6
Organizimi i Kishës
Hyrje
Në një zbulesë drejtuar Profetit Jozef Smith, Zoti urdhëroi që Kisha e Tij të organizohej më 6 prill 1830 (shih DeB 20, kreu i seksionit; DeB 20:1). Kjo zbulesë gjithashtu u siguroi anëtarëve një kuptueshmëri më të madhe të misionit dhe mësimeve të Shpëtimtarit. Në një zbulesë të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 1:30, Zoti e përcaktoi Kishën e rivendosur si e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut”, gjë që thekson rolin e rëndësishëm që luan Kisha në ditët e mëvonshme dhe në jetën tonë.
Lexim Konteksti
Henri B. Ajring, “Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 20–24.
“Organization of the Church of Jesus Christ” [“Organizimi i Kishës së Jezu Krishtit”], kapitulli 6 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 67–68.
Boyd K. Packer, “The Only True Church”, Ensign, nëntor 1985, f. 80–83.
Jeffrey G. Cannon, “‘Build Up My Church’: DeB 18, 20, 21, 22,” seritë Revelations in Context, 3 janar 2013, history.lds.org.
Sugjerime për Mësimdhënien
Doktrina e Besëlidhje 20:1–3
Rivendosja e Kishës së Jezu Krishtit
Fillojeni orën mësimore duke iu kërkuar studentëve të përshkruajnë atë që dinë rreth Kishës së themeluar nga Jezu Krishti gjatë periudhës kohore të Dhiatës së Re. Më pas pyetni:
Çfarë besojmë se i ndodhi Kishës së Jezu Krishtit pas vdekjes së Apostujve?
Si e shpjegon kjo nevojën për rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit?
Kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese me zë të lartë, ndërkohë që klasa dëgjon për mënyra në të cilat organizimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rivendosi tipare të rëndësishme të Kishës së themeluar nga Jezu Krishti në kohët e Dhiatës së Re.
“Më 6 prill 1830, vetëm njëmbëdhjetë ditë pasi Libri i Mormonit u reklamua për shitje, një grup prej gati 60 njerëzish u mblodhën në shtëpinë prej trarësh të Piter Uitmer Plakut, në Fajet të Nju-Jorkut. Atje Jozef Smithi organizoi zyrtarisht Kishën, të quajtur më vonë me anë të zbulesës si Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shih DeB 115:4). Ishte një ngjarje e gëzueshme, me një derdhje të madhe të Shpirtit. Sakramenti u administrua, besimtarët u pagëzuan, dhurata e Frymës së Shenjtë u dhurua dhe disa burra u shuguruan në priftëri. Në një zbulesë të marrë gjatë mbledhjes, Zoti e caktoi Jozef Smithin si udhëheqësin e Kishës: një ‘shikues, përkthyes, profet, apostull [të] Jezu Krishtit, plak [të] kishës nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, Atit dhe hirit të Zotit tuaj Jezu Krisht’ (DeB 21:1). Kisha e Jezu Krishtit u vendos edhe një herë në tokë.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 8–9).
Ftojini studentët që të përshkruajnë disa tipare të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, që ishin të ngjashëm me ato të Kishës së Dhiatës së Re.
Shpjegoni që kur lexoni nga Doktrina e Besëlidhje, mund të jetë e dobishme që të lexoni krerët e seksioneve. Kjo ndihmon për të krijuar kontekstin historik të zbulesave. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë kreun e seksionit për Doktrinën e Besëlidhjet 20. (Ju mund të vini në dukje që në botimin e vitit 2013 të Doktrinës e Besëlidhjeve, ca informacion historik, i papërfshirë në botimin e vitit 1981, iu shtua kreut të seksionit.) Ftojeni një student tjetër të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 20:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar ide rreth Rivendosjes së ungjillit. Pyetni:
Cilat të vërteta lidhur me Rivendosjen e ungjillit jepen mësim në këto vargje? (Një nga të vërtetat që studentët mund të përcaktojnë është që Jozef Smithi u thirr nga Perëndia dhe u urdhërua të organizonte Kishën e Jezu Krishtit.)
Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008):
“Jozef Smithi dhe shoqëruesit e tij u mblodhën në shtëpinë e thjeshtë me trarë në fermën e Piter Uitmerit, në fshatin e qetë të Fajetit në Nju-Jork dhe organizuan Kishën e Krishtit. …
Nga gjashtë anëtarët fillestarë është rritur një familje e gjerë e adhuruesve. … Nga ai fshat i qetë është rritur një lëvizje që sot është shpërndarë përmes gati 160 kombeve të tokës. … Ky është një zhvillim mbresëlënës. Më shumë anëtarë të Kishës jetojnë jashtë këtij kombi sesa në të. Ajo, gjithashtu, është diçka mbresëlënëse. Asnjë kishë tjetër, e dalë nga toka e Amerikës, nuk është rritur kaq shpejt, as nuk është shpërndarë kaq gjerësisht. … Është një fenomen si asnjë më parë” (“The Church Goes Forward”, Ensign, maj 2002, f. 4).
Çfarë është mbresëlënëse për ju rreth rritjes së shpejtë të Kishës në ditët e mëvonshme?
Si mund ta ndihmojmë ne si individë Kishën e Zotit që të vazhdojë të rritet në kohën tonë?
Doktrina e Besëlidhje 20:17–37, 68–69
Doktrina e Kishës së Jezu Krishtit dhe detyrat e anëtarëve të pagëzuar
Shpjegoni se seksioni 20 i Doktrinës e Besëlidhjeve u njoh prej anëtarëve të hershëm të Kishës si Nenet dhe Besëlidhjet e Kishës. Ky seksion përmban shumë nga udhëzimet e Zotit lidhur me doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit dhe detyrat e anëtarëve të saj. Kjo zbulesë u lexua me zë të lartë në disa konferenca të hershme të Kishës.
Ftojini studentët të përfytyrojnë se ata janë anëtarë të rinj të Kishës në vitin 1830 dhe po kërkojnë të dinë se çfarë duhet të besojnë si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. Ftojeni gjysmën e klasës të lexojë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 20:17–28 dhe gjysmën tjetër të lexojë vargjet 29–36, duke kërkuar doktrinën që është e rëndësishme për t’u ditur nga çdo anëtar i Kishës së rivendosur të Zotit. Ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shenjojnë atë që gjejnë.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë të vërteta që i përcaktuan dhe të shpjegojnë përse secila e vërtetë është domethënëse për ta. Merrni parasysh të shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Nëpërmjet zbulesës, Zoti qartësoi doktrinën dhe parimet mbi të cilat themelohet ungjilli i Tij.
Merrni parasysh ta ftoni gjysmën e klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:37, duke gjetur kërkesat për ata që dëshirojnë të pagëzohen. Vëreni gjysmën tjetër të klasës të lexojë Doktrinën e Besëlidhjet 20:68–69, duke kërkuar ato gjëra që Zoti i pret nga ne pas pagëzimit tonë. Vini në dukje se udhëzimet që gjenden në këto vargje formojnë një model të qartë për anëtarët e Kishës që ta ndjekin.
Diskutoni pyetjet vijuese me klasën:
Çfarë duhet të shfaqë një individ përpara se ai ose ajo të mund të pagëzohet? (Studentët duhet të përcaktojnë sa vijon: Përpara se individët mund të pagëzohen, ata duhet të jenë të përulur, të penduar, të gatshëm për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe të vendosur për t’i shërbyer Atij deri në fund.)
Çfarë pret Zoti nga ne pasi të pagëzohemi? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ata duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Pas pagëzimit, ne ia tregojmë Zotit denjësinë tonë nëpërmjet të ecurit dhe të folurit tonë të perëndishëm.)
Çfarë mendoni se do të thotë të “trego[sh]… një të ecur dhe të folur të perëndishëm”? (DeB 20:69).
Përse mund t’iu vijnë bekime anëtarëve të Kishës të cilët “ec[in] në shenjtëri përpara Zotit”? (DeB 20:69).
Nëse e lejon koha, ju mund t’iu vini në dukje studentëve që doktrinat dhe praktikat e Kishës, të shënuara te Doktrina e Besëlidhje 20, përshkruhen gjithashtu në Librin e Mormonit, duke na ndihmuar të kuptojmë se Kisha e Jezu Krishtit ka qenë në thelb e njëjtë në të gjitha periudhat e kujdestarisë ungjillore. Për shembull, doktrinat e përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 20:17–36, gjithashtu përshkruhen në Librin e Mormonit. Në mënyrë të ngjashme, ordinancat dhe praktikat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 20:73–80, gjithashtu shënohen në Librin e Mormonit.
Doktrina e Besëlidhje 1:30
“Të vetmen kishë të vërtetë dhe të gjallë”
Shpjegoni se shumë njerëz në kohën tonë besojnë se të gjitha kishat janë të vërteta dhe janë njësoj të drejta në sytë e Perëndisë. Megjithatë, rreth një vit e gjysmë pasi Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua, Zoti dha një përshkrim të rëndësishëm të Kishës. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Doktrinën e Besëlidhjet 1:30. Më pas pyetni:
Si e përshkroi Zoti Kishën e rivendosur? (Studentët duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tokë.)
Çfarë do të thotë për ju që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë” mbi tokë? (Përpara se studentët të përgjigjen, ju mund të doni t’i kujtoni ata që kjo doktrinë nuk ka për qëllim të nënkuptojë që ne duhet të ndihemi më të mirë se të tjerët.)
Paraqitni thëniet vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftoni një student t’i lexojë ato me zë të lartë. Vëreni pjesën tjetër të klasës ta ndjekë, duke kërkuar arsyen përse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme konsiderohet si e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë”.
“Kjo është Kisha e vërtetë, e vetmja Kishë e vërtetë, sepse në të janë çelësat e priftërisë. Vetëm në këtë Kishë Zoti ka depozituar fuqinë për të vulosur në tokë dhe për të vulosur në qiell, ashtu si bëri në kohën e Apostullit Pjetër. Ata çelësa iu rivendosën Jozef Smithit i cili atëherë u autorizua t’ua dhuronte ato anëtarëve të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve” (Henri B. Ajring, “Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 20).
“Zoti ka deklaruar se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e ‘vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut’ (DeB 1:30). Kjo Kishë e rivendosur është e vërtetë, sepse është Kisha e Shpëtimtarit; Ai është ‘udha, e vërteta dhe jeta’ (Gjoni 14:6). Dhe është një kishë e gjallë për shkak të funksionimit dhe dhuratave të Frymës së Shenjtë” (Dejvid A. Bednar, “Merrni Frymën e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 97).
Si e bëjnë të vërtetat e përcaktuara nga Presidenti Ajring dhe Plaku Bednar Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të ndryshme nga çdo kishë tjetër mbi tokë? (Ajo është Kisha e Shpëtimtarit, ka funksionimin dhe dhuratat e Frymës së Shenjtë, dhe çelësat e priftërisë gjenden në të. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë disa nga këto ide në anë të faqes së shkrimeve të tyre të shenjta pranë Doktrinës e Besëlidhjeve 1:30.)
Shpjegoni se Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, citoi nga Doktrina e Besëlidhje 1:30 dhe më pas shpjegoi përse ky përshkrim i dhënë në mënyrë hyjnore për Kishën është kaq i rëndësishëm. Ftoni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Paker:
“Hiqni dorë nga kjo doktrinë dhe ju nuk mund ta justifikoni Rivendosjen. …
Ne nuk e shpikëm doktrinën e së vetmes kishë të vërtetë. Erdhi nga Zoti. Cilado qoftë ideja që kanë të tjerët për ne, sado mendjemëdhenj që duket se jemi, çfarëdo kritike që na drejtohet, ne duhet t’ua mësojmë atë të gjithë atyre që do të dëgjojnë. …
Ne nuk shpallim që të tjerat nuk kanë të vërteta. Zoti i përshkroi ato si të kishin “një formë të perëndishmërisë”. Njerëzit e kthyer në besim në Kishë mund të sjellin me vete gjithë të vërtetën që zotërojnë dhe mbi të do t’iu shtohet” (“The Only True Church”, Ensign, nëntor 1985, f. 82).
Si e qartëson kjo doktrinë nevojën për Rivendosjen?
Ftojini studentët të shpjegojnë se si individët mund të arrijnë që të dinë për veten e tyre se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vërtetë.
Materiale Leximi për Studentin
Henri B. Ajring, “Kisha e Vërtetë dhe e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2008, f. 20–24.