tetor 2013, f. 36–39.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 138:53–56

Zoti po e përshpejton punën e Tij

Tregojuni studentëve se, pak kohë përpara vdekjes së tij, Presidenti Jozef F. Smith pati një vegim të botës së shpirtrave, i cili shënohet tani si Doktrina e Besëlidhje 138. Ai mësoi se udhëheqësit e periudhës së fundit të kujdestarisë ungjillore dhe “shumë të tjerë” u përgatitën në botën para lindjes për përgjegjësitë e tyre tokësore. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 138:53–56, ndërkohë që klasa e ndjek duke kërkuar përgjegjësitë që iu dhanë këtyre udhëheqësve në botën para lindjes.

  • Çfarë përgjegjësish iu dhanë këtyre udhëheqësve në botën para lindjes? Çfarë përgatitjeje morën ata atje?

  • Çfarë përgjegjësish mund t’ju jenë dhënë juve në botën para lindjes? Çfarë përgatitjeje mund të keni marrë ju? (Teksa studentët i japin idetë e tyre, ndihmojini të përcaktojnë këtë parim: Ne u përgatitëm në jetën para lindjes që të vinim në tokë në plotësinë e kohëve për të punuar për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve.)

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Tomas S. Monson

“A e kuptoni se Kisha e rivendosur ishte 98-vjeçare përpara se të kishte 100 kunje? Por më pak se 30 vjet më vonë, Kisha kishte organizuar 100 kunjet e saj të dyta. Dhe vetëm tetë vjet pas asaj Kisha kishte më tepër se 300 kunje. Sot [2014] ne jemi forcuar me mbi 3.000 kunje.

Përse po ndodh kjo rritje me një ritëm të përshpejtuar? Mos vallë ngaqë jemi më të njohur? Mos vallë ngaqë kemi godina kishtare të këndshme?

Këto gjëra janë të rëndësishme, por arsyeja përse Kisha po rritet sot është ngaqë Zoti tregoi se kjo do të ndodhte. Te Doktrina e Besëlidhje, Ai tha: ‘Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë’ [DeB 88:73].

Ne, si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, u dërguam në tokë në këtë kohë që të mund të merrnim pjesë në përshpejtimin e kësaj vepre të madhërishme” (“Hastening the Work”, Ensign, qershor 2014, f. 4).

  • Sipas Presidentit Monson, përse u dërguam në tokë në këtë kohë? (Teksa studentët japin përgjigjet e tyre, ndihmojini të kuptojnë këtë parim: Ne kemi përgjegjësi për të marrë pjesë në përshpejtimin e punës së Atit Qiellor.)

  • Cilat janë disa nga mënyrat si e keni dëshmuar një “përshpejtim” të punës së Perëndisë? (Ka shumë përgjigje për këtë pyetje, duke përfshirë ndryshimin e moshave për shërbimin misionar, rritjen e numrit të misionarëve, rritjen e numrit të tempujve dhe shtimin e mjeteve që e bëjnë më të lehtë punën e historisë familjare.)

Vini në dukje se këto përgjigje japin provë që Zoti po e përshpejton punën e Tij në të dy anët e velit. Shpjegoni se udhëheqësit e Kishës sot e kanë vënë theksin në pesë fusha brenda punës së shpëtimit dhe kanë kërkuar që secili prej nesh të marrë pjesë në këto fusha me qëllim që të përshpejtohet puna e Perëndisë në këto ditë të fundit. Paraqitni thënien vijuese nga Plaku L. Uitni Klejton, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë. Bëjeni klasën të përcaktojë pesë fushat që janë pjesë e punës së shpëtimit:

Plaku L. Uitni Klejton

“Profetët dhe apostujt e gjallë na mësojnë se ‘anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit dërgohen “për të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve” (DeB 138:56). Kjo punë për shpëtimin përfshin punën misionare të anëtarëve, mbajtjen aktivë të të kthyerve në besim, aktivizimin e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull e për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit’ [Handbook 2: Administering the Church [Manuali 2: Administrimi i Kishës] (2010), 5.0]” (“The Work of Salvation: Then and Now”, Ensign, shtator 2014, f. 63).

Ndërkohë që studentët i përcaktojnë pesë fushat, shkruani në tabelë sa vijon:

Puna misionare e anëtarëve

Mbajtja aktive e të kthyerve në besim

Aktivizimi i anëtarëve më pak aktivë

Puna në tempull e për historinë familjare

Mësimdhënia e ungjillit

Doktrina e Besëlidhje 88:73

Secili prej nesh mund të japë ndihmesë për përshpejtimin e punës së Zotit

Kërkojini studentit të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 88:73, ndërsa studentët e tjerë e ndjekin. Më pas u shpjegoni studentëve se secili prej nesh duhet të përpiqet për ta shtuar ndihmesën tonë për përshpejtimin e punës së Zotit. U shpërndani studentëve fletushkën në fund të mësimit dhe shpjegoni se kjo fletushkë do t’i ndihmojë ata të mendojnë rreth mënyrës se si mund ta rritin ndihmesën e tyre. Ftojini studentët të përzgjedhin dhe në heshtje të lexojnë një ose më shumë prej thënieve në fletushkë dhe të përgatiten për t’iu përgjigjur pyetjeve që gjenden në fletushkë.

fletushka, Përshpejtimi i Punës për Shpëtim

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar e për t’u përgatitur, merrni parasysh ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë citimin e parë. Më pas kërkojuni disa studentëve t’i japin përgjigjet e tyre ndaj tri pyetjeve në fletushkë, duke u përqendruar te puna misionare e anëtarëve. Përsëriteni këtë proces me secilin prej pesë citimeve.

Ndihmojini studentët të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në punën për shpëtim duke bërë pyetjet vijuese:

  • Çfarë bekimesh keni marrë kur keni marrë pjesë në një ose më shumë nga këto fusha të punës për shpëtim? Çfarë përvoje keni pasur gjatë pjesëmarrjes në një nga këto fusha, e cila ka qenë veçanërisht domethënëse për ju?

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Kur koha jonë në vdekshmëri të përfundojë, për cilat përvoja do të jemi vërtet në gjendje të tregojmë rreth vetë ndihmesës sonë në këtë periudhë domethënëse të jetës sonë dhe në çuarjen më tej të punës së Zotit? A do të jemi në gjendje të themi se i përveshëm mëngët dhe punuam me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë? Apo do të duhet të pohojmë se roli ynë ishte kryesisht ai i një vëzhguesi?” (“A Po Flini Gjatë Rivendosjes?” Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 59).

Ftojini studentët të planifikojnë atë që do të bënin për të marrë pjesë më plotësisht në punën për shpëtimin, duke pyetur:

  • Cilat janë disa mënyra se si i keni parë të tjerët të ndihmojnë për ta përshpejtuar punën e Zotit?

  • Cilat janë disa mënyra se si planifikoni të jepni ndihmesë për përshpejtimin e punës së Zotit?

  • Si na nxit njohuria dhe dëshmia jonë për Rivendosjen për të marrë pjesë më plotësisht në punën për shpëtimin?

Ftojini disa studentë të tregojnë dhe dëshmojnë për diçka që e kanë mësuar rreth Rivendosjes së ungjillit nëpërmjet studimit të tyre në këtë kurs. Mbylleni duke dëshmuar për vërtetësinë e Rivendosjes së ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Materiale Leximi për Studentin

  • Diter F. Uhtdorf, “A Po Flini Gjatë Rivendosjes?” Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 58-62).

  • “Përshpejtimi i Punës për Shpëtim”, Ensign, tetor 2013, f. 36–39.

Përshpejtimi i Punës për Shpëtim

Themelet e Rivendosjes – Mësimi 28

Përsiatni pyetjet vijuese në lidhje me secilën nga pesë fushat që janë pjesë e punës për shpëtim:

  • Si mund t’i sjellin të tjerët më pranë bekimeve të shpëtimit përpjekjet tuaja në këtë fushë të punës së Perëndisë?

  • Çfarë përvojash keni pasur dhe çfarë bekimesh keni marrë kur keni marrë pjesë në këtë fushë të përshpejtimit të punës së Zotit për shpëtimin?

  • Çfarë mund të bëni, pavarësisht nga thirrja juaj e tanishme në Kishë, që të luani rol në këtë fushë të punës për shpëtimin?

Puna Misionare e Anëtarëve

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Nil L. Andersen

“Vëllezër e motra, me aq siguri sa Zoti ka frymëzuar më shumë misionarë për të shërbyer, Ai gjithashtu po zgjon mendjet dhe po hap zemrat e më shumë njerëzve të mirë e të ndershëm për të pranuar misionarët e Tij. Ju tashmë i njihni apo do t’i njihni ata. Ata janë në familjen tuaj dhe jetojnë në lagjen tuaj. Ata ecin duke u shkëmbyer me ju në rrugë, ulen pranë jush në shkollë dhe lidhen me ju në internet. Edhe ju jeni një pjesë e rëndësishme e kësaj mrekullie që po shpaloset.

Nëse nuk jeni një misionar kohëplotë me një etiketë të zezë misionari të kapur në pallton tuaj, tani është koha që ta pikturoni një [të tillë] në zemrën tuaj – të ngjyrosur, siç tha Pali, ‘jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë’ [2 Korintasve 3:3]. … Të gjithë ne kemi një kontribut për të bërë për këtë mrekulli” (“Është një Mrekulli”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 78).

Mbajtja Aktive e të Kthyerve në Besim

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpalli:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Ju dhe unë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parë që çdo anëtar i Kishës të shoqërohet tërësisht dhe i gëzon të gjitha bekimet që ungjilli ka për të ofruar.

Presidenti Gordon B. Hinkli na ka kujtuar ju dhe mua për përgjegjësinë tonë që të jemi bashkëpunëtorë me Zotin për t’i bërë të ndodhin planet e Tij për Kishën. Në një transmetim satelitor, Presidenti Hinkli tha:

‘Zoti ka vendosur mbi ne një mandat për t’ia mësuar ungjillin çdo krijese. Kjo do të kërkojë përpjekjet më të mira të çdo misionari – kohëplotë dhe të kunjit. Do të kërkojë përpjekjet më të mira të çdo peshkopi, të çdo këshilltari të peshkopit, të çdo anëtari të këshillit të lagjes …’ (‘Find the Lambs, Feed the Sheep’, Ensign, maj 1999, f. 107). Do të kërkojë përpjekjet më të mira të çdo anëtari” (“Members Are the Key”, Ensign, shtator 2000, f. 10).

Aktivizimi i Anëtarëve më Pak Aktivë

“Roli ynë [si anëtarë] është të zhytemi në dashurinë dhe shërbimin për njerëzit rreth nesh – duke ngushëlluar një koleg pune në nevojë, duke ftuar miqtë tanë në një pagëzim, duke ndihmuar një fqinj të moshuar për punën e tij në kopsht, duke ftuar një anëtar më pak aktiv për një vakt ushqimor, ose duke ndihmuar një fqinjë për historinë e familjes së saj. Të gjitha këto janë mënyra të natyrshme e të gëzueshme për të ftuar anëtarë më pak aktivë dhe njerëz jo të besimit tonë në jetën tonë dhe, si pasojë, në dritën e ungjillit. Ndarja me ta e momenteve zbavitëse dhe atyre të shenjta në jetën tonë, mund të jetë në të vërtetë mënyra më e efektshme se si secili prej nesh mund të “pun[ojë] në vreshtin e [Jezu Krishtit] për shpëtimin e shpirtrave të [burrave dhe grave]’ (DeB 138:56)” (“Përshpejtimi i Punës për Shpëtim”, Ensign, tetor 2013, f. 36).

Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare

Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku Kuentin L. Kuk

“Udhëheqja e Kishës i ka drejtuar një thirrje të qartë brezit të ri që të jetë pararoja në përdorimin e teknologjisë për të përjetuar shpirtin e Elijas, për t’i kërkuar paraardhësit e tyre dhe për të kryer ordinanca në tempull për ta. Shumica e punës së rëndë në përshpejtimin e punës së shpëtimit si për të gjallët dhe të vdekurit do të bëhet nga ju të rinj” (“Rrënjët dhe Degët”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 46,47).

Mësimdhënia e Ungjillit

“Përgjegjësia për ta dhënë mësim ungjillin nuk kufizohet tek ata që kanë thirrje zyrtare si mësues. Si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ju keni përgjegjësinë për ta dhënë mësim ungjillin. Si prind, bir, bijë, bashkëshort, bashkëshorte, vëlla, motër, udhëheqës i Kishës, mësues në klasë, mësues shtëpie, mësuese vizitore, bashkëpunëtor, fqinj ose mik, ju keni mundësi të jepni mësim. Nganjëherë ju mund të jepni mësim haptazi dhe drejtpërsëdrejti, me anë të gjërave që thoni dhe dëshmisë që jepni. Dhe ju gjithmonë jepni mësim me anë të shembullit” (Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching [1999], f. 3–4).