12
Shkrime të Shenjta Shtesë në Kohën Tonë
Hyrje
Zoti vazhdon të na japë udhëzim hyjnor duke ua zbuluar fjalën e Tij dhe vullnetin e Tij shërbëtorëve të Tij nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ngaqë Perëndia vazhdon t’u flasë profetëve bashkëkohorë, kanuni i shkrimit të shenjtë mbahet i hapur. Shkrime të shenjta shtesë, të nxjerra në dritë në kohën tonë – të tilla si Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it dhe libri i Abrahamit – e pohojnë, qartësojnë dhe zgjerojnë kuptueshmërinë tonë për ungjillin.
Lexim Konteksti
Xhefri R. Holland, “Fjalët e Mia … Kurrë s’Pushojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 91–94.
“Translation and Historicity of the Book of Abraham”, Gospel Topics, lds.org/topics.
Elizabeth Maki, “Joseph Smith’s Bible Translation: D&C 45, 76, 77, 86, 91”, seritë Revelations in Context, 20 mars 2013, history.lds.org.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shkrime të shenjta të ditëve të mëvonshme
Ftojini studentët të përfytyrojnë se një shok i pyet sinqerisht: “Përse mormonët kanë më shumë shkrime të shenjta se sa Biblën? Mendoja se Bibla përmbante fjalën e plotë të Perëndisë.” Kërkojuni studentëve të ngrenë dorën nëse u është bërë një pyetje si kjo. Ftojini disa studentë që të tregojnë se si ata iu përgjigjën pyetjes dhe se si u ndien, ndërkohë që u dëshmuan të tjerëve për shkrimet e shenjta.
Shkruajeni në tabelë fjalën kanun. Paraqitni thëniet vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland dhe Plaku Dallin H. Ouks, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojini dy studentë ta bëjnë me radhë duke i lexuar ato me zë të lartë. Vëreni klasën të dëgjojë për kuptimin e fjalës kanun në kontekstin e këtyre thënieve.
“Disa të krishterë, në përmasa të mëdha, kryesisht për shkak të dashurisë së tyre të pastër për Biblën, kanë deklaruar se nuk mund të ketë më shkrim të shenjtë të autorizuar përtej Biblës. Në këtë, duke e shpallur të mbyllur kanunin e zbulesës, miqtë tanë të disa besimeve të tjera ia mbyllin derën fjalës hyjnore që ne në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e kemi të shtrenjtë: Librit të Mormonit, Doktrinës e Besëlidhjeve, Perlës me Vlerë të Madhe dhe udhëheqjes së vazhdueshme të marrë nga profetët dhe apostujt e vajosur të Perëndisë” (Xhefri R. Holland, “Fjalët e Mia … Kurrë s’Pushojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 91).
“Shumica e të krishterëve besojnë se Perëndia e mbylli kanunin e shkrimeve të shenjta – përmbledhjen autoritare të librave të shenjtë, të përdorur si shkrime të shenjta – pak kohë pas vdekjes së Krishtit dhe se nuk ka pasur asnjë zbulesë të krahasueshme që nga ajo kohë. Jozef Smithi dha mësim dhe tregoi se kanuni i shkrimit të shenjtë është i hapur [shih Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 204]. …
… Jozef Smithi dha mësim se Perëndia do t’i udhërrëfejë fëmijët e Tij nëpërmjet dhënies së shtesave të reja të kanunit të shkrimeve të shenjta. Libri i Mormonit është një shtesë e tillë. Po kështu janë zbulesat në Doktrinën e Besëlidhjet dhe në Perlën me Vlerë të Madhe” (Dallin H. Oaks, “Fundamental to Our Faith”, Ensign, janar 2011, f. 29).
Çfarë do të thotë fraza “kanun i shkrimit të shenjtë”? (Ai është “një mbledhje e njohur, autoritare e librave të shenjtë. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, librat kanonikë quhen veprat standarde” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kanun”, f. 83; scriptures.lds.org].)
Çfarë do të thotë që shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në një kanun të hapur? (Edhe pse ata mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që studentët e kuptojnë të vërtetën vijuese: Fjala autoritare e Perëndisë nuk përmbahet vetëm në Bibël [shih Nenet e Besimit 1:9].)
Çfarë ndryshimi sjell të besojmë që Zoti ende u zbulon shkrim të shenjtë profetëve të ditëve të mëvonshme?
Doktrina e Besëlidhje 42:56; 45:60–62; 76:15–19; 93:53; 94:10
Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it
Shkruajeni të vërtetën vijuese në tabelë:
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë hyrjen e seksionit te Doktrina e Besëlidhje 35. Vëreni klasën ta ndjekë dhe të kërkojë atë që Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni po e bënin kur e morën zbulesën e përmbajtur në këtë seksion.
Në çfarë pune ishin përfshirë Profeti Jozef Smith dhe Sidni Rigdoni kur e morën këtë zbulesë?
Për të ndihmuar që ta shpjegoni se çfarë është Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dy paragrafët vijues:
Pranë verës së vitit 1830, Zoti e urdhëroi Jozef Smithin që të përkthente Biblën. Jozef Smithi nuk e përktheu Biblën nga një gjuhë në një tjetër, as nuk kishte një dorëshkrim biblik origjinal nga i cili të punonte. Në vend të kësaj, Jozefi lexoi e studioi fragmente nga Varianti i Mbretit Xhejms të Biblës dhe më pas bëri korrigjime dhe shtesa siç u frymëzua nga Fryma e Shenjtë. Kështu, përkthimi ishte më shumë një rishikim i frymëzuar sesa një përkthim tradicional.
Përkthimi prej Joseph Smith-it ndikoi mbi 3.000 vargje në Variantin e Mbretit Xhejms të Biblës. Këto ndryshime përfshijnë shtesa (për të qartësuar kuptimin ose kontekstin apo për të rivendosur shkrime profetike, të tilla si libri i Moisiut), heqje, vargje të riorganizuara dhe ristrukturime tërësore të kapitujve të caktuar. Për më shumë informacion rreth Përkthimit prej Joseph Smith-it, shih Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta “Përkthimi prej Joseph Smith-it (PJS)”, f. 149.
Kopjojeni listën vijuese në tabelë:
Doktrina e Besëlidhje 45:60–62 Doktrina e Besëlidhje 42:56, shënimi a në fund të faqes | Krerët e seksioneve për Doktrinën e Besëlidhjet 35; 76; 77; 86; 91 Doktrina e Besëlidhje 94:10, shënimi b në fund të faqes |
Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni secilin grup të studiojë materialin në një prej kolonave, duke kërkuar informacionin rreth Përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që mësuan. Më pas bëni pyetjen vijuese:
Çfarë ndikimi mendoni se pati puna e përkthimit mbi shkollimin shpirtëror të Jozef Smithit dhe mbi rivendosjen e të vërtetave të ungjillit?
Për t’i ndihmuar studentët që ta vlerësojnë ndikimin që puna e Jozef Smithit për përkthimin e Biblës pati mbi Kishën, ftojini studentët të kthehen te “Rendi Kronologjik i Përmbajtjes” (i vendosur në fillimin e Doktrinës e Besëlidhjeve) dhe shpjegoni se Profeti punoi me përkthimin kryesisht midis qershorit të vitit 1830 dhe korrikut të vitit 1833. Më pas pyetni:
Sa seksione të Doktrinës e Besëlidhjeve u morën gjatë qershorit të vitit 1830 dhe korrikut të vitit 1833? (Profeti mori 74 zbulesa që u bënë pjesë e Doktrinës e Besëlidhjeve në këtë periudhë kohore.)
Gjithashtu mund të vini në dukje që librat e Moisiut dhe Joseph Smith – Mateut, të cilët që të dy janë në Perlën me Vlerë të Madhe, janë edhe pjesë e përkthimit të Biblës prej Joseph Smith-it dhe u morën gjatë kësaj periudhe kohore. Libri i Moisiut është Përkthimi prej Joseph Smith-it për tetë kapitujt e parë të Zanafillës. Jozef Smithi u bë i vetëdijshëm se sa shumë mungonte nga Bibla teksa përkthente vargjet rreth Enokut. Bibla e Mbretit Xhejms përmban 109 fjalë rreth Enokut dhe Libri i Moisiut përmban 5.240 fjalë rreth Enokut.
Çfarë mund të sugjerojë numri i madh i zbulesave të marra gjatë kësaj periudhe kohore rreth rolit që Përkthimi prej Joseph Smith-it luajti në Rivendosjen?
Teksa i shihni seksionet e Doktrinës e Besëlidhjeve, të marra gjatë kësaj periudhe kohore, cilat janë disa prej doktrinave të rëndësishme që u zbuluan gjatë kësaj kohe? (Shembujt e doktrinave të rëndësishme, të zbuluara gjatë kësaj periudhe kohore mund të gjenden te seksionet 29, 42, 45, 76, 88 dhe 93.)
Paraqitni sa vijon dhe ftojeni një student që ta lexojë atë me zë të lartë:
“Përkthimi i Biblës prej Profetit ishte një pjesë e rëndësishme e vetë edukimit të tij shpirtëror dhe e rivendosjes së shpalosur të së vërtetës së ungjillit. Ndërsa rishikoi Dhiatën e Vjetër dhe të Re, shpesh ai mori zbulesa që i qartësonin ose zgjeronin fragmente biblike. Në këtë mënyrë, Profeti mori shumë doktrina nga Zoti, përfshirë ato që gjenden tani te Doktrina e Besëlidhje 74, 76, 77, 86 dhe 91, si dhe në pjesë të shumë seksioneve të tjera të Doktrinës e Besëlidhjeve” (Mësimet: Jozef Smith, f. 218).
Dëshmoni se Zoti zbuloi një pjesë të rëndësishme të Doktrinës e Besëlidhjeve si një pasojë e drejtpërdrejtë e punës së Jozef Smithit me përkthimin e Biblës. Ju gjithashtu mund të shpjegoni se pjesë të Përkthimit prej Jozef Smithit iu shtuan botimit SHDM të vitit 1979 të Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës, duke i vënë këto zbulesa të rëndësishme më në dispozicion për ta bekuar jetën e anëtarëve të Kishës.
Libri i Abrahamit
Ftojini studentët të shohin me të shpejtë krerët e kapitujve të Librit të Abrahamit. Shkurtimisht diskutojeni përmbajtjen e librit të Abrahamit me klasën. Më pas shpjegoni se në verën e vitit 1835, një burrë i quajtur Majkëll Çendlër solli në Kirtland të Ohajos katër mumie egjiptiane dhe disa rrotulla papirusi që përmbanin shkrime të lashta egjiptiane. Anëtarët e Kishës i blenë mumiet dhe rrotullat prej papirusi. Edhe pse metoda e saktë e përkthimit është e panjohur, Profeti Jozef Smith i përktheu disa nga shkrimet në muajt pas blerjes së papiruseve egjiptiane. Duke filluar në mars të vitit 1842, fragmente të librit të Abrahamit u botuan në një gazetë të Kishës të quajtur Times and Seasons. Libri i Abrahamit u botua më vonë te Perla me Vlerë të Madhe.
Tregojeni përmbledhjen vijuese rreth ardhjes në dritë të librit të Abrahamit. Ftojini studentët të dëgjojnë për atë që ne e dimë rreth procesit të përkthimit.
Një kundërshtim i zakonshëm ndaj vërtetësisë së librit të Abrahamit është se dorëshkrimet (papiruset) nuk janë mjaft të vjetra që të jenë shkruar nga Abrahami, i cili jetoi pothuajse 2.000 vjet para Jezu Krishtit. Jozef Smithi kurrë nuk shpalli se papiruset ishin shkruar nga vetë Abrahami ose që ato e kishin origjinën nga koha e Abrahamit. “Dokumentet e lashtë shpesh u përçuan si kopje ose si kopje të kopjeve. Anali i Abrahamit mund të ishte redaktuar … nga shkrues të mëvonshëm, sikurse profetët-historianë të Librit të Mormonit, Mormoni dhe Moroni, rishikuan shkrimet e njerëzve më të hershëm” (“Translation and Historicity of the Book of Abraham”, Gospel Topics, lds.org/topics).
Ndërkohë që përkthente, Profeti Jozef Smith mund të ketë punuar me fragmente të papiruseve, të cilat u shkatërruan më vonë. Kështu, “është e padobishme ta vlerësojmë aftësinë e Jozefit për t’i përkthyer papiruset kur ne tani kemi vetëm një pjesë të papiruseve që ai i pati në zotërimin e tij” (“Translation and Historicity of the Book of Abraham”). Është gjithashtu e mundshme që shqyrtimi i kujdesshëm i Jozef Smithit për shkrimet e çoi atë të merrte “zbulesë rreth ngjarjeve dhe mësimeve kyçe në jetën e Abrahamit, sikurse ai kishte marrë më përpara një zbulesë rreth jetës së Moisiut, ndërkohë që studionte Biblën” (“Translation and Historicity of the Book of Abraham”). Edhe pse nuk e dimë saktësisht se si Jozef Smithi e përktheu librin e Abrahamit, ne vërtet e dimë që përkthimi u bë nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.
Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si shkrimet shtesë, të vëna në dispozicion nëpërmjet Profetit Jozef Smith, luajnë rol në kuptueshmërinë tonë të planit të Perëndisë për fëmijët e Tij?
Ju mund të doni të dëshmoni që teksa studentët e studiojnë librin e Abrahamit, i cili është i rëndësishëm nga ana doktrinore, Fryma e Shenjtë do t’iu dëshmojë për rëndësinë dhe vërtetësinë e tij.
Doktrina e Besëlidhje 1:38; 68:3–5
Zbulesa e vazhdueshme vjen nëpërmjet profetëve të gjallë
Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 1:38 dhe ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 68:4. Pyeteni klasën se çfarë mësojnë nga këto fragmente. (Studentët duhet të përcaktojnë parimin vijues: Kur shërbëtorët e Zotit flasin me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, fjalët e tyre përçojnë vullnetin e Zotit.)
Çfarë përvojash keni pasur që ju bënë të ndiheni mirënjohës që Zoti vazhdon të derdhë zbulesa sot?
Shpjegojuni studentëve se në Kishë, zbulesa të caktuara të profetëve të ditëve të mëvonshme kanonizohen (pranohen si shkrime të shenjta) nëpërmjet ligjit të miratimit të përbashkët (shih DeB 26:1–2). Anëtarëve të Kishës iu kërkohet t’i mbështetin profetin dhe apostujt në shtimin e një zbulese në shkrimet e shenjta. Për shembull, në konferencën e përgjithshme të tetorit të vitit 1978, anëtarët e Kishës e mbështetën profetin dhe apostujt në shtimin e Deklaratës Zyrtare 2, e cila iu dha priftërinë të gjithë anëtarëve meshkuj të denjë, në kanunin e shkrimeve të shenjta.
Ftojini studentët të kthehen drejt dikujt që është ulur pranë tyre dhe shkurtimisht të diskutojnë atë që mund t’i thonin dikujt, i cili beson se kanuni i shkrimeve të shenjta është i mbyllur dhe ne nuk mund të marrim më shkrime të shenjta shtesë nga Perëndia.
Mbylleni duke iu kërkuar studentëve të mendojnë për atë që mund të bënin për ta forcuar dëshminë e tyre që qiejt janë hapur dhe që Zoti vazhdon t’i zbulojë fjalët e Tij në kohën tonë.
Materiale Leximi për Studentin
Doktrina e Besëlidhje 1:38; 42:56; 45:60–62; 68:3–5; 76:15–19; 93:53; 94:10.
Xhefri R. Holland, “Fjalët e Mia … Kurrë s’Pushojnë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 91–94.
“Translation and Historicity of the Book of Abraham”, Gospel Topics, lds.org/topics.