22
Martirizimi i Profetit Jozef Smith
Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës e bënë të ndodhte martirizimi i Profetit Jozef Smith dhe vëllait të tij, Hajrëm Smithit. Vdekjet e tyre i shtuan një vulë të fuqishme dëshmive të tyre për Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Një studim i jetës dhe martirizimit të Profetit Jozef Smith do t’i ndihmojë studentët që të marrin parasysh bekimet e shumta, të cilat Zoti ua ka dhënë atyre nëpërmjet shërbesës së Profetit Jozef Smith, nëpërmjet të cilit Ai e rivendosi ungjillin e Tij në ditët e mëvonshme.
Lexim Konteksti
Thomas S. Monson, “The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 67–70.
“The Martyrdom”, kapitulli 22 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 273–285.
“Martirizimi: Profeti e Vulos Dëshminë e Tij me Gjakun e Tij”, kapitulli 46 te Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 563–576.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 135:4–5; 136:36–39
Armiqtë u përpoqën ta vrasin Jozef Smithin
Paraqitni një figurë të Burgut të Karthixhit. Shpjegojuni studentëve që më 27 qershor 1844, Profeti Jozef Smith dhe vëllai i tij, Hajrëmi, i cili ishte Patriarku i Kishës, u martirizuan në burgun e Karthixhit në Ilinois. Jozef Smithi ishte 38 vjeç në kohën e vdekjes së tij dhe Hajrëmi ishte 44.
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 136:36–39, ndërkohë që klasa e ndjek. Nxitini studentët teksa lexojnë, që të përcaktojnë mënyrën se si Zoti e përmblodhi jetën e Jozef Smithit dhe veprën që kreu ai. Më pas diskutoni pyetjen vijuese:
Si e përshkroi Zoti jetën dhe veprën e Profetit Jozef Smith? (Përgjigjet e studentëve mund të përfshijnë të vërtetat vijuese: Jozef Smithi ngriti themelin për veprën e Perëndisë në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore. Profeti Jozef Smith ishte i pafajshëm në kohën e vdekjes së tij dhe ai e kishte përmbushur me besnikëri misionin e dhënë atij nga Perëndia.)
Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë disa nga ndikimet që e shkaktuan vdekjen e Profetit, tregojuni atyre se shenjtorët jetuan në njëfarë paqeje në shtetin e Ilinoisit për gati tre vjet, por në vitin 1842, ata po përjetonin përsëri kundërshtim. Kundërshtuesit e Kishës përfshinin qytetarë të Ilinoisit, të cilët kishin frikë nga ndikimi politik i shenjtorëve. Të tjerë filluan të kishin gjithnjë e më shumë lakmi për përparimin ekonomik të Navusë dhe ishin kritikues ndaj fuqisë së qeverisë dhe milicisë së qytetit të Navusë. Disa njerëz i keqkuptuan disa doktrina e praktika mormone të veçanta. Mospajtuesit brenda Kishës dhe kundërshtarët jashtë Kishës i ndërthurën përpjekjet e tyre për të luftuar kundër Profetit dhe Kishës.
Shpërndajini secilit student një kopje të fletushkës në fund të këtij mësimi. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Kundërshtimi ndaj Profetit dhe Kishës”.
Shpjegoni se, sipas ligjeve që ishin në fuqi në kohën e vdekjes së Profetit, asnjë ligj nuk u thye kur u shkatërrua një shtypshkronjë. Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Amendamenti i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara që e zgjeroi sigurinë e lirisë së shtypit për të qenë i mbrojtur ndaj veprimeve të qeverive të qyteteve dhe shteteve, nuk u miratua deri në vitin 1868 dhe nuk hyri në fuqi si çështje e ligjit federal deri në vitin 1931. … Ne duhet t’i gjykojmë veprimet e pararendësve tanë mbi bazat e ligjeve dhe urdhërimeve e rrethanave të kohës së tyre, jo të kohës sonë” (“Joseph, the Man and the Prophet”, Ensign, maj 1996, f. 72).
Përse është fjalia e fundit në thënien e Plakut Ouks e rëndësishme për t’u kujtuar, kur ne marrim parasysh veprimet e udhëheqësve të hershëm të Kishës? (Ju mund të doni të vini në dukje se shumica e anëtarëve të këshillit të qytetit të Navusë ishin anëtarë të Kishës, por ata po vepronin në aftësinë e tyre si shërbëtorë të zgjedhur civilë kur urdhëruan që të shkatërrohej shtypshkronja. Kisha, si një organizatë, nuk mori ndonjë veprim kundër shtypshkronjës, por këshilli i qytetit e ndërmori veprimin për ta “hequr … bezdinë” [në History of the Church, 6:432]).
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pjesën në fletushkë të titulluar “Jozefi dhe Hajrëmi Akuzohen Padrejtësisht”. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:4. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar profecinë që bëri Jozef Smithi kur ai udhëtoi drejt Karthixhit.
Edhe pse çdo njeri i vdekshëm është i papërsosur, çfarë mendoni se do të duhej për dikë që të kishte “një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe kundrejt gjithë njerëzve”? (DeB 135:4).
Shpjegoni se, ndërkohë që Hajrëm Smithi u përgatit të shkonte në Burgun e Karthixhit, ai lexoi Ethërin 12:36–38 dhe më pas e palosi faqen. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:5, që është një citim i drejtpërdrejtë i këtyre vargjeve nga Ethëri, ndërkohë që klasa e ndjek. Ftojini studentët të marrin parasysh përse ky fragment i shkrimeve të shenjta do të kishte qenë domethënës për Hajrëmin. Ju mund t’iu sugjeroni studentëve që të shenjojnë ndonjë fjalë ose frazë që iu bie atyre në sy.
Çfarë fjalësh ose frazash të veçanta në këto vargje nga libri i Ethërit mendoni se do të kishin qenë domethënëse për Hajrëmin, teksa ai përballej me burgimin dhe vdekjen e mundshme?
Çfarë mendoni se do të thotë fraza vijuese: “Të gjithë njerëzit do të dinë se rrobat e mia nuk janë të njollosura me gjakun tuaj”? (Merrni parasysh që studentët të bëjnë një referencë kryq të vargut 5 me Jakobin [LiM] 1:19 dhe Mosian 2:27 për të zbuluar kuptimin e kësaj fraze. Të mësuarit se si të kryqëzoni referenca të një shkrimi të shenjtë me shkrime të tjera të shenjta, të cilat japin këndvështrim shtesë, është një aftësi e rëndësishme e studimit të shkrimeve të shenjta.)
Kërkojuni studentëve të marrin parasysh se si Jozefi dhe Hajrëmi mund të ishin ndier duke e ditur që i kishin përmbushur thirrjet dhe detyrat e tyre nga Perëndia në mundësinë më të mirë të aftësive të tyre.
Çfarë mund të mësojmë nga shembujt e Jozef e Hajrëm Smithit, gjë e cila mund të na ndihmonte t’i përmbushim përgjegjësitë që i marrim nga Perëndia?
Doktrina e Besëlidhje 135:1–3, 6–7
Martirizimi në Burgun e Karthixhit dhe nderimet për Jozef Smithin
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit të Doktrinës e Besëlidhjeve 135. (Ju mund të doni të vini në dukje se ndryshimet midis këtij kreu në botimet e vitit 1981 dhe 2013 të shkrimeve të shenjta pasqyrojnë njohurinë e kohëve të fundit.) Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 135:1–2 dhe pjesën në fletushkë të titulluar “Martirizimi në Burgun e Karthixhit”. Vëreni klasën t’i ndjekë, teksa këta studentë lexojnë.
Çfarë mendoni se do të thotë fraza “për ta vulosur dëshminë e këtij libri dhe të Librit të Mormonit”?
Teksa studentët i japin mendimet e tyre, merrni parasysh të shkruani përkufizimin vijues në tabelë: të “vulosësh” është ta krijosh diçka në mënyrë të përhershme, e tillë siç është një dëshmi. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë përkufizim në shkrimet e tyre të shenjta pranë vargut 1.
Vërini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 135:3, 6–7, duke kërkuar disa prej të vërtetave që mësojmë nga kjo shpallje e martirizimit të Jozef e Hajrëm Smithit.
Çfarë të vërtetash mësuat nga kjo shpallje e martirizimit të Jozef e Hajrëm Smithit? (Studentët mund të përcaktojnë shumë të vërteta, duke përfshirë sa vijon: Jozef Smithi ka bërë më shumë për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër përveçse Jezu Krishtit. Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje u sollën në dritë për shpëtimin e botës.)
Në çfarë mënyrash të veçanta mendoni se jeta juaj do të ishte e ndryshme pa shërbesën e Profetit Jozef Smith?
Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien nga Plaku Dallin H. Ouks, që gjendet në pjesën në fletushkë të titulluar “Nderime për Profetin Jozef Smith”.
Përse është e rëndësishme të kuptojmë se bashkëpunëtorët e afërt të Jozef Smithit e konsideronin atë të ishte një profet dhe një “burrë i nderuar, i virtytshëm”?
Mbylleni duke iu kërkuar studentëve nëse ndonjërit prej tyre do t’i pëlqente ta jepte dëshminë e tij/saj për Jozef Smithin. Nxitini studentët të kërkojnë mundësi në disa prej ditëve pasuese që t’ua japin të tjerëve dëshminë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe rolin e tij në rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit.
Materiale Leximi për Studentin
Thomas S. Monson, “The Prophet Joseph Smith: Teacher by Example”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 67–70.
“The Martyrdom”, kapitulli 22 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 273–285.