Biblioteka
Mësimi 18: Shoqata e Ndihmës dhe Kisha


18

Shoqata e Ndihmës dhe Kisha

“Shoqata e Ndihmës i përgatit gratë për bekimet e jetës së përjetshme duke i ndihmuar ato të rriten në besimin dhe në drejtësinë e tyre vetjake, të forcojnë familjet e shtëpitë dhe të ndihmojnë ata që janë nevojtarë” (“Qëllimi i Shoqatës së Ndihmës”, lds.org/callings/relief-society/purposes). Ky mësim do t’i ndihmojë studentët ta kuptojnë më mirë krijimin e Shoqatës së Ndihmës dhe qëllimet e saj. Studentët do të shohin gjithashtu që gratë kanë mundësi dhe përgjegjësi të mëdha në ngritjen e mbretërisë së Perëndisë, të cilat janë të veçanta për to.

Lexim Konteksti

  • Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 49–52.

  • M. Russell Ballard, “Men and Women and Priesthood Power”, Ensign, shtator 2014, f. 28–33.

  • Xhuli B. Bek, “Vizioni i Profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës: Besimi, Familja, Ndihma”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 83–85.

Sugjerime për Mësimdhënien

Doktrina e Besëlidhje 25

Udhëzimet e Zotit për Ema Smithin

Paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985) dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë ngaqë shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë deri në shkallën që gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi dhe qartësi në jetën e tyre dhe deri në shkallën që gratë e Kishës të shihen si të dallueshme dhe të ndryshme – në mënyra të gëzuara – nga gratë e botës” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 222–223).

  • Çfarë mendimesh keni ndërsa e merrni parasysh këtë thënie?

  • A njihni ndonjë grua që është shembull i lumturisë në të jetuarin e drejtë? Si kanë sjellë ato gra një ndryshim në jetën e atyre që i njohin ato?

Shpjegoni se ky mësim do të përqendrohet mbi mënyrat sipas të cilave Shoqata e Ndihmës i bekon bijat dhe bijtë e Atit Qiellor në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.

Kërkojuni studentëve të kthehen te Doktrina e Besëlidhje 25 dhe të shohin kreun e seksionit për të gjetur personin të cilit Zoti i foli në këtë zbulesë. Më pas lexoni me zë të lartë vargun 3. Shpjegojuni studentëve që, në sytë e Zotit, Ema Smithi ishte një “zonjë e zgjedhur”. Në mbledhjen e parë të Shoqatës së Ndihmës së Grave në Navu, Jozef Smithi shpjegoi se “e zgjedhur do të thotë të përzgjidhesh për një punë të caktuar”. Ai gjithashtu tha se zbulesa e dhënë Ema Smithit u “përmbush me thirrjen e Motrës Ema në Presidencën e Shoqatës [së Ndihmës]” (në History of the Church, 4:552–553). Ndajeni klasën përgjysmë dhe ftojeni gjysmën e klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 25:4–9 dhe gjysmën tjetër të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 25:10–15. Ftojini studentët të gjejnë detyrat e caktuara ose thirrjet që Zoti ia dha Ema Smithit. Ata mund të bëjnë një listë të këtyre përgjegjësive ose t’i shenjojnë ato në shkrimet e tyre të shenjta. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që kanë gjetur.

  • Si do të luante rol plotësimi i këtyre përgjegjësive në rritjen e Kishës?

  • Çfarë bekimi i premtoi Zoti Ema Smithit nëse ajo ishte e bindur ndaj urdhërimeve të Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 25:16.

  • Ndërkohë që kjo ishte një zbulesë e dhënë Ema Smithit, në çfarë mënyrash mund të zbatohen fjalët e Zotit drejtuar Emës për ne? (Mësimet rreth bindjes dhe rreth parimeve të tjera të ungjillit, të dhëna mësim në këtë zbulesë, gjejnë zbatim për çdo njeri. [Shënim: Shpjegoni se përqasja e shkrimeve të shenjta ndaj vetë përvojave tona është një aftësi e rëndësishme e studimit të shkrimeve të shenjta, e cila na ndihmon që të kuptojmë ngjashmërinë midis përvojave tona dhe atyre të individëve në shkrimet e shenjta.])

Teksa studentët i japin përgjigjet e tyre ndaj kësaj pyetjeje, ndihmojini ata të kuptojnë të vërtetën vijuese: Kur i zbatojmë me besnikëri urdhërimet dhe i përmbushim detyrat që na caktohen nga Zoti, ne vërtet do të marrim një kurorë drejtësie. Ju mund të doni të dëshmoni për këtë të vërtetë.

Shoqata e Ndihmës është një pjesë e rëndësishme e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit

Thuajuni studentëve se Zoti e zbuloi organizimin e Kishës rresht pas rreshti. Si pjesë e këtij procesi, Ai i dha një thirrje shumë të rëndësishme Ema Smithit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përmbledhjen vijuese të organizimit të Shoqatës së Ndihmës. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë se si vegimi i Profetit Jozef Smith për Shoqatën e Ndihmës e zgjeroi idenë fillestare të grave.

Në Navu, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme u bekuan me vetë organizatën e tyre në Kishë. Ajo e pati fillimin e saj kur disa gra, të udhëhequra nga Sara Granxher Kimballi, u organizuan të bënin këmisha për burrat që punonin në tempull. Gratë vendosën të organizoheshin zyrtarisht dhe ato i kërkuan Eliza R. Snout të shkruante një akt themelimi për grupin e tyre. Kur Profetit Jozef Smith iu kërkua këshillë, ai u tha atyre se akti i tyre i themelimit ishte i shkëlqyer, por ai ofroi që t’i organizonte gratë në një mënyrë më të mirë. Më 17 mars 1842, Profeti, së bashku me Pleqtë Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, u takuan me 20 gra në dhomën e sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe, ku Profeti organizoi Shoqatën e Ndihmës së Grave të Navusë. Ema Smithi u zgjodh si presidentja e organizatës, kështu duke përmbushur zbulesën që e përcaktoi atë si një “zonjë e zgjedhur” (DeB 25:3). Profeti më vonë tha se qëllimi i organizatës ishte të “lehtësonin të varfrit” dhe të “shpëtonin shpirtra” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 479–480).

Më 28 prill 1842, Profeti u takua sërish me motrat. Ai u tha atyre se ato do të merrnin udhëzim nëpërmjet urdhrit të priftërisë dhe më pas shpalli: “Unë jua dorëzoj çelësin juve në emrin e Perëndisë, dhe kjo Shoqatë do të gëzojë, dhe dije e inteligjencë do të burojë që nga kjo kohë” (Mësimet: Jozef Smith, f. 481–482).

Mund t’iu vini në dukje studentëve se ata mund t’i lexojnë procesverbalet e mbledhjeve të hershme të Shoqatës së Ndihmës te josephsmithpapers.org/paperSummary/Nauvoo-relief-society-minute-book.

  • Si e zgjeroi vegimi i Profetit për aftësinë e Shoqatës së Ndihmës propozimin fillestar të Sara Kimballit?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë thënia vijuese nga Profeti Jozef Smith: “Unë jua dorëzoj çelësin juve në emrin e Perëndisë?” (Shoqata e Ndihmës u organizua nën drejtimin e priftërisë nga ata që mbanin çelësat e priftërisë.)

Paraqitni thëniet vijuese nga Motra Zina D. H. Jang (1821–1901) dhe Motra Xhuli B. Bek, ish-presidente të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, lidhur me qëllimet e Shoqatës së Ndihmës dhe ftojini tre studentë t’i lexojnë thëniet. Kërkojini klasës t’i ndjekë dhe të marrë parasysh se çfarë na mësojnë këto thënie rreth qëllimeve të Shoqatës së Ndihmës.

Zina D. H. Jang

“Shoqata e Ndihmës … u organizua fillimisht rreth gjysmë shekulli më parë, nga Profeti Jozef Smith, sipas modelit të Priftërisë së Shenjtë dhe nën drejtimin e saj, për të shpërndarë bekime materiale ndaj të varfërve dhe nevojtarëve: dhe për t’u dhënë kurajë të dobëtëve, dhe për t’i kufizuar të gabueshmit, dhe për zhvillimin më të mirë, dhe për ushtrimin e ndjenjave të dashamirësisë së grave, dhe për ushtrimin e dashurisë hyjnore, që ajo të mund të ketë mundësinë për të fituar forcë shpirtërore dhe fuqi për të përmbushur mirësi më të madhe në punën e shëlbimit të familjes njerëzore” (Zina D. H. Young, “First General Conference of the Relief Society”, Woman’s Exponent, 15 prill 1889, f. 172).

Xhuli B. Bek

Busath.com

“Profeti Jozef Smith përcaktoi qëllimin e Shoqatës së Ndihmës dhe i udhëzoi motrat për qëllimin e tyre. … E jona është një organizatë që vazhdon të udhëhiqet sot nga profetë, shikues dhe zbulues” (Xhuli B. Bek, “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 111).

“Pikërisht ashtu si profetët e Zotit u kanë dhënë mësim vazhdimisht pleqve dhe priftërinjve të lartë për qëllimet dhe detyrat e tyre, ata kanë treguar vizionin e tyre për motrat e Shoqatës së Ndihmës. Nga këshilla e tyre është e qartë se qëllimet e Shoqatës së Ndihmës janë për të rritur besimin e drejtësinë vetjake, për të forcuar familjen e shtëpinë dhe për të kërkuar e ndihmuar ata në nevojë. Besim, familje dhe ndihmë – këto tri fjalë të thjeshta kanë arritur të shprehin vizionin e profetëve për motrat në Kishë” (Xhuli B. Bek, “Vizioni i Profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës: Besimi, Familja, Ndihma”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 83).

  • Në ç’mënyrë qëllimet e Shoqatës së Ndihmës e bekojnë të gjithë Kishën? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Shoqata e Ndihmës përpiqet të rritë besimin dhe drejtësinë vetjake, t’i forcojë familjet e shtëpitë dhe të sigurojë ndihmë nëpërmjet të kërkuarit e të ndihmuarit të njerëzve nevojtarë. E tërë Kisha bekohet kur gratë i përmbushin këto qëllime.)

  • Si e keni parë Shoqatën e Ndihmës t’i përmbushë qëllimet e saj?

Shfaqeni thënien vijuese dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:

“Profeti Jozef Smith shpalli: ‘Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosmërisht derisa gratë u organizuan kështu’ [Mësimet: Jozef Smith, f. 481]. …

Përveç Jozef Smithit, profetë të tjerë të ditëve të mëvonshme kanë dëshmuar se organizata e Shoqatës së Ndihmës është një pjesë e frymëzuar e Rivendosjes, nëpërmjet së cilës gratë në Kishë thirren në pozita kishtare për t’i shërbyer njëra-tjetrës dhe për ta bekuar të gjithë Kishën. Presidenti Jozef F. Smith … tha: ‘Kjo organizatë është krijuar në mënyrë hyjnore, është autorizuar në mënyrë hyjnore, është themeluar në mënyrë hyjnore, është shuguruar në mënyrë hyjnore nga Perëndia për të shërbyer për shpëtimin e shpirtrave të grave dhe të burrave’ [Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 184]” (Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 7).

  • Çfarë na mëson kjo thënie rreth rolit që Shoqata e Ndihmës luan në Rivendosjen e ungjillit? (Ndërkohë që studentët përgjigjen, sigurohuni që ata ta kuptojnë këtë të vërtetë, edhe nëse ajo shprehet me fjalë të ndryshme: Shoqata e Ndihmës është një pjesë e frymëzuar e Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit. Shkruajeni këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si sjell ndryshim në jetën tuaj njohuria se organizata e Shoqatës së Ndihmës është pjesë e Rivendosjes?

  • Si ndihmon pjesëmarrja e grave në thirrjet në Kishë që Kisha të jetë “e organizuar përsosmërisht”?

Gratë dhe Priftëria

Shpjegojuni studentëve se ka disa njerëz që e vënë në pyetje përse gratë nuk shugurohen në detyra të priftërisë. Theksoni se, ndërkohë që nuk e dimë përse gratë nuk shugurohen në detyra të priftërisë, ne vërtet e dimë se gratë marrin pjesë në priftërinë nëpërmjet thirrjeve të tyre të Kishës dhe në shtëpitë e tyre.

Shpërndajini secilit student një kopje të thënies vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë. Ftojini studentët të përcaktojnë mënyra sipas të cilave gratë mund ta ushtrojnë autoritetin e priftërisë:

Fletushkë, Gratë dhe Priftëria

Gratë dhe Priftëria

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

Plaku Dallin H. Ouks

“Në një fjalim drejtuar Shoqatës së Ndihmës, Presidenti Jozef Filding Smith, në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha këtë: Ndërsa motrave nuk iu është dhënë Priftëria, nuk iu është dhuruar atyre, kjo nuk do të thotë se Zoti nuk u ka dhënë atyre autoritet. … Një njeri mund të ketë autoritet të dhënë atij ose një motër [autoritet] të dhënë asaj, për të bërë gjëra të caktuara në Kishë, të cilat janë lidhëse dhe tërësisht të nevojshme për shpëtimin tonë, siç është puna që motrat tona bëjnë në Shtëpinë e Zotit. Ato kanë autoritet të dhënë atyre për të bërë disa gjëra të mëdha dhe të mrekullueshme, të shenjta për Zotin, dhe lidhëse, në mënyrë po aq tërësore sa ç’janë bekimet që jepen nga burrat që mbajnë Priftërinë’ [‘Relief Society – An Aid to the Priesthood’, Relief Society Magazine, janar 1959, f. 4].

Në atë fjalim të shquar, Presidenti Smith tha në mënyrë të përsëritur se grave u është dhënë autoritet. Grave ai u tha: ‘Ju mund të flisni me autoritet, sepse Zoti ka vendosur autoritet mbi ju’. Ai gjithashtu tha se Shoqatës së Ndihmës ‘i [është] dhënë fuqi dhe autoritet për të bërë shumë gjëra të madhërishme. Puna që ato bëjnë, bëhet nëpërmjet autoritetit hyjnor.’ Dhe, sigurisht, puna e Kishës, e bërë nga burra ose gra, qoftë në tempull apo në lagjet ose degët, bëhet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësa të priftërisë. Kështu, duke folur për Shoqatën e Ndihmës, Presidenti Smith shpjegoi: ‘[Zoti] ua ka dhënë atyre këtë organizatë të madhërishme ku ato kanë autoritet për të shërbyer nën drejtimin e peshkopëve të lagjeve, duke u kujdesur për interesin e njerëzve tanë si shpirtërisht ashtu dhe materialisht’ [‘Relief Society – An Aid to the Priesthood’, f. 4–5]. …

Ne nuk e kemi zakon të flasim për gratë që të kenë autoritetin e priftërisë në thirrjet e tyre në Kishë, por çfarë autoriteti tjetër mund të jetë ai? Kur një grua – e re apo e moshuar – veçohet për të predikuar ungjillin si një misionare kohëplotë, asaj i jepet autoritet priftërie për të kryer një funksion priftërie. E njëjta gjë është e vërtetë kur një grua veçohet për të vepruar si nëpunëse ose mësuese në një organizatë të Kishës, nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë. Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj” (“Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 51).

  • Çfarë të vërtetash rreth roleve dhe përgjegjësive të grave në Kishë i mësoni nga Plaku Ouks? Teksa studentët i japin përgjigjet e tyre, sigurohuni që ata e kuptojnë këtë të vërtetë: Kur gratë veçohen për të shërbyer në Kishë, ato marrin autoritetin priftëror për t’i kryer përgjegjësitë e tyre.)

Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve dhe ndjenjat e tyre rreth të vërtetave që kanë diskutuar në klasë, ndajini studentët në dyshe dhe kërkojuni atyre të diskutojnë sa vijon:

  • Si mund ta përmirësojmë atë që themi rreth grave në Kishë, që të pasqyrojë rëndësinë e vërtetë të ndihmesave të tyre?

Ftojini studentët të tregojnë ndjenjat e tyre rreth ndikimit të grave dhe rreth punës që ato bëjnë si dishepulle në mbretërinë e Zotit. Nxitini studentët të veprojnë sipas asaj që kanë ndier gjatë mësimit, në mënyrë të veçantë duke e lartësuar rëndësinë e Shoqatës së Ndihmës në jetën e tyre.

Materiale Leximi për Studentin

  • Doktrina e Besëlidhje 25

  • Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 49–52.

  • Xhuli B. Bek, “Vizioni i Profetëve lidhur me Shoqatën e Ndihmës: Besimi, Familja, Ndihma”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 83–85.