Seminare dhe Institute
Mësimi 11: Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit


11

Mbrojtja e Vetvetes kundrejt Doktrinave të Rreme të Ditëve të Fundit

Hyrje

Përveç mësimdhënies së “plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit” (DeB 20:9), Libri i Mormonit i forcon pasuesit e Krishtit kundër mësimeve dhe ideve të rreme, mbizotëruese në ditët e fundit. Një mënyrë se si ai e plotëson këtë, është duke i nxjerrë në pah armiqtë e Krishtit dhe duke përcaktuar doktrinat e rreme që ata shpërndajnë. Teksa studentët studiojnë tregime për mësues të rremë në Librin e Mormonit, ata do të mësojnë të dallojnë midis të vërtetave të ungjillit dhe koncepteve të rreme të botës.

Lexim Konteksti

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 28:3–9, 12–15; Jakobi [LiM] 7:1–12; Alma 1:2–6; 30:12–18, 39–44; Joseph Smith – Mateu 1:22

Përcaktimi dhe mbrojtja e vetvetes kundrejt doktrinave të rreme

Kërkojuni studentëve që të marrin parasysh opinionet e larmishme që ekzistojnë në botë rreth çështjeve të tilla si ato që vijojnë: E vërteta e dhënë nga Perëndia kundrejt relativizmit moral (ideja që nuk ka të drejtë apo të gabuar gjithëpërfshirëse), liria fetare kundrejt të drejtave të grupeve me interesa të veçanta dhe e drejta për një abort kundrejt të drejtës për jetën. Teksa i diskutoni këto çështje, merrni parasysh t’i shkruani ato të tabelë. Jepuni studentëve pak çaste për të diskutuar përse duhet të jemi të kujdesshëm që të përqafojmë ide që janë të sakta.

Shpjegoni se, pranë fundit të jetës së Tij, Jezu Krishti profetizoi rreth kushteve të rrezikshme shpirtërore që do të ekzistonin në ditët e fundit. Ftojeni një student të lexojë Joseph Smith – Mateun 1:22. Ju mund të doni të vini në dukje se fraza “të zgjedhurit sipas besëlidhjes” u drejtohet anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit.

  • Çfarë kërcënimesh paraqesin në kohën tonë “Krishtër[it] e rremë” dhe “profetë[t] e rremë”?

Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994):

Presidenti Ezra Taft Benson

“Libri i Mormonit nxjerr në shesh armiqtë e Krishtit. Ai i ngatërron doktrinat e rreme dhe i jep fund grindjes. (Shih 2 Nefi 3:12.) Ai forcon pasuesit e përulur të Krishtit ndaj planeve, strategjive dhe doktrinave të liga të djallit në kohën tonë. Llojet e braktisësve në Librin e Mormonit janë të ngjashëm me llojet që kemi sot. Perëndia, me njohurinë e tij paraprake të pafundme, e modeloi Librin e Mormonit në mënyrë të tillë që ne të mund ta shohim gabimin dhe të dimë se si të luftojmë konceptet e rreme arsimore, politike, fetare dhe filozofike të kohës sonë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 139).

  • Çfarë na mëson kjo thënie rreth mënyrës se si studimi i Librit të Mormonit mund të na mbrojë nga mësime të rreme? (Sigurohuni që studentët përcaktojnë këtë parim: Kur e studiojmë Librin e Mormonit dhe i zbatojmë mësimet e tij, ne forcohemi kundrejt djallit dhe mësimeve e koncepteve të rreme të kohës sonë.)

  • Çfarë përparësie ka në të mësuarin rreth strategjive të Satanit përpara se t’i takoni ato në të vërtetë?

Vërini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë 2 Nefin 28:3–9, ndërkohë që klasa kërkon ide të rreme që Nefi tha se do të mbizotëronin në kohën tonë. Ju mund të doni t’i nxitni studentët të shenjojnë fjalë dhe fraza të rëndësishme. Ftojini studentët të tregojnë çfarë përcaktuan dhe më pas pyetini:

  • Cilët janë disa shembuj bashkëkohorë për këto ide të rreme? (Shembujt mund të përfshijnë sa vijojnë: relativizmin moral; bindjen se për shkak të dashurisë së madhe të Perëndisë për ne, Ai nuk do ta ndëshkojë mëkatin; dhe paragjykimin kundrejt të krishterëve, të cilët shpesh shihen si fanatikë.)

Për të ndihmuar që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, lexoni thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë për mësimet e rreme që ata i kanë hasur.

Plaku M. Rasëll Ballard

“Profetë të rremë dhe mësues të rremë janë ata që shpallin se Profeti Jozef Smith ishte një mashtrues hipokrit; ata e vënë në dyshim Vegimin e Parë si një përvojë të mirëfilltë. Ata shpallin se Libri i Mormonit dhe veprat e tjera kanonike nuk janë anale të lashtë të shkrimit të shenjtë. Ata gjithashtu përpiqen ta ripërkufizojnë natyrën e Kreut-Perëndi dhe e mohojnë se Perëndia iu ka dhënë dhe vazhdon t’iu japë zbulesë sot profetëve të Tij të shuguruar dhe të mbështetur. …

Ndoshta, në mënyrë më dëmtuese, ata mohojnë Ringjalljen dhe Shlyerjen e Krishtit, duke debatuar që asnjë Perëndi nuk mund të na shpëtojë ne. Ata e mohojnë nevojën për një Shpëtimtar. Me pak fjalë, këta kritikues përpiqen të interpretojnë rishtazi doktrinat e Kishës që t’u përshtaten vetë pikëpamjeve të tyre të paramenduara dhe në këtë proces e mohojnë Krishtin dhe rolin e Tij mesianik.

Profetët e rremë dhe mësuesit e rremë gjithashtu janë ata që përpiqen t’i ndryshojnë doktrinat e dhëna nga Perëndia dhe me bazë shpirtërore, që e mbrojnë shenjtërinë e martesës, natyrën hyjnore të familjes dhe doktrinën thelbësore të moralshmërisë vetjake. Ata përkrahin një ripërkufizim të moralshmërisë për të shfajësuar përfshirjen në kurvëri, shkelje kurore dhe marrëdhënie homoseksuale” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63–64).

Vërini studentët të hetojnë 2 Nefin 28:12–15, duke kërkuar pasojat e të besuarit në mësime të rreme.

  • Cilat janë disa nga pasojat e të besuarit në mësime dhe ide të rreme?

Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Ulises Soaresh, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë:

Plaku Ulises Soaresh

“Nuk mund ta lejojmë veten tonë që të pështjellohet nga mesazhet e shumënjohura, të cilat pranohen lehtësisht nga bota dhe të cilat bien në kundërshtim me doktrinën dhe parimet e vërteta të ungjillit të Jezu Krishtit. Shumë prej këtyre mesazheve të botës nuk përfaqësojnë asgjë më shumë sesa një përpjekje të shoqërisë sonë për ta justifikuar mëkatin” (“Po, Ne Mund dhe Do Të Fitojmë!” Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 75).

  • Cili tha Plaku Soaresh ishte qëllimi i shumë prej mesazheve të shumënjohura që bien në kundërshtim me ungjillin e Jezu Krishtit? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë të vërtetë: Satani përdor doktrina të rreme për të na joshur të bëjmë mëkat. Ju mund t’i drejtoheni Almës 30:53 për më shumë informacion rreth kësaj të vërtete.)

Ndajeni klasën në tri grupe. Shkruajini fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe caktojini secilit grup të studiojë njërin nga fragmentet: Jakobi [LiM] 7:1–7; Alma 1:2–6; ose Alma 30:12–18. Kërkojuni studentëve të përcaktojnë disa nga mësimet e rreme, të dhëna nga Sheremi, Nehori e Korihori dhe t’i shkruajnë ato në tabelë nën kreun e duhur.

Sheremi (Jakobi [LiM] 7:1–7)

Nehori (Alma 1:2–6)

Korihori (Alma 30:12–18)

  • Si i keni parë mësime ose ide të rreme, të tilla si ato që renditen në tabelë, t’i ndikojnë anëtarët e Kishës sot?

Ftojini studentët të krahasojnë Jakobin [LiM] 7:5, 8–12 dhe Almën 30:39–44 për të parë se çfarë i forcoi Jakobin dhe Almën kundrejt mësimeve të rreme të Sheremit dhe Korihorit. (Shënim: Krahasimi është një aftësi e studimit të shkrimeve të shenjta. Dallimi i ngjashmërive “midis mësimeve, njerëzve ose ngjarjeve mund t’i bëjë më të qarta të vërtetat e ungjillit” [Mësimdhënia dhe të Mësuarit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë (2012), f. 22].)

  • Çfarë e forcoi Jakobin dhe Almën kundrejt mësimeve të rreme? (Përgjigjet duhet të përfshijnë sa vijon: përvojat e mëparshme shpirtërore, njohuria për shkrimet e shenjta, dituria e fituar nga Fryma e Shenjtë, si dhe një dëshmi për Krishtin.)

  • Cili është një parim që mund ta mësojmë nga përgjigjet e Jakobit dhe të Almës ndaj këtyre mësimeve të rreme? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë parim: Kur mbështetemi në dëshmitë tona për Krishtin dhe kërkojmë udhërrëfimin nga Fryma e Shenjtë, ne mund t’i mposhtim sfidat e besimit tonë.)

  • Në ç’mënyrë dëshmia juaj ju ka forcuar kundrejt mësimeve apo kritikës së rreme ndaj bindjeve tuaja?

Nxitini studentët të tregojnë atë që po e bëjnë për ta mbrojtur vetveten nga mësimet e rreme që mund ta gërryejnë besimin e tyre në Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur.

2 Nefi 26:29; 3 Nefi 18:24; 27:27

Të dalluarit e rreziqeve të intrigave të priftërinjve

U thoni studentëve se disa rreziqe shpirtërore për Kishën vijnë nga anëtarë brenda Kishës. Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 26:29, ndërkohë që klasa kërkon rrezikun shpirtëror të përshkruar nga Nefi.

  • Sipas këtij fragmenti, çfarë janë intrigat e priftërinjve? (Kur njerëzit e predikojnë ungjillin për famë ose pasuri vetjake në vend që ta predikojnë për mirëqenien e fëmijëve të Perëndisë.)

  • Në çfarë mënyrash mund të krijonin intrigat e priftërinjve rreziqe shpirtërore për anëtarët e Kishës?

Për të ndihmuar që t’iu përgjigjen këtyre pyetjeve, ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard:

Plaku M. Rasëll Ballard

“Le të jemi të vëmendshëm ndaj profetëve të rremë dhe mësuesve të rremë, si burra edhe gra, që janë deklarues të vetemëruar të doktrinave të Kishës dhe që përpiqen të përhapin ungjillin e tyre të rremë dhe të tërheqin pasues duke financuar simpoziume, libra e revista, përmbajtja e të cilave sfidon doktrinat themelore të Kishës. Ruhuni nga ata që flasin e botojnë në kundërshtim me profetët e vërtetë të Perëndisë dhe që aktivisht u flasin të tjerëve me shpërfillje të rrezikshme ndaj mirëqenies së përjetshme të atyre që i joshin” (“Beware of False Prophets and False Teachers”, Ensign, nëntor 1999, f. 63).

  • Si mund t’i mbroni veten tuaj dhe të tjerët nga intrigat e priftërinjve?

  • Si mund t’i mbroni doktrinat e Kishës kur të tjerët flasin në kundërshtim me profetët e ditëve të mëvonshme të Perëndisë?

U thoni studentëve se Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij se si ata që e përfaqësojnë Atë, duhet t’u japin mësim të tjerëve dhe t’i ndikojnë ata. Vërini studentët të hetojnë në heshtje 3 Nefin 18:24 dhe 3 Nefin 27:27, duke kërkuar se si shërbimi i vërtetë sipas ungjillit ndryshon nga intrigat e priftërinjve.

  • Si ndryshojnë synimet dhe veprimet e mësuesve dhe udhëheqësve të drejtë nga synimet dhe veprimet e atyre që janë fajtorë për intrigat e priftërinjve? (Studentët duhet të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Dishepujt e Jezu Krishtit përpiqen t’u shërbejnë të tjerëve dhe t’i bekojnë ata duke iu treguar udhën drejt Tij.)

Moroni 7:12–17; Ethëri 4:11–12

Dallimi i së vërtetës dhe së gabuarës

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur dikush i vuri në dyshim apo i kritikoi bindjet e tyre fetare. Ftojini një ose dy studentë të tregojnë shkurtimisht përvojat e tyre.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Moroni 7:12–17 dhe Ethëri 4:11–12, ndërkohë që klasa i ndjek, duke kërkuar mënyrën se si të dallojnë nëse diçka është nga Zoti apo nga djalli.

  • Çfarë mësoni nga ky fragment rreth mënyrës se si mund të gjykojmë midis së mirës dhe së ligës? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë parimin vijues: Gjithçka që është nga Perëndia, na fton të bëjmë mirë, të besojmë në Jezu Krishtin dhe ta duam Perëndinë e t’i shërbejmë Atij.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

Presidenti Ezra Taft Benson

“Më lejoni të sugjeroj tri prova të shkurtra që të shmangni mashtrimin. …

1. Çfarë thuhet në veprat standarde rreth kësaj? …

2. Udhëzuesi i dytë është: çfarë kanë për të thënë Presidentët e ditëve të mëvonshme të Kishës lidhur me çështjen – veçanërisht Presidenti i gjallë? …

3. Prova e tretë dhe përfundimtare është Fryma e Shenjtë – prova e Shpirtit. … Kjo provë mund të jetë plotësisht frytdhënëse vetëm nëse kanalet e komunikimit të një njeriu me Perëndinë janë të pastra e të virtytshme dhe të zhbllokuara nga mëkati” (në Conference Report, tetor 1963, f. 16–17).

Për ta mbyllur, kërkojuni studentëve të përsiatin mënyrën se si ne mund t’i përdorim më mirë shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve dhe Frymën e Shenjtë që t’i përcaktojmë mësimet e rreme dhe që ta shmangim të qenit të mashtruar. Ju mund t’i nxitni ata të studiojnë Jakobin [LiM] 7, Almën 1 dhe Almën 30 më me hollësi dhe të përsiatin se si këta kapituj mund t’i ndihmojnë ata të dallojnë më mirë midis të vërtetës dhe të gabuarës.

Materiale Leximi për Studentin