Biblioteka
Mësimi 8: Mbledhja e Izraelit të Ditëve të Mëvonshme


8

Mbledhja e Izraelit të Ditëve të Mëvonshme

Hyrje

Brenda një viti të organizimit të Kishës, Zoti i urdhëroi shenjtorët të mblidheshin në zonën e Ohajos (shih DeB 37:3). Që nga ajo kohë, shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë mbledhur në vendndodhje të ndryshme teksa kanë kërkuar ta ndjekin profetin e gjallë dhe të krijojnë vende të sigurta për të jetuar. Në këtë mësim, studentët do të mësojnë se Zoti i mbledh njerëzit e Tij për t’i forcuar ata dhe për t’i përgatitur që të marrin bekime më të mëdha, duke përfshirë bekimet e tempullit (shih DeB 84:4).

Lexim Konteksti

  • Russell M. Nelson, “The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 79–82.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 38:31–33; 39:15; 95:8; 110:9

Thirrja për t’u mbledhur në Ohajo

Paraqitni hartën “Zona e New York-ut, Pennsylvania-s dhe Ohio-s në SHBA” (Harta Historike të Kishës, nr. 3), e vendosur në pjesën pas Doktrinës e Besëlidhjeve, ose ndonjë hartë tjetër të kësaj zone.

harta, SHBA-ja verilindore

Ftojini studentët të përcaktojnë vendndodhjet e përgjithshme të ngjarjeve të rëndësishme vijuese të Rivendosjes: Vegimi i Parë (Mançester, Nju-Jork), rivendosja e priftërisë (Harmoni, Pensilvania) dhe organizimi i Kishës (Fajet, Nju-Jork).

Më pas kërkojuni disa studentëve që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga thënia vijuese:

“Sidni Rigdoni, një ish-shërbestar dhe anëtar i sapokthyer në besim nga zona e Kirtlandit, dhe një mik joanëtar, i quajtur Eduard Partrixh, ishin të etur të takonin Profetin dhe të mësonin më shumë për mësimet e Kishës. Në dhjetor 1830 ata udhëtuan më shumë se 400 kilometra deri në Fajet të Nju-Jorkut, për të vizituar Jozef Smithin. Ata i kërkuan atij të pyeste për vullnetin e Zotit me anë të zbulesës në lidhje me ata vetë dhe shenjtorët në Kirtland. Si përgjigje, Zoti zbuloi që shenjtorët e Nju-Jorkut duhej ‘të mblidhe[shin] së bashku në Ohio’ (DeB 37:3). Në konferencën e tretë dhe të fundit të Kishës në Nju-Jork, të zhvilluar tek ferma e Uitmer më 2 janar 1831, Zoti e përsëriti udhëzimin e Tij [që anëtarët e Kishës të lëviznin për në Ohajo]. … Kjo ishte thirrja e parë në këtë periudhë ungjillore që shenjtorët të mblidheshin së bashku. …

… Rreth 68 anëtarë nga Kolesvilli kishin nisur rrugën e tyre për në Ohajo nga mesi i prillit 1831. Po aq të bindur ndaj urdhrit të Zotit ishin 80 shenjtorë nga dega e Fajetit dhe 50 veta nga dega e Mançesterit, që i lanë shtëpitë e tyre në fillim të majit 1831. … Nga mesi i majit, të gjitha degët e Kishës nga Nju-Jorku kishin qenë në gjendje të udhëtonin me anije përmes liqenit Erie për në limanin Ferport të Ohajos, ku i takuan bashkëshenjtorët dhe i çuan në destinacione në qytezat e Kirtlandit dhe Tompsonit. Mbledhja e madhe e Izraelit të ditëve të fundit kishte filluar” (Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme [2010], f. 17–19).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 38:31–33. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të përcaktojë mënyrat se si shenjtorët do të bekoheshin nëse do t’i bindeshin urdhërimit për t’u mbledhur në Ohajo. Studentët duhet të përcaktojnë katër bekime: 1) ata “mund t’i shpëtoni[n] pushtetit të armikut”; 2) ata do të “mblidhe[shin] tek [Perëndia] një popull i drejtë”; 3) ata do të merrnin ligjin e Perëndisë; dhe 4) atyre do t’iu “dhurohe[j] fuqi nga lart”. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto katër bekime në shkrimet e tyre të shenjta. (Shënim: Përcaktimi i listave në shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë studentët të dallojnë pika kyçe që po i thekson Zoti ose profeti.)

Shkruani në tabelë sa vijon: Zoti e mbledh popullin e Tij për t’i mbrojtur dhe për t’i forcuar ata shpirtërisht. Mund të vini në dukje që në shkrimet e shenjta, doktrina e mbledhjes shpesh lidhet me mbrojtjen. “Një lidhje është një marrëdhënie ose një hallkë midis ideve, njerëzve, gjërave ose ngjarjeve, dhe shkrimet e shenjta janë plot me lidhje” (David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” (mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007), f. 4, speeches.byu.edu).

Shpjegoni se, ashtu si Zoti e çoi Izraelin e lashtë te mali Sinai dhe u dha atyre ligjin e Tij, po ashtu Ai i udhëzoi shenjtorët e ditëve të mëvonshme të mblidheshin në Ohajo që ata të mund ta merrnin ligjin e Tij në këtë periudhë ungjillore (shih DeB 38:32). Në Ohajo, Zoti filloi t’ia zbulonte ligjin e Tij Kishës (shih kreun e seksionit DeB 42). Më pas pyetni:

  • Si ju ndihmon të mbroheni prej fuqisë së Satanit mbledhja me ata që kanë të njëjtat bindje dhe standarde si ju?

  • Si na ndihmon pranimi i ligjeve të Perëndisë që ne të forcohemi shpirtërisht?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë që në Ohajo shenjtorëve do t’iu “dhurohe[j] fuqi nga lart”?

Shpjegoni se bekimi i premtuar i të qenit të “dhur[uar me] fuqi nga lart” filloi të përmbushej kur Tempulli i Kirtlandit u përfundua pesë vjet pasi shenjtorët u mblodhën në Ohajo. Lajmëtarë qiellorë e vizituan tempullin e përfunduar që t’i rivendosnin Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit çelësat dhe autoritetin e nevojshëm për t’i kryer ordinancat e shenjta. Manifestime shpirtërore u derdhën mbi shumë shenjtorë në kohën e përkushtimit të tempullit. Dhe një numër i vogël i shenjtorëve në tempull morën larjet dhe vajosjet e tempullit. Pak vite më pas në Navu, premtimi i të qenit të dhuruar me fuqi u përmbush më tej kur ordinancat e dhurimit [indaumentit] të tempullit iu paraqitën shenjtorëve. Tregoni thënien vijuese të dhënë në Navu nga Profeti Jozef Smith dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Profeti Jozef Smith

“Cili ishte qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës? … Qëllimi kryesor ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mësonte njerëzve udhën e shpëtimit” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 444–445).

  • Në çfarë mënyrash keni vëzhguar që Perëndia i bekon shenjtorët e ditëve të mëvonshme kur ata mblidhen dhe ndërtojnë tempuj siç i ka drejtuar Ai?

Doktrina e Besëlidhje 45:62-67

Zoti përshkruan Jerusalemin e Ri, ose Sionin

Shpjegoni se jo shumë kohë pasi shenjtorët e Nju-Jorkut ishin mbledhur në Ohajo, shumë histori të rreme dhe thashetheme nëpër gazeta e paraqitën keq dhe e morën nëpër gojë Kishën. Gjatë kësaj kohe, Profeti Jozef Smith mori një zbulesë rreth një vendi paqeje dhe sigurie, të caktuar për mbledhjen.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 45:62–67. Kërkojini klasës që ta ndjekë dhe të përcaktojë qëllimet e Zotit në urdhërimin e shenjtorëve që të mblidheshin drejt “shtete[ve] perëndimore” (DeB 45:64). Merrni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë tha Zoti se ishte “madje te dera”? Çfarë do të thotë për ju fraza “madje te dera”?

  • Çfarë donte Zoti të bënin shenjtorët teksa mblidheshin së bashku drejt shteteve perëndimore?

  • Përse duhej që ata t’i mblidhnin pasuritë e tyre? Shpjegoni se fjala trashëgim i drejtohet tokës që ata duhej ta blinin, ku mund të banonin dhe adhuronin Zotin.)

  • Si do të quhej toka e trashëgimit të shenjtorëve?

Shpjegoni se në shkrimet e shenjta, fjala Sion mund të ketë disa kuptime. Nganjëherë u drejtohet njerëzve të Sionit dhe i përshkruan ata si “të kulluarit në zemër” (DeB 97:21). Diku tjetër Sioni i drejtohet tërë Kishës dhe kunjeve të saj (shih DeB 82:14). Fjala Sion gjithashtu mund t’i drejtohet vendndodhjeve të veçanta gjeografike. Te Doktrina e Besëlidhje 45:66–67, Sioni i drejtohet një qyteti fizik që shenjtorët do ta ngrinin dhe në të cilin ata do të mblidheshin, nganjëherë i quajtur Jerusalemi i Ri (shih edhe 3 Nefi 20:22; 21:23; Ethëri 13:1–8; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sion”, f. 169). Diskutoni pyetjet vijuese:

  • Si e përshkroi Zoti Jerusalemin e Ri, ose Sionin? (Studentët duhet të përcaktojnë doktrinën vijuese: Jerusalemi i Ri do të ishte një vend i paqes, strehimit e sigurisë dhe lavdia e Zotit do të ishte atje.)

  • Në ç’mënyra të qenit një anëtar i Kishës ju ka dhënë sigurinë dhe paqen që gjenden në Sion?

Shpjegoni se në mbylljen e konferencës së katërt të Kishës, të mbajtur në qershor të vitit 1831 në Kirtland të Ohajos, Zoti urdhëroi Jozef Smithin dhe pleq të tjerë të udhëtonin në dyshe për afërsisht 1,400 kilometra drejt Misurit, duke predikuar përgjatë udhës (shih DeB 52, përmbledhja e vargjeve). Pas mbërritjes, Profeti mori një zbulesë që e përcaktoi Misurin si “toka e premtimit dhe vendi për qytetin e Sionit” me Indipendëns në Misuri, të përcaktuar si “vendi qendror” (DeB 57:1–3). Përgjatë dy viteve të ardhshme, qindra shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të zellshëm për ta ndërtuar Sionin, lëvizën drejt zonës së kontesë Xhekson në Misuri. Për fat të keq, konflikti u shtua midis anëtarëve të Kishës e qytetarëve të tjerë të zonës dhe gjendja më së fundi u bë e dhunshme. Shenjtorët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në kontenë Xhekson në nëntor e dhjetor të vitit 1833.

Doktrina e Besëlidhje 115:5–6

Njerëzit e Perëndisë sot mblidhen në kunjet e Sionit

Për t’i ilustruar përpjekjet e shenjtorëve që të mblidheshin në vendet shtesë të sigurisë e paqes, paraqitni hartën “Lëvizja e Kishës drejt Perëndimit” (Harta të Historisë së Kishës, nr. 6), e vendosur pas Doktrinës e Besëlidhjeve.

harta, Lëvizja e Kishës drejt Perëndimit

Shpjegoni se shenjtorët më së fundi u detyruan të largoheshin nga Kirtlandi në Ohajo, si edhe nga vendndodhjet në Misurin perëndimor. Në vitin 1839, shenjtorët filluan të mblidheshin në Navu të Ilinoisit, ku ata ngritën një qytet të madh. Por pak kohë pas vdekjes së Profetit Jozef Smith, anëtarët e Kishës u detyruan përsëri të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ata u zhvendosën drejt Maleve Shkëmbore dhe ngritën koloni përgjatë pjesës perëndimore të Amerikës Veriore, me zyrat qendrore të Kishës të ngritura në Solt-Lejk-Siti.

Ftojini studentët të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 115:5–6. Më pas pyetni:

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh iu premtohen atyre që mblidhen në kunjet e Sionit? (Përgjigjet duhet të përfshijnë të vërtetën vijuese: Ne mblidhemi në kunjet e Sionit për mbrojtje dhe për strehim kundrejt ligësisë.)

  • Në çfarë mënyrash mund t’i sigurojnë kunjet e Sionit anëtarët e Kishës me mbrojtje dhe strehim në vendlindjet e tyre amtare?

  • Kur keni ndier forcë dhe mbrojtje teksa jeni mbledhur me shenjtorët në vetë lagjen ose degën tuaj?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej se çfarë do të thotë sot për anëtarët e Kishës që të mblidhen në kunjet e Sionit, paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë atë me zë të lartë:

Plaku Dallin H. Ouks

“Në vitet e hershme të kësaj periudhe të fundit të kujdestarisë ungjillore, një mbledhje në Sion përfshinte vendndodhje të ndryshme në Shtetet e Bashkuara: në Kirtland, në Misuri, në Navu dhe në majën e maleve. Gjithmonë këto ishin mbledhje për tempuj të ardhshëm. Me krijimin e kunjeve dhe ndërtimin e tempujve në shumë kombe me popullsi të konsiderueshme të anëtarëve besnikë, urdhërimi i tanishëm është të mos mblidhen në një vend, por të mblidhen në kunjet në vendlindjet e tyre amtare. Atje anëtarët besnikë mund të gëzojnë bekimet e plota të përjetësisë në një shtëpi të Zotit. … Në këtë mënyrë, kunjet e Sionit janë ‘për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun’ (DeB 115:6)” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 8).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985):

Presidenti Spenser W. Kimball

“Tani, mbledhja e Izraelit përbëhet nga bashkimi me kishën e vërtetë dhe nga ardhja e tyre te një dije për Perëndinë e vërtetë. … Si rrjedhim, çdo njeri që e ka pranuar ungjillin e rivendosur dhe që tani kërkon ta adhurojë Zotin në gjuhën e vet dhe me shenjtorët në kombet ku ai jeton, ka vepruar në pajtim me ligjin e mbledhjes së Izraelit dhe është trashëgimtar i të gjitha bekimeve të premtuara shenjtorëve në këto ditë të fundit” (The Teachings of Spencer W. Kimball, bot. Edward L. Kimball [1982], f. 439).

  • Çfarë keni parë të ndodhë me numrin e tempujve që ka ngritur Kisha gjatë jetës suaj?

  • Si jeni bekuar nga anëtarësia në një kunj ose distrikt të Sionit? Si jeni bekuar ju nëpërmjet tempujve të shenjtë?

Mbylleni duke u kërkuar studentëve të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë ata për t’i ndihmuar të tjerët që të marrin mbrojtje dhe forcë shpirtërore, që vjen nga pjesëmarrja besnike në kunjet e Sionit dhe nga adhurimi në tempujt e shenjtë. Ftojini studentët të veprojnë sipas nxitjeve të Shpirtit që mund t’i kenë marrë.

Materiale Leximi për Studentin